Telefoni i Berishës, sms-të e korrupsionit

Mesazhet për Kryeministrin, çfarë denoncuan qytetarët te numri i celularit para fushatës

TIRANE - Ndjehet kryeministri më i lumtur i vendit më të lumtur në botë. Shqipëria sipas tij është e para në shumë aspekte, si vendi më i lirë në të bërit biznes, në rritjen ekonomike, një vend që nuk është prekur dhe nuk do të preket nga kriza ekonomike që ka gjunjëzuar supershtete dhe po rrënon buxhetet familjare. Por ai nuk i pranon ato. Tre muaj më parë ngjiste mijëra shkallët e Murit Kinez për të treguar se sa lart shkon. Por poshtë tij, nën këmbët e tij është populli më i lodhur, më i skamur dhe më i përbuzur i Europës. Një popull që gjen te mesazhet drejtuar celularit të vënë në dispozicion nga Sali Berisha, në rrugë për të shfryrë, për të nxjerrë dufin dhe për të kërkuar, si mjet të fundit të ekzistencën lëmoshë. Mesazhet e sotme i hap lutja e një biznesmeni të nderuar në Tiranë, që për të disatën herë denoncon te kryeministri administratën e korruptuar që vegjeton nën hijen e qeverisë "Berisha" e cila flak biznesin e ndershëm të të favorizuar të vetët që paguajnë nën dorë. Biznesmeni duket i pashpresë, sepse për disa vite është skualifikuar në tendera, të cilët i ka fituar një tjetër, i cili vazhdon t'i fitojë ato edhe pse me akuza të rënda për korrupsion, të cilat i dhanë edhe disa muaj burg.

Shqipëria e qeverisur katër vitet e shkuara nga Sali Berisha është një vend ku mijëra njerëz llogaritin bukën e gojës. Një nënë i lutet me shpirt kryeministrit që të paktën t'i japin ndihmën ekonomike, e cila edhe pse qesharake është burimi i vetëm i jetesës. Familje të tëra i kërkojnë hapur lëmoshë kryeministrit në këmbim të votës. Janë të mbytur në borxhe, pa rroga të mjaftueshme për të shlyer këstet e kredive konsumatore që kanë marrë më parë. Madje dikush në fund të mesazhit kërcënon edhe me vetëvrasje, nëse nuk i realizohet dëshira. "Kam nevojë për ndihmën tuaj, sepse jam 5 milionë lekë borxh dhe e kam litarin në fyt"-i shkruan njëri Berishës dhe tjetri jep edhe ultimatumin e dëshpërimit të thellë të prindit: "Kam shumë halle, i papunë me dy kredi e fëmijët pa bukë. Ju lutem më ndihmoni se jam drejt vetëvrasjes".

Shqipëria e qeverisur nga Sali Berisha është një vend, ku pushteti vendor nuk ekziston për komunitetin. Dhjetëra mesazhe nga fshatra, zona informale apo zona urbane, denoncojnë mungesën e investimeve shtetërore, vjedhjen e tyre apo abuzimet për fushata elektorale. Akuzojnë edhe deputetët e PD-së që erdhën në 2005 për të marrë votat dhe këtë punë duan të bëjnë sërish në 2009. Shqipëria e kryeministrit Berisha ka një administratë që kërkon ryshfet për të gjetur vendin e punës. 5000 euro thotë një pensionist nga Shkodra, i cili sheh me trishtim se vajza e tij nuk arrin të gjejë vend pune pas mbarimit të shkollës së lartë. Për kryeministrin kjo Shqipëri nuk ekziston. E tregoi luksi e paparë që përdori për fushatën, duke mbjellë me reklama çdo pëllëmbë të vendit, pa pyetur për koston e papërballueshme që do ta paguajë taksapaguesi shqiptar. Ai kishte vetëm një qëllim: të fitonte sa më shumë vota, qoftë edhe duke i blerë, siç ka vepruar në këtë rast, duke marrë çdo qytetar që i ka dërguar mesazh, për t'i premtuar "lugën e florinjtë", ashtu siç premtoi në 2005-ën. Një skemë e pastër korruptive për të fituar një pushtet të pamerituar, që do të vazhdojë të mos shohë Shqipërinë e vërtetë, atë që vuan nga korrupsioni, nga mungesa e punës dhe bukës, e ilaçeve të domosdoshme për jetën, nga mungesa e perspektivës dhe të ardhmes së fëmijëve.(Vijon nga numri i kaluar)

3556820352XX Zoti. Kryeministër! Jam A. T. administrator i kompanisë së pastrimit XXXX. Arsyeja që po iu shkruaj është se mua si kompani më kanë përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe të pa mbeshtetur në ligj nga APP-ja. Arsyeja që po iu shkruaj është se më daten 17/ 05/ 2009 ju kam dërguar një "sms" dhe një javë më parë ju dërgova një letër ku në të dy rastet ju kërkoja ndihmë dhe mbrojtje ligjore sepse nuk kisha rrugë. Kam konkuruar për 5 vjet për shërbimin e pastrimit në QSUT dhe jam skualifikuar padrejtësisht dhe gjithmone ka fituar N. J..Vetëm për tre muajit e fundit të 2008 arrita që ta fitoja këtë tender. Për këto tre muaj punë dhe për tenderin e shërbimit të pastrimit në 2007 për QSUT, ku me nderhyrjen tuaj Zoti. Kryeministër u anullua, tani për hakmarrje këta më përjashtojne nga pjesëmarrja në APP. Familja ime ka qenë e persekutuar për vite me radhë dhe unë akoma vazhdoj të ndihem i persekutuar nga ky korrupsion. Për më hollësisht iu kam dërguar edhe letër. Që biznesi im të mos falimentojë ju drejtohem juve i nderuar Zoti. Kryeministër që të vendosni drejtësi. Ndjehem i rrezikuar, ju lutem më ndihmoni që edhe biznesi që unë drejtoj të ndjehet i mbrojtur nga ligji. Me respekt, A.T.

3556935619XX Jam një 11 vjeçar nga Elbasani dhe jetoj në lagjen "Aqif Pasha", ish-punishtja e pastave. Jam i sëmurë dhe babin e kam të sëmurë me zemër. Jetojmë në një ndërtesë të amortizuar në kushte të këqija jetese. Kemi më shumë se 15 vjet që jetojmë në këto ndërtesa, jemi 20 familje që jetojmë këtu dhe askush nuk na jep rrugëzgjidhje. E di mire dhe zoti Ardian Turku si është puna e kësaj ndërtese që ne po jetojmë si mos më keq. Duam përgjigje.

3556725085XX Zoti kryeministër një dëshirë e një hall kam për një doktor të mirë se kam mamin shumë të sëmurë. Po më ndihmove faleminderit.

