Kostumet e fjalës

1. Gjeneralisimusi Francisco Franco u frikësua se përdorimi i gjuhëve "separatiste" do t‘ia prishnin rendin dhe rregullin në vend e në të vendosur se të gjitha klubet sportive do të kishin emra vetëm në spanjisht, në Athletic Bilbao nuk kishin shumë kohë për të shpjeguar se emri i klubit futbollistik nuk rridhte nga gjuha baske (se gjuha baske, e shpërndarë me dialektet e veta aq sa edhe kodrat e luginat e vendit as që kishte emër të vetin për nocionin "atletik&quotsmiley. Një ditë të bukur të vitit 1941 erdhi dekreti me të cilin klubi do të quhej Atletico Bilbao, sipas rregullave të gjuhës spanjishte.

 Gjeneralisimusi, i suksesshëm në imponimin e emrit të klubit, megjithatë nuk arriti ta ndryshojë britmën përkrahëse të ithtarëve të klubit; gjatë tërë shekullit XX, pandryshuar as në këtë të tashmin, dalja e futbollistëve baskë në terren (se sipas rregullave të brendshme, në klub do të rekrutoheshin vetëm futbollistët e shtatë provincave baske) do të përcillej me "Alliron, Alliron!". Britma, siç ndodh në raste të konflikteve politike, lehtë shndërrohej në një qëndrim rezistence ndaj diktaturës, apo madje edhe britmë nacionaliste pro pavarësisë baske.

 Do të ketë qenë një detyrë impozante për policinë sekrete spanjolle të gjejë se kush klithte brenda stadiumit do të mund të numëroheshin me gishtërinj ata të cilit nuk do ta përkrahnin klubin, e me të edhe kauzën nacionaliste, me "Alliron, Alliron".

 Diktatori vdiq, Spanja hyri në tranzicion demokratik dhe doli me sukses të shënuar, klubi futbollistik përdor zyrtarisht emrin Bilbao FC, Athletic Club (të gjithë e quajnë "El Athletic&quotsmiley. Në stadium vazhdon britma "Alliron, Alliron", të cilën tok me futbollin e sollën anglezët, tregtarë e marinarë nga Southampton e Sunderland, së bashku me minatorët e Anglisë veriore, të cilët themeluan industrinë e çelikut në këtë zonë industriale të Spanjës. "All Iron" (Tërë Çelik), ishte thirrja tifoze fillestare e anglezëve që themeluan klubin, e shndërruar pastaj në variantin "alliron" (me shqiptim të njëjtë si në shqipe) që do të ishte halë në sy për pastërtinë gjuhësore dhe ideologjike të gjeneralisimusit Francisco Francos, pengesë e tanishme e nacionalizmit bask për të dëshmuar antikitetin e purizmin e lëvizjes për pavarësi dhe dëshmi se fjalët ndonjëherë, e ndoshta edhe shumë herë, marrin domethënien që nuk e kishin në fillim.

2. Nëna e tij kishte deklaruar se Gary Gillmore ishte i biri i papërligjur i magjistarit të njohur Harry Houdini dhe këtë nuk e besoi kush, as babai i dhunshëm, i cili, sipas deklaratave të mëvonshme të vëllait të Gary-t, do të ishte në krye të një familje disfunksionale. Gary kishte koeficient inteligjence prej 133, në moshën 14-vjeçare kur filloi vjedhjen e parë dhe një nevojë për të vrarë, siç u pa në Utah, në korrik të vitit 1976 kur la të shtrirë me nga një plumb pistolete dy shitës, njërin njërën ditë e tjetrin ditën tjetër, pasi i kishte vjedhur, ata qenë dorëzuar e pajtuar me humbjen materiale, duke mos pritur se edhe jeta do të ndiqte udhën e parave.

