Fillon largimi i pesticideve nga Bajza

Mbi 250 ton kimikate të rrezikshme, të cilat që prej rreth 16 vitesh  ndodhen të magazinuara në Bajzë të Malësisë së Madhe, do të largohen, falë një projekti të PNUDIT dhe qeverisë holandeze. Rehabilitimi nga ndotja në këtë zonë, do të bëhet falë zbatimit të projektit “Forcimi i kapaciteteve në vendet e Ballkanit Përëndimor,për të adresuar pikat e nxehta mjedisore, nëpërmjet një modeli të integruar”.

Për largimin e këtyre kimikateve, është ngarkuar një kompani  holandeze, e cila do të kryejë paketimin dhe largimin e mbetjeve të pesticideve nga stacioni i Bajzës, në kufi me Malin e Zi. Sipas Drejtorit të Stacionit Hekurudhor të Bajzës Valentin Popaj, për largimin e mbetjeve, qeveria hollandeze ka dhënë një fond prej rreth 3 milion dollarësh, ku bashkfinancues në këtë projekt është edhe qeveria shqiptare, me një investim prej 900 mijë dollarësh: “ Për një periudhë shumë të shkurtër, pesticidet që ndodhen në magazinën qëndrore të stacionit të Bajzës, do të hiqen dhe do të largohen në drejtim të shtetit anglez. Kjo falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me organizata të huaja ,e sidomos me qeverinë holandeze, që është dhe financuesja e fondit të dhënë në formë granti. Heqia e këtyre lëndëve toksike, jo vetëm që do të hapë rrugë, por do t`i japë shumë zhvillim rajonit e kryesisht hekurudhës, si i vetmi stacion ndërkombëtar që ka lidhje me shtetet e huaja. Me heqien e këtyre kimikateve largohet edhe një shqetësim tjetër, ai i rrezikimit të shëndetit të banorëve të komunitetit, nga helmimet."

Prezenca e këtyre lëndëve, pohohet të jetë një nga problemet më të mëdha të kësaj zone, pasi ishin kthyer në një rrezik potencial për ndotjen e ambjentit dhe për pasojë për shëndetin e banorëve të që jetojnë atje: “Po shfaqen sëmundje kronike si dhimbje koke, debulesë, e në lëkurë tek banorët e komunitetit, sidomos tek fëmijët. Në shumë persona dallohen shënja të sëmundjeve të rënda kancerogjene e të leuqemisë, ndërkohë që tek gratë shtatëzëna ka probleme në lindje nga prezenca e helmeve. Ndërsa shumë bagëti kanë ngordhur, si pasojë e ushqimit të ngrënë, me rrezatim radiologjik,“ shton Popaj.

Sipas koordinatorëve  të projektit, ndër rezultatet e pritshme mendohet të jenë: pastrimi dhe rehabilitimi i plotë i zonës, ku janë përqëndruar stoqet e kimikateve toksike. Ndërkohë që pas largimit dhe eleminimit të lëndëve toksike, do të bëhet studimi i nivelit të ndotjeve së tokës, dhe ujërat sipërfaqësore dhe atyre nëntokësore, me qëllim përmirësimin e kushteve për një zhvillim të qëndrueshëm të krejt zonës.

Autor : Leka Plani
Redaktoi : Aida Cama

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).