3556725211XX Kërkoj që 4 vitet që vijnë, njerëzit e vegjël të mos ndëshkohen për korrupsion, por të mëdhenjtë që janë baballarët e tij. Kam 1 vit që mbarova studimet dhe po kthehet në burim depresioni.Flm

3556725215XX Jam dakord me ato që keni bërë. Ajo që më shqetëson është se babai im ka punuar tek SHKEE (Ish policia elektrike) dhe nga muaji janar nuk është paguar.

3556726410XX Mami im është shumë keq. Ajo ka 2 muaj që nuk merr asistencën dhe jo më lekët e mëdha. Unë e kuptoj që me këtë mesazh nuk zgjìdhet gjë, por ju lutem shumë më jepni një zgjidhje ose të marrë vendin e punës, ose t'i japin paratë për vitet e punës që të përfitonte një shumë parash siç iu premtua.

3556727630XX Unë personalisht jam zhgënjyer nga kjo qeveri, bëni mirë që ta dini edhe ju Z. Kryeministër. Më kanë prishur një objekt në Velipojë gjoja pa leje në tokën time ndërkohë që të tjerët nuk kanë as tokën e tyre dhe kanë hotele nga katër kate. Ligji duhet të jetë për të gjithë njësoj. Ju falenderoj që na jepni mundësinë të shprehim shqetësimet tona me shpresën se dikush do na dëgjojë.

3556860245XX I nderuar kryeministër dhe ju që e lexoni këtë sms konsideroni si kërkesë timen. Jam dhe do të jem besnik i PD si shumica e shkodranëve. Unë per 4 vitet e ardhshme kërkoj të më lash 10 milionë të vjetra që kam borxh. Me respekt Egjildo Sh.

3556922300XX Jam një zonjë. Kërkoj nga ju sepse vuaj nga një sëmundje e rëndë, ilaçin që më nevojitet, por nuk kam mundësi ta blej. Ai quhet interferon. Ju faleminderit.

3556922864XX I nderuar Kryeministër. Jam një pensionist demokrat shkodran. Më në fund më erdhi mundësia të ankohem direkt tek ju. Vajza ime ka 5 vite që ka kryer studimet për mësuesi biologji- kimi dhe akoma është pa punë. Të them të drejten unë nuk kam 5000 Euro me ia dhënë pasi jemi pensionistë, prandaj ju drejtova juve duke pasur parasysh që jeni njeri i drejtë. Rri me shpresë që do të më zgjidhni këtë problem. Mustafa T.

3556924632XX Mirëdita zoti Sali Berisha jam një djalë nga Shkodra i moshës 14 vjeç. Studioj në shkollën Medrese. Te lutem tani në prag të fundvitit shkollor më gjej ndonjë vend pune se e kam të nevojshme. ELSAD C.

3556936561XX Përshëndetje Z. Kryeministër!Unë që po ju shkruaj jam Artila I. nga Hasi. Në radhë të parë ju uroj fitore! Kam mbaruar shkollën e mesme, dëshira ime është që të vazhdoj universitetin po mundësitë tona janë të paarritshme sepse babin e kam invalid i sëmurë në zemër dhe pa punë. Jemi 8 motra. Meqenëse ju më dhatë rastin t'ju shkruaj për problemet e mia mendova se do më ndihmonit duke më siguruar bursën.

3556726513XX Faleminderit zoti kryeministër. Në komunën Selishtë nuk është bë as një investim. Ne jemi komunë e PD nga viti 1991..me respekt G.H.

3556820189XX I nderuar zoti Kryeministër. Jam një qytetar i komunës Maqellarë. Faleminderit shumë për sms, por në këtë vend nuk kemi parë asnjë ndryshim për afro njëzet vjet na dhe fjalën që do ta bësh bashki MAQELLAREN, por jo u bë një ujësjellës dhe ne nuk kemi ujë.

3556823381XX me shpërdorime e vjedhje nga deputeti i zonës me kriminelët e tij. Ju kemi mbështetur gjithmonë, por Dibra nuk mundet më. Me respekt e dhimbje x.

3556830182XX Fshati Plesh deri në Klos të paktën të mbushen gropat me asfalt se nuk është vënë dorë që në kohën e ish-diktatorit. Me respekt A. Sh.

3556925064XX Përshëndetje dhe fitore në zgjedhje. Kërkesat janë shkolla Koben është mizerabël, por dhe në shkolle nuk shkohet nga përrenjtë. Fëmijët zbathen dhe ikin në shkolle dhe mësim nuk bëjnë sepse niveli është zero. Përrenjtë po futen në shtepi sa her bie shi. Me respekte nga anetari i PD-se N. P. fshati Kishavec Dibër.

3556726157XX Përshëndetje, zoti kryeministër! Unë nuk jam nihilist, di t'i vlerësoj mirësitë, por përpos atyre që rendisni Ju në SMS kam të tjera shqetësime që më trembin kujtesën time. Është fiksuar një Sali Berisha mjek i shkëlqyer human, që më ktheu gruan në jetë, dhe Sali Berisha kryeministër pushtetarët e të cilit në Peshkopi na dënojnë "me vdekje" nga uria. Para votës për këtë të keqe duhet të mendoj. Pse ishim socialistë, edhe pse në prag të pensionit e pa fëmijë, pa asnjë burim jetese, na flaken të dy pleqve në rrugë të madhe. F.M. Peshkopi.

3556726396XX Z .Berisha jam nga rrethi Matit, komuna Derjan. 4 vitet që kaluan nën qeverisjen tuaj në këtë fshat asnjë investim nuk është bërë. Jemi demokratë, unë në vitin 2005 kam bërë çmos për PD. Më thuaj ti si të votoj tani me gjithë njerëzit e mi që grumbulloj 450 vota. Me respekt familja K. Nga kjo komunë jemi pa ujë, pa rrugë makine, pa shkollë, pa një infermiere dhe vdes njeriu për një gjilpërë, ndërkohë që rrogat i marrin duke ndenjur në shtëpi.

3556832596XX Jemi 3 motra. Babai është operuar në laring, por ka nevojë për kurim më të specializuar jashtë. Ju lutem na ndihmoni sepse nuk kemi mundësi ekonomike. Ju faleminderit për interesimin. Megjithëse në kushte shumë të vështira meqë punën e babit e kemi shumë urgjente pranojmë të shesim shtëpinë vetëm të na siguroni një spital ku mund të kurohet. Nuri S. Dibër.

3556721935XX Zoti kryeministër faleminderit për çdo gjë. Këtej nga ushtria nuk ke bërë gjë, buka vjen nga Rinasi në Gjadër të Lezhës dhe e vjedhin komandantët.

3556722813XX Jam banor i Shëngjinit. A e di qeveria si është rruga Shëngjin-Kune që na mbyti pluhuri dhe gropat. A ka Shëngjini shkollë të mesme? Nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç këtyre dy gjërave. Zgjedhjet fitohen me plotësim kushtesh.

