Berisha, zv. ministra dhe drejtorë për aleatet pa mandate

Nuk fituan të drejtën e hyrjes në Parlamentin e ri, por kanë mundur të sigurojnë nga një post zëvendësministri dhe disa drejtori kryesore në qeverisjen e re të së djathtës. Në këtë mënyrë do të qeverisë PD-ja me aleatët që me 28 qershor dolën nga Kuvendi i ri i Shqipërisë, për shkak se nuk arritën përqindjen e votave për t’u bërë pjesë e legjislativit. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se formula e re e bashkëpunimit me partitë aleate konsiston pikërisht në ndarjen e tortës së qeverisjes në nivele të dyta dhe të treta. Konkretisht, secila nga këto parti do t’i sigurojë përmes marrëveshjeve të reja me PD-në dhe liderin Sali Berisha që pritet të firmosen javën e fundit të muajit gusht me secilën nga subjektet politike. Bëhet fjalë për legalistët e Eqrem Spahisë, për aleancistët e Neritan Cekës, për PBK-në e Alimadhit, ballistët demokratë të Artur Roshit, agrarët e Lufter Xhuvelit dhe liberaldemokratët e Arian Starovës. Burimet sqarojnë se do të jenë pjesa me e madhe e këtyre kryetarëve që do të marrin përsipër postet e zëvendësministrave menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, ndërkohë që një pjesë tjetër do të caktojnë përfaqësues të tjerë të partive për postet që do t’u ofrojë PD-ja. Ende nuk dihet se çfarë pozicioni do të ketë LDK-ja e Nikollë Lesit, kur akoma nuk konfirmohet lënia e një posti zëvendësministri për këtë parti, ndërkohë që përmenden disa drejtori që do të përfshihen në marrëveshjen mes LDI-së dhe PD-së. Një post zëvendësministri flitet se do të marrë edhe PDI-ja e Tahir Muhedinit, përveç një portofoli ministror, e drejtë kjo e garantuar nga marrja e një mandati për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Demokratët kanë mundur të krijojnë koalicionin më të madh në historinë e pluralizmit politik në vend, atë me 10 parti politike. Për herë të parë PD-ja zbatoi formulën e bashkëqeverisjes me një parti të spektrit të majtë, siç është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ishte e gatshme për t’iu bashkangjitur koalicionit të kryesuar nga PD-ja. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, LSI-ja siguroi 4 deputetë, shifër kjo që i jep asaj të drejtën të kërkojë 3 karrige ministrash. Madje, vetë Kryeministri Sali Berisha është shprehur i gatshëm për të pranuar çdo kërkesë që do të paraqesë LSI-ja për formulën e re të qeverisë që doli nga 28 qershori.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).