Blushi: Rama po pengon ardhjen e socialistëve në pushtet

Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, gjatë një interviste në të përjavshmen “Mapo”, sqaron rëndësinë e miratimit të ndryshimeve statutore në kongres, ndërsa shprehet se qëndrimi i mbajtur nga Rama këto ditë vetëm pengon ardhjen e socialistëve në pushtet.

Zoti Blushi, pas humbjes së 28 qershorit, PS ka hyrë në një proces debati të brendshëm. Si po shkon ai, sipas jush?

“Do ishte ngushëlluese të thosha që debati po shkon keq, sepse mendoj se ai po shkon në një drejtim të paarsyeshëm dhe të padobishëm. Ditët e para pas 28 qershorit shpresoja se PS-ja do kishte mundësi dhe kurajo të hapte një kapitull të ri për mënyrën sesi duhen parë dhe gjetur shkaqet e humbjes. Por, kjo nuk po ndodh. Për shkak të interesave personale të Edi Ramës për t’u rizgjedhur në krye të PS-së, po dominon një frymë, sipas të cilës nuk duhet folur për humbjen, nuk duhet folur për defektet e PS-së para zgjedhjeve, nuk duhet folur për vendimet e gabuara të kryetarit të PS-së dhe forumeve, pra në përgjithësi nuk duhet folur fare. Jam kurioz të di çfarë do kishte bërë Edi Rama dhe ata që janë të detyruar të mendojnë si ai, nëse disa prej nesh nuk do kishim thënë se zgjedhjet janë humbur. Ndoshta do kishin ikur të gjithë me pushime dhe do t’u thoshin shqiptarëve: shihemi kur të kthehemi. Në këtë logjikë jam më i bindur se kurrë, se kam bërë mirë që e kam hapur këtë debat, të cilin nëse dikush nuk e përballon dot, Partia Socialiste e meriton dhe Shqipëria e ka të domosdoshëm. Në radhë të parë, ky është një debat emancipues, sepse i jep çdo shqiptari një mikroskop për të parë në mënyrë të imët shkallën e pjekurisë të partive dhe njerëzve që voton. Nuk e di sot, se çfarë drejtimi do marrë ky debat, por di se në çdo rast Partia Socialiste do fitojë nga ky proces, ndërsa vetëm një njeri ka për të humbur. Ky është Edi Rama, njeriu që ka turp të pohojë se ka humbur dhe nuk po gjen kurajo të pranojë se kemi humbur kryesisht për shkak të tij. Kjo është e vërteta që po tentohet të fshihet duke e devijuar debatin, duke akuzuar jo atë që humb, por atë që flet, duke i detyruar strukturat e PS-së nëpër rrethe të lavdërojnë Edi Ramën si humbës dhe të ngrihen kundër atyre që thonë se ai është një humbës dhe që për këtë arsye nuk ka të drejtë të kërkojë një mandat shtesë. Kjo është e gjitha një histori personale e një njeriu që, pasi ka humbur mundësinë për të qeverisur për shkak të dobësive dhe mungesës së fantazisë së vet, kërkon të ngushëllohet duke testuar dashurinë e socialistëve mbi lëkurën e vet. Dhe në këtë pikë abuzon, sepse socialistët mbështesin kryetarin e tyre dhe jo Edi Ramën dhe kjo nuk është e njëjta gjë. Asnjë parti nuk e heq kryetarin e vet dhe prandaj ka rregulla, sipas të cilave ai që humb ikën pa i detyruar të tjerët të ndahen për shkakun e tij. E përsëris, në këtë rast PS-ja nuk mund të fajësohet dhe unë i mirëkuptoj të gjithë, megjithëse jo të gjithë nisen nga i njëjti sentiment. Janë shumë ata që mbështesin kryetarin dhe shumë pak ata që mbështesin Edi Ramën. Nëse të parët janë shpirti, të dytët janë materia. Edi Rama merr nga të parët dhe jep tek të dytët. Ai ushqehet nga të parët dhe punon për të dytët. Ai kishte një mundësi të ikte si martir, por bashkë me zgjedhjet e humbi edhe këtë shans. Të gjithë atyre që e presin këtë ditë si një mundësi për të ringritur PS-në dhe të majtën, unë u them se ikja e Edi Ramës është vetëm një çështje kohe. Shqiptarët e refuzuan si një projekt të dobët individual dhe këtë do bëjë shumë shpejt edhe Partia Socialiste, e cila sot nuk duhet fajësuar se po inkurajon një humbës, por duhet të bindet se kjo që po ndodh është vetëm fillimi i një rruge të domosdoshme dhe të pakthyeshme ringritjeje”.

