Tokë për të legalizuarit, bono për pronarët

Qeveria i qëndron premtimit elektoral. Pranon pagesë me bono privatizimi me vlerë zero

Qeveria shqiptare miratoi dje një projektligj, që nëse kthehet në ligj dhe zbatohet, ia përgjysmon koston financiare për tokën familjeve në proces legalizimi, por në total nuk prodhon një titull pronësie.

Në përgjigje të një premtimi paraelektoral, Kryeministri Berisha propozoi dje që familjet në proces legalizimi të mund të paguajnë 50 për qind të çmimit simbolik të tokës, me anë të bonove të privatizimit, të cilat janë emetuar në vitin 1996 dhe që në tregun e hapur kanë një çmim prej 2-5 për qind të vlerës.

"Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi.

Bonot e privatizimit të përfituara nga ish të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.

Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë", thotë propozimi i djeshëm.

Që të bëhet efektiv, propozimi duhet të kalojë miratimin parlamentar, i cili nuk mund të bëhet para shtatorit, për shkak se Kuvendi është aktualisht i mbyllur. Për të përfituar nga kjo lehtësi, kërkuesit duhet të aplikojnë brenda tre muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit.

"Lidhur me letrat me vlerë, pas një analize shumë serioze të juristëve, ata mendojnë se duhet të ndërhyhet patjetër në ligjin e legalizimeve, pasi ky ligj ka të përcaktuar që pagesa bëhet në lekë", tha Kryeministri Berisha dje.

Sipas ligjit ekzistues, pronarët e ndërtimeve pa leje mund të blejnë sipërfaqet e tokës, mbi të cilat kanë ndërtuar, përkundrejt çmimit simbolik prej 100 deri në 400 mijë lekëve, ose 8-10 dollarëve për metër katror. Sipas propozimit të ri, gjysma e kësaj shume mund të paguhet me bono. Por, ndërsa blerësit e tokave do të paguajnë çmim simbolik, qeveria ka marrë përsipër të shlyejë pronarët me vlerë tregu, ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka sanksionuar se të legalizuarit nuk mund të marrin një titull të vlefshëm pronësie për sa kohë qeveria nuk ka kompensuar me vlerë të plotë pronarët.

Qeveria vendosi që kërkuesit që e kanë paguar sakaq tokën ku kanë ndërtuar pa leje, mund të marrin gjysmën e parave të paguara dhe të dorëzojnë në vend të tyre bono privatizimi.

Qeveria aktualisht ka shpërndarë një numër të kufizuar dokumentesh me titull "certifikatë legalizimi", e cila sipas ekspertëve, nuk ka ndonjë vlerë të madhe ligjore. Në këtë kuptim, vendimi i djeshëm i qeverisë pranon që të legalizuarit të paguajnë tokën me letra pa vlerë dhe në këmbim, qeveria u jep një letër tjetër pa vlerë.

Por para nuk ka

Procesi i legalizimeve ka nisur që gjashtë vite më parë, por deri më sot, asnjë nga pronarët e ndërtimeve pa leje nuk ka marrë një certifikatë pronësie. Zyra e posaçme e qeverisë, e ngarkuar me këtë proces, ALUIZNI, shumë shpesh mbetet pa para dhe nuk është në gjendje t‘i shlyejë pagat e punonjësve të vet. Aplikuesit që kanë kërkuar legalizim, nuk kanë pranuar të paguajnë çmimin simbolik të përcaktuar nga qeveria për ligjin.

Qeveria miraton herë pas here lista të gjata aplikuesish që kërkojnë legalizim, por pasojat ligjore të këtyre vendimeve mbeten të paqarta në planin praktik.

Vetë shifra e shtëpive të ndërtuara pa leje mbetet një mister shumë vite pas fillimit të procesit. ALUIZNI pati deklaruar dikur se ka marrë 220 mijë aplikime për legalizim në të gjithë vendin, por Kryeministri Berisha deklaroi pak kohë më parë në mbledhje qeverie se "aplikimet janë 150 mijë".

