Arkeologjia, shkenca faustiane në qorrsokakun shqiptar

Arkeologjia, shkenca faustiane në qorrsokakun shqiptar”
Dr. Moikom Zeqo flet për problematikat dhe zhvillimet e djeshme dhe të sotme në arkeologjinë shqiptare

Pas botimi të dy librave të tij më të fundit, të cilët kanë të bëjnë me arkeologjinë si shkencë, koncept, zhvillim dhe problematikë e djeshme dhe e sotme, Moikom Zeqo tregon më tepër në intervistën që vijon, dhënë dje për gazetën “Albania”.

Dr. Zeqo! Kam në duar dy librat e tu të fundit; “Hulumtime arkeologjike” dhe “Arkeologjia, gramatika e fakteve”. Përveçse shkrimtar, ju njohim edhe si arkeolog të vjetër dhe si një historian e natyrisht, botimi i këtyre veprave paraqet një pjesë të veprimtarisë suaj shkencore. Si i konsideroni këto libra në rrafshin multidimensional të krijimtarisë suaj?

Këto dy libra janë vijimësia e disa librave të mëparshëm që kam botuar për arkeologjinë. Po përmend këtu librat e para 1990-s, “Motive arkeologjike”, “Aspekte të mitologjisë ilire” dhe “Panteoni ilir”, por kam gjithashtu, në vijimësi në këtë hulli edhe dy libra të tjerë që do të botohen këtë vit që quhen “Ditar arkeologjik” dhe “Arkeologjia nënujore”. Gjithashtu, kam ndërmend të botoj tërë studimet e mia shkencore, referenciale që kam botuar në shtypin shkencor brenda dhe jashtë Shqipërisë, në një vëllim të madh të vetëm. Shkenca e arkeologjisë është një shkencë faustiane, shkenca e zbulimit dhe e kërkimit, shkenca e rikonstruktimit të botëve të humbura dhe qytetërimit iliro-shqiptar. Në shkrimet e mia arkeologjike jam mbështetur mbi zbulimet e mia kërkimore gjatë kohës që kam punuar si arkeolog dhe specialist i artit antik si dhe të sintezave për kulturën dhe artin antik, për mitologjinë ilire dhe të dhëna të ndërlidhura për arkeologjinë botërore e rajonale, sidomos të arkeologjisë greke dhe romake.

Cili është problemi kryesor i arkeologjisë shqiptare?
Problemi kryesor i arkeologjisë në Shqipëri është evidentimi dhe përkthimi i monumenteve të gjetura në vendin tonë që nga periudha prehistorike deri në periudhë mesjetare. Kronologjia kohore është shumë e madhe, kurse procesi i zbulimit arkeologjik praktikisht është i pafund. Mund të them se arkeologjia shqiptare pati dy faza; fazën parashkencore dhe fazën shkencore. E para, dokumentohet me autorë të huaj si Kiriaku i Ankonës, si dhe nga dijetarë shqiptarë të formatit humanist si Marin Barleti, që duke mos qenë arkeologë të mirëfilltë kanë dhënë indikacione të jashtëzakonshme arkeologjike. Duam apo nuk duam, e dhëna e Marin |Barletit për amfiteatrin e Durrësit u vërtetua nga zbulimi arkeologjik në vitin 1966 i këtij amfiteatri që është monumenti më i madh arkeologjik në Shqipëri dhe ndërtimi inxhinjerik ndër më të mëdhenjtë në Ballkan në shek.II. Faza shkencore mund të thuhet se u krijua nga dijetarë të huaj në shek. XIX dhe në fillim të shek.XX. Këta dijetarë janë Leon Hezei, Leon Rej, Kamilo Prashnikev, Luixhi Ugolini. Këta krijuan konturet dhe strukturën e arkeologjisë shqiptare, duke qenë profesionistë të vërtetë. Arkeologjia jonë u realizua si institucion nga vetë shqiptarët vetëm pas vitit 1944. Kjo u krijua nga dekani i arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka, pastaj nga Skënder Anamali, Aleksandra Mano, Selim Islami, Çesk Prendi, Myzafer Korkuti, Neritan Ceka dhe ne të tjerët, që ishim më të rinj në moshë. Realizimi i kuvendeve ilire në vitet ’70 të shek. të kaluar krijoi një imazh të mrekullueshëm të arkeologjisë shqiptare, aq sa me të drejtë, një arkeolog i huaj, Garashinini, ka thënë se “Arkeologjia shqiptare hyri nga dera e madhe në arkeologjinë botërore”. Ky është një vlerësim i vërtetë, aspak patetik.

