“Grindavecë” të politikës pengojnë krijimin e një strategjie kombëtare

Dikur bankier e më pas zëvendëskryeministër dhe guvernator i Bankës Qendrore të Shqipërisë. Sot, një nga bashkëautorët e programit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit. Si ka qëndruar zoti Cani mes këtyre skajeve? Çfarë mund të na thoni për karrierën tuaj?

“Jam diplomuar në vitin 1980 si ekonomist për finance-kontabilitet dhe kam filluar punë në degën e Tiranës së Bankës së Shtetit Shqiptar (Banka Qendrore e asaj kohe), ku kam qëndruar pak më shumë se një vit. Më pas kalova në Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës së Shtetit Shqiptar, deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe kam kryer thuajse çdo detyrë që më është ngarkuar në bankë, nga specialist i thjeshtë e deri drejtor departamenti dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Në vitin 1990 me propozimin tonë u miratua krijimi i Bankës Kombëtare Tregtare dhe u emërova Drejtor i Përgjithshëm i saj. Më pas kalova në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe deputet i Kuvendit. Në gusht të vitit 1997 iu riktheva bankës, tashmë me detyrën e guvernatorit, për një periudhë 7 vjeçare. Siç e thoni, me një grup të gjerë ekspertësh jemi marrë për një periudhë afro një vjeçare me pjesën ekonomike të programit të Partisë Socialiste. Më vjen keq që programi nuk pati mundësi zbatimi, për jo pak ide të mira të dhëna nga ekspertë të shquar vendas dhe të huaj.

Në pyetjen tuaj ju flisni për skaje. Mendoj se skajet nuk kanë qenë shumë të thepisur dhe jo shumë të distancuar. Kjo pasi me ndonjë përjashtim të rrallë përherë në epiqendër të punës kam pasur synimin t’i shoh zgjidhjet më tepër nga këndvështrimi i ekspertit. Për më tepër, detyra e guvernatorit edhe pse është në pjesën dërrmuese teknikë, nuk mund të realizohet me sukses pa u përzierë dhe me politikën, ndonëse këtë të fundit (jo pa kosto personale) jam munduar ta shmang sa më shumë nga dyert e Bankës së Shqipërisë.

Realiteti shpesh jo fort i këndshëm i këtyre dy dekadave të fundit mund të ketë ndikimin e tij në zgjedhjet që kam bërë, por më duhet të pranoj që nuk është se i jam trembur përfshirjes në politikë, por duke mos dashur të bëj politikë siç kanë bërë jo pak politikanë shqiptarë, jam munduar t’i shmangem asaj. Sot në politikën shqiptare ka një amalgamë politikanësh të llojeve nga më të ndryshmet: profanë të saj, për të mos folur për mjaft të tjerë që kanë garuzhdet në brez si mjetin e vetëm të politikë-bërjes. Duke mos mohuar që ka jo pak politikanë të nderuar, mund të them që kam bërë mirë që kam qëndruar në pozicionin e ekspertit, ku mendoj që kam pasur fatin të kem arritur një karrierë optimale.

Cilat konsideroni kulme dhe cilat kanë qenë momentet më të vështira të kësaj karriere?
“Janë disa kulmet dhe momentet e vështira parë nga këndvështrime të ndryshme. Nëse do niseshim nga shkallët e ngjitura në karrierën profesionale, qenien me mandat të plotë si guvernator do ta çmoja edhe unë si një vlerësim të lartë. Edhe pa qenë qellim ne vetvete, ngritjet e vazhdueshme në detyrë që kam pasur gjatë karrierës sime përgjithësisht duhet te jenë tregues i arritjeve më të mira në punë. Por mbajtja me dinjitet e postit të guvernatorit mendoj se është një sfidë më vete edhe më e vështirë. Jam krenar që gjatë gjithë mandatit 7 vjeçar u realizua çdo objektiv i Bankës së Shqipërisë dhe institucioni u kthye në një institucion cilësor, me standarde bashkëkohore, i pavarur, me reputacion dhe ekspertizë ndër më të mirat e vendit. Ky vlerësim nuk është vetëm i imi, por vjen veçanërisht nga institucione ndërkombëtare të mirënjohura si FMN, Banka Botërore, BERZH, etj.
Por arritjet mund të shihen dhe me rezultate më të vogla, te quajtura të përditshme. Që në fillim dhe besoj ndër të parat institucione të vendit, Banka e Shqipërisë hartoi strategjinë disa vjeçare të zhvillimit dhe punën e maste me këtë strategji si dhe me standardet ndërkombëtare, të vlerësuara pozitivisht po nga ndërkombëtarët.

