Kantier & Teatër

Me një harxhim prej 40 milionë lekësh, në kryeqytet do të ndërtohet një teatër i ri i quajtur Teatri i Bodrumit. Ky “ndërtues” që merr përsipër gjithë këtë vepër, është ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, regjisori Kiço Londo.

Është si punë kantieri që ai synon të realizojë këtë vit në ish-mjediset e Estradës duke zgjeruar hapësirat e teatrit. “Mungesa e infrastrukturës bëri që ne të ngremë dy salla më shumë në Teatrin e Metropolit e për këtë na është dashur vetëm një vit kohë, - thotë Londo, - që si teatër do të mbetet në nivelin bashkiak”. Veç kësaj salle, pra ajo e Bodrumit, që përbëhet me 100 stola, e jo kolltukë (politikë e përzgjedhur për të krijuar idenë e një ambienti të tillë të ngjashëm), shuma është e akorduar për ndërtimin edhe të një tjetër ambienti teatror. Do të quhet salla e teatrit “Glob”, e akomoduar me 300 vende, në të cilën gjatë këtij sezoni do të shërbejë për koncerte, shfaqje teatrale, show, cirk etj. Sipas drejtorit të Teatrit të Metropolit, Londo, në sallat e reja nuk është aplikuar sistemi italian, sistemi klasik, siç jemi mësuar të shohim në teatrot e tjera shqiptare, si në Teatrin Kombëtar, të Akademisë së Arteve etj. Skenat janë të lëvizshme në varësi të shfaqjeve që do të vihen gjatë sezonit e në vijim. “Ne duam të thyejmë atë çfarë është bërë paksa tradicionale”, - thotë Londo, ndërsa tregon se salla “Glob” përmban një skenë në mes të ambientit e spektatorët e rrethojnë atë në të gjitha anët. Edhe sistemi i ndriçimit, pra projektorët mendohen të shpërndarë në mënyrë të barabartë për t’i bërë shfaqjet sa më efektive për publikun. “Ne do të jemi hapësira teatrore jo vetëm më e rëndësishme në gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Nuk ma merr mendja se ka ndonjë institucion tjetër që mund të ketë tri salla teatrore dhe një arenë të madhe cirku, që do të kthehet në funksionin multi-funksional”, - shprehet ai, duke theksuar se aktualisht ekziston teatri i ashtuquajtur i “Xhepit trefunksional”. Kjo do të thotë se shfaqja mund të vihet në mes të skenës, nëpër shkallë apo në pozicione të tjera.

Me gjithë shfaqjen e luksit për ndërtimin e dy sallave të reja në kryeqytet, edhe pse është premtim për të rinjtë, është e vështirë të besohet se ky vend do t’u shërbejë si akademi. Ndonëse Londo na e pohon këtë si politikë të tij, për t’u dhënë mundësi regjisorëve për të eksperimentuar si dalje nga shfaqjet klasike, jashtë ballafaqimit tradicional - kjo nuk të bind shumë. Është vetë Londo që dikur ka mbajtur të gozhduar Teatrin Kombëtar pas aktorëve të mëdhenj, asaj plejade që u trashëgua nga tradita e teatrit. Sado të na e bëjë bindëse situatën e re teatrore që kërkon të sjellë në kryeqytet, të paktën e gjithë kjo të shërbejë për të justifikuar lekët e taksapaguesve që vilen nga bashkia.

“TM është një vend që u jep mundësi regjisorëve shumë për të eksperimentuar, për të dalë pak nga shfaqjet klasike. Po ashtu, është i përshtatshëm për teatrin eksperimental dhe alternativ për sa kohë që mundësitë e “tradicionales” janë të pakta, hapen rrugët për eksperiment dhe alternativë”. Sipas tij, kjo është një iniciativë që vjen për disa arsye. Londo rendit shkaqet: “Ajo çka ne kemi marrë në dorë, lidhet me faktin se kemi një mungesë të theksuar të teknikave si teatri alternativ, tetari i rrugës, eksperimental, teatri i oratorisë publike, bilingual, të cilët kanë qenë sporadike dhe jo të organizuar. Ne do t’u japim shanse të rinjve dhe këtyre teknikave të munguara që tashmë kanë një strehë, sigurisht duke përfshirë këtu edhe shumë regjisorë shqiptarë e të huaj”.

Këto salla kanë nisur të rindërtohen. Sipas drejtorit, salla e “Bodrumit” do të përfundojë në mes të muajit shtator, ndërsa ajo e quajtur “Glob” nga fundi i muajit nëntor të këtij viti, ku të gjitha aktivitetet që do të përcaktohen, të mund të zhvillohen në këto ambiente. Veprimtaria e këtij sezoni sapo ka nisur të përpilohet, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete. Ai thotë se po punohet me projekte dhe jo me trupa fikse. “Jemi kundra krijimit të gjendjes moçal”, - thekson ai duke bërë të ditur se kanë filluar kontaktet me regjisorët shqiptarë e të huaj për të sistemuar sado pak vijën e projekteve. Ky investim do të marrë formë duke ndjekur edhe disa koncepte artistike që Londo i shpreh: “Do të marrim parasysh epokën në të cilën kanë shkruar autorët, stilin e tyre, zhanrin, mentalitetin e kohës dhe të regjisorëve dhe autorëve, si dhe ne operojmë me aktorët e rinj”. Ai pretendon për një repertor të fortë, por tani për tani thotë se po thur vetëm ëndrra për të sjellë vepra të mëdha të skenës ndërkombëtare teatrore. “Ne thurim ëndrra që të kemi në sezon një Hamlet të Shekspirit, Goldon me “Zonja e bujtinës”, të kemi një antikitet, që mund të jetë “Elektra” e Sofokliut. Po ashtu edhe takimin teatror të të rinjve me regjisorë aktorë, skenografë, kostumografë, koreografë etj., në një vepër të vetme”, - që sipas tij, në këtë sezon që kjo ide do të jetojë. Ndërsa nga fundi i gushit thotë se do të vendoset për një nga këta vepra.

Në muajin tetor do të ekzistojë edhe një teatër për kukulla ku çdo ditë të shtunë disa aktorë të rinj të japin shfaqje për fëmijët. “Hapësirat e komunikimit shpirtëror në një qytet që po shkon një milion mes artistit dhe publikut janë të varfra. Por ne jemi në stadin që energjia jonë është vënë në lëvize dhe koshienca jonë është e pjekur. Ka ardhur momenti që kryeqyteti ynë nuk mund të shkojë drejt Evropës vetëm dy-tre salla teatri”, - shprehet Kiço Londo. Ndërsa, në vitin që vjen drejtori thotë se në ambicie e institucionit është edhe qendra që ndërtohet në kinema “Dajti”, që do të jetë nën juridiksionin e Teatrit të Metropolit. Po ashtu ai synon edhe amfiteatrin e madh tek Liqeni Artificial në kryeqytet.
 

2 Komente

 te lexosh shkrimin = te qerosh me thonj, te presesh me piru dhe te skuqesh me uje nje kv patate..

po vdes per togfjaleshin "funksionim multiifunksional"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).