E vërteta e 6-1 me Qipron “vërtetohet” më 9 shtator me Danimarkën

1. Duket që pothuajse të gjithë trajnerët e huaj që “rrëmbejnë” Kombëtaren e Shqipërisë, ndonëse fillojnë punë pa e ditur historinë, sado modeste të saj, nuk kanë dëshirë as ta mësojnë paksa. Trajneri kroat i Shqipërisë, Josip Kuže, tha mbas ndeshjes së 12 gushtit 6-1 me Qipron se nuk e dinte se ky rezultat ishte një rekord. Në të vërtetë nuk ishte një rekord, por statistikisht ai ishte një barazim rekordi. Duhej 7-1 që të vendosej rekordi i fitores më të thellë në historinë e Kombëtares së Shqipërisë. Shifrat “historike” 6-1, trajneri Kuže dhe skuadra e tij, Shqipëria, i arritën qysh 15 minuta pa mbaruar ndeshja, çka do të thoshte se kishte kohë të mjaftueshme për ta thyer rekordin ashtu siç qe dorëzuar tashmâ pa mëdyshje Qipro. Do të mjaftonte që në këto minuta ai ta ndalonte eksperimentimin përmes ndërrimeve të pandalshme e të luante seriozisht edhe për një gol rekordi…

Kjo duket si diçka e parëndësishme, mirëpo edhe rekordet duhen, sepse janë natyrë nxitëse e ecurisë dhe zhvillimit të sporteve në tanësi, e sporteve vetjake po e po, por edhe e atyre kolektive si puna e futbollit. Ndoshta po ta kishte ditur, trajneri Kuže do të kishte luajtur me të vërtetë për 7-1-shin që vështirë t’i vijë shpejt në dorë Kombëtares modeste të Republikës së sotme të Shqipërisë.

Kësisoji, në 7-1, do të ishim gëzuar edhe më fort për këte rezultat të çuditshëm, që në fund të fundit përbën jo vetëm një barazim rekordi, por edhe një “rekord” të llojit të veçantë: për herë të parë më histori, Shqipëria shënoi 6 gola në një ndeshje të vetme. E pavarësisht prej nivelit të rangut miqësor të ndeshjes me njërën prej skuadrave më modeste të Evropës, në një farë mënyre shifra e 6 golave të shënuar është sensacionale. Sepse është arritur po prej njërës prej skuadrave modeste të Europës që është Shqipëria jonë. Çuditërisht shtypi shqiptar u turr te një ndeshje e gjashtë vjetëve më parë, 14 shkurt 2003, kur Shqipëria fitoi 5-0 kundër Vietnamit në një asnjanëse italiane, për të cilën për një kohë të gjatë pata dyshuar në zyrtarizimin e saj. I pata vënë vulën për arkivin tim, kur e gjeta të pranuar si zyrtare në “Almanack Of World Football”, që botohet nën siglën e FIFA-s: “14.02.2003, Albania – Vietnam 5-0, Bastia Umbro – ITA (Fr): Bushi 16’, Myrtaj 21’, 38’, Dragusha 53’, Pinari 85’”.

Mirëpo, “harruan” ndërkaq ndeshjen debutuese të Shqipërisë, të parën e të parave, fillestaren, përuruesen: po 5-0 kundër Malit të Zi në Shkodër më 22 shtator 1946. Në të dy rastet 5-0, çka do të thotë 5 gola epërsi, po aq sa dhe në ndeshjen e 12 gushtit 2009 në “Qemal Stafën”e Tiranës.

Dhe në të tre rastet trajneri është i huaj: I pari, ai vitit 1946, ishte Ljubisa Brocic nga Jugosllavia “mike”, të cilin e sillte në Shqipëri jo thjesht mungesa e trajnerëve të sprovuar, por më tepër miqësia politike shqiptaro-jugosllave e dy regjimeve komuniste. Ai mbërrin në Shqipëri në verën e vitit 1946 dhe mbrenda disa javëve bën gati Kombëtaren me fanelat kuqezi. Si provë gjenerale, siç thuhet, për Kampionatin Ballkanik në prag, ai zgjedh të thërrasë përfaqësuesen e Malit të Zi në një ndeshje në Shkodër. Eshtë 22 shtator 1946. Dhe... 5-0 për Shqipërinë në të parën ndeshje të Kombëtares, përballë një përfaqësueseje të një kombi të huaj.

