BE, 269.4 milionë euro ndihmë për Shqipërinë

Komisioni Evropian miratoi dje drejtimin strategjik të ndihmës financiare të BE-së për Shqipërinë. Dokumenti i Planifikimit Indikativ Shumëvjeçar për periudhën 2009-2010 konfirmon përparësitë e ndihmës financiare për Shqipërinë në tri fusha kryesore qe janë: reforma politike dhe ndërtimi i institucioneve demokratike; reforma ekonomike; dhe aftësia për të përballuar përgjegjësitë e anëtarësisë. Një përbërës i veçantë i dokumentit strategjik ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar.

Ndihma financiare jepet në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-anëtarësimit në fusha të caktuara ndërhyrjeje dhe synon të mbështesë Shqipërinë për t’u përgatitur për anëtarësim në BE. Për periudhën 2009-2011, shuma e përgjithshme indikative e ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në formë grantesh nga buxheti i BE-së, është 269.4 milionë euro. Pjesa më e madhe e buxhetit përcaktohet drejt mbështetjes së aktiviteteve të përbërësit të parë të IPA-s, i cili është Ndihmë për Tranzicionin dhe Ngritjen e Institucioneve (237.9 milionë euro). Një pjesë më e vogël do t’i shkojë përbërësit të dytë të IPA-s, i cili është Bashkëpunimi Ndërkufitar (31.5 milionë euro). Më specifikisht, fushat kryesore të ndërhyrjes në kuadër të kërkesave politike do të përfshijnë reformën e administratës publike dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve kyçe, me qëllim zhvillimin e qeverisjes së mirë.
Një tjetër përparësi e IPA-s është të mbështesë reformën e gjyqësorit dhe të policisë, të mbështesë masa që ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe që forcojnë sistemin politik. Gjithashtu, janë parashikuar fonde të IPA-a për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë, si edhe dialogun me shoqërinë civile. Në kuadër të kërkesave ekonomik-shoqërore, IPA do të ndihmojë autoritetet shqiptare të përmirësojnë financat publike, të zbatojnë reformat strukturore dhe të zhvillojnë funksionimin e tregut të punës, duke rritur fleksibilitetin dhe duke e përputhur sistemin arsimor më mirë me të. IPA synon të ndihmojë në përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve thelbësore dhe tregjeve ekonomike si edhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Nën-përbërësi i cili merret me përgjegjësitë e anëtarësisë synon ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë standardet e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, mjedisit, mbrojtjes së konsumatorit, transportit dhe energjisë.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).