“Standardet” që shpëtojnë Berishën dhe Ramën

Në kushtet kur opozita po paralajmëron mundësinë e mosnjohjes së zgjedhjeve, për shkak të shkeljes me dy këmbët të standardeve të numërimit të votave dhe një KQZ-je partizane, qeveria po përpiqet të stimulojë debatin rreth standardeve demokratike në Partinë Socialiste dhe dorëheqjen e mundshme të Edi Ramës. Në mënyrë të paprecedent, media e përjetshme antiopozitare në vend, që ka si simbol të saj TV Klan, ka shpallur si prioritet të së ardhmes së Shqipërisë fatin e standardeve demokratike në Partinë Socialiste.

Në të vërtetë, jemi para dy standardeve të rrezikuara, standardin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike në partitë tona parlamentare, ku përfshihen PS, PD dhe LSI.

Natyrisht debati për standardin e zgjedhjeve është prioritet i çdo shoqërie perëndimore, dhe çdo zhurmë për ta mbuluar atë me debatin për standardet demokratike brenda partive, është vazhdim i manipulimit të zgjedhjeve.

Debati për standardet demokratike të këtyre partive ka pasur vlerë përpara zgjedhjeve, atëherë kur kryetarët e këtyre partive deri në sekondat e fundit, madje dhe pas sekondave të fundit fshehën listat e deputetëve dhe nuk respektuan asnjë normë elementare brenda partisë. Në kushtet e një Kodi Elektoral që fuqizon lidershipin e tyre, normat demokratike në partitë respektive janë jetike dhe mund të kthehen në instrumentin e vetëm për garë dhe konkurrencë në jetën politike të Shqipërisë. Por këto kritere, jo vetëm që nuk i respektuan kryetarët e partive, por as media tashmë e zellshme për normat e demokracisë në PS nuk ua përmendi kurrë. Përkundrazi, në disa raste i vlerësoi ato si forcë të kryetarëve. Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit, edhe pse po nxjerr një shumicë koalicionesh fituese, nuk i dha askujt mandat fituesi, dhe nëse nisemi nga normat e brendshme në parti të tre kryetarët, Berisha, Rama dhe Meta, duhet të japin dorëheqjen, se nuk kanë realizuar objektivat e tyre. Pazari i koalicioneve nuk mund të jetë varkë shpëtimi për objektivat e shpallura elektorale. Ashtu sikundër e ka thënë dhe Ilir Meta, nëse nuk do kishte bërë ai koalicion me Berishën, mund të kishte bërë Rama dhe atëherë nuk do thërrisnim për dorëheqje të tij, por për dorëheqje të Ilir Metës!!!!

Por unë nuk mendoj se mungesa e demokracive të brendshme ishte përcaktuese për fitoren apo humbjen në këto zgjedhje të secilës parti. Gjëmat më të mëdha të autoritarizmit i bëri Sali Berisha, i cili zboi me një të rënë të lapsit 30 për qind të ish-deputetëve që nuk i konsideronte njerëz të sigurt të tij, përfshi dhe figura të spikatura si Mustafaj, Ngjela, Zogaj, dhe prapë po quhet fitues. E rëndësishme në këto zgjedhje ishte strategjia elektorale e koalicioneve të mëdha, të cilën PS nuk e aplikoi dhe mbeti koalicioni i dytë, edhe pse në rang vendi është parti e parë, më e votuar nga shqiptarët.

Pra, në këto kushte, nëse flasim për përgjegjësi të lidershipit të PS dhe kryetarit Rama, jemi të detyruar të përqendrohemi vetëm tek ata elementë politikë që nxitën idenë e tij të fitores pa koalicion të madh. Nëse i hedh një sy faqeve të gazetave të asaj kohe, kur bëhej kjo betejë publike, e shikon se ata që i kërkojnë sot karrigen Edi Ramës, ishin dhe partizanët më të mëdhenj të luftës ndaj LSI, dhe aleatëve të tjerë. Nëse atëherë kanë qenë të sinqertë, sot janë po aq përgjegjës sa Rama, nëse e kanë bërë me vetëdije për të dëmtuar Ramën, në të vërtetë kanë prerë degën ku kanë hipur të gjithë.

