Çokollatë... hashashi!

EKSPANSIONI I HASHASHIT NË TIRANË / Tregu po lulëzon frikshëm dhe numri i përdoruesve po rritet me shpejtësi. Një bisedë e fshehtë me shpërndarës: Çfarë po ndodh aktualisht në kryeqytet me drogat e lehta

 

Çokollatë hashashi? Togfjalësh i çuditshëm, apo jo? Por jo për përdoruesit dhe shpërndarësit e hashashit në Tiranë, që po shtohen me ritmet e kolonive të karkalecave. Çokollata e hashashit është vetëm një nga produktet "e reja" që po ofrohen në tregun kryeqytetas të hashashit. Një treg në lulëzim, nga ajo që konstatuam në reportazhin tonë.
 

Para se të nisnim këtë vëzhgim, vendosëm të bëjmë një test. Librat e teorive të antikrimit thonë se faza e parë e një shkeljeje ligji është mendimi mbi të. Këtu nisi dhe testi ynë. Ta zëmë se të shkon në mendje të pish hashash. Prej lindjes së mendimit, sa kohë duhet të gjesh hashash në Tiranë?
 

Mjaftojnë veçse pak minuta. Të duhen vetëm disa telefonata. Në 3 deri në 5 të njohur të tutë, njëri e njeh patjetër një shpërndarës hashashi. Provojeni!
 

***
 

"Vapa ikën me gushtin" - thotë ajo shprehja e njohur, por për hashashin vlen e kundërta. Vera, por sidomos gushti, është muaji i kulmit të shitjeve për shpërndarësit e hashashit. "Sekretet" e tregut i mësojmë lehtë nga një 24-vjeçar, që shpërndan hashash në Tiranë prej së paku dy vitesh. Pse vera? Jo vetëm pse është "stina e qejfit" dhe të gjithë e "shkelin" nga pak, por edhe sepse shtohet një kategori tjetër blerësish: të rinjtë e familjeve emigrante. "Ata që vijnë nga jashtë, e kërkojnë me shumicë, - thotë spikeri ynë" - madje hashashi shqiptar ka nisur të marrë një farë nami në tregun jashtë Shqipërisë. Pse? "Është bio, rritet në mënyrë natyrale", - është përgjigja.
 

Ata që e blejnë në Tiranë, jo të gjithë e konsumojnë në këtu. Disa e blejnë në Tiranë përpara se të nisen për pushime në bregdet. Kjo shpjegon dhe erën e rëndë që mund të ndjeni kur jeni në ambientet e bregut, jashtë diskove dhe lokaleve të shumta të natës, të shtuara këtë sezon, në zonën bregdetare. Hashashi është madje edhe një nga arsyet e fshehura të urdhrit të fundit për t'u vënë limite lokaleve të natës.
 

***
 

Ata që janë përdorues të rregullt të kësaj droge, e dinë shumë mirë kush e shet, ku ta kërkojnë dhe si mund ta blejnë. Zakonisht, për të kërkuar hashashin, apo "barin", përdoret telefoni. Fjala hashash kodohet si "bari" ose "qese" (ka një mori termash, sipas fantazisë së porositësit). Rregulli numër 1: Telefonuesi dhe shitësi e njohin gjithmonë njëri-tjetrin.
 

"Ndryshe nuk e shesim", - na tregon shpërndarësi ynë 24-vjeçar. "Varet dhe se kujt ia kërkon hashashin, por zakonisht ne që shesim dhe ata që e blejnë, e njohim mirë njëri-tjetrin. Unë kam listën time. Ata janë të sigurt. Po më mori dikush prej tyre, për 5 minuta e ka gati". Tek të panjohurit nuk shesin asnjëherë. Së paku, frika ekziston akoma.

"Mua vetëm një herë më ka ndodhur të më spiunojnë dhe që atëherë kam vënë mend. Isha mbrapa shkollës "Edit Durham" (zona përreth shkollës njihet si zonë që frekuentohet nga "të joshurit" e hashashit). Ishte fat që i pashë dhe e nuhata që po vinin për mua. Vrapova në kohë. Po të mos më kishin ardhur ca shokë në ndihmë, nuk do kisha shpëtuar".
 