Po arritjet më të mëdha të arkeologjisë sonë, cilat janë?
Kjo është një pyetje substanciale. Revolucioni më i madh në të dhënat arkeologjike që bëri arkeologjia shqiptare për herë të parë është fusha e prehistorisë. Ky qe rezultati më i madh dhe vazhdon të jetë ndoshta edhe sot. Dikur Leon Rej thoshte se “Shqipëria është një njollë e bardhë në prehistorinë europiane”. Por, u vërtetua se kultura prehistorike në Shqipëri është ndër më të vjetrat në Europë. Ne kemi gjetur të dhëna që nga Paleoliti i Mesëm e sidomos të periudhës së Neolitit, të Eneolitit, Periudhës së Bronzit dhe të Periudhës së Hekurit. Në këtë kuptim, zbulimet që bëri arkeologu i madh Çesk Prendi për prehistorinë shqiptare, në pellgun e Korçës, por dhe në hartën tjetër të vendit, hodhën dritë në gjenezën e vjetër të ilirëve që u formuan si etnos më vete në periudhën e Bronzit. Pa këtë element material do të ishim krejt të mangët dhe teoria se shqiptarët vijnë nga ilirët do të qe krejt pa kuptim. Nga kjo pikëpamje, prehistoria shqiptare vërtetoi konkretisht, pikërisht atë që nuk e vërtetonin dot të huajt. Rezultatet e kësaj prehistorie kanë të bëjnë me kronologjitë relative por krejtësisht të besueshme dhe të argumentuara. Jo më kot studimet e Çesk Prendit janë botuar në revistat më autoritative të huaja në Oksford dhe në Kembrixh dhe janë vlerësuar edhe nga Hamondi. Prehistoria tregon se gjeneza nis me një popullsi paraindoeuropiane, gjë që vërtetohet te tuma e famshme e Pazhokut, si dhe nga popullsia indoeuropiane e ilirëve, që në periudhën e Bronzit krijoi një qytetërim të tërë. Por,.arkeologjia shqiptare nuk u mjaftua me kaq, ajo ka bërë zbulime të rëndësishme që lidhen me fenomenin universal, botëror, të kolonizimit globalist grek të periudhës arkaike si p.sh. në Durrës, Apolloni, Orikum etj., në sinkretizimin e veçantë dhe origjinal të ilirëve me grekërit, deri në krijimin e nocionit të kulturës para-qytetare ilire si dhe të vet institucionit të qytetit ilir dhe të shtetit ilir. Mos të harrojmë se shteti ilir i Teutës dhe Gentit ka qenë shteti më i madh i modelit të epokës helenistike në Ballkan. Këto zbulime qartësuan përfundimisht vijimësinë e qytetërimit iliro-shqiptar, i cili në shek.VI pas Krishtit përjetoi një revolucion ndryshimesh konceptuale të kulturës arbërore, të identifikimit dhe të klasifikimit të arbërve të hershëm, që janë paraardhës të shqiptarëve modernë. Kjo kulturë e sinkronizuar dhe e shumëfishtë arkeologjike është midis qytetërimit grek dhe romak por dimensioni ilir është i identifikueshëm dhe i qartë. Kjo duket sidomos në qytete të tillë ilire si Shkodra, Lisus, Zgërdheshi, Bylisi, Amantia, Antigonea, Nikea, Dimali, Olympia dhe qyteti i zbuluar antik Adrianopol, në fushën e Gjirokastrës. Këto qytete që patën vijimësi në qytetet arbërore të Mesjetës së hershme janë çelsi konceptual i vijimësisë. Këto kanë rëndësi jo vetëm nga pikëpamja e historisë shqiptare por dhe historisë europiane.

