Bregu shqiptar në 10 zbulimet më të mëdha në botë

Alma Mile

Anije të mbytura, thesare nënujore mbretërish, luftëra me piratë... Të gjitha këto kanë ngacmuar vazhdimisht imagjinatën e njerëzve, jo vetëm fëmijë e aventurierë. E vërteta është që fund-deti mban më shumë nga ç'mund të imagjinojë mendja e një njeriu. Gjatë çdo fushate eksplorimi, arkeologët nënujorë bëjnë zbulime të bujshme, të cilat zgjerojnë gjithnjë e më tepër njohurinë tonë për të kaluarën e njerëzimit. Këto ditë, Instituti Arkeologjik Amerikan, ka botuar në revistën e saj "Arkeologji" ("Archaeology&quotsmiley, 10 zbulimet më interesante të momentit në arkeologjinë nënujore. Janë stacione, ku momentalisht po zhvillohen projekte kërkimi, ose janë bërë zbulime interesante. Flitet për anije të mbytura, që nga ato të thjeshtat e transportit të tjegullave e të amforave, tek ato që transportonin fildish e qelibar. Mes këtyre dhjetë zbulimeve, të cilat "Archaeology" i quan njëlloj interesante, duke mos i vendosur sipas një rendi vlerash, është edhe bregdeti shqiptar, ku prej dy vjetësh është duke u zbatuar një projekt shqiptaro-amerikan e që ka nxjerrë në dritë zbulime që i ndihmojnë shumë historisë së lundrimit dhe të tregtisë botërore.

Ndër 10 destinacionet renditet bregu i Kizilburunit në Turqi, ku është zbuluar një anije me një ngarkesë të madhe mermeri, për të vijuar me liqenin Ontario në Nju Jork, ku pas 35 vitesh kërkimi u gjet anija më e vjetër në këto ujëra. Një tjetër zbulim i rëndësishëm është ai i anijeve faraonike të dinastisë së tetëmbëdhjetë në Detin e Kuq, për të vijuar me flotën e humbur të perandorit mongol në Vietnam, avulloren e shek. XIX në Oklahoma, kërkimet gjenetike në ishullin grek të Kios, anijet e kolonizatorëve spanjollë në Florida në shek. XVI, apo limanin e gurtë në Izmir të Turqisë. Harta e qendrave interesante shtrihet në të gjithë botën. Realizuesit e kësaj guide nënujore, nuk harrojnë të japin informacionin e nevojshëm, për çdo njërin nga stacionet, duke treguar për vendndodhjen, objektin e gjetur, subjektin që kryen kërkimet, historinë e mbytjeve, etj. Të njëjtën gjë bën edhe për brigjet shqiptare, të cilat për arkeologët janë ende tepër joshëse, duke qenë të panjohura.

"Falë dekadave të izolimit politik, nën mbretërimin paranojak të diktatorit komunist Enver Hoxha, bregdeti i Shqipërisë ka qenë për një kohë të gjatë i pa eksploruar. "Pothuaj asgjë nuk është e njohur në lidhje me burimet kulturore në ujërat shqiptare", thotë Jeff Royal, drejtor i sektorit arkeologjik në fondacionin jofitimprurës RPM Nautical Foundation. Së bashku, me Adrian Anastasin nga Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, Royal është duke drejtuar tanimë, vëzhgimin e zonës, që rezulton të jetë një nga brigjet e fundit, ende të pashkelura të botës mesdhetare.

Edhe pse vetëm dy vjet në këtë projekt, ekipi tashmë ka bërë zbulime të shumta. "Atje poshtë gjen nga të gjitha qytetërimet", - thotë Royal,- "që nga grekët e lashtë dhe anijet romake të mallrave, tek një anije moderne, që u mbyt vetëm pak vite më parë, me makina në bord"", - shkruan Eric A. Powell, në "Archaelogy" për Shqipërinë, i cili është informuar mbi këtë destinacion nga ekipi i kërkimit. 

