Standardet e zgjedhjeve dhe zgjedhja e standardeve

Asgjë e re nga perëndimi. Kështu mund të përmblidhej vlerësimi paraprak i komunitetit ndërkombëtar për procesin zgjedhor. Si gjithmonë ndërkombëtarët thanë se Shqipëria ka bërë progres të prekshëm, por ka ende shumë për të bërë që të arrijë standardet. Ky ishte pak a shumë edhe thelbi i raportit paraprak të ODIHR–it. Natyrisht ky raport si edhe vetë vlerësimet e ndërkombëtarëve do debatohen shumë mes nesh. Një palë, me të drejtë, do thonë se ndërkombëtarët kanë qenë tejet negativë përballë një procesi zgjedhor, që të paktën në pjesën e tij të parë ka qenë më i miri në këto 20 vite tranzicion. Pala tjetër, po me të drejtë do të thotë se tashmë që Shqipëria është anëtare e NATO-s, edhe standardet në raport me të cilat ajo vlerësohet janë më të larta. Në një vend anëtar të NATO-s presioni i ekzekutivit ndaj administratës shtetërore, përdorimi i nxënësve apo punonjësve të administratës në mitingje elektorale apo përdorimi i fondeve të qeverisë për fushatë elektorale janë fenomene të papranueshme. Ekzistencën e fenomeneve të tilla e ka të vështirë ta mohojë edhe vetë qeveria aktuale, që përndryshe ka të drejtë të mburret me organizimin e një procesi mjaft të mirë zgjedhor. Ama është e vështirë të besosh se fenomene të tilla tejet të shëmtuara në formë kanë ndryshuar përmbajtjen e vullnetit të elektoratit në favor të qeverisë, përkundrazi. 
    Pikërisht këtu duket se qëndron edhe problemi themelor me standardet që përdorin ndërkombëtarët për vlerësimin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Ata vazhdojnë të kritikojnë formën, ndërkohë që problemi themelor i zgjedhjeve në Shqipëri tashmë ka të bëjë me përmbajtjen. Kritika themelore është tek zbatimi i ligjit, ndërkohë që problemi themelor i sistemit tonë zgjedhor është vetë ligji, zbatimi i të cilit është burimi dhe jo zgjidhja e problemit. Shumë më tepër problematik sesa emërimi në kohë i komisionerëve është vetë sistemi dhe Kodi Elektoral që nuk po prodhon as përfaqësim dhe as qeverisje, por që u ndërtua vetëm për të konsoliduar bipartizanizmin PD-PS, duke eliminuar çdo forcë tjetër që në potencial. Shumë më shqetësuese sesa mungesa e bojës apo mungesa e trajnimit të komisionerëve ishin ndryshimet kushtetuese që u bënë në mënyrën më jo-demokratike dhe jo-transparente të mundshme në funksion të interesave të dy liderëve kryesorë politikë, Rama dhe Berisha. Çuditërisht ky kuadër ligjor thellësisht anti-demokratik që sot po prodhon një skenë të deformuar politike shikohet si arritje pozitive nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Vetëm e vetëm sepse ai u arrit me konsensus dhe pa zhurmë nga të dy palët, që formalisht e miratuan atë me një shumicë të frikshme votash.   
    Po kështu të habit lehtësia me të cilën ndërkombëtarët e njehsojnë numrin e madh të partive që morën pjesë në zgjedhje me mundësinë reale për të zgjedhur. Sipas tyre, “zgjedhësve iu ofrua një gamë e gjerë këndvështrimesh në sajë të numrit të madh të transmetuesve dhe medias së shkruar, të cilat u dhanë partive politike hapësirë për të përcjellë mesazhin e tyre”.   Nëse ka diçka për të cilën do mbahen mend këto zgjedhje, është gama e ngushtë e këndvështrimeve, të cilat u reduktuan në dy këndvështrime të kundërta, por simetrike, të PD dhe PS.  Vështirë të gjesh këto 20 vitet e fundit një fushatë elektorale ku zgjedhësit kanë pasur më pak mundësi zgjedhjeje, jo vetëm sepse PD dhe PS ofruan dy modele identike qeverisëse, por edhe sepse ndryshimet kushtetuese dhe elektorale mbytën që në lindje alternativat politike. Prandaj nuk është aspak çudi që këto zgjedhje nuk kanë asnjë fitues të qartë. Ato e ndanë elektoratin në mënyrë simetrike si edhe vetë oferta politike që prodhuan. 
    Përballë këtyre problemeve përmbajtësore shqetësimet formale të ndërkombëtarëve duken sa periferike aq edhe surreale në kushtet shqiptare. Shqetësimi për politizimin e çështjes së kartave të identiteti është absurd kur po vetë ndërkombëtarët thonë se çështja e kartave kërkonte vullnet politik për t’u zgjidhur, pra kishim të bënim me një çështje politike. Polarizimi mes PD dhe PS mund të ketë prodhuar tension, por si mund të ketë një fushatë elektorale pa polarizim dhe tension politik? Gjuha agresive në fushatë mund t’i ketë vrarë veshin ndonjë ndërkombëtari, por kjo ka qenë fushata më pozitive e bërë në këto 20 vjet. Po kështu vërtet komisionet partiake bipartizane shpesh bllokojnë procesin apo vjedhin votat e partive të vogla, ama në raport me “komisionet e pavaruara” që numëronin për hesap të pushtetit ato janë më shumë një zgjidhje sesa një problem. Dhe do të jenë të tilla për sa kohë partitë politike funksionojnë si grupe të ngushta klienteliste në një sistem ekonomiko–politik ku byreku gjithnjë e më tepër ndahet dhe gjithnjë e më pak prodhohet.
    Prandaj në kushtet aktuale problemi themelor me procesin zgjedhor shqiptar nuk është përmbushja e kritereve formale për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve, zgjedhjet aktuale në tërësinë e tyre ishin formalisht më të lirat dhe të ndershmet që kemi pasur, të paktën deri tani. Problemi është se në një proces zgjedhor ku si pozita dhe opozita kishin të gjithë hapësirën mediatike dhe fizike për të komunikuar me elektoratin, ato realisht nuk kishin se çfarë t’i thoshin atij dhe prandaj përsërisnin vetveten deri në bezdi. Problemi është se sa më shumë proceset tona zgjedhore arrijnë standardet formale, aq më pak zgjedhje na ofrojnë. Por ky nuk është një problem që mund të kuptohet apo trajtohet me standardet e ndërkombëtarëve që shikojnë thjesht anën formale të procesit. Të tjera standarde na duhen.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).