Dokumentari i Everett, debate për jetën e Bajronit

ALMA MILE

Kur bëhen 200 vjet që nga koha kur djaloshi romantik braktisi jetën e mërzitshme londineze, për t'u hedhur brigjeve të Mesdheut, një aktor guxon të flasë për aventurat seksuale të një prej poetëve më të mëdhenj në botë, Lord Bajron. Duket si dje, kur Rupert Everett, të cilin shqiptarët e njohin përmes disa filmave, ku ai ka luajtur në krah të Xhulia Roberts, apo Madonës, mori rrugën për të ecur në hapat e romantikut të madh. Ai përshkoi rrugën nëpër të cilën Bajroni shkeli 2 shekuj më parë, në udhëtimin e tij të famshëm. Sigurisht erdhi edhe në Shqipëri, ku dikur poeti bujti në sarajet e Ali Pashë Tepelenës e u mrekullua nga shqiptarët me fustanella të bardha e jataganë. Kaloi maleve të thepisura majë kalit, i veshur me një gunë leshgjatë, duke përfytyruar se ç'ndjesi kishin përshkuar shpirtin e poetit dikur…

Dokumentari i titulluar "Aventurat skandaloze të Lord Bajronit" (Scandalous Adventures of Lord Byron), shfaqi episodin e tij të parë në fund të muajit korrik, për të vijuar në 4 gusht në kanalit e katërt të BBC-së. Ndërkohë që kanale të ndryshme televizive vijojnë ta ritransmetojnë ende atë. Thua se ishte shpallur Lufta e Tretë Botërore. U tërbuan mediat e kritikët. "Si guxonte, një aktor si Everett të fliste në atë mënyrë për poetin e tyre kombëtar"? Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij, dokumentaristi ishte fokusuar më së shumti në aventurat seksuale të poetit të ri, ndër të cilat marrëdhënia me gjysmë motrën e tij, apo lidhja dashurore që pati gjatë qëndrimit në Shqipëri, me Ali Pashë Tepelenën. Gjithmonë është folur nën zë për jetën e "çoroditur" seksuale të Bajronit, për homoseksualitetin e tij, apo për lidhje incestuoze, por askush deri më sot nuk kishte guxuar që t'i nxirrte ato ballë të gjithëve e të fliste hapur për to. Kjo duket se nuk u pëlqye fort nga anglezët, kryesisht ata konservatorë, të cilët nuk e vlerësuan vetëm si fyerje për poetin, por kanë "përçmuar" edhe prejardhjen klasore të autorit. Dokumentari i Everett u godit nga shumë kritikë, por sigurisht pati edhe nga ata që mbajtën "anën" e tij.

"I vetmi informacion mbi 21 vjetët e jetës së Bajronit ishte humbja ë virgjërisë qysh në moshën 9 vjeçare. Më tej historia vijon në vitin 1809, kur Bajroni, tashmë i rritur nis udhëtimin e tij, duke shkuar fillimisht në Lisbonë… Pas kësaj, ai u nis për në Shqipëri për të provuar se Bajroni, ka pasur një lidhje dashurore me luftëtarin e egër, apo 'mbretëreshën e vjetër', Ali Pasha", shkruan John Preston nga "Telegraph". Sipas Preston, problemi i madh i Everett është fakti që ai është narcizist dhe këtë nuk e fsheh, duke treguar herë pas here trupin e tij. Dhe në lidhje me këtë ai shkruan se "narcizistët nuk janë të duhurit për të bërë dokumentarë për njerëz të tjerë".

"Goditja e dokumentarit ishte fakti që Bajroni kishte "preferencat dhe urinë seksuale të një ylli rroku modern". Të krahasosh një figurë historike me një yll të ditëve të sotshme, është një klishe, por në këtë rast ishte efektive, por jo domosdoshmërisht në mënyrën se si e ka përdorur Everett. Në vend që të ruante magjinë poetike të heroit, ai ekspozoi një rrok-star romantik, si një figurë të ndërtuar me dinakëri", shkruan Tim Walker në "The Independent".

"Kush mendon se është Rupert Everett". Kështu e nis shkrimin e tij në "Times", Andrew Billen, i cili duket vërtetë i irrituar me aktorin anglez. "Bajron mund të ketë qenë siç ai pretendon "I pari seks-simbol modern", por Everett a është një i tillë?", - pyet Billen, teksa nuk nguron aspak të pohojë se Everett i ngjante më shumë me një endacak rrugëve të Shqipërisë e të Turqisë. E kështu vijojnë kritika e artikuj, të cilat shoqërohen edhe nga një numër i madh komentesh të shikuesve të thjeshtë, të cilët nuk e kanë vlerësuar faktin që jeta dhe vepra e Bajronit është "katandisur në një histori të tillë qesharake", të cilën disa e kanë quajtur edhe "pornografi romantike". Ndërsa debatet vijojnë pafund, mendohet që jo shumë larg, pra në muajin shtator, "Aventurat skandaloze të Lord Bajronit", të shfaqen edhe në Tiranë, me rastin e 200-vjetorit të udhëtimit të tij të famshëm. Meqë edhe Shqipëria është pjesë e këtij rrugëtimi, është mëse normale, që filmi të shfaqet edhe këtu. Madje, janë të pritshme edhe debatet, duke qenë se në të përzihet edhe figura e Ali Pashë Tepelenës. Aq më tepër që figura e Bajronit është trajtuar gjithnjë me dashuri, edhe gjatë periudhës së diktaturës, falë poemës së tij "Udhëtimi i Çajld Haroldit", ku ndër të tjera ai flet edhe për luftëtarët shqiptarë.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).