"Deri më tani, gjetjet më të rëndësishme janë mbetjet nga anijet e mbytura, ndërsa transportonin ngarkesa nga qyteti grek i Korinthit, drejt kolonive të tij në bregdetin e Adriatikut. "Jemi duke gjetur një sasi të madhe mallrash korinthiane", thotë Royal, "duke përfshirë këtu një anije transporti amforash, si dhe se një anije, e cila transportonte tjegulla drejt kolonive. Pasi që kemi analizuar anijet e mbytura, do të dimë shumë më tepër rreth tregtisë ndërmjet Korinthit dhe kolonive të saj prej shekullit të gjashtë, deri në shekullin e dytë, para Krishtit", - vazhdon drejtori arkeologjik". Ndërkohë, ekipi po vazhdon të përdorë hidrolokatorë për të vëzhguar gjithë vijën bregdetare nga Greqia, deri në Shqipërinë e veriut, në kufi me Malin e Zi. "Ne kemi të paktën edhe një dekadë punë", - thotë Royal për "Archaelogy".

Revista
Revista "Archaelogy" është një botim i "The Archaeological Institute of America" (AIA), i cili është organizmi më i vjetër në Amerikën e Veriut, kushtuar arkeologjisë. Instituti është jofitimprurës, i themeluar në vitin 1879 dhe i miratuar nga Kongresi i SHBA-së në vitin 1906. Sot AIA numëron rreth 250 mijë anëtarë nga 104 organizata në Amerikë, Kanada dhe gjithë botën. Instituti mbështet kërkimet arkeologjike në të gjithë botën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

10 ZBULIMET ARKEOLOGJIKE

Kizilburun, Turqi
Zbulohet një anije e shek. I para Krishtit me 8 shtylla mermeri. Anija u mbyt 40 milje larg tempullit të Apollonit në Klaros, ku gjendej një orakull i famshëm si ai i Delfit. Mendohet që mermeri vinte nga guroret e Marmarasë

Liqeni Ontario, Nju Jork
Në vitin 2008 u zbulua anija më e vjetër në liqenin e Ontarios. Anija u mbyt në liqen gjatë një tufani të papritur në 31 tetor të vitit 1780 me më shumë se 120 pasagjerë në bord, duke përfshirë dhe 30 amerikanë, të burgosur lufte.

Deti i Kuq, Egjipt
Rreth 3500 vjet më parë faraonia Hatshepsut porositi ndërtimin e pesë anijeve për një udhëtim në Detin e Kuq. Tanimë një ekip nga Universiteti i Floridës ka ndeshur në këto ujëra një anije të këtij lloji, ndërtuar gjatë dinastisë XVIII.

Swink, Oklahoma
Në lumin e kuq në Oklahoma është gjetur avullorja më e hershme, mjet lundrimi ky që revolucionarizoi transportin lumor dhe tregtar në Amerikë. I përket vitit 1838 dhe ishte ndërtuar për qëllime ushtarake.

Bregdeti shqiptar
Gjatë ekspeditave të fundit në ujërat e Jonit, pranë brigjeve të Sarandës, janë zbuluar mbetje anijesh korinthase, të cilat transportonin amfora dhe tjegulla, nga Korinthi në kolonitë greke përgjatë vijës shqiptare.

Kios, Greqi
Nëse mendohej se ujërat e detit ishin shkatërrueset e gjurmëve gjenetike, këtë e hodhën poshtë kërkimet pranë ishullit grek të Kios. Në amforat e një anijeje të mbytur 2400 vjet më parë janë zbuluar gjurmë vaji, erëzash dhe rrëshire peme.

Lumi Bach Dang, Vietnam
Një ekip arkeologësh kanë gjetur në zonën përreth këtij lumi, mbetjet e flotës së humbur të perandorit mongol, Khubilai Khan të shpartalluar nga ushtria vietnameze. Pas këtij zbulimi, studiuesit po mundohen të kuptojnë si u realizua mbytja e rreth 400 anijeve.

Gjiri Pensacola, Florida
Në vitin 1990 u zbulua një nga anijet e fisnikut spanjoll, Don Tristán de Luna, i cili në vitin 1559 zbarkoi në Florida me 11 anijet e tij, me shpresën që kishte zbuluar të parën koloni evropiane. Por një stuhi shkatërroi anijet e tij.