3556820703XX Z. Kryeministër. Ju uroj për këtë formë të komunikimit me zgjedhësit. Mendoj se do të jetë shumë e efektshme. Ju lutem të kini në konsiderate qysh vitin e parë (vitin tjetër) ujësjellësin e fshatit Balldre i Ri në komunën e Balldrenit në Lezhë. Një fshat me 4 mijë banorë dhe ka disa vjet që nuk ka ujë të pijshëm. Me respekt dhe konsideratë Gjovalin Gj.

3556833042XX Jam një banor nga Mamurasi i lagjes Demokracia. Desha të vë në dijeni që lagjja jonë është pa ujë. Tubat jane lidhur, por ujin nuk e lëshon kryetari i komunës për t'i bërë njerëzit të pakënaqur për votime. Ju lutem zgjidheni këtë problem ose do të bllokojmë rrugën.

3556722268XX Zotëri S. Berisha. Unë jam një familje nga Rrila e Lezhës. Ne kemi shumë halle. Në familje jemi 5 vetë dhe po presim të bëhemi 6. Kam vjehrrën të vjetër, burrin që nuk ka asnjë aftësi për të punuar dhe vetë që nuk kam asnjë profesion për punë. Kam 2 vajza të vogla që duan të rriten. Kryetari ynë është zoti F. F. që nuk na ka ndihmuar asnjë herë. Tani të paktën të na i japin ato karta falas se ne mezi po marrim thesin e miellit. Me respekt familja G. P.

3556726957XX Zoti Sali Berisha jemi një familje e varfër nga rrethi i Tropojës, që banojmë në fshatin e Torovicës. Jemi 6 pjesëtarë të familjes pa pune veç me një ndihmë ekonomike.

3556721448XX Zoti kryeministër. Quhem B. H. jam mjek dhe banoj në zonën e ish-kënetës Durrës. Jetojmë si në mesjetë, pa ujë, pa rrugë dhe ç'është më e keqja pa kanalizime, higjiena zero. Nënat dhe vajzat tona jane kthyer në skllevër duke mbajtur ujë me karroca me kilometra larg. Të kemi votuar gjithmonë prandaj bëj diçka...

3556722352XX Z.BERISHA Ne jetojmë në kënetën e Durrësit pa ujë, me rrugë gropa-gropa dhe kanalet e ujërave të zeza te pa mbuluara dhe nëse ju merni masa për këtë ju sigurojmë 5 mijë vota.

3556722774XX Zoti kryeministër jam banor i Spitallës në Durrës. Ne kemi 15 vjet që banojmë dhe s'kemi pikë uji dhe bredhim me karroca. Kemi Xhaferrin deputet dhe s'ka ardhur asnjëherë në takim. Dhe ne nuk votojmë as Xhaferrin, as partinë. Jam demokratë me shpirt.

3556727685XX Ç'më duhet ata që shkruan zotrote ku rreth 200 familje këtu në Shkallnur të Durrësit s'kanë ujë.

3556921065XX Përshëndetje, z. Kryeministër. Çështja me emergjente është eliminimi ose zhvendosja përfundimtare e furrave të gëlqeres dhe makinerive të përpunimit të gurit që janë afër banesave, të cilat shkaktojnë një ndotje të madhe jo vetëm në Fushë-Krujë apo Krujë, por efektet e saj ndihen edhe në kryeqytet. Çështja e dytë është papunësia. Po mbaroj fakultet të dytë dhe nuk jam i sigurt nëse do kem një vend pune. Gjithë të mirat. Flamur B., Fushë-Krujë.

3556921348XX Z.Berisha mos ndërtoni TEC me qymyrguri në Porto-Romano. Ujësjellësi i Durrësit nuk sjell ujë për të gjithë .

3556923349XX E morëm mesazhin tuaj. Banorët e Porto-Romanos ju luten të bini ujin se vdiqëm për një pikë ujë.

3556924739XX Urime për punën që keni bërë. Por mua më intereson puna ime. Jam peshkatar në Durrës dhe ju s'keni bërë asgjë për ne.

3556930440XX Unë nuk kërkoj, por ju lutem komunikoni me prokurorin e rrethit të Krujës të na kthejë mjetet e bllokuara padrejtësisht, të na lërë të jetojmë të lirë me hallet tona, sepse s'kemi mundësi të mbajmë mbi supe edhe hallet, provokimet, gjobat, dëmin ekonomik të shkaktuar prej tij si rezultat i shkeljes ligjore që ai bën në çdo moment të punës se tij tejet të korruptuar. Ju lutem, ju lutem, ju lutem.

3556822314XX I nderuar zoti Berisha unë që po ju shkruaj jam A. I. kam nevojë për ndihmën tuaj. Jam 5 milionë lekë borxh, kam litarin në fyt. Ju lutem më ndihmoni.

355685023790 I nderuar Kryeministër! Jam nga Durrësi i ardhur nga Veriu.Kam shumë halle, i papunë me dy kredi e fëmijët pa bukë. Ju lutem më ndihmoni se jam drejt vetëvrasjes.

3556851865XX I nderuar Zoti Kryeministër. Jam invalide nga Fush- Kruja. Më quajne Vjollca K., do doja të më ndihmonit që të merrja të paktën ndihmën sociale. Ju uroj shëndet.

3556934871XX Jam Kimete I., jetoj në Durrës me shumë vështirësi. Kam marrë 4 kredi, shuma e të cilave shkon 9 milionë lekë të vjetra ndërkohë që jetojmë vetëm me rrogën e tim shoqi prej 150 mijë lekësh të vjetra. Jemi të mbytur në borxhe dhe do t'jua dinim shumë për nder po të na ndihmonit, duke na dhënë një shumè prej 5 milionë lekë të vjetra. Të jeni të sigurt se do t'ua shpërblejmë me pjesëmarrjen tonë në zgjedhje krah jush.

Berisha: Më jep të dhenat ta ndjek une problemin

Ndonëse doli një herë në ekran duke komunikuar drejtpërdrejt me një qytetar që kishte bërë denoncimin te numri i dhënë nga kryeministri, mëse 3 vite më parë, Berisha nuk është marrë vetë me dhjetëra mijëra përgjigjet që donin po kaq mesazhe. Një central i sofistikuar operator që merr, grumbullon dhe tabelon mesazhet në format Exel dhe pas tyre punonjës të stafit të kryeministrit që të vetmen punë kanë përpunimin e mesazheve. Por në një rast të vetëm, mes mijëra mesazheve, është Berisha që thotë se do të interesohet për problemin e nisur në drejtim te celularit të kryeministrit. "Fatlumi" është zotëruesi i numrit celular 3556850987XX, i cili i shkruan Berishës: "Z. Kryeministër. Jemi mirë. Kam një hall që mund të ma zgjidhni vetëm ju. Je i mrekullueshëm. Me respekt i juaji Preng K."
Përgjigjja që vjen për qytetarin është në emër të kryeministrit: "Ju faleminderit për mesazhin që më keni dërguar! Ju lutem më nisni emrin dhe vendbanimin tuaj, për të ndjekur problemin. Sinqerisht. Sali Berisha", ndërsa qytetari ia kthen: "Mirëmbrama.. Përshëndetje z-KRYEMINISTER, ju faleminderit për përgjigjen e sms. Adresa ime është. Preng Z. K. Klos Kumuna FAN MIRDITE. Me Respekt familja K".