Momente të vështira ka pasur po ashtu, ndonëse më të rralla. Kryesisht në kujtesën time si të tilla janë dy - tre, të gjitha të krijuara kryesisht nga politika ose më saktë politikanë që armë të vetme kanë përbaltjen e të tjerëve. Krijimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me kërkesat ligjore nuk ka gjetur gjithnjë mirëkuptimin dhe është realizuar jo pa kosto dhe sakrifica, shpesh edhe personale. Nga përvoja e këtyre viteve tranzicioni, po shohim jo rrallë raste kur përkushtimi ndaj punës dhe ndershmëria marrin goditje të pamerituara. Do t’i isha shmangur këtij konstatimi nëse do të ishte diçka rastësore ose personale, por fatkeqësia është se janë disa të tillë në politikën shqiptare të gjithë krahëve, që për të keqen e vendit më duken disi dhe të organizuar e agresivë edhe sot. Në këtë kontekst do të përmendja përbaltjen pa baza të Bankës së Shqipërisë me çështjen e thesarit të humbur në objektin e Krrabës. Jo vetëm që Banka e Shqipërisë nuk kishte asnjë përgjegjësi, por dhe i kishte kryer më së miri detyrimet e saj për këtë çështje. Për këtë ekziston i gjithë dokumentacioni i nevojshëm. Për fat të keq, gishti i fajit u drejtua me të padrejtë dhe mbi bankën. E kuptoj që është shumë e vështirë të jepen medalje vlerësimi për subjekte të shquara në një betejë të humbur, por të paktën të shquarit nuk ka pse të njollosen”.

Jeni një nga ekonomistët më të njohur në vend, mund të thoni diçka, me aq sa lejohet se cili është qortimi juaj për ekonominë shqiptare, çfarë është bërë keq që në fillim të ndryshimit të sistemit dhe çfarë ka vend për t´u qortuar?
“Duke pranuar që në pothuaj dy dekadat e fundit ekonomia shqiptare ka bërë progres të lavdërueshëm, le të merremi me pjesën e qortueshme të saj. Me keqardhje më duhet të pranoj që ka mjaft veprime për t’u qortuar, por do ndalem vetëm në disa momente.

Kështu mendimi vizionar pothuaj ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe. Në shumë e shumë raste e veprime ekonomia shqiptare ka ecur pa një ide të qartë, pa një strategji cilësore. Për më tepër “grindavecë” të politikës kanë penguar krijimin e një strategjie gjithëpërfshirëse kombëtare të hartuar e miratuar me konsensus mes të gjitha palëve. E them me përgjegjësi që mbi ¾ e programeve të partive kryesore të vendit janë përafërsisht të njëjta. Pra konsensusi ekonomik për çështjet më madhore të ekonomisë shqiptare mund të realizohej pa shumë vështirësi. Rezultantja do të ishte një impuls i ndjeshëm pozitiv në ekonominë e vendit.

