Kapitalizmi nuk jepet me qira

Editorial

Ideja e qarkulluar nga ana e Qeverisë së fundmi konsiston në skemën ku toka bujqësore t’i merret fshatarit që nuk e punon kundrejt një pagese 1/10 mbi prodhimin që realizohet në këtë tokë nga një tjetër fshatar që e ka marrë po këtë tokë në përdorim. Ky model, me sa duket ka lindur në ngjashmëri me konceptin e pronësisë me kusht në shqipërinë feudale të shekujve më parë dhe po aty “vdiq” pasi më shumë se element detyrimi ndaj pushtetit qëndror ishte shprehje e marrëdhënieve ekonomike, shoqërore të atij rendi tanimë të arkivuar në histori. Sot një formë e tillë arkaike vjen si përzierje e gatuar keq me përbërës të një reforme agrare apo dhe të një politike fiskale që vështirë se do ta quajmë të tillë, dhe nuk mund t’i ngjizet kapitalizmit.

Por vendimi për t’i marrë tokën zotit të saj nuk vjen në boshllëk dhe as për motivin deri diku të mbetjes pa punuar, pasi vakumin e krijuar nga moszbatimi i ligjit, respektimi i pronës e ka zënë mendësia e “tokës së zanum”. Shqipëria e tranzicionit e trajtoi një herë me nxitim çështjen e pronësisë së tokës bujqësore me një ligj të viteve ‘90, atë 7501, e cila iu nda fshatarëve duke neglizhuar në një pjesë të territorit titujt e vjetër të pronësive e duke krijuar konflikte të reja, pa mbyllur të vjetrat. Përveç këtij nxitimi, kjo çështje kaq e rëndësishme u trajtua me amatorizëm të papërgjegjshëm (dhe ky është përcaktimi më lehtësues) pasi edhe sot ka plot fshatarë që nuk kanë tapitë e tokës dhe po aq ish-pronarë që nuk iu jepet prona. Ndërkohë dyndja urbane dhe më pas tetantivat për legalizimin dhe njohjen e titullit të pronësisë atij që e ka zënë me force, është një goditje tjetër ndaj kapitalizmit në themelin e tij, pronën. Blerja e tokës me para nën dorë vetëm me marifete hipotekash dhe mbivendosje të qëllimshme të pronave, e ka rënduar prej kohësh goditjen dhe janë pasojë e një keqadministrimi të papërgjegjshëm të këtij elementi kaq të rëndësishëm të të gjithë marrëdhënieve ekonomike e sociale të kapitalizmit. Vendimi për t’a zhveshur pronarin nga pronësia e tokës dhe për të marrë çfarëdo vendimi në lidhje me të, e në emër të tij, edhe pse nuk e punon atë është grushti fatal dhe ashtu sikundër ndodhi me reformën agrare pas viteve ’50, ku prodhuam një sistem ekonomik të dështuar. Por, në një ekonomi që duhet të eci me ritme të shpejta për të kapur kohën e humbur nga 45 vjet socializëm, prona si një element thelbësor i sistemit të ekonomisë së tregut nuk duron dot më të tilla goditje. Për aq kohë sa tokën do ta mbajmë peng dhe të mos e konceptojmë si pronë, kapitalizmi dhe të gjitha marrëdhëniet sociale, shoqërore, ekonomike e politike të ndërtuar mbi të do të jenë të kërcënuara nga anashkalimi dhe respektimi ndaj tij. Propozimi i qeverisë deri tani ecën në të tilla shtigje, por kapitalizmi është rend dhe nuk jepet e as merret me qira.

3 Komente

Ellis Peters (or Edith Pargeter): "The rose rent"

Perpara se qeveria te marre keto masa aspak lehtesuese per nxitjen e zhvillimit te bujqesise, do desha te dija se cfare behet me vjeljen e takses per token bujqesore ne pronesi? Eshte nje ligj qe mund te jete aprovuar ndoshta qe ne vitin 1995, ku sipas perberjes se pjellorise se tokes dhe /ose mundesise se vaditjes toka bujqesore, ne mos gaboj, ndahej ne 4 kategori me 4 tarifa te ndryshme. Une nuk e di se sa jane keto tarifa, por jam i sigurt se nese do te vileshin, do te kishte nje impakt pozitiv per nje shtytje per te punuar ate. Nese kjo takse nuk vilet, apo vilet pjeserisht, perse shteti nuk kerkon te regulloje kete gje? Po shkon direkt tek nje alternative tjeter duke mos e konsumuar e as revokuar te paren? Atehere une kam te drejte te dyshoj se mbrapa ketij veprimi fshihet nje ose disa akte mafioze, qe synojne aritjen deri ne konfiskim te disa tokave ne disa zona qe mund te kene vlere te larte sipas planeve orguzeze te qeverise se Sules. 

 prisonbreak; "....Atehere une kam te drejte te dyshoj se mbrapa ketij veprimi fshihet nje ose disa akte mafioze, qe synojne aritjen deri ne konfiskim te disa tokave ne disa zona qe mund te kene vlere te larte sipas planeve orguzeze te qeverise se Sules..."  

 

Mundet te dhe kjo te qendroje. Buall Mavria, me ceshtjen e bujqesise, po korr ate qe ka mbjelle, pra e ndau token rremujshem/rrompallce dhe tani kjo gje ju kthye ne bumerang. c'njeri pa tru qe na ka qelluar per drejtim mer jahu. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).