Të merremi pak me të djathtën

Inaugurimi i shtatores së mbretit Zog në vendlindjen e tij, në Mat mbart në vetvete shumë mesazhe dhe duhet të hapë shumë pista në debatin publik. Përveçse një nderim i detyruar, i vonuar, për një figurë si ai, themeluesin real të shtetit modern shqiptar, një pistë diskutimi duhet të jetë fati i së djathtës  shqiptare, që zë fill sigurisht nga figura e Zogut. A duhet të jetë e djathta ndaç historike, ndaç e re, në një gjendje të tillë, kur trashëgiminë e saj duhet ta përfaqësojë i vetëm  Sali Berisha, i cili me gjestin e Matit, kërkon ta përvetësojë përfundimisht këtë trashëgimi? Mos vallë njëlloj i drejtë sa diskutimi për fatin e së majtës në vend, është dhe diskutimi për fatin e së djathtës që nuk arriti të afirmojë në parlament asnjë individ apo forcë politike të shpallur si të tillë?
Personalisht jam pro idesë së diskutimit për fatin e së djathtës. Sepse si shumë të tjerë që mendojnë në kohë të lirë, pyes vazhdimisht: pse e djathta, të djathtët vazhdojnë të përfaqësohen nga Sali Berisha, që ka si gjest më të fundit politik, afrimin me LSI-në? LSI, realisht ishte një parti më e majtë se vetë PS-ja, nisur nga elektorati i vet, nga disa qëndrime politike të saj, apo dhe nga backgraundi i disa prej liderëve të saj. Pse ky Berisha, i cili s ‘ka asnjë lidhje gjaku të njohur, apo ideologjike me të djathtën, -as disident në kohën e komunizmit, përkundrazi-, as i lidhur familjarisht me të, ky përzënës i trashëgimtarit të fronit ndërsa vetë ishte president, duhet të akaparojë të gjithë votat e popullit të djathtë? Pse ky njeri që njëherë i shpall hajdutë, kriminelë, armiq të papajtueshëm Nanon dhe Metën e majtë, etj, etj, për pushtet s’ndalet kurrë duke i bërë ata miq dhe aleatë për të mundur rivalin e radhës? Pse ky lider, më jetëgjati i Europës Juglindore nuk e njeh dorëheqjen, garën brenda partisë me konkurrentët duke demonstruar ato që janë vlerat tipike të një figure konservatore: koherenca politike dhe morale, parimësia, fjala e dhënë, respekti për shtetin dhe ligjin, për liritë dhe të drejtat e njeriut etj., etj.? Por, ndonëse analiza nis me Berishën, nuk kemi ndërmend të fajësojmë atë pse ai arrin dhe shndërrohet në flamurmbajtësin e së djathtës. Ne duam të kuptojmë pse e djathta me traditë të gjatë historike që nis me Zogun, nuk arrin të afirmojë figura që ta rivalizojnë Berishën si kudo gjetkë në Perëndim apo në vendet e Lindjes, ku skena politike ndryshon aq shpesh duke sjellë figura dhe forca të reja. Kauzë për të djathtën ka: duhen mbrojtur interesat kombëtarë, ndryshe nga pragmatizmi i dy partive kryesore; i duhet dhënë një zgjidhje e drejtë çështjes së pronave apo të mbrohen vlerat morale dhe tradicionale të kombit shqiptar.

Dobësitë tradicionale dhe të reja të së djathtës
Ish-pronarët, ish të burgosurit e ndërgjegjes, rivalët e Berishës, pinjollët e familjeve të mëdha të djathta, nuk kanë arritur të krijojnë organizime alternative me PD-në, organizime të denja për këtë emër, pas përplasjeve me të dhe daljes nga PD-ja. As ata që kanë mbetur jashtë politikës dhe që në një moment kanë dashur t’i bashkohen asaj nuk kanë arritur të krijojnë organizime të tilla, bashkë me disidentët e Berishës: një pjesë janë asimiluar nga Berisha - shiko PR apo Godon etj; një pjesë janë mënjanuar dhe kanë mbetur në margjina të opinionit publik. As dhe të rinjtë që vijnë nga jashtë, të brumosur me ideologjira të djathta nuk u janë bashkuar atyre. Ky është fakti. Por pse jemi gjendur përballë këtij fakti?