Ndërkohë, zonat informale mbeten në masë të gjerë jashtë urbanistikës bazë, me vetëm pak rrugë të ndërtuara, por pa akses në rrjetin e ujësjellësve dhe kanalizimeve.

Qeveria shqiptare thirri një ekspert të njohur ndërkombëtar për të hetuar problemet e ekstraterritorialitetit dhe për të rekomanduar zgjidhje për këtë problem. Instituti i drejtuar nga ekonomisti peruan Hernando de Soto, dorëzoi një raport dy vjet më parë, të cilin qeveria nuk pranoi ta reklamonte si zgjidhje. Pavarësisht eksperiencës së këtij instituti në shumë vende të botës me probleme të tilla, ai nuk ishte në gjendje të ofronte zgjidhje të logjikshme brenda planeve të qeverisë.

Bonot e privatizimit

Letrat me vlerë për procesin e privatizimit të pronës publike ishin një shpikje e Republikës Çeke, në bazë të së cilës ndërmarrjet shtetërore vlerësoheshin dhe në bazë të kostos së tyre emetohej një kartëmonedhë që shërbente vetëm për të blerë pronë publike. Kartëmonedhat iu shpërndanë "pronarëve" të këtyre ndërmarrjeve, pra të gjithë qytetarëve në moshë madhore. Por, skema u përball menjëherë me faktin se ndërmarrjet shtetërore, në Shqipëri dhe në vende të tjera, u shitën përmes praktikave ligjore shumë të dyshimta dhe ndërsa biznesmenët e lidhur me qeverinë blenë ndërmarrjet, qytetarëve u mbeti në dorë letra me vlerë. Në mungesë të pronave publike, bonot e privatizimit u bënë shpejt letra pa vlerë. Sot, mbi 30 miliardë lekë bono privatizimi janë në duart e qytetarëve, por vlera e tyre ligjore dhe praktike, që nga viti 2002, ka qenë zero.
 

6 Komente

Qeveriu është më i poshtër se dulla. Kot nuk thonë se nxënësi (më falni mjeku) ia kalon edhe mësuesit (më falni pacietit të tij) 

Po ku ka në botë kapitalizëm pa kapitale???!!!

Ku ka në botë pronarë pa prona?!

Ku ka në botë pronarë me prona ,por pa tapi (d.m.th pa prona)??!!

Ky kapitalizmi berishian është me pak fjalë mutizëm..............

 

Rri peshkaqen se e kemi Berishen "te djathte" - me breke te kuqe. Ky maskara, pas ligjit 7501, tani jo vetem qe po legalizon edhe vjedhjen/zaptimin e tokave legjitime nga njerezit e vrazhde (qe, edhe pse "te varfer" ndertuan shtepi 2-3-4 kateshe) por do qe te paguajne edhe cmim simbolik per vjedhjen qe kane bere. Po interesin per gjithe keto vite qe pronaret e vertete nuk kane patur mundesi te shkelin ne tokat e tyre, apo t'i shesin? Mutizem eshte pak.

...Po ata pronare qe duan token e jo kompensim ne para, si do e zhgjidhin?

Te vetmit qe u shprehen qarte mbi kete ceshtje ishin ata te Polit te Lirise edhe Ngjela, ne s'gaboj.

Perderisa nuk pati jehone ne elektorat, dmth se keshtu na pelqen. smiley

O Sali o renacak,

po na shkerdhen pak e nga pak.

Sa me gjate ti ri ne pushtet,

mjer ky popull ce ka gjet.

Pavarësisht eksperiencës së këtij instituti në shumë vende të botës me probleme të tilla, ai nuk ishte në gjendje të ofronte zgjidhje të logjikshme brenda planeve të qeverisë.

Kjo eshte fjalia kyce, qe shpjegon gjithcka.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).