Biznesi bashkon Kosovën e Shqipërinë

Nëse një fshatar ka vullnet të punojë, por nuk ka mjete, atëherë kompania ime do t’i ndihmojë për krijimin e kapitalit fillestar. Nëse dikush dëshiron të punojë me kafshë, do t’ia falim 50 lopë dhe për vitin e parë do t’ia paguajmë të gjitha shpenzimet. Pas një vitit ai duhet të fillojë t’i kryejë obligimet ndaj shtetit. Ky është vetëm një shembull se si pronari i kompanisë më të madhe për qarkullimin me artikuj ushqimorë “Elkos”, Ramiz Kelmendi, mendon të ndihmojë prodhimin vendor.

Në një bisedë për “Express”, ai premton se nëse realizohet projekti i tij, Kosova qysh në vitin e parë ka mundësi të zvogëlojë importin për 100 milionë eurosh, ndërsa eksportit do të rritet për aq. Në vitet pasuese kjo shumë mund të katërfishohet. Pos kësaj, punë në fillim do të gjejnë 10 mijë veta, kurse pas tri viteve të tjera 40 mijë.

Projekti i tij për stimulimin dhe promovimin e produkteve vendore në rajon kërkon edhe përkrahjen e institucioneve. Këtë fakt afaristi i njohur pejan e ka shumë të qartë, megjithatë thotë se në shtator kur do të fillojë zbatimi i projektit do të gjejë edhe mbështetje institucionale.

“E dimë që ekziston dyshimi se produktet vendore nuk kanë cilësi dhe nisur nga kjo, një pjesë e tregtarëve u jep hapësira të kufizuara të ekspozimit. Projekti ka për qëllim që këto produkte të ekspozohen më mirë, kurse plasmani të bëhet edhe në Shqipëri dhe në shtetet tjera përreth”, ka pohuar Kelmendi.

Pas Kosovës, projekti vazhdon në Shqipëri. Mundësitë janë krijuar posaçërisht pas ndërtimit të rrugës. Fillimisht ndoshta duhet produktet, mirëpo gjithsesi se duhet ngritur objekte distributive.

“Vetëm në Tiranë do të ndërtohen objekte me sipërfaqe 100 mijë metra katrorë dhe pika shitëse me pakicë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me një sipërfaqe të përgjithshme 150 mijë metra katrorë”, ka vazhduar ai.

Në shtator projekti do të bëhet publik. Por, ai thotë se shumë prodhues menjëherë pasi kanë dëgjuar për të, kanë shprehur interesimin për bashkëpunim. Projekti është një mundësi e mirë për të gjithë prodhuesit që duan të shesin prodhimet e tyre në rajon, pasi që ul koston e shpërndarjes. Prodhuesi duhet të mendojë vetëm për prodhimin, ndërsa, sipas Kelmendit, e bën kompania e tij në mënyrë të organizuar.

“Kjo formë e organizimit eliminon barrierat dhe stimulon fermerin që ai të merret vetëm me prodhimtari”, thotë ai.

Projekti synon të përfshijë edhe bizneset nga Shqipëria. Atyre do t’u ofrohen toka në vendin tonë për të bërë shpërndarjen e produkteve të tyre.

Ai nuk pajtohet me pohimet se rritja e vazhdueshme e prodhimit mund të sjellë edhe mungesë cilësie. Megjithatë, shtimi i prodhimit u jep mundësi fermerëve që vazhdimisht të përmirësohen. “Çdo gjë që nuk rritet, zvogëlohet”, shprehet ai.

Afaristi i njohur me këtë projekt mendon të ndikojë në rritjen e tregut dhe kjo ndikon në përmbushjen e standardeve evropiane. Shpreson në përkrahjen e institucioneve.

“Gjatë kësaj kohe, ne kemi bindjen se edhe politika kosovare do të fillojë t’i largojë barrierat e shkëmbimit tregtar. Ne kemi një kohë së paku dyvjeçare, derisa t’i përmbushim kërkesat e shteteve përreth”, ka thënë ai.

Sipas tij, rrjeti tregtar me pakicë i zhvilluar dhe organizuar mirë është baza më e mirë e zhvillimit industrial dhe bujqësor. Për të ardhur deri të kjo duhet përkrahje institucionale për prodhuesit.

“Dhënia e tokës komunale me qira, lejeve të ndërtimit me taksa të ulëta, mospagimi i obligimeve të doganës dhe TVSH-së përderisa prodhimi nuk arrin rentabilitet, kreditimi nga mjetet shtetërore, kamatat e ulëta dhe kreditë me ges –periudhë të gjatë janë mënyrë më e mirë si të ndihmohet prodhimi”, ka shtuar ai.

Pronari i rrjetit të marketeve ETC ka pohuar se kjo formë e ndihmës dhe e eliminimit të barrierave gjithsesi se do të jep efekte, ndërsa buxheti i shtetit nuk mund të humbë. Prodhimi, pasit të forcohet dhe të arrijë rentabilitet, do të paguajë më shumë se në fazën kur ende nuk e ka të qartë perspektivën.

“Pa marrë parasysh pengesat, ne do ta fillojmë projektin dhe politika do të ketë kohë t’i korrigjojë barrierat”, ka përfunduar Kelmendi.

2 Komente

Ky është një nga shkrimet më të mira që mund të ketë sjellë Peshku ndonjëherë.

I mirë jo për stilin gazetaresk të artikullit, por për INICIATIVËN që sjell... për atë ide që do të ishte mirë t'ju hapte sytë gjithë politikanëve tanë... që edhe në mos dinë, të paktën të mësojnë.

Uroj që iniciativa e Kelmendit të realizohet e të ketë mbështetje mbarëshoqërore për të gjitha të mirat që ajo mbart.

 

 Gje e shkelqyer, veç kam frike se afaristi do te zhgenjehet nga politika. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).