Së pari, faji duhet gjetur tek vetë ata, të djathtët. Ata që për arsye të shëndosha janë identifikuar me të djathtën, (arsye gjenetike, idealesh, bindjesh etj.), nuk kanë ditur të bashkohen, por kanë garuar përgjithësisht në sigla të ndryshme, duke mos përcaktuar kurrfarë strategjie bashkëpunimi. Zgjedhjet e 2009-ë na dhanë një shembull të qartë të kësaj dobësie themelore. Poli i Lirisë nuk arriti të krijonte bashkëpunim me gjithë ndjeshmëritë apo individët e afirmuar të së djathtës. Nuk gjeti një formulë kryesimi që mund ta bënte parti të madhe dhe formula e Ngjelës për ta votuar liderin në bazë sipas parimit “një anëtar, një votë”, ishte me të vërtetë një truk për ta bërë partinë tërheqëse gjerësisht, por për të rinjtë në veçanti. Lideri i emëruar Meksi nuk arriti të bëhej figurë përfaqësuese e së djathtës në përgjithësi. Qoftë për mungesë të plotësisë së vizionit të tij për të ardhmen, qoftë për mungesë të profilit politik të spikatur - pa beteja kundër Berishës me cilësinë e kryeministrit, por qëndrim në hijen e tij etj., qoftë prej mungesës së një elokuence të shënuar etj. Parë kështu, Ngjela mund të ishte figurë më tërheqëse sesa Meksi, pavarësisht ekstravagancës apo nervozitetit që ai paraqet shpeshherë. Ngjela ishte dhe mbetet një figurë tërheqëse dhe tek të rinjtë, dhe tek femrat, për shkak të elokuencës, jetës së veçantë të tij, betejave me Berishën, ideve krijuese, koncepteve ideologjike etj., etj. Dobësia e dytë është kështu mungesa e figurave. Hiq Ngjelën, e djathta nuk ka arritur ose të krijojë nga e para, ose të afrojë rreth vetes personazhe publikë të gatuar që më parë, me karizëm, me ide, me fuqi të gjithanshme, financiare, mediatike etj., etj. Sigurisht e djathta e kompozuar rreth siglës “Poli i Lirisë”, nuk pati shumë kohë në dispozicion, por dhe kjo nuk është rrethanë lehtësuese, por rënduese - bashkimi duhej të kishte ardhur shumë kohë më parë. Duhet të ishin tentuar të afroheshin të rinj që vinin nga jashtë, që kishin përqafuar atje ku jetonin ide të djathta, në modelin e PD-së apo dhe të PS-së. Një afrim i tillë do të jepte idenë e fuqisë së partisë dhe karakterit ndërbrezor të saj.
Problemi i tretë? Vendi apo jeta intelektuale e tij vazhdon të dominohet nga kultura e majtë - kjo dobëson të djathtën e re dhe të vjetër. Ka më shumë libra të shkruar nga të majtët, ka më shumë individë të majtë që kontrollojnë universitetet, pra ato që duhet të ishin qendra mendimi, që kontrollojnë pika kyç në formësimin e kulturës së brezave. Kjo është diçka normale edhe në shumë vende të Europës Perëndimore, por ama në Shqipëri kjo pengon afrimin e të rinjve tek idetë e djathta. Mediat vazhdojnë të shesin dokrra të majta.