Për këtë arsye, së paku deri në certifikimin e këtyre zgjedhjeve, shoqëria duhet të përqendrohet në debatin mbi standardin e prishur të këtyre zgjedhjeve. Ky standard është virusi që shkatërron çdo normë demokracie në vend dhe bllokon demokracitë e brendshme në parti dhe që ka shpëtuar dikur Sali Berishën dhe natyrisht do të shpëtojë tani dhe Edi Ramën. Ishte ky standard i shkatërrimit të zgjedhjeve që la me të drejtë Sali Berishën kryetar të Partisë Demokratike pas gjithë humbjeve të njëpasnjëshme nga 29 qershori i vitit 1997 deri në dhjetor të vitit 2003. Të njëjtët gazetarë, me të njëjtin patetizëm, me Aleksandër Frangajn dhe Fevziun në krye, bërtisnin “të ikë Sali Berisha” se ka humbur, edhe pse atë nuk e lejuan në vitin 1997 të votohej në gjysmën e Shqipërisë, edhe pse në zgjedhjet e tetorit të vitit 2000 ia bënë KQZ-në 6 me 1 dhe e arrestuan vetëm pse donte të protestonte, edhe pse në zgjedhjet e 2001 Ilir Meta i grabiti me dhunë, me policë dhe Gjykatë Kushtetuese 40 mandate, edhe pse në vitin 2003, kartonët ogurzi të Ilirian Celibashit, që ngriheshin lart jashtë çdo logjike kundër opozitës, bënë kërdi elektorale. Pas secilës prej këtyre masakrave elektorale mbaj mend të njëjtat fytyra që bërtisnin “Poshtë Sali Berisha!” siç thërrasin tani të “Të ikë Edi Rama!” Asnjëherë këto qenie që rriten si parazitë në dhjamin e një regjimi autokrat që vjedh votat, nuk kanë folur në jetën e tyre për standardet e zgjedhjeve dhe nuk kanë atakuar kurrë regjimin.

I vetmi politikan që bën përjashtim nga ky sua është ish-kryeministri Fatos Nano. Deri më sot ai është politikani i vetëm i këtij vendi, që ka bërë një proces zgjedhjesh të lira dhe të drejta dhe ka dorëzuar pushtetin me zgjedhje. Ai nuk ka asgjë të përbashkët në këtë histori, as me Sali Berishën dhe as me Ilir Metën. Keqpërdorimi i tij në këtë situatë paszgjedhore për shkak të emocioneve të tij të arsyeshme kundër Edi Ramës mbetet thjesht keqpërdorim. Ai iku, se pranoi një humbje duke qenë në pushtet, dhe kjo është e vetmja vlerë që ka prodhuar tranzicioni ynë politik. Kurse sulmet e djeshme ndaj Berishës dhe të sotmet ndaj Ramës bazohen në humbje që i dikton regjimi dhe në debate që i nxit fryma antiopozitare në vend. Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kanë asgjë të përbashkët në sjelljen e tyre politike dhe elektorale me Fatos Nanon.

Ilir Meta grabiti 40 mandatet e opozitës dhe stimuloi një parti antiopozitare si parti e Genc Pollos, së cilës i dha me gjykatë dhe siglën PD vetëm që të nxirrte nga skena politike Sali Berishën, dhe Sali Berisha po përdor gjithë arsenalin e mbetur të së majtës dhe manipulimin e procesit për të nxjerrë nga skena kundërshtarin e tij politik. Kjo hipokrizi duhet të ndalet. Sali Berisha, Ilir Meta, madje dhe ndërmarrjet e tyre të përbashkëta financiaro-mediatike, nëse nuk duan të merren me standardet e zgjedhjeve, le të merren me fitoren e tyre të përbashkët. Ata nuk paguhen nga shqiptarët për të reformuar Partinë Socialiste, por për të qeverisur dhe për të reformuar PD dhe LSI, nëse duan të bëjnë gjimnastikë demokratike. Fronti i përbashkët antiopozitar që ata po ngrenë është më i rrezikshëm sesa vetë manipulimi i procesit zgjedhor, pasi, përveçse duan të na heqin të drejtën të kemi zgjedhje me standarde, duan që në emër të këtyre standardeve të shkelura të na bëjnë dhe një opozitë qesharake.