A ka emra të tjerë lista e përgjegjësive në forumet drejtuese të partisë, apo i përmbaheni idesë se përgjegjësia e Ramës është individuale dhe ekskluzive, pasi i tillë qe roli i tij në fushatë?

“Përgjegjësi kemi të gjithë pa dyshim. Por njerëzit nuk po presin t’i dëgjojnë përgjegjësitë për humbjen vetëm nga unë apo nga disa të tjerë, por fillimisht nga Edi Rama. Ky po thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi për humbjen, duke u rrekur të ankohet se zgjedhjet janë vjedhur, por pa e provuar dot këtë gjë. Edhe në këtë pikë është i pabesueshëm dhe unë habitem sesi nuk kupton se pasqyra që ka vënë përpara e nxjerr shumë më të deformuar nga ç’mund ta imagjinojë. Në këtë pasqyrë ai që qan del keq dhe në vend që të shkaktojë keqardhje, shkakton të qeshura. Zgjedhjet nuk janë vjedhur, atyre po u vidhet e vërteta e humbjes. E nëse përgjegjësitë tona ndahen në raport me kriterin e vjedhjes së votave, mund të them se në këtë pikë nuk kam asnjë përgjegjësi. Jo vetëm unë, por shumica prej nesh. Mua dhe shokëve e kolegëve të mi në zonën ku kandiduam, nuk na është vjedhur asnjë votë, sepse nuk e lejuam këtë gjë. Për gjithçka tjetër jam gati të mbaj përgjegjësi, por do isha i dobët dhe i pandershëm po të thosha se më kanë vjedhur. Unë nuk jam kaq i dobët dhe nuk jetoj dot duke mashtruar veten. Përgjegjësitë e tjera jam gati t’i them ditën që ish-kryetari i partisë do bëjë të njëjtën gjë, sepse edhe në këtë pikë ka një hierarki. Nuk isha as unë dhe askush tjetër që premtuam bashkimin e të majtës; nuk isha as unë dhe askush tjetër që i premtuam vendit një program; nuk isha as unë dhe askush tjetër që u zotuam të mbronim votat; nuk isha as unë dhe askush tjetër që folëm në emër të së majtës dhe të së djathtës; nuk isha as unë dhe askush tjetër që përzgjodhëm kandidatët për deputetë; nuk isha as unë dhe askush tjetër përgjegjës për koalicionet me partitë e tjera dhe me radhë. Kështu që sinqeritetin duhet ta kërkoni diku tjetër. Dhe më e çuditshmja është se në PS përgjegjësitë nuk po kërkohen për ato që u bënë, apo që nuk u bënë para zgjedhjeve, por për ato që po bëhen pas zgjedhjeve. E përsëris se çuditërisht po bëhen fajtorë ata që po kërkojnë fajin dhe jo ata që kanë faj. E pres me qetësi këtë gjyq prej akriliku dhe përveç vetes nuk kërkoj asnjë avokat sikur të jem i detyruar t’i përgjigjem tre milionë prokurorëve, gjë që natyrisht nuk ka për të ndodhur, sepse shqiptarët janë të qetë dhe nuk kanë kohë të merren gjatë me komedinë tonë që sapo ka nisur dhe të cilën e kanë parë shpesh në teatrin veror të Partisë Demokratike”.

A është e saktë të thuhet sot se PS humbi, por edhe Berisha nuk fitoi? A ka një vlerë më shumë sesa simbolike kjo rrethanë për jetën tonë politike në tërësi?