Gjakmarrja-Lutja e adoleshentit të rritur brenda mureve

Dëshira ime? Z. Berisha, më nxirr nga gjakmarrja!

Një shtet i dështuar. I gjunjëzuar nga një rit gjakësor, që prej 20 vitesh ka marrë jetën e qindra njerëzve dhe ka ngujuar me mijëra të tjerë. Dëshmitarët e gjallë të këtij tmerri janë viktimat e pafajshme të një dorëzimi pa kushte të strukturave shtetërore, që i kanë lënë rrugë të lirë vetëgjyqësisë dhe abuzimeve në emër të Kanunit. Në adresë të telefonit të kryeministrit Berisha, mes shumë të tjerëve vjen edhe një mesazh nga numri 3556943446XX. E shkruan një djalë nga Shkodra: "I nderuar z Berisha. Unë jam një djalë 18 vjeç nga Shkodra. Dëshira ime është që të dal nga gjakmarrja ku e vuaj prej 15 vitesh. Adresa: L. 8 Nëntori, Kukaj. Me respekt K. Gj". Adoleshenti është detyruar të ndryhet brenda mureve të shtëpisë që në moshën 3-vjeçare, atëherë kur sapo kishte mësuar të fliste dhe kur ndoshta ende nuk e kishte shqiptuar fjalën "gjak".

Mesazhet pro dhe kundër-Deputetët, mendimet e elektoratit për kandidatët e PD-së

Kryetari i PD-së priti derisa u skicua lista e kandidatëve të PS-së për të publikuar listën e kandidatëve të PD-së. Por edhe pse pati kohë, shumë lëvizje i bëri në minutën e fundit, duke ngjallur shumë polemika në selinë blu. Kështu ndodhi me ish-kandidatin e PD-së në Lezhë, Preç Zogaj, të cilin e zhvendosi në fund të afatit, duke e dërguar në Shkodër. Nga elektorati për këtë rast, por edhe për kandidatët e tjerë pati reagime pro dhe kundër, siç duket edhe nga disa prej mesazheve që iu dërguan pas shpalljes së listës së kandidatëve:

3556720148XX Z. Sali Berisha, ju lutem rishikojeni dhe një herë listën e Lezhës, sepse 3 personat e parë janë të panjohur shumë nga populli përveç Gjok Vuksanit. Prandaj ju lutem merreni në konsideratë sugjerimin tim.

3556720784XX Mendimi im është për Bardh Rica ose për PAL Metën. Fitorja 100% e sigurt. Me respekt I. I.

3556721825XX Në Lezhë ke vënë kandidatet më të dobët në të gjithë Shqipërinë. Asnjë nuk e njeh Paulina Hotin, nuk di gjë për Mark Markun dhe nuk e duan Edi Palokën. Z.Berisha.Vazhdo këtë model zhvillimi se është shumë i mirë..Por kam ankesa për qarkun e Lezhës. Ke bërë mjaft mirë që hoqe Preç Zogajn.

3556722616XX Përshendetje Z.Berisha, ju uroj me gjithë zemër që të fitoni ju dhe gjithë Shqipëria më 28 qershor. Përsa i përket korrupsionit në Lezhë nuk luftohet po vazhdon pa problem,vritet, dënohen me 25 vjet jep lekë dhe bën vetëm 5 vjet! Ujëesjellësi kushedi sa fond ka dhënë dhe në fshatin Mërqi uji nuk mund të përdoret se është llum dhe z.Bumçi vjen e thotë "Ta gëzoni ujin e pijshëm!" Pra unë do doja që të trajtohemi si njerëz. Me respekt Bona Lezhë.

3556820439XX Të falenderoi për kanditaturat në qarkun Lezhë. Kujdes me bashkitë e komunat mjaft të korruptuara dhe të padurueshme për komunitetin. Mos i përsërit kurrë dhe mos ju beso kurrë më pa i kontrolluar rreptësisht.

3556823019XX Ka 4 vjet që deputeti ynë dhe aktualisht Kryetari i PD së Tiranës na premton për një urë mbi Lumin Drin sepse në fshatin tonë votat i merr të gjitha PD. Jemi shumë të shqetësuar. Ju lutem më ktheni përgjigje. Me respekt PJETER J.

3556920898XX Propozim nr.1 : Të thirret zoti Zogaj dhe të ftohet që të bëhet pjesë e fushatës së PD. Brenda skemës së kandidimit në Shkoder unë shoh vendim të drejtë të PD dhe nxitim të Preçit, por mendoj se ka përsëri hapësira rregullimi... P. N.

3556725838XX Pa Preç Zogaj të parin në listë e kemi të vështirë të fitojmë më 2 deputet në qarkun e Lezhës. Të lutem në emër të PD dhe sedrës tonë bëje këtë ndryshim.

3556925088XX Z kryeminister do kisha shumë dëshirë që kandidat për Krujën të kishit vendosur biznesmenin e njohur, presidentin e firmës XXXX që edhe Obama po të jetë përballe tij nuk fiton. Me këtë nxjerr 2 deputetë të sigurt. Po e bëre këtë Kruja do jetë mirënjohëse gjithe jetën. Me shumë respekt demokrati i persekutuar deri në vdekje Shkëlqim Xh. S. Krujë

3556925177XX Jam I. Rr. nga Shijaku. Jam dekoruar nga ju si "Pishtar i Demokracisë". Jam shumë i indinjuar nga mitingu i djeshëm. Kjo tregon punën e dobët të degës së Shijakut. Ju lutem pres përgjigjen tuaj. Me këto njerëz ne do t'i fitojmë zgjedhjet?

******

SMS-të për Berishën, si u 'blenë' mijëra vota

Dhëndri i Berishës, organizoi fushatën e SMS-ve dhe takimet me njerëzit. Qarkore drejtuesve të PD-së në qarqe: Merrni në telefon dhe premtoni ato që kanë kërkuar

Tre vite më parë, dilte në ekran duke premtuar që qytetarët të denonconin çdo padrejtësi që iu bëhej. Numri i tij u bë menjëherë më i kërkuari për shqiptarët që përplasen me padrejtësi brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë. Por pak muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit, telefoni u mbyll, sepse korrupsioni kishte qelbur shtetin nga zyra e kryeministrit te nëpunësi më i thjeshtë dhe në hyrjen e kryeministrisë, ishte afishuar një letër ku qytetarët njoftoheshin që të mos dërgonin më mesazhe për të denoncuar korrupsionin. Deri pak javë para zgjedhjeve.

