Biznesi, borxhet dhe qeveria

Qeveria deklaroi se nuk do t’u rimbursojë TVSH-në kompanive private që i kanë borxhe private njëra-tjetrës. Në këtë rast qeveria merr atribute të cilat rrisin abuzivitetin dhe korrupsionin e saj.

Marrëdhëniet e shitblerjes midis subjekteve private, marrëdhëniet e detyrimeve të pashlyera (debi-kredive) midis subjekte private duhet të mbeten marrëdhënie juridike midis palëve, që zgjidhen me mirëkuptim ose në rrugë gjyqësore, por për të cilat qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë.

Legjislacioni tatimor ka qartësuar qëndrimin ndaj borxheve të këqija për efekt pagim detyrimesh tatimore, qeveria nuk mund të marrë atribute që i ka vetëm gjyqësori.

Marrëdhëniet e qeverisë me subjekte private për detyrimet tatimore, për detyrimet që janë të pa paguara, për detyrime të paguara më tepër dhe që duhet të zbriten për periudhat pasardhëse, për detyrime që duhet të rimbursohen apo kompensohen, janë marrëdhënie të cilat nuk kushtëzohen nga problematika që subjekte private kanë midis tyre.

Subjektet private për mos respektin e detyrimeve kontraktuale midis tyre apo midis tyre dhe autoriteteve fiskale duhet t’i drejtohen vetëm gjyqësorit.

Në këtë kontekst është e domosdoshme që të përshpejtohet krijimi i Gjykatës Administrative, që duhet të rrisë profesionalizmin dhe pavarësinë e gjyqtarëve, duhet të reduktojë kohën e shqyrtimit të mosmarrëveshjeve apo konflikteve midis subjekteve private dhe midis subjekteve private dhe administratës fiskale e publike.

Përmirësimi i zbatimit të ligjit të falimentimit është një moment tjetër ku mund të influencohet në funksionimin sa më mirë të marrëdhënieve të biznesit, si midis vetë subjekteve private, edhe në marrëdhëniet midis tyre dhe bankave apo midis subjekteve private dhe organeve fiskale.

Rritja e cilësisë dhe transparencës se pasqyrave fiskale të kompanive private ndihmon marrëdhëniet edhe midis vetë subjekteve private. Krijimi i listës publike të kompanive me probleme në pagimin apo mashtrimin me detyrimet fiskale, transparenca për kompanitë në proces falimentimi, mund të japë efekte pozitive për reduktimin e abuzimit që shkaktojnë kompanitë me histori të keqe biznesi.

Ndërhyrja administrative e qeverisë në marrëdhëniet e debi–kredive midis vetë kompanive private, është jo-ekonomike dhe me pasoja vetëm negative.

Ndoshta qëndrime të tilla me fasade populiste mund të duken të mirëpritura, parë edhe në kontestin e krizës aktuale ekonomike. Gjatë kësaj krize duket se u pranua ndërhyrja e shtetit në ekonomi, e cila në vende të ndryshme mori trajtën e nacionalizimit të përkohshëm të bankave me probleme, të blerjes së aseteve toksike të bankave, dhënies së paketave shpëtuese, vendosjes së kufizimeve mbi sistemin e shpërblimit të manaxherëve të kompanive, apo një pushteti në rritje i autoriteteve rregullatorë dhe mbikqyrëse, sidomos të sistemit bankar dhe fondeve të investimeve.

Debati vazhdon të jetë jo i lehtë si midis politikanëve të partive të ndryshme politike edhe midis ekonomistëve me këndvështrim të ndryshëm për lirinë e tregut dhe ndërhyrjen e qeverisë. Në rezultate është arritur kompromisi që ndërhyrjet kanë qenë të domosdoshme dhe efikase në aspektin afatshkurtër, por mund të kenë impakt negativ në qoftë se vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe nëse tentohet të rriten apo ashpërsohen si ndërhyrje në funksionimin e tregjeve apo të manaxhimit të bizneseve.