“Kjo është një lojë fjalësh që nuk thotë shumë. Sali Berisha fitoi më shumë se ne dhe kjo e bën edhe më të rëndë fajin tonë kolektiv. Sali Berisha fitoi aq sa i mjafton për të qeverisur dhe kjo sërish për shkakun tonë. Sali Berisha mbeti kryeministër dhe detajet janë në cep të historisë. Pas 10 apo 20 vjetësh këto që ne po themi sot, nuk do mbahen mend. Historia merret me detajet vetëm kur ato kanë mundësi ta ndryshojnë historinë. Në këtë rast, humbja jonë do kujtohet si një detaj, që nuk e ndryshoi dot historinë e vendit, ndërsa fitorja e tij do mbahet mend. Nëse ky votim ka një simbolikë që ia vlen të theksohet, ky është fakti se Shqipëria humbi dhe Sali Berisha fitoi. Këtë sigurisht e pranoj si një njeri që ka njëzet vjet që është ndarë me modelin politik, që përfaqëson Sali Berisha dhe fatkeqësisht konstaton se përpjekja e tij nuk ka patur asnjë rezultat, ende, për sa kohë që modeli primitiv i këtij njeriu po mbin edhe aty ku u rreshtova për shkak dhe kundër atij modeli. Atëherë kë të fajësoj? Jam i prirur t’i gjej problemet në rreshtin tim, tek vetja ime, tek miqtë e mi, tek shokët e mi të armëve, të cilët sot nuk kuptojnë se Shqipëria meriton një model tjetër, të ndryshëm. Sot duhet të kuptojmë se duke imituar modelin nuk e mundim dot modelin, sepse asnjë xhind nuk e ka mundur dot djallin për sa kohë që sillet dhe mendon si ai”.

Nëse Rama do të kandidojë, siç duket se do të bëjë, cili do të jetë vendimi juaj personal në lidhje me garën e kreut?

“Këtë do ta them në Kongres. Ajo për të cilën po bindem çdo ditë është se me sa duket në zgjedhjet brenda PS do konkurrojë një projekt i ri me asnjë projekt dhe kjo do ta bëjë garën të çuditshme. Siç duket, në këtë garë Edi Rama do t’u thotë socialistëve vetëm një gjë - ju jeni fajtorë që lejuat të vidheshin votat e mia, sepse këtë po bën prej një muaji duke mos sjellë asnjë fakt, por vetëm një ankim. Duke u ankuar për vjedhjen e votës, Edi Rama në fakt po i demotivon socialistët duke i zhveshur nga pasioni për të shkuar prapë në zgjedhje, ndërkohë që është koha për t’i motivuar me ide të reja, të cilat ai jo vetëm nuk i ka, por nuk mund t’i gjejë më, sepse e ka ndërtuar argumentin e vet mbi pohimin e së shkuarës dhe jo mbi korrektimin e saj. Të gjithë ne do jemi përpara kësaj pyetjeje - a duhet t’i besojmë më një njeriu që nuk ka bërë asgjë nga ato që ka thënë, përfshirë bashkimin e partisë, kohezionin e së majtës, politikën e re, mbrojtjen e votës, zbatimin e statutit, dorëheqjen në rast humbjeje etj. Duket sikur në PS, sot ka më shumë pyetje se përgjigje dhe kjo është normale, sepse socialistët dhe shqiptarët nuk ishin përgatitur për këtë humbje që do ende kohë për t’u gëlltitur. Fatkeqësisht PS-ja sot i ngjan asaj lopës së urtë që bashkë me barin gëlltit edhe gozhdën dhe pastaj gozhda, pasi i çan barkun i thotë lopës - vetë e kishe fajin, unë gozhdë jam dhe nuk di të bëj gjë tjetër”.

Po nëse ai rikonfirmohet kryetar i partisë, cili do të jetë roli dhe pozita juaj brenda forumeve të ardhshme dhe grupit parlamentar?

“Unë do pranoj çdo vendim të anëtarësisë së PS-së, sepse ky është një detyrim të cilit nuk mund t’i shmangem. Por natyrisht që do them gjithçka që mendoj dhe jam i bindur se nuk do jem i vetmi dhe as i fundit. Por nga leximet e mia kam mësuar një gjë të thjeshtë - nuk mund të fitosh duke humbur, por mund të humbësh duke fituar”.

Paketa juaj që pritet t’i propozohet kongresit parasheh kryesisht kufizimin e pushtetit të kryetarit të partisë. A është kjo e vetmja e keqe që ka kapur Partinë e sotme Socialiste?