Kartagjenas, Spanjë
Në juglindje të Spanjës janë gjetur mbetjet e një anije të mbytur fenikase të shekullit të gjashtë para Krishtit, e cila udhëtonte drejt Gadishullit Iberik me mallra të çmuara si fildish, qelibar, etj.

Gjiri i Izmirit, Turqi
Është zbuluar një nga limanet më të vjetra, i quajtur "Liman Tepe", një nga vendqëndrimet më të rëndësishme qysh në epokën e bronzit. Gërmimet e para nisën në 1979, por në vitin 2000, arkeologët e Universitetit të Ankarasë filluan të nxirrnin limanin e varrosur.
 

10 Komente

Rreth 3500 vjet më parë faraonia Hatshepsut porositi ndërtimin e pesë anijeve për një udhëtim në Detin e Kuq.

Hatçepsut ishte monarkja femer qe udhehoqi plot 22 vjete ne Egjyptin e Lashte, e para qe e udhehoqi kaq gjate. Shpesh iu dhane gjasa androgjene pasqyrimeve te saje ne skulpture dhe pikture. Pasardhesi i saje, teper ne siklet nga nje para-ardhese femer, zhduku gjithe inskripsionet qe e permendnin, ne nje tentative te deshperuar per te asgjesuar pranine e saje ne histori...Kjo femer eshte nje nga figurat me interesante ne historine e Egjyptit te Lashte.

Oh cfare lajmi i mire per zbuluesit e thesareve ne Shqiperi!!!

Te pakten tani mund te kerkojne nen det! Se c'ishte mbi toke e kane grabitur me kohe.

Por se c'kam nje parandjenje qe kjo puna e detit... nuk eshte lajm i ri per ta.

Olsi

 

mos u shqeteso pasi ky projekt po behet per te krijuar mundesine e hartave mbi pasurine nen ujore dhe identifikimin e tyre. ne kete menyre shteti (ne se do kete shtet) do te mund ti ruaje dhe ti mbroje ato. Nderkohe ne po mundohemi per te krijuar nje muzeum per arkeologjine nen ujore e cila do te jete nje pasuri e madhe per publikun shqipetar. Fakti qe institucione kaq te rendesishme ne amerike po e vleresojne projektin tone eshte nje shenj inkurajuese

Pershendetje Auron,

Nqs. behet fjale per nje katalogizim te pasurive nenujore me qellim mbrojtjen e tyre nga shteti, atehere eshte sigurisht nje projekt shume i mire.

Mbetet sigurisht nje lloj pikepyetje mbi aftesine e shtetit shqiptar per te ruajtur keto pasuri. Shpresoj dhe uroj qe projekti te shkoje sa me mire.

 

Perfitoj nga rasti per te folur per dicka qe me shqeteson sa here qe kam rastin te drekoj apo te darkoj ne Vlore. Ndoshta kjo s'ka te beje me kompetencat tuaja, por sdq. po ju shkruaj se per cfare behet fjale.

Eshte nje tip "cozze" qe rritet ne shkembinjte e Jonit qe quhet "dattero di mare" (me fal per italishten) dhe qe kerkon vite te tera per t'u rritur. Peshkimi i saj eshte teper i dhunshem pasi per ta nxjerre nga shkembi duhet te shkaterroshe vete shkembin me gjithe cfare permban brenda e ne siperfaqe. Per kete arsye peshkimi dhe konsumimi i saj eshte i ndaluar ne bregun perballe, dmth. ne Pulia. Nderkohe qe ne Shqiperi, sidomos ne Vlore kete tip "cozze" mund ta gjesh pothuajse rendom ne shume restorante.

Une jam informuar nga personat qe e nxjerrin, te cilet me kane thene se shpesh here "per komoditet" shkepusin nje cope shkembi te tere per t'i nxjerre pastaj "cozza"-t me lehtesi dhe pa u lodhur kur jane ne toke.

Te ishte per shijet e mija, nuk do me shqetesonte shume kjo histori, pasi "dattero di mare" eshte nje nga "cozza"-t qe konsumoj me kenaqesi.

Problemi eshte se nxjerrja e saj ka nje impakt teper te madh mbi ekosistemin e nendetit, mbi koralet e keshtu me radhe.

