Arka bosh, qeveria përgatit buxhet shtesë me paratë e privatizimeve

 

Arka bosh, qeveria përgatit buxhet shtesë me paratë e privatizimeve

Qeveria shqiptare do të dërgojë në shtator të këtij viti një projekt për ndryshime në buxhet duke qenë se efektet e krizës ekonomike dhe administrimi i buxhetit kanë krijuar një të çarë të madhe, e cila nuk ka asnjë mundësi të mbyllet. Të dhëna zyrtare të ministrisë së Financave bëjnë me dije se në buxhetin ri shtesë që do të shkojë në parlament do të përdoren paratë e privatizimit të OSSH-së dhe një pjesë e parave të privatizimit të ARMO, duke qenë se të ardhurat nga tatimet dhe doganat vetëm në gjashtë muajt e parë kanë sjellë rreth 110 milionë dollarë më pak në buxhet. Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave thanë dje se shumë investime kanë mbetur pa u financuar sepse paratë që janë në arkën e shtetit nuk mjaftojnë dhe se presin të financohen nga paratë e privatizimeve. Po ashtu, qeveria do të parashikojë me buxhetin ri shtesë edhe financimin e borxhit të brendshëm, i cili mund të marrë deri në 5 miliardë lekë. Qeveria ka qenë e detyruar gjatë këtij viti të marrë para nga bankat në sasi jo të vogla, të cilat janë bërë më të shtrenjta edhe për shkak të normës së interesit dhe tashmë qeveria duhet të kthejë paratë. Ministria e Financave pëlqen të mos i quajë ndryshimet në buxhet një buxhet shtesë ose një buxhet suplementar, por thjesht rishpërndarje në mënyrë që të mos rikthejë në vëmendje buxhetet e kaluara suplementare, të cilat hartoheshin për shkak të tejkalimit të ardhurave. Buxheti suplementar i këtij viti po shkon në parlament për shkak të mosrealizimit të madh të ardhurave dhe për shkak të shpenzimeve të mëdha buxhetore. Qeveria nuk ka asnjë shans të rrisë borxhin dhe të përpiqet të mbulojë investimet apo shpenzimet e tjera në këtë mënyrë, e kështu ajo po rishikon buxhetin duke marrë paratë e privatizimeve e duke i hedhur ato në buxhet. Qeveria shqiptare kishte thënë gjithmonë se ajo do të planifikonte të shpenzonte të shpenzonte këto para duke pasur parasysh rritjen e investimeve. Në fakt këto para po përdoren në këtë situatë të vështirë ekonomike për vendin dhe për financat e qeverisë, jo për investime ose jo për të rritur investimet, por për të mbuluar investimet e parashikuara, të cilat për shkak të mosrealizimit të të ardhurave nuk mund të realizohen. Ministria e Financave ende nuk ka përfunduar hartimin e ndryshimeve buxhetore, megjithatë është e qartë se rreth 5 miliardë lekë do të shkojnë për borxhin e brendshëm dhe pjesa tjetër do të shkojë për investime. Është viti i parë pas tre të tillësh që buxheti suplementar nuk përfaqëson tejkalim të ardhurash, por ulje të tyre. Në fakt ky është një buxhet i diktuar nga efektet e krizës ekonomike dhe nga mosadministrimi i mirë i shpenzimeve.

 

Qeveria pranon uljen e të ardhurave në dogana, në tatime do vijojë i njëjti plan

 

