Tadiq lobon në Afrikë, Prishtina pasive

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e ka shfrytëzuar Samitin e Shteteve të Painkuadruara, që u mbajt në Sharm El Sheikh të Egjiptit, më 15 dhe 16 korrik, për të bindur, së paku një shtet afrikan, që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë parti kosovare thanë të dielën se pasiviteti i vazhdueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme me rastin e tubimeve të ngjashme është i papranueshëm.

Nigeria nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu e ka garantuar presidenti nigerian Umaru Yar’Adua, presidentin serb, Boris Tadiq, shkruan agjencia nigeriane e lajmeve, This Day Online.

Yar’Adua thuhet se e ka bërë të qartë qëndrimin gjatë takimit që ka pasur me homologun e tij serb, në margjina të Samitit. Ai ka thënë se vendimi për mos ta njohur pavarësinë e Kosovës vjen si rezultat i përvojës historike të Nigerisë me luftën civile nga viti 1967 deri më 1970, kur ky vend luftoi për ta ruajtur integritetin territorial.

“Që nga përfundimi i luftës civile, Nigeria ndjek politikat e komb-ndërtimit dhe strategjitë për forcimin e shteteve heterogjene dhe gjithëpërfshirëse”, citohet të ketë thënë Yar’Adua.

Më herët, presidenti serb i kishte bërë thirrje presidentit Yar'Adua të rihapë ambasadën e Nigerisë në Beograd, duke theksuar se kjo do të ndihmojë thellimin dhe konsolidimi i lidhjeve midis dy vendeve.

Më tutje Tadiq, njoftohet se e ka njoftuar homologun nga Afrika se ligjshmëria e vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është duke u shqyrtuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai u ka kërkuar Nigerisë dhe vendeve të tjera afrikane që në lidhje me Kosovën të presin vendimin e gjykatës, i cili pritet të merret gjatë vitit 2010.

Tadiç ka shprehur me këtë rast dëshirën e vendit të tij për të organizuar 50-vjetorin e Samitit të Shteteve të Painkuadruara, më 2011, në Beograd, transmeton This Day Online.

Partia kosovare e Drejtësisë (PD), sot në një konferencë me gazetarë, ia tërhoqi vërejtjen Qeverisë së Kosovës se është lëshuar edhe një rast tejet i mirë për lobim për njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës në samitin e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara.

“Samiti i 15-të me radhë i kësaj organizate, anëtarë të së cilës janë 118 shtete, ishte rast shumë i volitshëm që të promovohet e vërteta për shtetësinë e Kosovës dhe për të penguar drejtpërdrejt aktivitetin kundër njohjes së pavarësisë që në mënyrë intensive e bëri delegacioni serb i udhëhequr nga kryetari i tyre Tadiq”, tha kryetari i PD-së, Ferid Agani.

Partia e Drejtësisë konsideron se ka pasur mundësi që me angazhim të organizuar diplomatik, nëpërmjet SHBA, miqve të tjerë ndërkombëtarë, si dhe 20 shteteve të kësaj organizate që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës të sigurohet prezenca e Kosovës në këtë samit me rëndësi. “Pasiviteti i vazhdueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme me rastin e tubimeve të ngjashme është i papranueshëm”, u shpreh Agani.

1 Komente

Serbet shfrytezojne ate qe krijoi Tito, "lidhjen e vendeve te paangazhuara".

Kosovaret ç'fare duhet te zhfrytezojne?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).