Pas kësaj shumice të deklaruar numerike vendi ka nevojë për opozitë politike të fortë, qoftë dhe për shkakun se kjo shumicë është peng i nevojës për të plaçkitur. Perceptimi popullor për këtë shumicë është nevoja që ka për kompensim Ilir Meta nga agjërimi i gjatë në opozitë dhe ky perceptim ka nevojë të kompensohet me një institucion moral opozitar që duhet t’i bëjë opozitë kësaj shumice numerike. Unë nuk besoj te modeli i derisotëm opozitar i Edi Ramës, i cili ka qenë taktizues dhe joparimor, por besoj te nervi politik i një opozite të bashkuar rreth tezave dhe aksionit politik, rreth këtij realiteti, që të përballojë këtë shumicë numerike. Dhe kjo opozitë e fortë duhet të bëhet tani, pa marrë ende frymë, pa i lënë kohë këtij regjimi shifror të konsolidohet. Unë besoj se dështoi modeli opozitar i Edi Ramës dhe u ndëshkua taktika e tij politike, por po ashtu dështoi dhe akuza e madhe ndaj tij që “kishte një marrëveshje të heshtur me Berishën për t’i dorëzuar pushtetin”. Tashmë në pushtet është dyshja Meta-Berisha dhe nëse ka vend për paranoja, mund të flitet për ndonjë tjetër pakt të fshehtë parazgjedhor. Kjo opozitë ka tanimë një objektiv afatshkurtër dhe radikal, të mundësojë një opozitë të fortë dhe një qeveri jetëshkurtër deri në zgjedhje të reja. Pas kësaj ajo duhet t’i rikthehet vetvetes dhe të rindërtojë besimin e humbur brenda saj edhe duke riparë pozicionin dhe rolin e Edi Ramës.

Tanimë askush nuk është i shqetësuar për fatin personal të Edi Ramës, madje as vetë Sali Berisha që po udhëheq kryqëzatën mbi të. Megjithëse duket sikur shigjetat janë drejtuar tek Edi Rama, në të vërtetë në shënjestër është grupi parlamentar i tij, një grumbull jo shumë politik, që janë në parlament për shkak të përzgjedhjes prej Edi Ramës. Goditja ndaj Edi Ramës e lë këtë grup pa identitet politik dhe e bën mish për top për shumicën, e cila shpreson të shtojë numrat dhe të jetë më e qetë në mandatin e saj. Dhe nëse ia arrijnë kësaj, jo vetëm që do shijojmë katër vitet e çiftit Berisha-Meta, por kam frikë se do vijë dita të kemi në parlament dhe Sarën me Borën, përkatësisht vajzën e Argitës dhe Monikës, dhe prapë të diskutojmë për standardet e shkelura të demokracisë në PS dhe “standardet e respektuara” në familjet politike Berisha e Meta.

 

3 Komente

Per Edi Ramen, fatet e PS, demokracine e brendshme nuk i plas kujt, jo. Per sa kohe keto probleme te mbeten te brendshme.

Problemi shnderrohet ne rrezik kombetar kur kercenon me mosnjohje zgjedhjesh, angazhon kriminel te vitit 1997, mban peng vendin per mospranimin e humbjes.

Hallet e PS jane te PS. Biles personalisht beje tifo qe Edi Rama te vazhdoje te jete kryetar i PS

Dhe "Opinionet" e Priftit ndaj Ramës çojnë në krijimin e një klime të qetë politike në vënd?

Mirë që bënë aleancën... Pse nuk shikojnë që të punojnë dhe të shikojnë përpara por merren me "historirat" që kanë lënë nga pas?

Opinionet e Priftit jane opinione personale kurse kercenimet per mbrojtje te votes me dhune jane institucionale. Persa i perket aleances ato do fillojne te punojne kur te formohet parlamenti nderkohe po tallin pak leshte me Ramen smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).