EULEX sulmohet edhe nga hakerët

Hakerët kosovarë kanë sulmuar ueb-sajtin e EULEX-it në Kosovë, duke e porositur këtë mision se nuk guxon të nënshkruajë marrëveshje kundër vullnetit të popullit. 

Grupi i ashtuquajtur Kosova Hackers Group (KHG), në faqen e parë të ueb-sajtit www.eulex-kosovo.eu, kanë vendosur këtë mesazh: 

“Ju nuk mund t’ia shisni vendin tonë prapë Serbisë, ne kemi luftuar me gjak... Ne të rinjtë e Kosovës jemi të lodhur nga gënjeshtrat se EULEX-i është prapa popullit dhe nënshkruan marrëveshje për të shkatërruar të ardhmen e Kosovës... Ne që jemi e ardhmja, kurrë nuk do ta lejojmë këtë. Asnjë nuk është më i fortë se njerëzit në vendin e tyre. Mbane mend EULEX, se ju jeni të ftuar këtu për të na ndihmuar dhe jo të vendosni për neve... Siç kemi thënë Mirësevini, ne mund të themi edhe Mirupafshim...".

Mesazhi i hakerëve përfundon me vargun e njohur të këngës “Albanian”.

”Red n'black i dress eagle on my chest 
It's good to be an ALBANIAN 
Keep my head up high for that flag I die 
Im proud to be an ALBANIAN”.

Sulmi i hakerëve vjen në kohën kur EULEX-i ka paralajmëruar nënshkrimin e një protokolli bashkëpunimi me Beogradin, në fushën e sigurisë. Përveç tjerash, në këtë protokoll, kufiri i Kosovës konsiderohet “vijë administrative”. 

Kundër protokollit janë shprehur edhe drejtuesit e institucioneve, ndërkohë që Lëvizja “Vetëvendosje”, ka reaguar më së ashpri, duke përmbysur dhe dëmtuar rreth 30 vetura të EULEX-it në Prishtinë. 
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).