Së fundi, në ç’gjendje ndodhet aktualisht arkeologjia shqiptare dhe sa e ka ajo, statusin e merituar?
E kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje thjesht. Arkeologjia shqiptare e sotme është problematike dhe pa një status të qartë akademik e financiar. Prishja e Institutit Arkeologjik është me të vërtetë një regres, një kthim mbrapa, kanë kaluar 20 vjet pa bërë gërmime të rëndësishme arkeologjike, pa formuar një staf arkeologësh të rinj, të specializuar siç duhet dhe habitërisht, pa një shtyp shkencor të mirëfilltë, pa konferenca kombëtare e ndërkombëtare të arkeologjisë, pa botuar fondin kolosal që ndodhet në muzeumet arkeologjike shqiptare të Tiranës, Durrësit, Apollonisë, Butrintit, Bylisit etj. Megjithatë, diçka është bërë. Kemi bashkëpunim të disa dijetarëve të huaj të kërkimeve sidomos ë Butrint por jo ndonjë gjë e madhe. Kemi disa botime të karakterit të guidave arkeologjike në shqip dhe në gjuhë të huaj por mungojnë sintezat e mëdha akademike, kemi botimin e disa hartave të arkeologjisë, të disa manualeve dhe të disa librave por ende nuk kemi botime sintezë që të citohen jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe në rrafshin ndërkombëtar. Arkeologjia duhet të subvencionohet nga shteti shqiptar dhe të fitojë një status të nderuar e ekskluziv. Shumë nga botimet që përmenda janë të karakterit turistik. Pa dyshim që turizmi arkeologjik është dhe objektiv edhe subjekt, por mungesa e një infrastrukture e bën të vështirë ende perceptimin e arkeologjisë shqiptare si një grishje turistike të klasit të parë. Nga ana tjetër, vjedhjet e objekteve arkeologjike, trafikimi i tyre si dhe shkatërrimi i shumë monumenteve të çmuara për shkak të bumit të ndërtimeve të reja (sidomos, kjo është më tragjike në Durrësin tim) ka bërë që arkeologjia shqiptare të rrudhet e të zbehet. Pashë botimin e mbishkrimeve epigrafike të prof. Pjer Kabanit për Butrintin. Profesionalisht një vepër e rëndësishme. Por, mbishkrimet latine të Shqipërisë që qenë një projekt i Hasan Cekës dhe Skënder Anamalit deri më sot nuk i ka botuar askush dhe kjo është një mangësi e madhe. Kanë pushuar kërkimet për kulturën ilire. Tumat e famshme të Kamenicës në Korçë janë masakruar barbarisht, është masakruar piktura shkëmbore prehistorike e Lepenicës, janë dëmtuar barbarisht mbishkrimet e lashta të Gjirit të Gramatës në Karaburun. Shqipëria duhet të ngrinte pranë kryeministrisë një komitet të emergjencës së monumenteve, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Kjo situatë më duket e dhimbshme dhe shpresoj të mos zgjasë kaq shumë. Pra, statusi i arkeologjisë shqiptare është si statusi i njeriut të kulturës në Shqipëri, gati zero ose nën zero, prej politikës së ditës. Pa dashur të mohoj arritjet e këtyre 20 viteve të fundit, jo vetëm në Shqipëri por deri diku dhe në Kosovë, mendoj që ka ardhur koha për një program të madh shtetëror dhe akademik për të ndryshuar progresivisht situatën dhe për ta bërë figurën e arkeologut një figurë qendrore dhe të respektuar të kulturës në Shqipëri. Ky është dhe qëllimi i librave të mij, dua të ringjall konceptualisht idenë e arkeologjisë dhe të statusit të saj.

6 Gusht 2009


 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).