Dikush mund të thotë me shumë të drejtë, se dhe nëse e djathta do kishte figura të tjera, apo s’do kishte bërë gabime, një forcë e djathtë nuk do të kishte mundësi të afirmohej në rrugët standarde të komunikimit - në media. Pra dhe nëse ajo do të tërhiqte individë të vlefshëm, ata nuk do të shndërroheshin në figura publike. Po kjo është e vërtetë-problemi i katërt - sepse mediat e zotëruara nga pronarë unikë, ndërtues përgjithësisht janë rreshtuar me subjektet e mëdha dhe nën presionin e këtyre partive të mëdha nuk ofronin hapësirë për idetë apo figurat e djathta. Po, kjo është e vërtetë, megjithatë nuk është gjithçka. G99 pati hapësirë në media, pati një kauzë në dispozicion, por lideri i saj nuk arriti të frymëzonte besueshmëri, nuk arriti të afirmonte ndonjë identitet të veçantë të partisë së vet etj., etj.

Po pse mediat, më saktë një pjesë e tyre nuk rreshtohen djathtas? Sepse djathtas, problemi i pestë - nuk rreshtohen as dhe biznesmenët që qëndrojnë pas tyre dhe në përgjithësi grupet e biznesit. Ende biznesi i sotëm nuk është biznes solid, solidar, i organizuar mirë, por përkundrazi. Ky është një biznes që nuk arrin të krijojë qendër alternative pushteti, që të përcaktojë kush do të komandojë fatet e vendit në planin politik. Ai ka natyrë klientelare; përçahet shpejt edhe pse pjesa më e madhe ka kompleksin e kriminalizimit në origjinën e vet. Ai nuk ka mbrojtje ligjore edhe kur punon sipas ligjit, pasi mungojnë mekanizmat mbrojtës: ka 20 vjet që flitet për Gjykatë administrative në këtë vend dhe asnjëra palë nuk do dhe nuk arrin ta imponojë. Biznesi i sotëm është me natyrë tregtare, pra më i ekspozueshëm ndaj presioneve dhe koniunkturës politike, që të guxojë e të imponojë politika tek forcat e vjetra politike, apo të krijojë forca politike të reja. Me gjithë mburrjet nëpër tavolina të biznesmenëve të caktuar shqiptarë se i ngjajnë Berluskonit, as mund të mendohet edhe për pak kohë shfaqja e ndonjë Berluskoni të ri, i cili të hyjë në politikë drejtpërdrejt në lozhë. Biznesmenët e sotëm e pëlqejnë imunitetin që të ofron politika, por duke ndenjur mbrapa, jo në vijën e parë. As dhe vetë ish-pronarët, apo ish të përndjekurit nuk përfaqësojnë grupime homogjene interesi që të kenë aftësira reaguese ndaj qeverisjes së Partisë Demokratike që mbetet ende populiste, pro legalizimeve, pro zaptuesve të tokës që shkelin ligjin etj., etj. Individë të veçantë të këtyre shtresave janë përfshirë brenda PD-së, dhe të tjerët e kanë të vështirë të shpresojnë për një forcë alternative të së djathtës që të mund t’i bëjë fjalët realitet. Idetë e Dashamir Shehit janë jashtëzakonisht tërheqëse, por tek të interesuarit direkt, mungon besimi se ai mund të realizojë ato në forma politike.

Në afirmimin e së djathtës si alternativë politike e PD-së apo alternativë në përgjithësi, si forcë që arrin 10-20 për qind, duke tripolarizuar panoramën politike ndikojnë dhe faktorë të tjerë, që prekin njëlloj çdo lloj force të re që do të tentonte të afirmohej në skenë. Megjithëse ka hapësirë qoftë majtas, qoftë djathtas për subjekte të reja si kudo në perëndim, asnjëra prej tyre nuk arrin të afirmohet, hiq LSI-në, që ka disa rrethana specifike. Sot pragu që duhet kapërcyer për t’u afirmuar është i lartë: duhen shumë para për të organizuar partinë, duhen shumë para për të blerë hapësira në media etj., dhe lufta që duhet të bësh ndaj të mëdhenjve është më e madhe sesa në rrethana të tjera. Kjo ishte një analizë e parë për të nisur njëlloj debati për fatin e së djathtës në Shqipëri, por që afron disa pista diskutimi për të tjerë. Nuk pretendon të jetë shteruese, por ama orienton diskutimin në një krah tjetër, të ndryshëm nga e majta ku jemi gozhduar sot.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).