Mungesës së vizionit i është shtuar dhe shumëfishuar dhe një qeverisje e dobët, korrupsioni, monopolet, ekonomia joformale dhe në jo pak raste edhe kriminale. Kjo dua të besoj në të shumtën e rasteve ka ardhur nga mungesa e profesionalizmit të administratës (kemi ministra që edhe pse administrojnë fonde të mëdha publike, në fakt më duket se as edhe çobanin nuk mund ta bëjnë, apo kemi nëpunës të administratës që nuk kanë bërë as edhe një trajnim në jetën e tyre), por në disa raste edhe nga “zgjuarsia e “mafiozëve”, që me këta të paaftë mund të mjelin më mirë “lopën” qeveri”. Duke ditur që ka dallime mes qeverisjes dhe mirëqeverisjes, duhet të kuptojmë që janë shumë elementë të mirëqeverisjes që qeverisja jonë e dobët “nuk jua ka parë derën”.

Mungesa e transparencës dhe ndryshimet e menjëhershme dhe të paparalajmëruara te politikave fiskale (së bashku me arbitraritetin e administratës shtetërore) ka qenë një tjetër pikë e errët në ekonominë shqiptare.
Shëndetësia duket si një degë thuajse në kolaps. Nuk është vetëm problemi i pagesës për çdo shërbim mjekësor, por sidomos tek cilësia tejet e ulët e këtij shërbimi. Jemi në një sistem as publik as edhe privat, as sasior as edhe cilësor etj. Po kështu dhe çështja e shkollimit. Na duhen vizionarë e strategë, por universitetet janë të mjeruara. Por na duhen më shumë (ndoshta dhe këtu mund të konkurrojmë ne BE) shkolla profesionale, që thuajse nuk ekzistojnë.
Prej fillimit dhe deri më tani nuk ka marrë drejtimin e duhur çështja e pronës, duke u kthyer në gangrenë të pamerituar për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë shqiptare. Me kohë ngatërresat janë shtuar dhe mendimi im është që asnjë qeveri e djathtë apo e majtë qoftë, nuk e ka pasur me seriozitet zgjidhjen e saj. Pra, sipas meje më e keqja është jo se e kanë zgjidhur gabim (sepse e konceptonin gabim rrugëzgjidhjen), por sepse nuk kanë pasur vullnetin e duhur për ta zgjidhur këtë çështje”.

Në idenë tuaj, cili është dallimi thelbësor midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri dhe mënyrës së qasjes së tyre ndaj problemeve ekonomike të vendit?
“Ndoshta do t’ju zhgënjej juve dhe lexuesit (pa diskutim dhe një pjesë e miqve të mi që do më qortojnë në heshtje), por me pak mllef dhe sinqeritet të tepruar do të shprehesha që dallimi kryesor në fushën ekonomike në këto vite të shkuara ka qenë kush do të ketë pushtetin.
Dallimi tjetër jo më për t’u kritikuar ka qenë më shumë në mënyrën dhe aftësitë profesionale të qeverisjes se sa në dallimet programore. Të majtës në pushtet i është dashur të zgjidhë, do të vlerësoja me zgjuarsi, mjaft probleme ekonomike me këndvështrim klasik me kah nga e djathta. E djathta ka premtuar dhe vepruar në jo pak raste majtas. Shumë nga këto veprime sipas gjykimit tim kanë qenë të gabuara apo tejet populiste, zgjidhje të çastit, jo të perspektivës.
Nëse do të shmangnim gabime të bëra në zbatim, do të vlerësoja qe e majta ka ruajtur një balancim më të mirë të politikave të saj ekonomike në raportet konsumator-biznes. Po kështu e majta ka qenë më e vendosur në ruajtjen e harmonisë përmirësuese të treguesve makroekonomike. E djathta ka pretenduar të jetë më pranë ish-pronarëve, por disa akte të saj kanë qenë më dëmtuese për ta. Në këto katër vitet e fundit disa akte ligjore e nënligjore kanë dalë tërësisht në kurriz të buxhetit, pra të qytetarëve shqiptarë. Kështu dëmet e Gërdecit u zgjidhën me “zemërgjerësi” (nëse është kështu siç reklamohet) jo në kurriz të dëmtuesve, por me paratë e buxhetit (pra me më pak shkolla, spitale etj.). Edhe çështjet e zonave informale me ish-pronarë, po zgjidhen (nëse) në pjesën dërrmuese me para të buxhetit. Nga “faljet” e grabitjet që po i bëhen pronave “pa zot” me sa duket buxheti (pra xhepi i të gjithë ne shtetasve shqiptar&eumlsmiley do të paguajë edhe më shumë. U zgjata me këta shembuj jo për të treguar diferencën politika ekonomike të djathta e të majta, por spekulimet me to dhe dëmet që na vijnë nga këto spekulime.
Nuk u mora qëllimisht me diferencat në politikat ekonomike, pasi dallimet janë pa vlerë krahasuar me dëmet që sjellin deformimet e mësipërme. Pra, në stadin ku është ekonomia shqiptare nuk do shihja probleme tek dallimet programore midis të djathtës dhe të majtës, por të metat që përmenda në dy pyetjet tuaja të mësipërme”.

