Të ngërthyer në kaosin urban

Jo rastësisht, por si rëndom këto ditë dëgjova një lajm, në një nga mediet më të ndjekura, që më tha: Aty ku banoni ju, do të mbjell 70 pisha! Fitore, thashë, fitore…!!! dhe ju nuk e dini pse kjo fitore… Zotërinj, politikanë e mediatikë, a e dini se prej vitesh, ne, banorët e kësaj rruge, biem të flemë tej mase të lodhur nga tallavaja e së përditshmes. Por ngrihemi nga gjumi si të pafjetur. Zhurma na ka hyrë në tru. Kur s’ka makina që ecin (civile, se ato të policisë që na ruan u bënë kohë që nuk i shohim), punëtorët e mirëmbajtjes, shqepin e qepin rrugën e bërë më 2005 me urgjencë elektorale. Flemë e s’marrim dot frymë, falë pishave e pemëve dekorative… që do u mbillkan këtë muaj (mos më thoni të mbyll dritaret e të ndez kondicionerët. Energjinë elektrike e paguaj edhe për ata që nuk… paguajnë, apo që ju vetë nuk ua merrni paratë për efekt votash). Para disa ditësh, Zotërinj Parti e Politikanë, ra një zjarr, në pallatin ngjitur me atë ku unë banoj. Edhe pse buzë rruge, zjarrëfikësit erdhën pasi u dogjën 2 kate, falë trafikut. Dhe kur të mjerët njerëz zjarrfikës nisën punën, s’kishin se si të shuanin zjarrin. Nuk kishte si të hynte makina, zotërinj, buzë bulevardit. U desh të gjendeshin mjete ndihmëse, e qyqarët zjarrfikës të stërmundoheshin… dhe rrezikoheshin. A e dini zotërinj, se asnjë urgjencë spitalore, nuk mund t’i shërbehet banorëve të kësaj rruge, madje me vështirësi u shërbehet edhe shërbimi mortor… Në pikë të hallit i nxjerrim njerëzit edhe në nderimin e fundit që u takon… Dhe ka plot të tjera, por, çuditërisht, sa për momentin, më vjen ndërmend, vetëm konflikti që kam prej kohësh me fëmijët e mi. A e dini ju politikanë të të gjitha ngjyrave politike, por me shtetësi e kombësi shqiptare, se fëmijët tanë e tuajt (sepse kanë nderin të mësojnë pothuaj në të njëjtat shkolla) kanë filluar pushimet? Dhe jo më larg se sot, pikërisht kjo temë sociale, u bë shkas për një konflikt në familjen time. Dhe kjo falë jush… Zotërinj. Ku të luajnë dhe argëtohen. Lexojnë e shohin TV (këtë të fundit, mundohen të gjejnë ndonjë gjë tashm&eumlsmiley. Luajnë lojëra false në kompjuterë portabël ose edhe jo. Dëgjojnë lajme… por nuk kanë vend, te rrënjët e pishave për pak lojë… për pak kontakt social me miq e me shokë… qoftë edhe për një bisedë fëmijërore, që aq shumë na mungon edhe ne të rriturve. Përreth, kemi disa shkolla. Mundohemi t’u prishim mendjen rojeve, për të lënë fëmijët të luajnë. E për pasojë, njërin prej tyre e pushuan nga puna… Ne u bëmë shkak, zotërinj. Dhe nuk mundëm të rikonstruktojmë krisjen e madhe me mikun që na argëtoi fëmijët. Kemi makina të parkuara, zotërit e të cilëve bërtasin gjithë kohës… eh. Na duhet çdo ditë të paguajmë PARA, për të gjetur një fushëzë e ca shokë, gjithsesi, për të bërë atë pak lëvizje që na ndihmon për të zhvilluar fizikun e këtij brezi. Pas pune zotërinj, na duhet të stërmundohemi, e të shkojmë e të ecim, për të gjetur pak vend te parku i Tiranës (te Liqeni, siç jemi mësuar ta emërojm&eumlsmiley, por aty është aq plot, sa nuk mundemi as të çlodhemi nga të thirrurat. Thërrasin për kujdes, moshat e treta, gjyshërit e kisha fjalën. Pronarët e lokaleve, bërtasin. S’kanë faj se humbasin klientelën. Thërrasin nënat e reja. Vëllezërit Frashëri ulërijnë: S’na mjafton pluhuri që na ka zënë, na duhet edhe topi juaj?! Kështu, duke mos dëshiruar të jemi problematikë, me miqtë e bashkëqyetatarët, krijojmë konflikte me fëmijët. U bërtasim, u hakërrehemi, i dënojmë padrejtësisht. Ju duket kjo e arsyeshme? Kjo ndodh përtej së majtës e së djathtës, apo është politikë e re? Zotërinj politikanë, zotërinj Parti e kandidatë për deputetë, një njeri i mençur më ka thënë një herë se politika është arti që ndalon popujt të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve që në të vërtetë i shqetëson. Por në këtë rast është pak ndryshe, po luani me ndjenjat e nënave dhe nënat për fëmijën, ju e dini ç’mund të bëjë. Politikanë-Prindër, Zonja e Zotërinj, si nënë e grua dëshiroj të më kuptoni se nuk duhet të abuzoni në emër të fëmijëve. Politikanë me kombësi e mendësi shqiptare, mos përdorni fëmijët për sloganet tuaja momentale-elektorale, sepse çdo nënë në këtë truall do t’ju akuzonte dhe kurrsesi nuk do t’u falte. Në këtë fushatë të çmendur mbjelljesh pushteti, hidhni farën që u duhet fëmijëve tanë, tuajve, nipërve e mbesave. Ata kanë nevojë të ndiejnë se janë fëmijë dhe se duhet të rriten të qetë e me dashuri përreth. Nuk kanë nevojë dhe nuk ndihen të rritshëm nën këtë ankth të vazhdueshëm. Dhe e dini? Ata nuk i duan pishat e reja, se u zënë vendin, atë pak vend të pa betonuar edhe politikisht. Fëmijët tanë nuk janë të verbër, dhe as të korra fushatash elektorale. Ata presin prej nesh, e ju keni detyrë të mos të na çnderoni ne prindërve në emër e përpara tyre…

1 Komente

Hallall!

Me ne fund nje shkrim i vertete!

Ky artikull meriton komente me shume se cdo teme.

Ka kohe qe nuk lexoj neper shtyp shkrime qe te trajtojne thjesht dhe paster, duke u mbeshtetur vetem mbi fakte, problemet e qytetareve.

Po ky shkrim eshte i vyer edhe e mbi te gjitha pasi autore e tij eshte qytetarja, dora vete!

As Mjafti, as Anti-Mjafti, as ZMQ-ja, as KQZ-ja, as Avokati i Popullit, as avokatet e qeverise, po vete QYTETARJA!

Hallall edhe njehere dhe u shtofshin!

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).