Sipas këshillave të konsulentëve të huaj për fushatën elektorale të PD-së, Berisha doli sërish në televizion dhe u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë, por kësaj radhe duke iu kërkuar se çfarë do të donin ata nga kryeministri në katër vitet e ardhshme. Kaq mjaftoi dhe në pak ditë, u arrit të mblidheshin mbi 50 mijë mesazhe telefonike në numrin celular. Më pas situatën do ta merrte në dorë, Jamarbër Maltezi, dhëndri i kryeministrit Berisha. Në një qarkore të brendshme, drejtuar funskionarëve vendorë të PD-së në 12 qarqet e vendit, Malltezi urdhëron që të merret në telefon seicili nga ata që kish nisur mezash te numri i kryeministrit, të premtonte se halli i tyre do të zgjidhet dhe kështu të fitohet përkrahja.

"Konsulentët e huaj mendojnë që të gjithë që kanë nisur mesazh problemi personal duhet të kontaktohen (me tel) nga kandidatët për deputet të PD për t'i treguar që shqetësimi i tyre drejtuar kryeministrit po trajtohet nga grupi i deputetëve të PD për secilin qark",- i udhëzonte Jamarbër Malltezi drejtuesit vendorë të PD-së, duke shpalosur strategjinë e selisë blu për ta parablerë votën e qindra mijëra votuesve që llogariteshin pas rreth 50 mijë autorëve të mesazheve.

Në materialin që posedon "Shekulli", gjithçka është e detajuar me numra telefoni dhe emra, por për shkak të ruajtjes së privacisë, ato jepen të paplotë. Por më e rëndësishme është përmbajtja e mesazheve që iu dërguan kryeministrit. Janë të shkruara me një shqipe të çalë, gati-gati të palexueshme. Shkronja të formuara nga gishta që dridhen nga zemërimi, varfëria, tallja e pushtetit. Por edhe të joshura nga premtimi i Berishës dhe njerëzve të tij se çdo hall i tyre do të zgjidhet nëse votojnë për PD-në. Dhe në shumicën e mesazheve i vënë kushte se nëse u zgjidh punë do t'i japin aq e kaq vota.

Janë qytetarët e Shqipërisë 2009 që kërkojnë drejtësinë që nuk e gjejnë në vendbanimet e tyre. Ia kërkojnë kryeministrit të vendit qe del në ekran një muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit dhe u premton troç se do t'iu realizojë atyre çdo dëshirë. Del dhe i pyet ata se çfarë duan prej tij në katër vitet e ardhshme dhe ata nisin mesazhet e mbushura me hallet e tyre të panumërta. Nuk kanë bukë për fëmijët, punë që të fitojnë ndershmërisht jetesën, nuk arrijnë që të zgjidhin asgjë në pushtetin vendor dhe qendror, kanë njerëz të sëmurë që nuk kanë mundësi financiare t'i shërojnë as brenda dhe as jashtë shtetit. Kanë shkruar shumë herë mesazhe te numri i celularit që kryeministri kishte publikuar, duke bërë spektakël para kamerës së një televizioni proqeveritar.

Shkruajnë sërish, sepse besojnë verbërisht se nuk kanë rrugë tjetër për të zgjidhur hallet e tyre. Që janë të punumërta. Janë pjesë e rreth 50 mijë sms-ve që shqiptarët i dërguan Sali Berishës, duke i thonë troç se nuk do ta votonin po nuk u dha përgjigje ligjore problemeve të tyre. "Shekulli" nis sot të publikojë disa qindra mesazhe prej listës gati me 50 mijë sms që shqiptarët, por edhe të huaj i nisin kryeministrit, duke shpresuar deri në fund se dikush do t'i dëgjojë.

Letra e Jamarbër Malltezit për drejtuesit e PD-së

Të nderuar Kryetarë të Grupeve të Punës,

Bashkëlidhur keni disa mesazhe sms të natyrës personale ndërmjet rreth 50,000 mesazheve sms drejtuar kryeministrit në përgjigje të pyetjes së tij mbi atë që kanë nevojë njerëzit për mandatin e ardhshëm.

Mesazhet personale janë paraqitur në tabelën bashkëlidhur dhe janë ndarë sipas 12 qarqeve përkatëse (paraqitur si tabela në pjesën fundore të tabelës) dhe variojnë nga 28 (Berati) deri në 268 (Tirana). Disa prej tyre që nuk kishin vendosur vendbanim, ju nis sms e dytë për t'iu pyetur për vendbanimin (për t'i ndarë në qarqe) ndaj disa nga mesazhet përmbajnë dhe falënderimin për kontaktin.

Konsulentët e huaj mendojnë që të gjithë që kanë nisur mesazh problemi personal duhet të kontaktohen (me tel) nga kandidatët për deputet të PD për t'i treguar që shqetësimi i tyre drejtuar kryeministrit po trajtohet nga grupi i deputetëve të PD për secilin qark. Natyrisht ka edhe disa mesazhe që jane krejt pa lidhje, ose ishin shumë të gjatë dhe ka pasur vështirësi lidhje logjike.

Gjithë të mirat,
-Abi-

Mesazhet drejtuar Berishës, denoncimet që bënë shqiptarët

35567218828X Tani po ju shkruaj për një padrejtësi që na bëri Faik Fejza që na ndryshoi projektin e tokës nga shesh ndërtimi në gjelbrim për interesa te tij dhe nuk na është krijuar ky takim dhe problemi ynë dhe e ardhmja jonë u bllokua nga Faik Fejza. A nuk duhen rishikuar gabimet e Faikut?

35567226592X Me kthe sms se edhe kryetari i komunës së Golaj Dem Lala nuk na jep rrugë. Të lutemi zoti Berisha kërkoji ndihmë për ujë për fshatin.
35567233154X Të triumfojë e vërteta & e drejta. Do dëshiroja shumë ta lexonit personalisht ju këtë sms & t'i jipnit zgjidhje këtij halli shumëvjeçar. Shumë respekte & faleminderit për mundësinë. Brez pas brezi, me dokumenta të rregullta & harta që në kohën e italianit.

35567261101X Faleminderit për mirëkuptimin. Në rrugët tona, të kërkoj që të paktën kryetari i komunes, Fatbardh Plaku, të interesohet edhe për lagjen tonë që ta bëjë rrugën sadopak të kalueshme.

35567276274X Ministri Pollo më hoqi duke më kthyer në mësuese me kontratë. Kam mbaruar Fakultetin e Agronomisë, por gjithë jetën dhe mendjen ia kushtova arsimit, duke qenë një mësuese model për gjithë zonën ku punoj. Nëse kam një arsye që të shkoj në qendrën e votimit a mund të ma thoni? Sepse nuk mund t'iu dal para fëmijëve të mi.

35567293811X Nuk mundemi as me çizme të kalojmë. Uji i pijshëm na mungon, po e blejmë me bidona me respekt dhe me dorë në zemër që të na ndihmoni. Ju falenderojmë.

35568223367X Jam krahu juaj që nga viti '90 por kam një problem të madh. I gjithë fshati mbushin ujë me gomar akoma se fondin e vodhën.

