Janar-maj, vidhen 8.1 miliardë lekë energji

Sipas të dhënave zyrtare, "konsumi i pafaturuar" arriti rekordin historik këtë vit

Shiu ka qenë shumë bujar me sistemin elektroenergjetik shqiptar gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, por edhe sistemi ka qenë po kaq bujar me hajdutët e energjisë elektrike, bëhet e ditur nga të dhënat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Gjatë periudhës janar-maj, në Shqipëri janë vjedhur 1 miliard kilovat/orë energji, me vlerë tregtare prej 8.1 miliardë lekësh (62 milionë euro). Niveli i vjedhjeve është më i larti i shënuar prej shumë vitesh dhe është shkaktuar si pasojë e humbjes së përgjithshme të vigjilencës nga ana e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në prag të privatizimit. OSSH kaloi në duart e pronarëve të rinj në qershor, formalisht përkundrejt çmimit prej 102 milionë eurove për 76 për qind të aksioneve. Por humbjet e pesë muajve të parë, pritet të pasqyrohen edhe në çmimin e privatizimit për shkak se sipas kontratës, blerësi ka të drejtë të ulë nga çmimi humbjet e shënuara gjatë muajve të fundit. Në total, rreth 36 për qind e energjisë së konsumuar në Shqipëri është vjedhur.

Vjedhjet e energjisë elektrike rriten së bashku me rritjen e energjisë së furnizuar për popullatën, për shkak se sistemi furnizon më tepër pa kriter, si ata që e paguajnë energjinë, ashtu edhe ata që nuk e paguajnë. Por ndërsa të parët priren të kursejnë në konsum, për shkak se e paguajnë, të dytët nuk kanë nevojë të kursejnë. Për pasojë, ndërsa furnizimi i vendit me energji është rritur me 2 për qind, humbjet janë rritur me 20 për qind. Vjedhjet e energjisë kanë tendencë rritjeje në periudha parazgjedhore, kur qeveritë priren të tolerojnë hajdutët, pasi janë zënë me fushatë. Vjedhjet rëndojnë edhe në faturën e energjisë elektrike që paguajnë konsumatorët e rregullt, pasi "humbjet në rrjet" konsiderohen si pjesë e kostos së energjisë. Në total, në periudhën janar-maj 2009, OSSH ka faturuar më pak energji sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prodhimi

Si pasojë e reshjeve të bollshme të shiut gjatë periudhës në fjalë, prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është rritur me 53 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 2.6 miliardë kWh. Prodhimi i bollshëm i ka mundësuar Shqipërisë të ndërpresë importet dhe të eksportojë një pjesë modeste të prodhimit. Një situatë kaq pozitive reshjesh dhe prodhimi, nuk është parë prej disa vitesh.

Konsumi i energjisë elektrike përbën edhe një tregues të ecurisë së ekonomisë në tërësi për shkak se pa energji nuk prodhohet pothuajse asgjë. Kështu, gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, vërehet rënie me 5 për qind e konsumit të energjisë nga ana e industrisë, gjë që tregon rënie aktiviteti ekonomik.

Ndryshimi i çmimit

Enti Rregullator i Energjisë elektrike po pret aktualisht kërkesën e pronarëve të rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për çmimet që konsumatorët me pakicë do të paguajnë vitin e ardhshëm. Sipas kontratës së privatizimit, pronarët e OSSH-së mund të kërkojnë kompensim në çmimet e vitit 2010 edhe për vitin 2009. Qeveria e pati kushtëzuar privatizimin me mosrritje të çmimeve gjatë vitit zgjedhor 2009.
Teorikisht, çmimet e energjisë mund të rishikohen në rritje apo në ulje. Shumë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë çmimin kanë ndryshuar gjatë kohëve të fundit. Çmimi i energjisë së importuar nga tregu rajonal është përgjysmuar si pasojë e krizës botërore, gjë që ndikon edhe në rënien e kostos së dritave në Shqipëri, por në të njëjtën kohë, vjedhjet e energjisë janë rritur, gjë që ndikon rritjen e çmimeve.

Angazhimi i pronarëve të rinj të OSSH, kompanisë CEZ nga Republika Çeke, për të investuar rreth 250 milionë euro në katër vite në sistemin e shpërndarjes, pritet të sjellë edhe rritje të konsiderueshme çmimesh. Megjithëse ka ngrënë qindra milionë euro investime, sistemi i shpërndarjes gjendet ende në shumë pjesë të territorit në pamundësi fizike për përballimin e kërkesës, ndërsa sistemi i faturimit dhe arkëtimit të parave duket se do të kërkojë ndryshime rrënjësore.

3 Komente

Kush e vodhi? Populli, Une ti ne te tere. ja keta jemi ne.......

nuk i ka vjedh populli mor jo, se populli paguan gjithnje, por ata kapot e medhenje te bizneseve, ata qe lyejne qerren mire e mire... nje poc i qelbet kuzhine do e coje borxhin 8 miliarde?? naivitet qe s'kapercehet me asgje.

dmth me kete ritem parashikohet nje humbje prej 130 milione eurosh kete vit ? Une sun di gjo per vete por nqs kto shifrat jane reale atehere ky lajm duhet te perbeje pak me teper se nje shkrim 3 paragrafsh te gazeta shqip.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).