***

Vetë "guida" jonë e ka provuar hashashin që kur ka qenë në vitin e parë të shkollës së mesme. Ata që etiketohen kryesisht si shitës të hashashit janë moshat e reja, studentë dhe adoleshentë, por ka dhe raste kur shitës janë njerëz familjarë. Pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj dhe tek-tuk mund të ketë dhe femra. Rastet e femrave që shesin hashash, edhe pse janë shumë të rralla, gjithnjë pas tyre është një mashkull.

"Një shoku im, për shkak se femrat janë më pak të dyshuara, futi në këtë "punë" të dashurën e tij". Rrëfyesi ynë e ka shpesh një ngarkesë morali në rrëfim: "Janë të dy studentë, nga rrethet, ai është çun i mirë, janë nga familje të varfra. Ça të bëjnë tjetër për të nxjerrë ndonjë lek? Ne nuk detyrojmë njeri ta pijë hashashin me zor, të gjithë ata që e blejnë, e blejnë me dëshirën e tyre".

E pyesim në lidhje me llojet e tjera të drogave, pra, a shet droga të tjera. Na thotë se kjo gjë mund të ndodhë shumë rrallë. Me sa kuptojmë, ata që shesin dhe droga të tjera, kanë një status tjetër në këtë "fushë" dhe janë së paku më të mëdhenj në moshë. "Zakonisht ne shesim hashashin, vetëm këtë. Unë nuk përzihem me të tjerat. As ata që njoh nuk e bëjnë."
 

***
 

Nga vjen hashashi që shpërndahet në kryeqytet (Tirana është qyteti ku kërkesa është më e madhe dhe gjithmonë në rritje)? Vjen përgjithësisht nga Lazarati i Gjirokastrës dhe Kotja e Vlorës. I riu shton se ka dëgjuar që kohët e fundit ka pasur njerëz që kanë mbjellë hashash dhe në zonat veriore, por për shkak të klimës, nuk ka arritur të bëhet, ndaj, vendet e furnizimit kanë mbetur zonat me klimë të përshtatshme të jugut. Kush e sjell? Janë shtuar rastet kur vetë ata që e mbjellin e sjellin.
 

Më rrallë përdoret ndërmjetës. Rrëfyesit tonë ia sjell një student që njeh "njerëzit e duhur". Nëse u besojmë atyre që thotë, ka shumë studentë të infiltruar si ndërmjetës mes prodhuesve të vegjël të hashashit në Vlorë e Gjirokastër dhe shpërndarësve në kryeqytet. Me sa duket, statusi "student" u krijon besim të gjitha palëve. Ndërmjetësit janë thuajse gjithmonë edhe përdorues.
 

Edhe hashashi ndahet me kategori në fakt. Nuk është i gjithi njësoj, për sa i përket cilësisë dhe efekteve që shkakton në organizëm. Meqë jemi këtu, shpërndarësi ynë na tregon një "histori të freskët". Ia ka treguar një nga blerësit e tij të rregullt, një vajzë që punon në një bankë. I kishte thënë që i dashuri i saj është daltonik, pra nuk i njeh ngjyrat (daltonizmi, ose mungesa e aftësisë për të dalluar të gjitha ngjyrat, është një sëmundje shumë e përhapur tek meshkujt). Kur piu për herë të parë hashash në jetën e tij, nisi të dallonte të gjitha ngjyrat...
 

Ndërkohë që po qeshim me këtë histori, në tryezën ku po flisnim afrohet një person i tretë. Është një mik i rrëfyesit tonë. Sapo hyn pak në thelb të bisedës, deklaron thuajse me krenari: "Hashashi i Lazaratit mban trofeun. E kërkojnë shumë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Jashtë është nga më të shtrenjtët, kjo për shkak të cilësisë".