35568385301X Zoti kryeministër faleminderit për sms, por unë ish- gruaja e një polici që dhe më parë të kam dërguar një sms sepse më kanë hequr burrin prej pune dhe u kërkova ndihmë dhe ju fare s'më kthyet përgjigje. Tani besoj që ky mesazh nuk do më shkojë kot se unë jam familje e madhe me 20 vota. Për ju me respekt F.

35567203432X. Banorët janë të irrituar, pasi makinat e ujësjellësit shesin ujë me lekë. Kjo situatë është alarmuese në prag të zgjedhjeve dhe kam mendimin se bëhet e qëllimshme. Ju lutem ndërhyni me autoritetin tuaj. Nga një simpatizant i juaj.

35567294118X Vërtet shumë arritje dhe investime që ka arritur qeveria që ju kryesoni por në zonën ku unë jetoj nuk shoh ndonjë ndryshim përveç disa fonde të miratuara. Në emrin tim personal dhe të komunitetit ju kërkoj ju personalisht të vini e të shihni me sytë tuaj zonën ku jetojmë ne.

35567294706X Zoti kryeministër unë jam e djathtë, por të qenit e tillë s'po më jep asnjë avantazh. Ne jetojmë mbi ujërat e zeza, që dalësh e të hysh në pallat duhet varkë.

30699529572X Më kanë hequr prej pune, kam fituar gjyqet dhe nuk zbatohet vendimi për rikthim në punë. Jemi unë dhe bashkëshortja, ekonomistë të lartë studentë të '91 pa punë. Ju uroj sukses duke menduar dhe për ne.

35567200071X Përshëndetje Z.Kryeministër. Kam denoncuar dhe po denoncoj përsëri korrupsionin që po bën z. B. M. me tenderin e rojeve. Është në kundershtim flagrant edhe me nenin 11/3 të Kushtetutës. Të lutem për zbatim të ligjit. Me respekt A. F.

35567207831X Zoti kryeministër jam një qytetar. Githmonë famijarisht kemi qenë djathtas. Ka 20 ditë që zoti Gazmend Dibra më ka pushuar nga puna. Vetëm ai e di arsyen.

35567208880X Z . Kryetar kam shumë respekt, jeni njeriu që i dhatë vèndit ndryshimin, votat e mia i ke me shumic dhe ta premtoj. Por jam shumë i prekur nga APP, për një tender që kanë bërë me zgjidhje të gabuar, sepse janë të blerë. Dua nga ty vetëm një të drejtë . Me respekt Ariani.

35567214738X Kam 28 vjet pune si oficer. Jam Doktor i Shkencave për Policinë, i vetmi në Shqipëri. Aktivist i PD. Me Respekt.Dr.F. LL. I nderuar, zoti SALI BERISHA. Më gëzoi shumë mesazhi Juaj, por më ka ardhur në një ditë të trishtuar, sepse më ka pushuar pa shkak nga puna z. Gazmend Dibra.

35567227255X Kryebashkiaku M. R. Me oreks për seks dhe lekë ka fut të paaftët në punë.
Deri kur do të vazhdojmë me këtë padrejtësi që t'i zihet vendi asaj me 30 vite punonjëse shëndetësie me librezë pune.

35567253590X Ne shohim që të tjerët pasurohen, kurse ne hamë me listë. Kemi humb besimin. Juela lexoja mesazhin tim Saliut, se kam punu 40 vjet. Nana Luli të do shumë.

35567254984X Nuk mund ta përballojmë këtë shumë. Unë jam nxënës në shkollën e mesme në Kukës bashke me dy vllezërit e mi, që s'mund të mbulojmë shpenzimet tona që bëjmë në shkollë. Kartat e identitetit, ku ju keni deklaruar se do të merren me 200 lekë realisht ne na i japin 1200 lekë, unë jam vetë i 4-ët që do të aplikoj për kartë, ku ne marrim ndihmë ekonomike një shumë fare të vogël.

35567255170X Ju dhe qeveria juaj më ka hequr burrin nga puna. I ka fituar të gjitha gjyqet dhe nuk kthehet në punë. A mund të kem besim tek juve për drejtësi?

35567256977X I nderuar z Berisha. Kam votuar gjithmonë për ju. Sivjet jam në dilemë të votoj apo jo për ju. Arsyeja kërkoj në hipotekë çertifikatën e pronësisë e nuk ma japin. E kam me dokumenta të rregullta vetëm mos harro se ke marrë 500 vota nga gjithë fisi im. Me respekte M.H.

35567258750X Çfarë mund të pres nga kjo qeveri. Kur ka dy vjet që më ka vdekur bashkëshorti dhe fëmijët e mi nuk kanë pension dhe asnjë të ardhur.
35567262132X Dy fëmijët flenë në llamarinë. Ky është shteti ky është mentaliteti shqiptar i hidhur, por duhet pranuar më zoti kryeministër? Një djalë e kam të djegur. Janë ngritur rrogat? Për mua jo, po më vdesin fëmijët për bukë. Jam pa shtëpi. Pa më thuaj zoti kryeministër çfarë ndryshimi ka për mua? Asgjë. Rrogën time desha.

35567263966X Më kërkojnë 5 mijë lekë për fëmijën 6 muajsh dhe plus ilaçet e djalit që mi japin me lekë, për të cilat unë kam dëgjuar që janë me rimbursim, por është korrupsion ky.

35567263982X Z. Berisha ne poseduesit e Bonove të privatizimit jemi të zhgenjyerìt e këtyre 4 viteve të qeverisë tuaj. Nuk e di se çfarë të shkruaj për 4 vitet e ardhshme. Ju përshëndes duke shpresuar Elona.

35567268340X Megjithëse më është miratuar privatizimi më pengon Drejtoresha e privatizimeve në Ministri. Ju lutem më ndihmoni. Vota ime është për ju. Më ktheni përgjigje.

35567274644X Hipoteka nuk na jep certifikatat e pronësisë edhe duke e ditur qe jemi të PD-së

35567293004X Nuk jam i zoti të marr një tapi shtëpie. Zoti Berisha pasi mora mesazhin tuaj kam këtë përgjigje. Jam një anëtar i PD që nga viti 1998, nënkryetar i unionit studentor, anëtar i këshillit kombëtar të forumit rinor të PD. Jam shumë i zhgënjyer për ato që ju shkrova.

35567293094X Unë jam V. C. nga familje e persekutuar. Dhe kërkoj lejen e eksportit për fabrikën nga ju, që ma ka bllokuar Emin Gjana dhe që punësohen 250 familje në fabrikë dhe liqen dhe ju keni hapur kaq vende pune dhe keni marrë po kaq vota. Me respekt V.C.

35568201051X Kam një vajze jetime. Jam në pikë të hallit. Me respekte ELISABETA H.. Zoti Sali Berisha jam një zonje 35 vjeçe dhe kam një vajzë 15 vjeçe dhe nuk marr përkrahje sociale për t'i bërë dokumentet, sepse duan lekë në dorë.

