Debat për tokën djerrë

Në Shqipëri vazhdojnë debatet rreth një projektligji që po përgatit qeveria për të stimuluar punimin e tokave të lëna djerrë.
 

 

Një sipërfaqe prej afro 50 mijë hektarësh në të gjithë vendin nuk punohet.

Qeveria thotë se mund t'ua marrë këto toka pronarëve për t'i përdorur kundrejt një qeraje.

Për herë të parë për këtë çështje u prononcua kryeministri Sali Berisha.

Disa ditë më parë ai tha se ishte e palejueshme që toka të mbetej e djerrë.

Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, e çoi më tej idenë e hedhur nga zoti Berisha.

"Sipërfaqja e tokës do të vihet në dispozicion për t'u administruar nga njësitë e pushtetit vendor, qofshin këto bashki apo komuna, sepse ka dhe bashki që kanë toka bujqësore, kanë fshatra dhe pastaj ato mund ta japin me qera për individë, për grupe interesi, për qytetarë, për fermerë që duan të kultivojnë më shumë sesa toka që ata kanë në pronësi", tha zoti Gjana.

Shoqatat e pronarëve, me në krye Shoqatën Pronësi me Drejtësi, e kundërshtojnë këtë projektligj.

Ato e kanë quajtur projekligjin si një reformë e dytë agrare në Shqipëri.

Kjo çështje duket se do të ngjallë debate edhe brenda kabinetit të ri qeveritar që pritet të krijohet.

Zyrtarë të LSI-së, njëra prej partnereve të koalicionit të ardhshëm, thanë se ndonëse e mbështesin nevojën e shtimit të sipërfaqes së tokës së punueshme, ata mund të votojnë kundër projektligjit nëse zgjidhja nuk përputhet me filizofinë dhe programin e kësaj partie.

Profesor Edmond Panariti eshte drejtues i sektorit të Bujqësisë dhe Mjedisit pranë kësaj partie.

"Ne akoma nuk kemi filluar procesin e qeverisjes së përbashkët dhe jemi në fazën e shqyrtimit të të gjitha opsioneve dhe propozimeve që paraqiten nga partneri ynë qeverisës. Padyshim, në momentin e duhur do të mbajmë një qëndrimin dhe do të japim një propozim konkret. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje, kemi treguar predispozicionin tonë për bashkëqeverisje, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi të lirë të paraqesim opsionin tonë, këndvështrimin tonë për një problem të tillë. Në ato pika që ne e ndjejmë se nuk shkojnë me filozofinë tonë qeverisëse, me programin tonë për bujqësinë, mund të shprehim dhe kundërshtimin tonë", tha zoti Panariti

Shqipëria është vendi me sipërfaqen e tokës së punueshme më të vogël në Evropë për frymë të popullsisë.

Ajo ka vetëm 24 për qind të territorit tokë bujqësore, e barabartë kjo me 700 mijë ha.

Rreth 110 mijë ha është tokë e pandarë, thuajse e braktisur.

Edhe pse më shumë se gjysma e popullsisë merret me bujqësinë, një bujk shqiptar nuk është në gjendje të sigurojë produkte ushqimore as për një njeri të vetëm në qytet.

Në disa vende të tjera ky raport ka kaluar 1:100.

Me kushtet shumë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, vlerësohet se Shqipëria shfrytëzon aktualisht vetëm 1/3 e potencialit prodhues të bimëve bujqësore dhe 1/2 e kapacitetit të blegtorisë.

Si rrjedhojë, shqiptarët vazhdojnë të shpenzojnë 600 milionë euro në vit, ose gati gjysmën e dërgesave të emigrantëve, për të blerë produkte ushqimore nga jashtë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).