Në buxhetin e ri suplementar qeveria shqiptare do të parashikojë edhe uljen e vlerës së të ardhurave nga doganat, duke pasqyruar në të trendin e shfaqur që prej fillimit të këtij viti. Qeveria kësisoj parashikon që këtë vit nga doganat do të mblidhen 15 për qind më pak se sa vetë qeveria kishte miratuar në buxhetin ende në fuqi. Buxheti i ri shtesë nuk do të prekë vetëm shpenzimet, duke i mbuluar ato me financime, por edhe të ardhurat, dhe zëri më i rëndësishëm që do të preket është ai i të ardhurave nga doganat. Të ardhurat nga tatimet nuk do të preken dhe do mbesë në fuqi plani që ishte vendosur që në fillim. Kështu, qeveria në njëfarë mënyre pranon se ekonomia shqiptare nuk ka mundësi të paguajë taksa në vlerë të tillë që të mbulojë planet e të ardhurave të hartuara vjet dhe të cilat kanë pasur për bazë një rritje ekonomike prek 6 përqindësh. Sasia e të ardhurave dhe mbulimi i deficitit të krijuar prej tyre është një prej problemeve më të mëdha për qeverinë dhe ajo në fakt do të çojë për miratim në parlament vetëm mosrealizimet në të ardhurat doganore. Të ardhurat doganore, sidomos ato që kanë të bëjnë me akcizën dhe tatimin mbi vlerën e shtuar, kanë zërat më problematikë dhe kjo sigurisht që ka të bëjë me rënien e aktivitetit tregtar në vend dhe me rënien e çmimeve të mallrave me akcizë si karburantet.

 

Paratë e ARMO-s nuk u futën vjet në buxhet

 

Kompania e naftës ARMO u privatizua fund vitin e kaluar dhe ajo e shpërndarjes së energjisë në fillim të këtij viti. Në qoftë se për privatizimin e shpërndarjes së energjisë OSSH u tha se paratë e saj do të kalon në buxhet me ndryshimet që do të bëheshin në rastin e parë, për paratë e privatizimit të ARMO-s pati shumë më tepër dyshime. Qeveria nuk i përfshiu ato në buxhetin e vjetshëm dhe as nuk paraqiti ndonjë ndryshim në parlament për to. Fillimisht u tha se qeveria gjysmën e parave të shitjes së ARMO-s i përfshiu në buxhetin që u miratua fundvitin e kaluar, por në fakt kjo gjë nuk u bë asnjëherë e qartë. Në shtyp u ngritën dyshime të mëdha mbi faktin nëse kompania që bleu ARMO-n i kaloi paratë në llogarinë e qeverisë në kohën e duhur apo jo. Në bazë të atyre dokumenteve që dolën në shtyp, blerësit e ARMO-s nuk e bënë këtë gjë menjëherë pas privatizimit, ndërkohë ligji i buxhetit ishte kaluar dhe ai nuk mund të fliste për para që ende nuk ishin derdhur. Blerësit e ARMO-s duket se në një kohë të dytë e bënë këtë pagesë dhe tashmë qeveria ka mundësi të çojë në parlament ndryshimet buxhetore. Paratë e privatizimit të OSSH-së dhe të ARMO-s së bashku kapin vlerën e rreth 250 milionë eurove dhe në buxhetin e ri shtesë duket se këto para do të shkojnë gjitha për mbulimin e borxhit të brendshëm dhe të investimeve. Në lidhje me paratë e ARMO-s nuk është e qartë në se do të jetë vetëm gjysma apo do të jetë e tërë vlera, pasi zyrtarë të Ministrisë së Financave nuk japin detaje.

 

Të dhëna të buxhetit për 6 muajt e parë

(në milionë lek&eumlsmiley

 

Totali i të ardhurave

Plani 155,896

Realizmi -11,125

 

Të ardhurat tatimore

Plani 143,009

Realizimi -9,892

Nga tatimet dhe doganat

Plani 107,191

Realizimi -6,472

Tatimi mbi vlerën e shtuar

Plani 55,211

Realizmi -3,085

Tatimi mbi fitimin

Plani 10,575

Realizimi -1,148

Tatimi mbi të ardhurat personale

Plani 10,657

Realizmi +3,043

Akcizat

Plani 19,831

Realizmi -5,435

 

Të ardhurat nga pushteti vendor

Plani 9,541

Realizimi -2,656

Totali i shpenzimeve

Plani 181,701

Realizimi -5,375

Shpenzime kapitale

Plani 44,129

Realizimi +2,510

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).