Albtelekom-Posta Shqiptare, debat në distancë për faturat

Shpërndarja jo e rregullt e faturave për shërbimet telefonike, shërbim, për të cilin kohët e fundit ka pasur ankesa të shumta nga konsumatorët shqiptarë, ka shkaktuar dje një debat në distancë midis përfaqësuesve të kompanisë Albtelekom dhe Postës Shqiptare.

Si pasojë e mosshpërndarjes së rregullt dhe në mënyrë të përsëritur të faturave për abonentët e Albtelekom nga ana e Postës Shqiptare, Albtelekom ka ndërmarrë shpërndarjen e faturave edhe vetë, theksohet në një njoftim për shtyp, të shpërndarë dje në media, ku vihen re nota të qarta ankese nga kompania e vetme shqiptare e telefonisë fikse në adresë të shërbimit shtetëror postar. Zbatimi i këtij projekti është në fazën e tij të parë, gjë që mund të ketë sjellë vështirësi në shpërndarjen e plotë të faturave për të gjithë abonentët, por në të ardhmen shpërndarja e faturave do të realizohet në masën 100% dhe në kohë reale, thuhet në këtë njoftim. Nga ana tjetër, Albtelekom ofron shërbimin e faturës dhe përmes postës elektronike, shtohet në të. Abonentët mund ta marrin faturën edhe përmes postës elektronike. Duke telefonuar në numrin 123, ata mund të lidhen me operatorët dhe të regjistrojnë të dhënat e tyre, në mënyrë që shërbimi i faturës t’u ofrohet përmes e-mailit, theksojnë drejtuesit e kompanisë.

Këtë qëndrim e ka kundërshtuar dje drejtori i përgjithshëm i Postës, Arqile Gorea. Duke folur në një konferencë për shtyp, ai ka deklaruar se “qytetarët, të cilët prej 5 muajsh nuk përfitojnë shërbimin e marrjes së faturës së Albtelekomit në banesë, duhet të dinë se ky kaos ka ardhur si pasojë e shkeljes së njëanshme të kontratës, që Albtelekom ka me Postën Shqiptare”. “Në një kohë kur kërkojmë zbatimin e shërbimeve të reja, nuk mund të braktisim ato tradicionale”. Albtelekom-i, tha ai, ka njoftuar Postën se, duke filluar nga data 01.04.2009, do të bëjë të mundur dërgimin e faturave telefonike për pajtimtarët e tij edhe me resurset e veta. Por, gjatë periudhës në vazhdim, është krijuar një situatë e ndërlikuar, pasi qytetarët drejtohen në sportelet e Postës për të kryer pagesën e detyrimeve mujore për shërbimin e telefonisë fikse, duke mos qenë të pajisur me faturë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).