Pak a shumë kështu kam shkruar në “Libri i Kombëtares” (2001) dhe në ate “Ballkaniada 1946” (2006). Kësisoji, Ljubisa Brocic mbërrin në Shqipëri me grupin e organizatorëve jugosllavë të Ballkaniadës më 11 shtator 1946 dhe rrufeshëm, vetëm mbas 11 ditëve, nxjerr në Fushën e Vjetër të Shkodrës Kombëtaren e Shqipërisë përballë Malit te Zi të Jugosllavisë së tij. Dhe... 5-0.

Thotë Anton Mazreku:

“… Në fakt kemi një skuadër kombëtare mjaft të mirë që ka përpara vetes nji t’arthme të shkëlqyeshme dhe që hyn në lojnat ballkanike plot entusiazëm dhe plot besim të drejtë në forcat e veta. Fitimi i arritun në Shkodër kundër skuadrës përfaqësuese të Malit të Zi asht nji fitim i thellë (5-0). Tue pasë parasysh rastet e humbuna nga sulmuesit tonë përpara portës së Koprivicës, përfundimi mund të kishte qenë edhe ma i bujshëm. Por po të analizojmë golat e shënuem, mund të thomi se nji a dy golat tonë nuk kanë qenë përfundim loje klasike. Sido që të jetë skuadra jonë ka lanë nji përshtypje nga ma të bukurat”…

Dodë TAHIRI (Giacomino POSELLI 36&rsquosmiley, Muhamet DIBRA, Foto JANKU, Prengë GJELOSHI, Sllave LLAMBI, Bimo FAKJA, Xhelal JUKA, Qamil TELITI, Loro BORIÇI, Vasif BIÇAKU (Pal MIRASHI 36&rsquosmiley, Ruzhdi BIZHUTA (Vasif BIÇAKU 46&rsquosmiley. Trajner: Ljubisa BROCIC.

Kjo Shqipëri e kishte mundur Malin e Zi, pak a shumë po aq sa çfarë e kishte mundë Partizani i Beogradit (6-1) javë më parë, kur dihej se ky Partizan në thelb ishte Kombëtarja e Jugosllavisë.

Njëzetenjë ditë më vonë, më 13 tetor 1946, kjo Shqipëri bëhet Kampione e Ballkanit dhe kapiteni i saj Loro Boriçi, ngjitet në podiumin e fituesit, i përkrenuar me kunorën e dafinës dhe ngre lart Kupën e Kampionit të Ballkanit. Anton Mazreku me rreshtat që cituam, thuajse kishte parashikuar në mënyrë të pagabueshme këte titull të bujshëm të Kampionit.

Kaq? Fanelat kuqezi megjithate kanë dy rekorde më të lartë: 6-0 Shqipëria- Turqisë për Kampionatin Ballkanik, Rumani 1969 (shënues për antologjinë e futbollit: Ramazan Ragami, Muharrem Karriqi, Vladimir Balluku&hellipsmiley dhe Shqipëria – Rumania 7-1 për Kampionatin Ballkanik 1978 (shënues po për antologjinë e futbollit: Dashnor Bajaziti, Shyqyri Ballgjini, Arben Minga&hellipsmiley. Për fat, të dyja këto ndeshje i përkasin Kombëtares “Shpresa” të Shqipërisë…

2.

Për Kombëtaren e madhe gjithçka e ka zanafillën te ajo premierë shqiptaro-malazeze e Shkodrës, e një 11-shi, i cili për bukur 57 vjet, deri te ndeshja me Vietnamin në Bastia Umbro (Norcia) të Italisë më 2003, me 5-0 të saj do të mbeste si e vetme ndeshja rekordmene e Kombëtares së Shqipërisë.

Dhe mbas 57 vjetëve i dyti 5-0. Protagonistët e skedës po aq “historike” kundër aziatikëve të panjohur me shënues Bushi 16’, Myrtaj 21’, 38’, Dragusha 53’, Pinari 85’, ishin:

STRAKOSHA (BEQAJ 46&rsquosmiley, E.BEQIRI, XHUMBA (DEDE 46&rsquosmiley, A.DURO, HAXHI (MURATI 46&rsquosmiley, HASI (PINARI 80&rsquosmiley, BELLAI, DRAGUSHA (AHMATAJ 70&rsquosmiley, SHKEMBI, BUSHI, MYRTAJ (DOBI 72). Trajner: H.P.BRIEGEL.