“Paketa që kemi propozuar synon një parti më të hapur, më funksionale, më demokratike dhe më të balancuar në mendimet e veta të ndryshme dhe të kundërta. Kjo paketë është një detyrim i një trupi, i cili del nga një garë e humbur dhe ndryshon raportin dhe lëvizjen e gjymtyrëve të veta, të cilat janë lodhur dhe duhen rifreskuar për garën tjetër. Eshtë pra një gjimnastikë e detyrueshme në mes të dy garave. Ne kërkojmë t’u japim më shumë pushtet forumeve në bazë, më shumë inkurajim dhe fuqi të zgjedhurve, më shumë harmonizim mes strukturave të rretheve dhe qyteteve e komunave duke forcuar partinë në fshat, gjë që na krijoi dobësi kohët e fundit. Ka një prirje për t’i diskriminuar njerëzit, të cilët po e mbështesin këtë paketë, jo për arsyet e mia, as kundër Edi Rames, por vetëm për arsyet e tyre. Edhe pse është një kryetar në detyrë, Edi Rama po e bën keq detyrën e tij. Ai kërcënon ata që firmosin dhe sponsorizojnë këto ndryshime dhe pyetja që kam është pse e bën. Besoj se mund ta them. Së pari, - e konsideron një iniciativë kundër tij, gjë që nuk është e vërtetë. Së dyti, kërkon një parti të centralizuar që i mohon kompetencat bazës dhe të zgjedhurve. Së treti dhe kjo është më e vërtetë se të gjitha: Ai është kundër çdo neni, që e detyron kryetarin e PS-së të mos rikandidojë në rast humbjeje, debat ky që ka qenë i paqartë këto ditë dhe prandaj na detyroi ta saktësojmë në statut. Kjo do thotë se në rast se rizgjidhet ka ndërmend të rikandidojë prapë në 2013 nëse humb. Marrëzi nëse e mendon këtë, por kam arsye të besoj se e mendon derisa e kundërshton, megjithëse ai e di se paketa nuk ka dhe nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Dhe një arsye e katërt lidhet sërish me precedentin unik për kohën kur jetojmë, kur Edi Rama nuk kandidoi në listën e PS për në Kuvendin e ri. Ne gjykojmë që moskandidimi i tij ka ndikuar në fushatë duke rritur pasigurinë e votuesve dhe për ta shmangur këtë çudi shqiptare kemi propozuar që kryetari i PS-së, kushdo qoftë ai, duhet të detyrohet me statut të kandidojë për deputet. Kemi vendosur pra ta nisim komandantin në luftë me çdo kusht dhe këtë nen mund ta kundërshtojë vetëm një njeri që nuk ndjehet dhe nuk bëhet dot komandant kur lufta fillon. Me sa duket, Edi Rama e kundërshton këtë nen, sepse sërish, nëse zgjidhet në krye të PS-së siç premton, nuk ka ndërmend të kandidojë kurdo qofshin zgjedhjet e tjera. Edhe kjo do ishte një arsye për të dyshuar shumë tek ky njeri, i cili nuk kupton akoma se nuk mund të fitosh pa luftuar. Thashë pra, se si ish-kryetari i PS-së në detyrë po e bën detyrën e tij duke penguar të tjerët të bëjnë detyrën e tyre. Me siguri do vijë një ditë që kur njerëzit ta pyesin Edi Ramën çfarë po bën dhe ai do përgjigjet: Po pengoj partinë time të vijë në pushtet. Jam i bindur se në Kongres do ketë njerëz që do luftojnë për këtë paketë, të cilën nuk e shohin vetëm si një instrument demokratik, por edhe si një mundësi për të garantuar një qetësi brenda partisë. Me votim normal kjo paketë fiton pa asnjë dyshim dhe për këtë shkak do të pengohet siç po duken bathët. Ka njerëz që naivisht ndoshta mendojnë se ky do të jete një votim kundër Edi Ramës. E kanë gabim. Delegatët do të votojnë atë ditë për vete, sepse kohën për të votuar kundër e kanë përpara dhe nuk nguten. Ata kanë vendosur të marrin partinë dhe pastaj kryetarin. Dhe kanë të drejtë”.

(Marrë me shkurtime nga revista “MAPO&rdquosmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).