Kosovë, rreth 1900 të zhdukur në luftën e fundit

http://gazetastart.com/fotolajm/te_humburit1.jpgPrishtinë - Në Ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, familjarët e tyre kanë kërkuar edhe një herë ndriçimin e fatit të rreth 1 900 personave të zhdukur që nga koha e luftës së fundit në Kosovë.

Pas një performance para Teatrit Kombëtar, familjarët për një orë janë mbështetur në rrethojën e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke çuar mesazhin te institucionet që të bëjnë më shumë për gjetjen e më të dashurve të tyre. Zepe Rukolli, nga Rezalla e Skenderajt, ndonëse ka mbushur 74 vjeçe dhe nuk është mirë me shëndet, vazhdon tu bashkëngjitet aktiviteteve që organizohen për të kërkuar zbardhjen e fatit të më të dashurve të saj, që i humbi në masakrën e Rezallës. Ajo kishte ardhur sot në Prishtinë, së bashku me djalin për të marrë pjesë në shënimin e Ditës ndërkombëtare të personave të pagjetur, të organizuar nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.

“ Kam të humbur, dy vllazninë, djalin tim, e djalin e vëllait. Për qatë na kanë pru këtu që me i gjete këta të vramë, po spo gjinden hiq”.

Megjithëkëtë numri i familjarëve të të zhdukurve, që ishin mbledhur përpara Teatrit Kombëtar, ku po zhvillohej ky aktivitet nuk ishte i madh. Kryesuesi i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kosumi, fajëson institucionet që nuk po bëjnë sa duhet për ta zbardhur fatin e të pagjeturve dhe e shqetëson fakti që në këto aktivitet po dalin çdo herë e më pak familjar.

“Po zvogëlohet si pasojë e gjendjes së rëndë të tyre. Nëse vazhdon ky ritëm i zgjidhjes së kësaj çështjeje, unë konsideroj se në dhjetëvjetëshin e fundit do të na mbeten shumë më tepër njerëz të cilët i kërkojmë se sa njerëz dhe familjar, të cilët do të jenë në gjendje të dalin për të kërkuar të afërmit e tyre”, tha Kosumi.

Ndërsa, zëvendëskryeministri, Ramë Manaj, i cili gjithashtu ka të zhdukur djalin e që mori pjesë në këtë manifestim, tha se institucionet e Kosovës kanë bërë dhe po bëjnë gjithe maksimumin e mundshëm për ta mbyllë këtë problem.

“Por nuk varet nga ne sepse problemi i bashkëpunimit me Serbinë, prej nga ne presim të mbyllet çështja e të pagjeturve në kuptim të ndriçimit të fatit të tyre, vazhdon të mbetet tepër i vështirë, tepër delikat”, tha Manaj. /rtk/start/

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).