Sipas jush, cilat do të mund të ishin prioritetet e zhvillimit në një vend që duket se nuk prodhon pothuaj asgjë, që nuk mund të konkurrojë me prodhim industrial, kurse bujqësia dhe turizmi, sa për të përmendur dy sektorë të tjerë të rëndësishëm, ngjajnë se i janë dorëzuar spontanitetit e zhvillimit spontan?
“Mungesa e vizionarëve dhe e strategëve ua bën më të lehtë ndërhyrjet individëve, kuptohet në planin individual, por me efekte afatshkurtër për vendin. Secili biznes mundohet të bëj më të mirën (dhe në fakt ka bërë mjaft gjëra moderne) në pronën e tij. Por pa strategji tërësore nuk krijohet mozaiku i duhur për ekonominë e vendit. Sot kemi ndërtime banesash dhe biznese shërbimesh me dhjetëra herë më shumë se disa vite më parë. Për to nuk mund të themi që kanë qenë të panevojshme. Por e them me bindje që nëse biznesi shqiptar do të kishte strategji të qarta dhe të miratuara me plane urbanistike përkatëse do të kishim një zhvillim shumë më efektiv dhe rritje ekonomike më të lartë. Qeveritë e deritanishme nuk ju kanë çelur horizonte bizneseve, por shpesh kanë qenë pengesë ose i kanë parë dhe si armiq apo pika për të mjelë fitime të pamerituara.

Kur ke vizionin dhe strategji të qartë, kuptohet që dhe veprimet e përditshme realizohen në funksion të këtij qëllimi. Ju përmendni bujqësinë dhe turizmin. Më duket që mbështetja e bujqësisë është refren i politikanëve në fushatat zgjedhore, për të marrë votat e fshatarëve. Për të është bërë shumë pak dhe jo rrallë politikat e ndjekura kanë dështuar si të pamenduara mirë.

Po e njëjta gjë mund të thuhet dhe për turizmin. E përmendim shpesh si degë prioritare, pa pasur ndonjë ide se çfarë duam të bëjmë me të (turizëm masiv apo elitar, turizëm kulturor etj.), të paktën në horizontin e një dekade.
Ju pyesni me të drejtë për industri. Por dhe kjo çështje kërkon mendje të kthjellët dhe piketa me zgjidhje më afatgjata. Duam teknologji të lartë apo pranojmë çdo teknologji, duam çdo lloj industrie apo kemi luksin e përzgjedhjes të disa degëve të caktuara etj. Mendoj që këtu ka prioritet një strategji me konsensus sa më të gjerë dhe transparencë maksimale. Janë shumë breza që gëzojnë apo preken nga zgjidhja që do japim sot”.