Mendoni se edhe ne Shqiperi ka ardhur koha qe nxjerrja dhe konsumimi i ketyre "cozza"-ve te ndalohet me ligj? A mund te futen ato dhe ekosistemi i tyre ne listen e pasurive natyrore te detit shqiptar?

Olsi B e konfirmoj shqetesimin tend, keto "cozze" i gjen nga saranda deri ne tirane, neper pjatat e spageteve dhe picave. Pas shkaterrimit me dinamit qe iu be faunes tani jane vete peshkataret profesioniste qe po i nxjerrin fundin asaj. Ne Vlore e gjetke shitet psh. merluc e koc i vogel, te eger, pa kurrfare kujdesi se peshkimi i tyre kerkon qe te kene nje lloj gjatesie, per te mundesuar shtimin e peshkut. Nuk e di a ekziston ne Shqiperi nje mase e tille, por ne Vlore psh. koc i vogel shitet me 600 lek/kg, cfare eshte nje krim, po ashtu gjeje edhe te tjere lloje peshku te vegjel. Kur i pyet peshkataret, sic bera une nje dite, te thone se shteti i ka ngarkuar me taksa dhe ata zejne c'te mundin.

Por kujt i thua, bregdeti i Vlores po betonohet dita-dites sikur edhe ai Durresit. Ne Shqiperi shohim ne real-time se privatizimi i cdo hapesire te mundshme po sjell shkaterrimin e ekosistemit ne menyre te paripariueshme.

padashur bera paralelen: ne ndalojme skafet neper dete dhe lejojme betonet neper brigje. pa u futur aspak ne arsyet si e pse, vetem kjo mjaftoi per buzeqshje te hidhet me cep buze, para gjerbjes se pare te kafes.

si mallkim ngjan e gjithe kjo.

Me vjen mire qe bregu yne po fillon te njihet ne gjithe boten, por sec kam nje shqetesim qe do te behet si perhere ketu tek ne, ata (te huajt) do t'i zbulojne dhe do t'i marrin me vete, sic ka ndodhur dhe me Apollonine, ate qe njoh te pakten, ku kane mbetur vetem rrenojat qe s'i ngrinin dot ne krahe per t'i marre me vete dhe ne, shqiptaret ( per shkak te mungeses se mbrojtjes nga shteti) s'kemi per t'i pare e njohur reliktet dhe thesaret e bregut tone.

Me shqeteson dhe dicka tjeter, qe e mora vesh se fundi, ( mbase jam e fundit qe e kam marre vesh, por me habiti shume): Ne Sazan jane vendosur impiante te medha, ku vijne anije ruse te ngarkuara me nafte dhe nepermjet tubacioneve nenujore nafta kaloka ne ca rezervuare te vendosur diku nga Zverneci, mandej po nepermjet tubave te nendheshem, ose dhe boteve shkon ne Ballsh, ku perpunohet. S'e di sa e sigurt mund te jete teknologjia e perdorur, por nuk guxoj te mendoj se c'katastrofe mund te jete per gjithe bregun, nese ndodh ndonje carje tubash a ku e di une se cfare... Se pse me duket shume e frikshme kjo pune! 

Olsi

 

po shume e vertete kjo qe thoni. Problemi eshte qe ne kemi nje ministri ambjente totalisht jashte loje dhe nje minister i cili punon vetem per te dhene licenca. Ne itali  dateri eshte i ndaluar te merret dhe kjo qe ndodh ne shqiperi eshte nje demtim shume i madh ambjental. Me sa di une se kam pyetur ka dhe nje  ligj qe e mbron kete lloj gjuetie por deri me sot nuk e ka penguar.

 

...nje nga ligjet e shumte qe "zbukurojne" legjislacionin shqiptar dhe qe nuk sherbejne per asgje pervecse per harxhimin e bojes dhe te letrave.

Ne kete situate pasiviteti nga shteti, me vjen keq nder te tjera qe ai produkt aq i kushtueshem per natyren, ne Shqiperi shitet per aq pak.

Jo se kjo do te ndryshonte shume situaten, por thjesht per t'i shtuar edhe nje note funebre aktit te radhes te perdhunimit te pasurise natyrore shqiptare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).