35568202015X Ju mesazh mua Dr.Sherif M.? Më kanë mohuar cdo lloj kontributi në 10 vjet dhe më kanë refuzuar? Pa punë me doktoraturë në profesionin tim? Ne vitet 2005 deri 2008 ju kam nisur 48 mesazhe, shumë kërkesa nuk kam gjetur zgjidhje. Kam lexuar diku: nëse të gënjejnë njëherë faji është i tyre, nëse të gënjejnë për së dyti faji është i imi, por nëse të gënjejnë për së treti sërish faji është i imi? Do të doja ballë për ballë për detaje. Sherif M.

35568223542X E mora mesazhin. Realizoni ato që thoni. Jam oficer me dy akademi në Itali dhe nuk më japin gradën kolonel. Votoj për ju nga 1991 dhe nuk kam përkrahje. Në drejtim janë ata që votojnë kundra. Më ndihmoni Ju. Fatmir K..

35568527626X Jam Shkëlzen M. infermier me arsim të lartë. Pse thua rroga është mbi 3 qind mijë lekë kurse unë marr 230 mijë. Ju lutem më ktheni përgjigje.

35568601616X Ju faleminderit shumë, por gjatë kohës së qeverisjes tuaj, kam humbur shtëpinë në firmat piramidale. Nqs më siguroni të ma ktheni përsëri, i keni votat e familjes.

35569208535X I nderuar Prof. Dr. Z. Berisha, unë besoj në ato që ju keni bërë, por disa gjëra nuk funksionojnë si duhet. U bënë disa muaj që ju kemi shkruar një letër shumë shqetësuese, deri tani asnjë pergjigje. Ata, kundër të cilëve informojmë, vazhdojne si më parë. Nëse vërtet bëhet drejtësi, përse shkelësit e ligjit nuk dënohen? Me respekt av.L.M.

35569208860X Në 4 vitet e ardhshme, përveçse sukseseve, do të dëshiroja të rikthehesha në administratë nga ku më hoqën padrejtësisht...

35569209819X Përshëndetje, ju ndoqa, ndjeva kënaqësi si gjithmonë, premtues me ekipin tuaj. Por nja 3-4 figura më kanë dhunuar familjarisht për 4 vjet! Unë e kam vërtetuar se kam një rreth. Të ishit ju në vendin tim si do vepronit? Kam 4 vjet që ju kërkoj takim, të pakten më zbardh dosjen 123 e 2005 pranë D.P.Q.T. Pres pergjigje. Faleminderit XH. M.

35569210883X Ti thua që është zhdukur korrupsioni në Shqipëri, ndërkohë që në Drejtorinë Arsimore Kavajë nuk është zhdukur. Vajza ime ka 3 vjet që ka mbaruar shkollën dhe drejtori i arsimit s'e fut në punë, sepse janë futur në arsim njerez të paaftë me arsim të mesëm dhe pedagogjike.

35569210923X Gjej rastin të shkruaj. Kam 2 motra me universitet plus akademi, punojnë gati 8 vjet, si police të thjeshta, ndërsa me ligj iu takon oficere. Nuk kam lënë vend pa trokitur. Nga ju nuk kërkoj privilegj, por thjesht, vetem atë që ju takon. Shpresoj nga ju. Me shumë respekt, Ruzhdi D.

35569211543X Kemi humbur besimin. Jam me dy fakultete (publike). Më larguan përsëri në dhjetor të 2005. Vazhdova përsëri sipas ligjit me gjykatën, fitova kthimin në vendin e mëparshëm të punës dhe pagimin me vlerën e pagës për kohën e qëndrimit pa punë. Këtë herë i fitova të dyja shkallët, në të parën dhe të dytën në Apel, ku ka marrë dhe formën e prerë, i cili në bazë të ligjit është i detyrueshëm për tu zbatuar!? Më kanë bllokuar edhe 200 mijë lekë të vjetra. Për këto ju jam drejtuar me letër juve dhe ministrave përkatës.

35569212925X Zoti Kryeministër ! Kur kisha unë hall, ju nuk ma zgjidhët, ose të më lehtësonit dhimjen me një sms. Se mendova që Partia ime do vinte drejtesi. Po ju dhe burrit që është i operuar nga zemra i pretë edhe kempin dhe nuk punon dot të nxjerrë bukën dhe të blejë ilaçe për të mbijetuar, sepse po na rrjepin mjekët. Çfarë i thoni ju kësaj? Jemi të zhgënjyer nga Partia jonë.

35569213609X Jam pushuar nga puna, me të marre PD-ja Qeverinë (pa asnjë motiv ligjor). Besoj më kuptuat.....TUNG!.

35569215521X I nderuar Zoti Berisha më vjen keq t'ju them se këto katër vjet kam kërkuar dëshpërimisht të punësohem në profesionin tim si mësuese e ciklit fillor. Kam mbaruar me mesatare 9.5 dhe kam mbrojtur temë diplome e vlerësuar me noten 10. Por fatkeqesisht drejori i DAR mendon se nuk ka vende të lira pavarësisht se shoqet e mia të klasës me mesatare 6 janë punësuar të gjitha. Më vjen keq, por jam zgjënjyer që kam dhënë votën për ju!

35569216706X Un jam demokrat i flaktë punoj në ndërtim me çmime bajate pa siguracion dhe më e keqja nuk na japin as rrogën. Nuk po kemi lekë të nxjerim muajin me bukë e djathë e me domate. Ke të na thuash ndonje gjë konkrete? Nuk më intereson asgjë tjetër nga ato që thua ti zotni.

35569225720X I nderuar Z.Berisha Që prej thirrjes tuaj të madhe për mos t'i paguar asnjë qindarkë nëpunësve të këtij vendi shpresoj për drejtësi. Por ju informoj se në Drejtorinë Arsimore porosia juaj nuk ka zënë vend. Jam mësuese letërsie e diplomuar në 1991 dhe që prej 1997 persekutohem deri më sot. A. B.

35569235028X Jam një student. Sot pagova telefonin e shtëpisë, shkonte afër 40 mijë lekë të vjetra, gjë e papranueshme. Si shpjegohet se nuk ka fatura nga Albtelekomi pra është abuzim i pastër për mos folur më për energjinë elektrike, por edhe për ujin. Këto i interesojnë më shumë popullit për 4 vitet e tjera.

35569236021X Vota ime është për ju dhe do jetë por mundohu të mbyllësh kazinotë. Se shkatërruan familje të shumta.

35569248941X Me gjithë respektin si individ, pas 30 vitesh në arsim ka 2 vjet që jam hequr nga puna e nuk kam ç'të pres të mira të tjera.

35569248951X Jam një zonjë. Dëshiroj që të më jepen lekët e kartës se jam tre persona që kam marrë kartën e nuk janë kthyer lekët.