Çudia më e madhe është se prej këtyre kombëtarasve të para 6 vjetëve, të mërkurën e Qipros në ndeshjen “rekord” 6-1 luajti vetëm njeri: Elvin Beqiri i Vllaznisë!

Ky është fakti që na duket më i rëndësishmi, rreth të cilit sillet disi edhe argumenti i shkrimit të sotëm. Kjo do të thotë se mbrenda 6 vjetëve Kombëtarja e Shqipërisë thuajse ka ndërruar e gjitha. Them argumenti i këtij shkrimi, sepse e shoh që po flitet për ndërtimin e Shqipërisë për Kupën e Europës 2012, kur nëse ka një diçka vërtet disi dhe shkencore, në logjikën e futbollit kombëtaras edhe ndër ne, është pertëritja e vazhdueshme, hap mbas hapi e Kombëtares, pa patur nevojë për revolucion, qoftë edhe i panevojshmi i vitit 2012. Dihet, revolucionet asisoji i bëjnë ekipet e mëdha, që kërkojnë të fitojnë tituj botërorë dhe europianë, jo ekipe si Shqipëria e vogël, synimi i së cilës është rritja në vazhdimësi e nivelit, natyrisht edhe e rezultateve të saj.

Për autorin e këtyre rradhëve, të cilit i vjen keq që historia e Kombëtares të vendit të tij nuk u pasurua me rekordin e një 7-1-shi të ëndërruar, ndeshja me Qipron duket se është një vërtetim klasik i përtëritjes hap mbas hapi, “kundërevolucionare” e tipit 2012, të Kombëtares së Shqipërisë. Ma do mendja se më fort se për 2012-tën, trajnerit Kuže i duhet kujtuar se më 9 shtator 2009, ai duhet të konfirmojë të vërtetën e fitores 6-1 kundër Qipros. Kuptohet, jo duke shkatërruar Danimarkën mëtuese për fundoret e Botërorit 2010, se këte Shqipëria nuk ka bazament ta realizojë, por pse jo, të kërkojë një fitore sado të vogël që të jetë ajo, çka përveç të tjerave, do të bënte epiqendër të Europës të paktën për një mbrëmbje. Dhe nga ana tjetër, do të na bindte se 6-1 kundër Qipros ishte një e vërtetë “e vërtetë”.

Shqipëria nuk ka pse mendon aq fort për 2012-tën. “Ideologji” të saj ajo duhet të bëjë kapërcimin me futboll e rezultat të ndeshjes së rradhës, miqësore, botërore, europiane, rekordmene, fillese, kthese apo konfirmimi rritjeje, përtëritëse apo renditëse qoftë ajo. E theksoj fort këte, sepse një publicitet naiv, krejt i papranueshëm thuajse, po harron se përpara janë edhe dy ndeshje tejet joshëse për Botërorin, Shqipëria – Danimarka (9 shtator) dhe Suedia – Shqipëria (14 tetor), rezultatet e mira të të cilave do të ishin një sensacion i vërtetë.

E, në gjithë këte hamendje përimtuese tonën, ndeshja me Qipron papritmas ka treguar disa gjëra vërtet interesante, që në dalshin të vërteta në ndeshjen me Danimarkën, atëherë po, vërtet duhet të na gëzojë.

Tash, mbasi jemi tjerrun pak si gjatë në këte përsiatje deri diku dhe historike, dhe mbasi kemi përkujtuar 11-shet e dy 5-0-ve të mëparshëm, duke bërë një “errata corrige” se nuk kemi rekord, por vetëm barazim rekordi, ja dhe protagonistët e 6-1-shit të 12 gushtit 2009:

UJKANi, VANGJELI (HYKA 61&rsquosmiley, DALLKU, CANA (E.BEQIRI 72&rsquosmiley, CURRI, AGOLLI, E.BULKU, K.DURO (SEFA 76&rsquosmiley, SKELA (G.LIKA 67&rsquosmiley, BOGDANI (VILA 67&rsquosmiley, SALIHI (ERl.BAKAJ 74&rsquosmiley. Trajner: J. KUŽE.

