Drejtësi? Pushime nga puna për një shtrat fëmijësh ose tri panine

Vjedhjet në dyqane edhe për vogëlsira ndëshkohen me masa ekstreme.

Në Gjermani ka pasur kohët e fundit disa raste pushimesh nga puna për vogëlsira. Një 29 vjeçar humbi vendin e punës, sepse mori nga plehrat e firmës një shtrat për fëmijë. Një kuzhiniere u pushua për tre panine.

 

Mehmet G. u pushua pas nëntë vjetësh punë sepse kishte vjedhur nga plehrat një shtrat fëmijësh

Një shtrat portativ për fëmijë, i hedhur mbi një kontenier letrash të vjetra do t'i kushtonte shumë punonjësit të një firme për pastrimin e plehrave në Manhaim: 

"Një koleg e pa shtratin dhe më tha: Mehmet, ti ke fëmijë të vegjël, përse nuk e merr? Unë thashë, epo mirë", rrëfen 29 vjeçari Mehmet G.

Këtë skenë e shikon edhe një anëtar i Këshillit të Sipërmarrjes, i cili ia kumton shefit dhe ky e befason Mehmetin me pushim të menjëhershëm nga puna.

"Nuk ma merrte mendja, që mbas nëntë vjetësh punë në firmë, do të më pushonin për shkak të këtij shtrati dhe në fund do të më nxirrnin dhe si hajdut”, thotë Mehmeti.

Emmely u pushua pas 31 vjetësh punë në supermarketin “Kaisers”, e akuzuar se kishte vjedhur 1,30 Euro

Pushime nga puna për vogëlsira të këtij lloji kanë filluar të debatohen tashmë edhe nga opinioni publik në Gjermani. Rasti më spektakolar është ai i një arkëtareje nga Berlini, e ashtuquajtura Emmely, e cila mbas 31 vjetësh punë në supermarketin “Kaisers”, u pushua e akuzuar se kishte vjedhur 1,30 Euro në formë bonosh për shishet që riciklohen.

Gospana S. u pushua pas njëzet vjetësh punë, e akuzuar se kishte vjedhur tre panine

Të premten e kaluar, Gjykata e Punës në Hailbron, trajtoi rastin e 59 -vjeçares me prejardhje nga ish-Jugosllavia Gospana S., e cila mbas njëzet vjetësh pune si ndihmëskuzhiniere në spital, ishte pushuar meqë u akuzua se kishte vjedhur tri panine. Për shumëkënd, ky rast mund të konsiderohet si vogëlsi, por për spitalin me këtë gjest Gospana S. e lëndoi mirëbesimin e punëdhënësit.

'Kur mirëbesimi punëdhënës- punëmarrës cënohet, unë si punëdhënës i jap fund raportit të punës'

"Në marrëdhëniet e punës është e nevojshme të ketë një mirëbesim të dyanshëm, besueshëmri dhe sinqeritet nga ana e punëmarrësve. Kur ky mirëbesim cënohet, atëherë unë si punëdhënës jam i detyruar t'i jap fund raportit të punës”, thotë avokati i spitalit, Alexander Krafft.

Rasti i Gospanës u mbyll me një marrëveshje, e cila Gospanës i kushtoi vendin e punës, por spitalit 13.000 Euro, shumë më tepër se tri panine. Ndërsa në rastin e Emmely-së historia vazhdon. Në shkurt të këtij viti Gjykata e Landit në Berlin i dha punëdhënësit të drejtë, por Gjykata Federale e Punës në Erfurt të martën (28.07.) vendosi që çështja të rishikohet. Edhe pse ndërkohë ka shumë të dhëna që flasin kundër arkëtares, fati i saj po shndërrohet në simbol të padrejtësisë së botës ekonomike, sidomos në kohën e krizës.

Si është e mundur që dikush pushohet për 1,30 Euro, të tjerë që fundosin miliarda shpërblehen?

Me të nuk merren vetëm gjykatat, por edhe politikanët e nivelit të lartë:

"Si është e mundur, që në këtë vend një arkëtare të humbasë vendin e punës për një shumë prej 1,30 euro, ndërkohë që të tjerët që kanë fundosur miliarda të tëra, të largohen duke marrë me vete shpërblime të majme?", do të pyeste para disa muajsh në një aktivitet partiak, ministri i jashtëm, Frank-Walter Stinemier, që aktualisht është edhe kandidati kryesor i socialdemokratëve për zgjedhjet federale. Ngjashëm janë shprehur edhe politikanë të tjerë të nivelit të lartë nga parti të ndryshme.

Emmely,  Mehmet G., Gospana S. - lind pyetja, se përse gjyqe të tilla deri diku qesharake kanë arritur të tërheqin vëmendjen e publikut?

"Situata ndizet kur ekziston një ndjenjë e përgjithshme, se në shoqëri mbisundon padrejtësi masive dhe kur kemi të bëjmë me efektin Davidi kundër Goliatit, pra, arkëtarja e vogël kundër sipërmarrjes së madhe”, thotë psikologu i medias Joe Grobel.

“Në një rast të tillë mblidhen të gjitha elementet e duhura për të bërë një temë të madhe.“

Autor: Anila Shuka/ Berlin

Redaktoi: Auron Dodi

1 Komente

 

"Situata ndizet kur ekziston një ndjenjë e përgjithshme, se në shoqëri mbisundon padrejtësi masive dhe kur kemi të bëjmë me efektin Davidi kundër Goliatit, pra, arkëtarja e vogël kundër sipërmarrjes së madhe”, thotë psikologu i medias Joe Grobel. “Në një rast të tillë mblidhen të gjitha elementet e duhura për të bërë një temë të madhe.“

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).