 Më 1977 do të mbahej gjykimi, mbërrihej shpejt verdikti mbi fajësinë (e kjo nuk ishte edhe gjithaq vështirë ngase Gillmore pranoi vrasjet), do të pyetej vrasësi se a donte vjerrjen apo pushkatimin dhe ky zgjodhi plumbat, pa dhënë ndonjë shpjegim tjetër plotësues. Ditën e pushkatimit, prapa një mushamaje të zezë, me pesë vrima të hapura për tyta pushkësh, sherifi e pyeti vrasësin se a kishte ndonjë fjalë të fundit para se të jepej urdhri i zjarrit dhe ky u përgjigj thjesht me "Let‘s do it!" ("T‘i japim" apo "Ta bëjmë!&quotsmiley. Trupi i tij i pajetë, pasi iu hoqën sytë për arsye donacioni me dëshirën e vrasësit, do të dërgohej në autopsi, pastaj kremacion dhe të nesërmen hiri i mbetur prej kremacionit do të shpërndahej me avion në dy pikat e vrasjes, në Utah, duke shënuar aktin e marrjes së hakut, por edhe të zhdukjes së mundësisë përfundimtare që dikush të çonte lule te lapidari ku do të shkruante se "këtu prehet në paqe Gary Gillmore, i lindur...".

 Disa vjet më vonë, kompania sportive NIKE do të kërkonte nga eksperti Dan Wieden një parullë publicitare për prodhimet e veta. Ky do të jepte formulën "Just do it!"("Thjesht, bëje!&quotsmiley, duke dëshmuar se fjalët nuk kalojnë nëpër proces kremacioni, ose edhe kur kalojnë, nuk shndërrohen në hi.

Dreqi e di a ndihmoi gjë në këtë punë të qenit biri i papërligjur i një magjistari!

3. Mario Bellatin u ndie si magjistari i pyetur për trukun e porsabërë kur nga audienca e takimit të radhës letrar njëri iu adresua me: "E, kush ka pasur më së shumti ndikim në krijimtarinë tuaj letrare?"

 Shkrimtari meksikan, jo shumë i njohur jashtë botës letrare hispanike, kumtoi se Shiki Nagaoka me veprën e tij ishte njëri prej krijuesve që më së shumti ka ndikuar në veprën e tij dhe shpjegoi gjerë e gjatë si, duke përfshirë edhe faktin jo pak të rëndësishëm se japonezi kishte një hundë kaq të madhe sa i pengonte të hajë.

 Publiku u impresionua me vulën që kishte dhënë Nagaoka, Bellatin po ashtu u impresionua me zbulimin e porsabërë. Madje aq, sa në të marrë besimin e plotë të audiencës, u ul të shkruajë një biografi të tërë të japonezit të porsazbuluar, përfshi edhe fotografi e bibliografi. Titulli i veprës ishte "Shiki Nagaoka: një hundë për letërsi".

 Dikush që besoi prej fillimit për ekzistencën e shkrimtarit të trilluar japonez mori rikonfirmimin në të dëgjuar për botimin e librit në fjalë, e dikush që prej fillimit e mori si barsoletë u gëzua që ajo u rrit në një vepër letrare; që të dyja palët do të bindeshin më në fund se fjalët mund të bëjnë të qena gjërat e paqena.

4. Kur thanë, para dhjetë vjetësh, se e çliruan Kosovën, pamë se si çlironin dyqanet, banesat e serbëve, shtëpitë e romëve. Pastaj si çlironin ndërmarrjet publike dhe i shndërronin në të vetat. Pastaj si çlironin qytetet nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare. Pastaj si çlironin një shoqëri nga perspektiva.

Tash po thonë se janë në krye të institucioneve sovrane të Kosovës. Po ushtrojnë sovranitet në tenderë, sovranitetin personal e partiak mbi ndërmarrjet publike, sovranitetin mbi përqindjen e çdo biznesi të realizuar, sovranitet mbi një sistem të elaboruar dhe ilegal përgjimi, sovranitet mbi çdo metër asfalt të shtruar e që duhet rishtruar vitin e ardhshëm.

 Dikush duhet t‘i shënojë fjalët e tyre sot. Thjesht për të parë se si banaliteti i një grupi të paditurish, të uritur për pushtet ekonomik e politik bëjnë që fjala të shndërrojë në të paqenë një të qenë - atë që deri më sot ishte një realitet kolektiv, ndjenjë, aspiratë, pse jo, ëndërr për Kosovë të pavarur, demokratike e funksionale.

2 Komente

Shume gjate i ra Surroi per te arritur ne nje perfundim qe ka nevoje te zgjerohet smiley

Mire qe ka dashur te dale tek Kosova, por titullin nuk e kuptoj une. Cfare  nenkupron me "Kostumet e fjales"?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).