3.

Ajo ishte një ndeshje vërtet e çuditshme. Dhe pati tre 11-metërsha për Shqipërinë (ky po është një rekord absolut për një ndeshje të saj), prej të cilëve i pari ishte më tepër një shpirtmadhësi turke, duke qenë se Salihi e mori ndërhyrjen e ashpër pa hyrë në zone. Dy të tjerët ishin ndërhyrje tipike të llojit të 9 gabimeve klasike të vjetra të futbollit, qoftë dhe të lehta, që kur ndodhin mbrenda zonës së rreptësisë shndërrohen drejtpërdrejt në 11-metërsha. Pa e zgjatur kemi një nisje me 1-0, vazhdim me barazim 1-1 të miqve, 2-1 me 11-metërsh tjetër – dy gola të kapitenit Skela, 3-1 Bogdani, 4-1 me vetgol të Chrysostomos mbas 11-metërshit të humbur të Duros, 5-1 falë Agollit dhe 6-1 vulosur prej të riut Vila. Të dy këta gola të fundit qenë interpretime të jashtëzakonshme për kah stili.

Mandej 15 minuta eksperiment, kur mund të kishim mbërritur te 7-1 i rekordit të pritur. Por më kot. Ndonëse vallëzimi i shqiponjave mbi qiellin e detit qipriot të zaptuar plot forcë prej krahëve të papushueshëm të tyre, ka vazhduar plot elegance, antagoniste e së cilës qe një plot mëshirë për të mos shkuar përtej 6-1!

Kemi patur një 17-she të bukur (kaq ishin lojtarët që luajtën) me një moshë mesatare prej 25.7 vjeç, kur 11-shi i parë ishte 27.2 vjeç – shifra interesantë për një skuadër as të vjetër dhe as të re, por të një moshe tejet të qëndrueshme edhe për një të ardhme. Madje dhe të pranueshëm për të sotmen (Danimarkë e Suedi), po dhe për të nesërmen (KB 2012) që aq fort ia ka ânda rreshtave të një shtypi disi të fryrë, që don me ta mbushë mendjen se Shqipëria modeste ka plane të mëdhejsh. Ashtu siç ka vepruar gjithë këto vite madje, duke i mveshur trajnerit Briegel synime për të mbërritur deri dhe fundoret evropianobotërore, Baric-it, Haani-t e tash me sa duket edhe trajnerit Kuže. Dhe? Shqipëria gjithnjë e 4-ta ndër 5 skuadra në kualifikimet e KE 2004, e 5-ta ndër 7 skuadra për KB 2006 dhe po e 5-ta ndër 7 skuadra të grupit edhe për KE 2008!

Mjaftojnë këto arritje modeste në renditjet europianobotërore të tre edicioneve të fundit për t’u bindur edhe një herë për modestinë e forcave shqiptare të futbollit, qoftë dhe në rang Kombëtareje. Ndonëse tash shatë vjet e përshkuar nën një drejtim teknik të stilit gjerman, kroat e holandez.

Kështu pra me këmbë në tokë! Sepse siç shihet, Shqipëria nuk ka asesi stofin e një të kualifikuari qoftë dhe virtual, të një skuadre që mund të zëjë dy vendet e para në grup. Dhe përsa kohë FIFA dhe UEFA i kompozojnë grupet duke shpërndarë të fortët majtas e djathtas, e përderisa nuk shton numrin e të kualifikuarve për fundoret e dy garave të mëdha të Europianit apo Botërorit, ëndërra shqiptare për një kualifikim, nuk ka gjasa të sendërtohet.

Në gjithë këte logjikë matematike, statistike apo dhe socialfutbollistike, e deri gjeopolitike e historike, trajnerët e huaj të Shqipërisë, të cilët nuk lexojnë e dëgjojnë shqip, duket se e kanë të vështirë të marrin vesht të vërtetën e një propagande (për fat marrë hua prej terminologjisë nacionalkomuniste) shpesh fëminore të shtypit shqiptar.

