Kapeni hajnin!

 Miroslav Filipovic 

Edhe pak e do të fillojë edhe dekada e tretë prejse nacionalistë beogradas mundohen që me të njëjtin “shtos” ta tërheqin botën për hunde. Po bëhet nga pak e mundimshme të shikohet se si vazhdojnë me lojërat e pakuptimta rreth përdorimit të fjalëve “terrorizëm” dhe “terroristë”, derisa ato terme i shfrytëzojnë për përdorim të brendshëm, ashtu siç janë mësuar që të shfrytëzojnë edhe gjithçka tjetër: pa takt, josaktë dhe pa përgjegjësi. Terrorizmi është gjë e rrezikshme dhe e keqe. Prapa akteve terroriste gjithmonë mbesin me dhjetëra ose qindra të vrarë, mbetet një porosi e tmerrshme. Përveçse në Serbi. Terroristët më nuk duan të ndërmarrin akte terroriste në të cilat të vrarët maten me disa dhjetëra. Terminologji e zakonshme terroriste tani janë portabël bombat atomike, raketat e mbushura me sarin, bioterrorizmi, aeroplani, treni, eventualisht ndonjë autobus, qendër tregtare, treg… Në Serbi, jo. Natyrisht, jo për fat të mirë. Sigurisht që në Serbi nuk ka terrorizëm, dhe sigurisht që në Serbi nuk ekziston asnjë çështje e pazgjidhur politike ose çfarëdo qoftë tjetër, e cila do të mund të kërkonte një “përkrahje” terroriste. Në Serbi është “terrorizëm” kur dikush hedhë një bombë dore në ndonjë oborr, ose afër ndonjë gardhi, apo edhe afër ndonjë muri të shtëpisë, ashtu që dëmi të jetë sa më i vogël dhe që, dashtë Zoti, të mos e pësojë askush, ose kur Trupi Koordinues (si dikur) të njoftojë se pjesëtarët e Xhandarmerisë dëgjuan dy të shtëna që vinin nga drejtimi i Kosovës.

Shumë kohë më parë, derisa po i bëja hapat e parë si gazetar për raportimin e përdorimit të dhunës politike, një koleg i babait, përndryshe një sigurims i vjetër i armatës së Titos, ma dha përafërsisht këtë këshillë: "Kur diku shpërthen një bombë, e s’ka të vrarë, dhe nëse pushteti s’i kapë fajtorët, atëherë kjo është një kurdisje. Atëherë shiko se kush bën më së shumti zhurmë nëpër gazeta… Ai e ka hedhur bombën!”.

Natyrisht, është shumë e vështirë që të dyshohet në informacionet dhe raportet që i japin organet shtetërore, ose zyrtarët e lartë shtetëror.

E, gjykuar sipas tyre, gjendja në komunat e Bujanocit dhe Preshevës është dramatike. Le të shikojmë vetëm titujt dhe do të ngrihemi: “Dramë në Jug të Serbisë”, “Jugu i Serbisë Pushtohet nga Terroristët”, “Mbetjet e Grupeve Terroriste në Jug të Serbisë”, “Sutanovac Kërkon Ndihmën e NATO’s”. Pra, më së shumti zhurmë po bëjnë tanët. 
Ose, tregimi i dytë: Në pranverën e hershme të vitit 2002, në hyrjen e fshatit shqiptar Lluçan, afër Bujanocit, një xhip i policisë ra në minë. Tre policë të shkretë u dogjën deri në asht. Në fillim të qershorit të sivjetmë dy policë patën fat. Edhe pse xhipi i tyre u qëllua me minahedhës, ata vetëm u plagosën. Zakonisht, kur një minahedhës të qëllojë një tank, tanku shkatërrohet, e brenda tij digjen të gjithë. Xhipi i policisë dhe djelmoshat tanë brenda tij patën një fat të paparë, apo ndoshta terroristët shqiptarë nuk po ditkan të gjuajnë, përkundër “stërvitjeve kulmore disavjeçare dhe armëve më moderne dhe më vdekjeprurëse me të cilat i ka furnizuar NATO”. 

Por, unë prapë them se nuk është aq lehtë të dyshohet në informacionet që i japin zyrtarët shtetërorë. Megjithatë, kur një gazetar gjatë hulumtimit të tij është i logjikshëm, metodik, dhe dyshues, atëherë dëshiron që materien ta hetojë pak më thellë, e këtu ekzistojnë të paktën tri pika që duhen shqyrtuar. 

Pikë e parë janë pikërisht ata “terroristët shqiptarë, të armatosur dhe stërvitur profesionalisht, nga të cilët vlojnë institucionet e shtetit të rrejshëm”. A është e mundur që ata të jenë bash kaq “të verbër” dhe të mos mund ta kryejnë një aksion të vërtetë terrorist, por qëllojnë vetëm me plumba qorr? A është reale që terroristët shqiptarë secilën herë t’ia tërheqin vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare me akte terroriste, të cilat shumë më tepër dëm iu shkaktojnë vetë atyre sesa serbëve? Natyrisht se krejt kjo është e pamundur. E di se në Kosovë ekzistojnë njerëz që mendojnë për aksione serioze terroriste të përmasave të mëdha. Mendoj se ata s’do të ishin mësyshur që të kryenin aksione të tilla, por vetëm nëse kjo do t’i ndihmonte Kosovës si shtet dhe nëse kjo gjë do të lejohej edhe nga qendrat që s’janë në Kosovë. Ose, që të jem edhe më i qartë, nëse terroristët shqiptarë dëshirojnë të kryejnë një akt terrorist për t’ia futur thikën pas shpine Serbisë dhe sukseseve verbuese diplomatike të Jeremicit, është më se e sigurt se s’do të hidhnin një bombë në ndonjë oborr të atjeshëm, ku s’është askush. E pyeta një ish-oficer policor me përvojë, ndoshta më me përvojë se të gjithë të tjerët, se çfarë mendon për terrorizmin në jug të Serbisë. Buzëqeshi dhe e bëri atë pantomimën e “tre majmunëve”. I mbylli sytë, i mbylli veshët, dhe me gishtin e madh dhe atë tregues kaloi mbi gojë sikur po e mbyllte atë me patentë.

