Votat e provincës

Në qoftë se mandatet e Kuvendit të Shqipërisë do të përcaktoheshin vetëm nga votuesit e 12 qyteteve kryesore të vendit, koalicioni i udhëhequr nga Edi Rama do të kishte siguruar sot 76 deputetë për legjislaturën që pritet të fillojë në shtator.

Pra, pesë deputetë më shumë se ç'do t'i duheshin për të votëbesuar një qeveri të udhëhequr prej tij. Rezultatet paraprake të shpallura deri më sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, na tregojnë se, PS-ja dhe aleatët nuk e arritën dot numrin e mësipërm të deputetëve në Kuvend prej votave të fshatit ose qytezave.

Në mënyrë të përmbledhur, fakti i sipërpërmendur na tregon: 1- ose se koalicionit Rama i është shtrembëruar rezultati real në provinca, 2 - ose se strategjia elektorale e Ramës nuk pati në to të njëjtin sukses që pati në qytetet e mëdha.

Me opsionin e parë do të merret së afërmi Kolegji Zgjedhor, i cili do të shqyrtojë ankimimet e PS-së. Ndërsa ne le të merremi këtu me opsionin e dytë, duke presupozuar se rezultatet e shpallur nga KQZ-ja përfaqësojnë pak a shumë realitetin.

Në qytetin e Tiranës, koalicioni Rama mori rreth 15 mijë vota më shumë se koalicioni Berisha, ndërkohë që në fshatrat dhe qytezat e qarkut, u numëruan vota më shumë për këtë të fundit. Si rezultat, doli koalicioni i parë në qark me një diferencë prej rreth 4 mijë votash.

Në fakt, numrat e Qarkut të Tiranës përfaqësojnë në mënyrë ideale numrat në rang vendi. Kështu, në qoftë se mandatet e Kuvendit të Shqipërisë do të përcaktoheshin në mënyrë të pastër proporcionale (pra, pa përthyerjet e formulës D'Hondt në qarqe të ndryshme), - do të mjaftonte vetëm votimi në Qarkun e Tiranës për të prodhuar të njëjtin Kuvend.

Sepse shpërndarja e votave mes koalicioneve në këtë qark ishte identike me atë të 12 qarqeve të marra së bashku. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shpërndarjen e votave të koalicioneve mes qytetit dhe provincës.

Gjithmonë duke e konsideruar rezultatin e KQZ-së si të përafërt me realitetin, lind pyetja se përse Rama nuk arriti të kishte në provincat të njëjtin sukses që pati në qytetet kryesore?

Fushata e Ramës ishte e bazuar kryesisht në premtimin për një frymë të re në politikë. Ai premtoi një politikë që nuk do të merrej me telenovelat e 18 vjetëve të shkuara. Dha premtime frymëzuese, por që duket se rezonuan kryesisht me shumicën e elektoratit qytetar.

Ndërkohë, gjithnjë sipas rezultateve të KQZ-së, i bie që votuesit e fshatit të jenë ndikuar në shumicë nga premtimet e Berishës për rrugë fshati, ujësjellës etj. Siç duket, ata nuk ishin akoma gati për të përtypur mesazhet obamiane të Ramës, të cilat ai i përdori me gjenerozitet gjatë fushatës së tij - si në qytetet kryesore ashtu edhe në provincat.

Analiza e mësipërme na tregon se, në qoftë se Rama ka humbur vërtet në provinca, kjo i ka ardhur sepse fushata e tij nuk zbriti në nivelin e asaj që në zhargonin e politologëve quhet politika e shitjes me pakicë. Dhe atë që s'bëri Rama, e bëri Berisha. Avantazhi i tij në provinca ka qenë i mjaftueshëm për të eklipsuar avantazhin e Ramës në qytetet kryesore.

Po në qoftë se Kolegji Zgjedhor do të zbulojë se ka mospërputhje të mëdha mes rezultatit të KQZ-së dhe votave reale të provincës, ç'mund të themi? Vetëm një fjali: Komisionerët nuk e kanë mbrojtur votën në provinca ashtu siç e mbrojtën në qytetet e mëdha...

4 Komente

Duhet te dal te blej nje kapele, qe ta heq kapelen para ketij zotnie.

Tirana e Puka  e Kuçova qytetet kryesore, Shkodra, Durresi, provinca.

Keto jane studime qe me plot goje mund te thuhet " shkrime shekulli".

Po te kishte Tezja koqe do i thoshin Daje , keshtu i thone ketij muhabeti nga anet tona .

Lumidrin, ke harruar edhe Elbasanin ku ka fituar PD-ja, si qytet dhe keshtu i bie qe Elbasani eshte province, ndersa Librazhdi ku ka fituar PS-ja qytet i madh. 

E shikon llogjiken e ketij te vetshpallurit analist qe naten e zgjedhjeve kur po jepeshin exit-pollet dhe nxirrnin fituese PD u nxi ne fytyre sikur po merrte lajmin se kishte edhe nje dite jete.

 

 

Ky eshte nga ato qe nuk ka studiuar ne Haward, po ne Herr-Zall, universiteti me prestigjos ne bote.

Per hater te Edit, Librazhdin e bejme kryeqytet, e Elbasanin fshat, nje Edvin kemi, pse mos ta llastojme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).