Ajo që vërtet të trondit për mirë nga ndeshja e së mërkurës së 12 gushtit është dukuria se trajneri kroat solli në fushë një rini të tanë: Hyka 21 vjeç, Sefa 22 vjeç, G.Lika 22 vjeç, Vila 22 vjeç, El.Bakaj 22 vjeç. Kur në 11-ëshin e minutes së parë ishte edhe portjeri 21 vjeçar Ujkani. Plot 6 lojtarë 21-22 vjeçarë! Nuk i hyra aq thellë arkivit tim, por kujtesa më bën të besoj se ky duhet të jetë rasti ndër të parët, në mos i pari në të 236 ndeshjet e Shqipërisë që kemi pa në fushë 6 lojtarë 21-22 vjeçarë! Kjo po, është një e vërtetë “e vërtetuar”! Dhe mbas ndërrimit të minutës 76 të 32-vjeçarit Klodian Duro me 22 vjeçarin Jetmir Sefa, papritmas në fushën e lojës qe ky 11-sh rinor:

Ujkani, Dallku, E.Beqiri, Curri, Agolli, E.Bulku, Sefa, G.Lika, Hyka, Vila, El.Bakaj!

Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se mosha mesatare e këtij 11-shi të 15 minutave të fundit ishte 23.8 vjeç. (Për fat, edhe ky një mbetës i pandreqshëm në dituritë për “lëndën” e historisë së Kombëtares së Shqipërisë, nuk e kuptoi se duhej të luftonte për rekordin e 7-1-shit).

Ajo të dukej si Kombëtarja e së ardhmes. Ndonëse është shpejt për ta thënë.

E pra sa prej këtyre 21-22-vjeçarëve mund të bëhen shpejt lojtarë të rëndësishëm për Kombëtaren? Ashtu siç duket se sapo është bërë vetëm njeri i brezit të ri, emri i të cilit është Hamdi Salihi i Kampionatit të Austrisë.

A ishte ky rinim i rrufeshëm një ndërhyrje e parapame e trajnerit Josip Kuže, apo ka qenë një përcjellje spontane mbi tryezën e tij prej njerëzve të FSHF-së, këte nuk e dijmë. Dhe në fund të fundit, kjo pak rëndësi ka. Në një ndeshje përballë një kundërshtari modest si Qipro (nuk është gjithçka vendi i 73-të i Qipros dhe as ai i 94-t i Shqipërisë në FIFA, ndonëse krejt i papranueshëm ky i kësaj të fundit), i cili në vazhdimësinë e Kupës së Botës ka 1 pikë më pak se Shqipëria, 5 me 6, por një vend renditjeje më shumë: 4 përballë 5 të Shqipërisë, Kombëtarja e ashtuthirrur “kuqezi”, e mbështetur fort prej fatalitetit të tre 11-metërshave, në tanësi të mërkurën e 12 gushtit 2009 zhvilloi një ndeshje krejt të lirshme, hapsinore, sulmuese, ndoshta të një 4-4-2 të tipit të vjetër doemos, por të një shpejtësie e harmonie që nuk e shohim përherë të jetë natyrë e dytë e stilit të futbollit tonë kombëtaras.

Nuk ka vend për eufori qoftë dhe mbas një fitoreje “rekord” 6-1 ndaj Qipros. Para kësaj ndoshta ka nevojë për pak meditim. Dhe do ta mbyllim me dy shifra që japin gjithë psikologjinë dhe rëndësinë e ndeshjeve miqësore. Shqipëria mori fitoren e saj jubilare të 50-të në histori (më pak se kaq, s’ka ku shkon) përballë 137 humbjeve po në histori (e prap më shumë se kaq, s’ka ku shkon). Kjo në të gjitha ndeshjet e saj qysh nga e para 5-0 ndaj Malit të Zi më 1946. Po ndërkaq Shqipëria barazoi fitoret dhe humbjet e saj për ndeshjet miqësore: 23 fitore, 23 humbje! Shqipëria kurr nuk ka qenë e vërtetë në ndeshjet miqësore. E vërteta rreth saj gjithmonë është bërë e njohur vetëm në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës dhe të Europës. Mû për këte edhe e vërteta e 6-1 me Qipron mbetet të “vërtetohet” më 9 shtator në ndeshjet e rangut botëror me Danimarkën.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).