Pika e dytë. Në Kosovë ka kohë që në skenë është “pavarësia këmbadoras”, gjegjësisht numërimi deri në 92 ose 93 shtete që do ta pranojnë Kosovën, dhe atëherë të përfundojnë të gjitha brengat. Edhe ato kosovare, edhe ato serbe. Kosovën do ta pranojnë zyrtarisht Kombet e Bashkuara, pra, “e gjithë bota”, ndërsa politikanët serbë do të qetësohen dhe të fillojnë të merren me atë që edhe e kanë punë, të përkujdesen për interesat e qytetarëve të Serbisë. Një numër shtetesh nuk do ta pranojnë Kosovën, kurse një pjesë tashmë i ka porositur qytetarët dhe politikanët kosovarë se po i vëzhgojnë dhe po vlerësojnë nëse janë shtet i mirëfilltë, nëse mund ta kontrollojnë situatën në shtetin e tyre, nëse mund të sigurojnë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Dhe, nëse mund t’i arrijnë që të gjitha, do t’i pranojnë. Me fjalë tjera, është në interes të thellë të pushtetit kosovar që Kosovën ta shfaqin jo vetëm si një shoqëri të lirë dhe demokratike, por edhe të tregojnë se mund t’i kontrollojnë bashkëkombësit e tyre nga ana tjetër e Moravës së Binçës.

By the way, politikanët kosovarë këtë vërtet mund ta bëjnë dhe po e bëjnë. Njësoj sikurse që shqiptarëve të Kosovës, nën kërcënimin e dënimit me vdekje, u është ndaluar ngacmimi i serbëve, zotëruesit e Kosovës po me këtë dënim u janë kërcënuar edhe shqiptarëve “të Serbisë”, po qe se në Preshevë ose Bujanoc, ose edhe në Beograd, s’ka lidhje ku, i ngacmojnë serbët, ose bëjnë çfarëdo qoftë që do ta ngadalësonte numërimin e përmendur. Prandaj edhe është në domenin e fantazisë të besohet në terrorizëm shqiptar.

Dhe e treta, është rregull që gjëja që i konvenon njërës palë nuk i konvenon tjetrës. Beogradit assesi nuk i konvenon paqja në Kosovë, e as paqja në jug të Serbisë. Ashtu siç po qëndrojnë punët tani, koha më nuk punon për nacionalistë beogradas. Përkundrazi. Sipas tyre, pavarësia këmbadoras dhe numërimi i qetë dhe i pavërejtur duhet të ndalen. Paramendojeni vetëm pak se sa shumë do t’ju “flinte” një luftëz nacionalistëve beogradas. Qoftë edhe nëse zgjat vetëm dy-tri ditë. Vetëm po të digjeshin disa kisha në Kosovë, ose të paktën në jug të Serbisë. Dhe, që të vriteshin disa serbë – askush më s’do ta pranonte Kosovën. Numërimi do të ndalej. 

Me nxitjen e urrejtjes ndëretnike në Kosovë dhe në Serbi përgjithësisht, qeveria serbe fiton të paktën dy poenë të rëndësishëm. I pari është homogjenizimi nacional përreth serbëve të kërcënuar. Ka disa herë që në këtë faqe kemi shkruar se ky është një zbulim i Milosevicit dhe se ai, sa herë që i luhatej pushteti, i shpikte disa serbë që dikush i rrezikonte dhe të cilët vetëm ai mund t’i shpëtonte.

Duke e bërë këtë nuk përtonte që, nëse bash duhej, ta kthente nga pak rrotën e historisë dhe të së keqes, e nëse gjatë kësaj pune ndonjë serb edhe vritej ose mbetej pa shtëpi, s’kishe ç’ti bëje!

Duhet, siç tha i ndjeri Zoran Djindjic, të shikohet një tablo paksa më e gjerë. Niveli i sotëm i histerisë nacionale nuk është shënuar që nga “punimet e hershme” të Milosevicit, megjithëse baza populliste e histerisë kleronacionaliste është për disa herë më e madhe dhe tashmë mjaft ngjeshur e ndërthurur me elemente fashizmi.

Përfitimi i dytë. Po qe se nuk do të ketë para të majme nga jashtë, qeveria do të ketë vështirësi të mëdha për t’i paguar pensionet, rrogat e arsimtarëve dhe të drejtorëve, por edhe të gjitha tjerat. Mirëpo, nëse serbët në Kosovë ose në Sanxhak dikush vazhdon t’i maltretojë, dhe nëse “qëllimin e aktiviteteve e transferon në jug të Serbisë - e deri në Nish”, atëherë qytetarët e uritur do të mund të hiqnin dorë nga protestat e pritura. Në këtë do të mund t’iu ndihmonin edhe pjesëtarët e forcave patriotike. Prandaj, pushteti edhe kërkon dhe gjen mbështetje të fuqishme pikërisht tek këto forca, duke i ofruar qytetarëve - në vend të bukës dhe sigurisë - një rrëfim të konstruktuar me kujdes për kërcënimin e kombit dhe për nevojën që pikërisht ky pushtet t’i prijë popullit në betejën e shenjtë për shpëtim. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).