Ndërhyrje të tilla në marrëdhëniet e kompanive private duke e kushtëzuar rimbursimin e TVSH-së me detyrimet e firmave private ndaj njëra-tjetrës, rezultojnë të jenë “novacion” shqiptar. Këto “novacione” populiste, janë jo ekonomike, jo ligjore, me premisa të rënda abuziviteti dhe korrupsioni.

Krizën e likuiditeteve e ka shkaktuar jo pak edhe vetë qeveria. Në disa raste vonesat e rimbursimit të TVSH-se, para-pagesat e fryra për detyrimet e tjera fiskale janë shkaktare të vështirësive apo përkeqësimit të likuiditeteve midis bizneseve.

Rritja e detyrimeve të papaguara midis bizneseve është ndikuar edhe nga shtrëngesat për të marrë kredi, apo nga kostot në rritje të kredive në valutë. Zinxhiri negativ i vështirësive të likuiditeteve mbi biznesin në këtë situatë të vështirë ekonomike është shtrënguar.

Tërësia e faktorëve për krizën e likuiditeteve duhen analizuar me shumë kujdes dhe dashamirësi ndaj biznesit, si një faktor jetik dhe më i rëndësishëm se vetë qeveria për ta ndihmuar rritjen ekonomike të vendit.

Ndërhyrjet e qeverisë duhet të jenë me karakter lehtësues, të përshpejtojë rimbursimin e TVSH-së, të lehtësojë penalitetet, të lehtësojë koston e kredive për bizneset dhe konsumatorët, të negociohet me bankat për riskedulimin e kredive të pakthyera. Të gjitha këto masa do t’i sjellin biznesit më shumë likuiditete, duke lehtësuar krizën e detyrimeve të papaguara.

Të shpresojmë që ideja e kryeministrit të ketë qenë spontane, të shpresojmë që ajo të mos kthehet në një politikë qeveritare. Në rast të kundërt kjo do të jetë një politikë e administrimit fiskal që do ta përkeqësojë situatën e likuiditeteve midis kompanive private.

Tendenca e kryeministrit për të qenë sa më populist duket se do të rritet në mandatin e dytë. Ndoshta mungesa e një maxhorance të qartë dhe të qëndrueshme e ka detyruar kryeministrin që edhe gjatë verës së nxehtë të vazhdojë inaugurime dhe të rrisë retorikën populiste.

Jo pak populizëm ka kur borgjezinë e vendit të tij e cilëson informale e frikacake. Me këtë populizëm kryeministri kërkon të marrë të drejtën të mos rimbursojë TVSH-në për kompani që kanë detyrime të pa shlyera jo ndaj qeverisë, por ndaj vetë subjekteve private. Ndoshta bllokimi i rimbursimit mund të ketë shkak real rënien e të ardhurave dhe rritjen e deficitit, por fasada që i fsheh “më mirë” arsyet reale, duhet të ishte populiste.

Qeveria rrezikohet të bëjë biznes me të drejtën për të kushtëzuar rimbursimin e TVSH-së me marrëdhëniet e debi-kredive midis vetë subjekteve private. Qeveria me këtë politikë populiste fsheh interesin për të ndihmuar kompani të caktuara private, kjo është kapje e shtetit.

Me këtë politikë qeveria i “dhuron” administratës së saj mundësi për biznes korruptiv, ndërsa vetë administrata mund të bëhet pjesë e konkurrencës selektive dhe abuzive midis kompanive të ndryshme.

 

1 Komente

Po mor Ben!

Ngarkoj biçikleten me 1000 ton çimento.

Te paguaj kur ta shes.

Dakort thote pronari.

 

Qeveri me  rimborso TVSH e shijes te lutem.

1 milion lek rimbursim (  te vjetra).

Sa e thjesht eshte te fitosh lek.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).