Gjithë globi është përfshirë nga kriza ekonomike, vetëm Shqipëria, të paktën po t´i besohet deklarimeve zyrtare, ngjan e përjashtuar nga kjo e keqe; një pyetje e drejtpërdrejtë: a jemi në krizë?
“Ekonomia shqiptare deri më tani nuk duket se është me rritje ekonomike negative, pra nuk është zyrtarisht në recesion, të paktën sipas statistikave zyrtare, të cilat nuk mund t’i komentoj për besueshmërinë. Por ndikimi i krizës është i ndjeshëm në jetën e përditshme të vendit. Atë e vuajnë shtetasit e bizneset. Por siç jam shprehur dhe herë të tjera kriza nuk ndjehet njëlloj nga të gjithë, për më tepër është më e ndjeshme në shtresat më të varfra.

Bankat kanë ulur ndjeshëm kreditimin, individët dhe subjektet kanë kufizuar depozitimet, vendit i mungon likuiditeti i nevojshëm, bankave u janë ulur fitimet dhe po përdorin rrugë jo fort serioze për shtimin e komisioneve jo transparente ndaj klientëve, ndryshimet pa u ndjerë të interesave të kredive, oferta promocionale me interesa çuditërisht tepër të larta për depozita etj. Disa simptoma të tjera të krizës janë: Biznese të shumta kanë ulur ndjeshëm aktivitetin, është rritur kostoja e huamarrjes nga buxheti por edhe kreditë për biznesin dhe individët kanë tashmë interesa shumë më të larta, buxheti nuk po realizon të ardhurat, janë ulur importet, por shumë më tepër eksportet dhe të hyrat e tjera në valutë në vend etj.
Qeveritarët nuk duan t’i quajmë efekte të krizës të gjitha këto shenja? Kështu të jetë, por atëherë i bie që këto pasoja të jenë paaftësi e dukshme e qeverisë”.

Si e parashikoni të nesërmen e vendit, qoftë dhe duke pasur parasysh vetëm disa faktorë: borxhi i jashtëm rritet, marrëdhëniet me FMN-në janë të stopuara, ndërsa ka nisur të ndjehet mungesa e likuiditeteve...?
“Ana pozitive është se në ekonominë botërore ka disa sinjale shprese dhe rigjallërimi. Nëse sinjalet forcohen në një kohë të mëvonshme do të kemi përmirësime dhe në ekonominë tonë. Sipas të gjitha llogaritjeve dhe parashikimeve të mia muajt e mbetur të këtij viti do të jenë pak më të përkeqësuar nga pjesa e parë e vitit. Siç përmenda dhe më lart janë të shumtë treguesit makroekonomikë të përkeqësuar dhe që do të kërkojnë kosto shtesë për t’u rikthyer në nivelet e tyre normalë. Por na duhet të përballemi me këtë gjendje dhe uroj që periudha e vështirë të jetë sa më e shkurtër.

Marrëdhëniet me FMN tashmë duken si një kapitull i shkuar. Nuk ka të reja nëse themi që qeveria u tregua kokëfortë në largimin e saj. Përshtypja ime është që dhe përfaqësuesja e FMN në vitin e fundit të saj qëndroi në hije, apo një zë i mekët në disa raste kur kërkohej ton shumë më i vendosur i këtij institucioni kaq serioz dhe me ndikim në qeverisjen e ekonomisë shqiptare”.

Mendoni se sistemi bankar në Shqipëri është i garantuar dhe si e konsideroni rolin që duhet të luajë Banka Qendrore në këto momente?
“E përsëris me bindje që sistemi bankar është relativisht i garantuar dhe ndërsa kriza ka pasur dhe do të ketë ndikime në përkeqësim të disa treguesve të sistemit bankar, kjo nuk do të verë në rrezik sistemin bankar shqiptar. Individë e biznese duhet të mos tremben për të depozituar paratë në banka.
Banka e Shqipërisë ka pasur dhe ka rol të rëndësishëm për sistemin bankar. Janë jo të pakta masat e duhura që ajo ka marrë për mirë-menaxhimin e krizës në sistem. Ajo që mund të thuhet me pak fjalë është se ka qenë e vonuar dhe pa guximin e duhur në masat e marra. Këto të gjitha kanë pasur kostot përkatëse në sistemin bankar dhe në ekonomi”.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).