Kriza nuk e ndal shtrenjtimin e banesave

BSH: Vijon rritja e çmimeve edhe në 6-mujorin e parë

Vet Banka e Shqipërisë është habitur kur ka parë rezultatin e studimit mbi indeksin e çmimit të banesave në vend. Nisur nga shtrëngimi i kredisë dhe rënia e kërkesës, pritej një frenim i çmimeve, por 6-mujori i parë i vitit 2009 rezulton me një shtrenjtim prej 15.6 përqindësh. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë nisur llogaritë e tjera për të parë ndikimin e euros te çmimet në ndërtim, duke pasur parasysh rritjen e saj në raport me lekun. Duke zbritur ndikimin e kursit të këmbimit, sërish dilte një rritje e çmimeve për banesa, prej 8 përqindësh, krahasuar me vitin e kaluar. "Rritja vjetore e indeksit të çmimit të banesave me 15.6 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 konfirmoi kthesën rritëse të nisur që nga tremujori i parë i këtij viti, pas një periudhe njëvjeçare rënëse", thotë në raportin e saj BSH-ja. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2009, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 6 për qind në tremujorin aktual.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve të shitjes në tremujorin e dytë të vitit 2009 është paraprirë nga vlerësime të bizneseve ndërtuese për rritjen e kostos në prodhim. "Shtrëngimi i kushteve të kreditimit gjatë vitit 2009, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, sugjeron për një ndrydhje të kërkesës. Dinamika e kërkesës dhe ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, në kushtet e një kërkese më të tërhequr dhe të një oferte të qëndrueshme, sugjeron një frenim të rritjes së mëtejshme të çmimeve mbi nivelin aktual", analizon BSH-ja.

Ndërkaq, indeksi i qirasë së banesave në kryeqytet është rritur me 7.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 (rritja është 5.9 për qind sipas matjeve të indeksit të qirasë, duke zbritur efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Në krahasim me tremujorin e kaluar, tarifa e qirasë u ul me 14.7 për qind (16 për qind pa efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Ndryshimi me kahe të kundërta i çmimit dhe qirasë së banesave në tremujorin e dytë në krahasim me të parin ka rezultuar në rritje të raportit çmim/qira.

 

Fushata me rrugët, qeveria kthen borxhet: Vendimi, 50 milionë USD nga Fondi Rezervë shkojnë për akset nacionale

ARD KOLA

Qeveria nis të bëjë llogaritë e fushatës elektorale. Përurimet e panumërta për tre muaj rresht kanë zbrazur konsiderueshëm arkën e shtetit, por kanë sjellë edhe një tregues pozitiv: tejkalimin e planit të investimeve me 260 për qind. Tashmë me mbylljen e Durrës-Kukës dhe të akseve nacionale, qeverisë nuk i mbetet shumë për të investuar. Këtë fakt e pranon edhe Ministria e Financave, e cila udhëzoi pak ditë më parë bllokimin e investimeve pas datës 3 gusht, duke mos lejuar prokurime publike. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, qeveria miratoi dje një vendim që i jep të drejtë Ministrisë së Punëve Publike të përdorë nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, rreth 50 milionë dollarë për rrugët. VKM-ja nuk jep asnjë detaj më shumë, duke krijuar paqartësi rreth qëllimit që kërkon të arrijë qeveria. Këto 50 milionë dollarë, shtesë për cilat rrugë do të shkojë, kur pjesa dërrmuese e kontratave është mbyllur, ndërsa pas datës 3 gusht nuk do të lidhet asnjë tjetër? Sikurse ka ndodhur edhe vite më parë, në prag fushatash, për të mos humbur kohë në gjetjen e parave, qeveria zhvillon tenderë, pa pasur fondin në dispozicion. Kjo për faktin edhe të nevojës për të hapur sa më shumë kantiere ndërtimi, pavarësisht se në buxhet nuk është parashikuar një shpenzim i tillë. Dy vjet më parë, doli në publik shifra 5 milionë dollarë, që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve i kishte firmave të ndërtimit. Bizneset kishin pranuar të nisnin punën me shpresën se do t‘i merrnin më vonë. E gjithë kjo që po ndodh tani është rrjedhojë e punimeve të bëra gjatë fushatës nga ndërtuesit. Tani që zgjedhjet mbaruan, qeveria mendon të prekë fondin rezervë, i cili përdoret për investime, duke mos cenuar deficitin buxhetor.

Rrugët nacionale

Duke u mbështetur në ligjin "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi dje përdorimin nga fondi i kontigjencës, i miratuar në nëntor të vitit të kaluar, të 4.3 miliardë lekëve, për programin e rrugëve nacionale, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Vendimi i djeshëm hyn në fuqi menjëherë, pa qenë nevoja të botohet në Fletoren Zyrtare. Megjithatë, një tjetër arsye që lidhet me vendimin e prekjes së rezervës është mungesë e të ardhurave në buxhet. Kriza po tkurr të ardhurat nga doganat dhe tatimet. Me ligjin e buxhetit, qeveria ka të drejtë të prekë fondin për ruajtjen e deficitit buxhetor, në rastet e mungesës së të ardhurave të mjaftueshme. Rezerva e parashikuar për vitin 2009 është rreth 6 miliardë lekë.

Investimet e larta

Po dje, Kryeministri Sali Berisha foli për rritjen ekonomike të vendit dhe për nivelin e investimeve, që, sipas tij, prekin 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. "Fatmirësisht investimet në këtë vend kapin 10 për qind të prodhimit të brendshëm, ndaj edhe ata që flasin për krizë, e kanë një krizë të brendshme psikologjike. Një vend që investon me 10 për qind, sjell optimizëm, të kujdesshëm, por real", u shpreh Berisha. Kryeministri foli edhe për rritjen e eksporteve, të cilat po ngushtonin raportin me importet dhe përmirësim të deficitit buxhetor.

1 Komente

Konkluzioni eshte i qarte. Ne vazhdojme te jemi ne nje kaos ekonomik ku ligjesite e kapitalizmit deformohen dhe ku deformimet paraqiten si suksese.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).