***

 

Zakonisht, hashashi jepet me sasi. Një "qese hashash" kushton vetëm 5 mijë lek të vjetra. "Qesja" e hashashit është e vogël, që përdoret zakonisht në farmaci (si ato ku futen pilula të ndryshme). Kjo është masa që ata kanë. Për sa i përket shitjes vetëm të një cigareje, apo siç thuhet ndryshe "të dredhure", - në të kundër të asaj që mund të besohet - djemtë na tregojnë se hashashi nuk shitet në këtë formë, përveçse në raste të rralla. Kjo dhe për shkak të frikës që kanë përdoruesit se mos në vend të hashashit u futin në "cigare" diçka tjetër.
 

Në rastet kur merret vetëm një "e dredhur", kjo ndodh vetëm kur shitësi dhe ai që kërkon hashash njihen mirë. "Këtë gjë ne e bëjmë për shoqëri dhe nuk pranojmë të marrim lekë", - na thonë dy 24-vjeçarët, të cilët, "pasi të gjejnë një punë, do të heqin dorë". Këtë vit janë diplomuar...

Kush e ble hashashin... Zakonisht, ata që e blejnë janë mosha të ndryshme. Sipas djemve, kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i adoleshentëve që kërkojnë hashash e sidomos numri i vajzave brenda kësaj kategorie. Rastet kur e kërkojnë më shumë, janë rastet kur kanë festa dhe janë grupe të mëdha shoqërore. Ata na tregojnë se zona pranë Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe Liqenit, janë vende ku, nëse del pasditeve, mund të shohësh lehtë grupe të rinjsh duke pirë hashash. Një grup tjetër konsumatorësh janë studentët. Nuk e kanë problem ta pinë edhe në ambientet përreth fakultetit: "Sidomos kur mësimi është pasdite", - na thonë djemtë. (rastet kur dikush pi hashash që në mëngjes, janë shumë të rralla).
 

E përgatisin vetë, apo dikush tjetër? 24-vjeçarët na përgjigjen një zëri: natyrisht që vetë. I pyesim nëse mendojnë ndonjëherë që ai që e blen mund ta ketë për herë të parë dhe dëmton veten nga padija. E kanë përgjigjen edhe për këtë: "Kur dikush pi hashash për herë të parë, të jeni të sigurt që këtë herë të parë nuk do pijë hashash i vetëm. Është e sigurt që ka afër dikë që e njeh shumë mirë si përgatitet, ndaj mendojmë se nuk është ndonjë problem i madh."

Nënprodukte të hashashit që shiten në kryeqytet

Vaj hashashi
- Përftohet nga përpunimi i hashashit, njëlloj sikur të përpunosh ullirin dhe të nxjerrësh vaj. Nuk gjendet lehtë. Ka ngjyrë të zezë shumë të errët, afërsisht si benzinë. Nëse të rastis të njollosësh rrobat, është një produkt që lë shenjë. Mënyra e konsumimit të tij është duke lyer një cigare normale. Ka më pak efekt sesa hashashi origjinal.

- Çokollata e hashashit që përmendëm në fillim të shënimit:
Të gjithë atyre që u ka rastisur të shkojnë në Holandë, ku drogat e lehta janë liberalizuar, natyrisht do të mendojnë për çokollatat e atjeshme, të cilat kanë formën e çokollatave normale, madje deri diku edhe shijen, veçse kanë në përmbajtje të tyre një përqindje hashashi. Në Tiranë është ndryshe. "Çokollata" e hashashit është hashashi i pastër dhe emrin e ka marrë vetëm për shkak se është presuar dhe ka formë të njëjtë me një çokollatë klasike.

3 Komente

Tregu po lulëzon frikshëm dhe numri i përdoruesve po rritet me shpejtësi.

Frikshëm? Ku ma gjen të marrin ca çokollata tërë shoferët e tërë të fortët, t'u ulen ca gjakrat se mbetën duke u vrarë.

Shume artikull i mire, e me ne fund, nje artikull nga nje person qe nuk rrin ulur ne redaksi gjithe diten. Pergezime Elona.

 Artikull interesan. 

I lutem administratorve, te mos ecin kaq shpejt me temat, sepse eshte kohe vere. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).