35569249472X Ju faleminderit për sms. Unë jam nipi i një të persekutuari që kam vuajtur për tërë jetën dhe në kohën e demokracisë kam punuar polic financiar dhe tatimor dhe me ka larguarAurel Bylykbashi. Kërkoj nga ju që të më rikthejnë në punën e mëparshme, kur fisi ynë është 250 veta dhe nuk ua japim votën prej padrejtësive të Aurel Bylykbashit.

35569251794X Do të doja të bëheshit pjesë e shqetësimit tim për pak. Sapo dola nga takimi me z.Poni ku mu konfirmua që dhe rroga e dhënë me urdhrin tuaj është kthyer nga Ministria e Financave. Me besim dhe me konsideratën më të lartë për ju.

35569252011X Z.Kryeminister! jam një mësuese. Nuk e di a ju duket normal fakti që kanë kaluar mëse 1 muaj e 20 ditë nga marrja e rrogave dhe nuk jemi paguar akoma dhe ankesa bie në vesh të shurdhët? Përse nga përplasjet e dy institucioneve si DART dhe ISKSH ne duhet të na mohohet Buka e fëmijëve në një kohë që presim dhe zgjedhje te lira, për më tepër të mos na jepet kurrfarë afati?

35569260606X Z. Kryeministér. Jam dakord me mesazhin tuaj por njerëzit e familjes time në këtë shekull po vuajnë për bukën e gojës. Psh. Motra me burrin dhe 3 fëmijë në shkolë ku janë 3 votues mezi po e përballojmë jetesën.

35569266136X Kemi 4 vjet me një gjyq për një tokë që me letra dhe me çertifikatë është e jona, por disa të tjerë që kanë shumë para që i kanë vënë duke shitur tokat e Golemit thonë se është e tyre. Gjyqtarët që kanë marrë lekë sa herë që shkojmë në gjyq e shtyjnë muaj pas muaji.

35569268513X Jam student në Tiranë në një universitet privat. Dua t'i jepet licenca se kemi lënë gjithë këto lekë dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Kemi kaluar në depresion...

35569280594X Z. Kryeministër jam një anëtare dhe aktiviste dhe një e persekutuar që kam vuajtur vitet e internimit qysh në vitet e fëmijërisë time. Në datën 21 maj më kanë bërë një padrejtësi. Më kanë hequr nga puna si edukatore kopshti ku punoja prej 3 vjetësh dhe emëruan një tjetër. Ju lutem shumë të më ndihmoni për këtë problem pasi edhe z. Flamur Noka është i njohur me këtë problemin tim ju lutem po keni mundësi tju takoj per sqarime.

35569304187X Zoti Sali Berisha më vjen mirë qe kë rregullu Shqipërinë dhe po e çon në Europë por nënës time 70 vjeçe i keni hequr pensionin që është dhe e sëmurë. Me respekt L.R.

11 Komente

Paska dergu dhe macoku sms smiley

35567293094X Unë jam V. C. nga familje e persekutuar. Dhe kërkoj lejen e eksportit për fabrikën nga ju, që ma ka bllokuar Emin Gjana dhe që punësohen 250 familje në fabrikë dhe liqen dhe ju keni hapur kaq vende pune dhe keni marrë po kaq vota. Me respekt V.C.

nderuar kryeministër dhe ju që e lexoni këtë sms konsideroni si kërkesë timen. Jam dhe do të jem besnik i PD si shumica e shkodranëve. Unë per 4 vitet e ardhshme kërkoj të më lash 10 milionë të vjetra që kam borxh. Me respekt Egjildo Sh.

Respekt! smiley

Demokrat i fokusum! Dhe aspak servil! Kerkoj thote... kerkoj te me lash borxhin!

Jo kili-vili...adelat, valium, me gjej pune, me rregullo shkollen! smiley

Nuk dua te ofendoj njeri, por duke lexuar keto mesazhe te hallexhinjve, dhe duke pare qe nje nga strategjite e PD-se per te marre votat ishte premtimi qe keto "duva" te miletit do degjohen nga Kryetari, me vjen te pelcas me vjen per gjendjen ku ka katandisur populli im!

Sikur po lexoj Damascus Times, per zgjedhjet ne fucking Syria, jo sikur po lexoj per zgjedhjet ne nje vend anetar te NATOS!

O njeri i modh, O bamires i vetshpallur, O dhurate e perendise, ndihmoi keta njerez te shkrete me shkopin tend magjik. Shpalose dhe nje here madheshtine e shpirtit tend O Malesor i nderuar o ti pasardhes i Skenderbeut. Jepu njerezve ate qe te kerkojne sic jua ke premtuar dhe do te futesh ne historine e ketij vendi si njeriu me i shquar qe pas eres se re. Edhe para eres se re po te duash ti. Do te te bejme permendoren me te madhe te papare ndonjehere dhe do te vendosim mu ne qender te sheshit Skenderbeu aty ku sot eshte shatervani (Skenderbeun me kale do ta heqim qe aty si shenje respekti).

Nese vendi rotull statujes do te kthehet ne nje shurtore te madhe ti mos u shqeteso se eshte shurra e popullit tend.

Nuk e di se me ç'të drejtë i boton dhe se ku i ka marrë autori këto mesazhe, por janë vërtet për të të zënë lemeria... siç duket prandaj nuk e zë gjumi Salën natën... dhe i jap të drejtë.

35569304187X Zoti Sali Berisha më vjen mirë qe kë rregullu Shqipërinë dhe po e çon në Europë por nënës time 70 vjeçe i keni hequr pensionin që është dhe e sëmurë. Me respekt L.R.

"E" , a ka ven per noi hoxhe t'vogel anej ka je ti? smiley

Mirëdita zoti Sali Berisha jam një djalë nga Shkodra i moshës 14 vjeç. Studioj në shkollën Medrese. Te lutem tani në prag të fundvitit shkollor më gjej ndonjë vend pune se e kam të nevojshme

 

"Sapo kam mbaruar ushtrinë si tankist"

"Tanksi i parë në fshat, ty do ta japim!" smiley

Leje mer tanksin ti, se s't'ka lone ty Sala kurre pa tanks! smiley

T'tjera halle keni juve mamurrzakt tashi! smiley

Jam një banor nga Mamurasi i lagjes Demokracia. Desha të vë në dijeni që lagjja jonë është pa ujë.

P.S.

Ku i bi kjo lagjja? A eshte lagjja Drite?

Na kenaqen me kete shkrim.

 

Sa halle kemi edhe ne si popull mer aman. Si sakte fare ai qe donte ti lante borxhin qe ksihte marre. smiley

ku ishin keto sms, bashke me ket shkrim para 28 qershorit

posi, posi, kofini pas te vjeli... mire tu behet

Mua ky me duket budalliku i rradhes se ketij rrobit...ose jo budalliku, po e njef shume mire popllin e vet....ca dreq menyre qenka kjo qe dergoke sms te kryeministri per ankime...ku jane institucionet dhe ter hallkat e nje shteti qe secila prej ketyre halleve te zgjidhet ne menyre ligjore.....lere se me duket qe i flas vetes para pasqyres...... smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).