Standarde me kuti të mbyllura?!

Debati për zgjedhjet e 2009-ës mund të vazhdojë gjatë dhe me tensione politike në rritje. Këto zgjedhje nuk ishin thjesht test për fituesin e radhës, por për të gjithë politikën shqiptare, për të provuar se sa kultura politike shqiptare kishte ndryshuar pozitivisht.

Të gjithë partnerët e vendit tonë ritheksuan gati me lutje kërkesën për standardet e këtyre zgjedhjeve. U qartësua në mënyrë të përsëritur që, në varësi nga standardet e zgjedhjeve do të përcaktoheshin hapat integrues të vendit, duke filluar me nisjen e shqyrtimit të kërkesës sonë për anëtarësim në BE, të dorëzuar vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve. Mazhoranca "garantoi" se do të sakrifikonte çdo ambicie personale dhe partiake në emër të së ardhmes europiane.

Zgjedhjet treguan se kultura politike shqiptare nuk ka ndryshuar as aq sa pritej, as aq sa është e domosdoshme, dhe pse jo e detyrueshme. Fakti që shumë personalitete europiane, në turet e tyre ballkanike këto ditë, po e anashkalojnë Tiranën e paszgjedhjeve, përbën një mesazh jo të palexueshëm.

Raportet e ndërmjetme të zgjedhjeve duket se akoma nuk e kanë dhënë notën kaluese. Ndoshta pas problematikës në procesin e numërimit dhe të apelimit të ankesave të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Kolegjin Zgjedhor, rrezikohemi të mos e kemi kaluar testin e standardeve. Një vlerësim midis 4+ dhe 5- mund t‘i shërbejë vetëm Berishës dhe vetëm për mbijetesë politike, por jo shqiptarëve që do të presin më gjatë për përfitimet nga integrimi i vendit.

Nëse raporti OSBE-ODIHR do të konkludojë se zgjedhjet e vitit 2009 nuk i arritën standardet europiane, mazhoranca më parë se të vrapojë për të bërë qeverinë e mbijetesës, duhet të ofrojë kompromisin e zgjedhjeve të reja parlamentare, në një kohë sa më oportune e plotësisht të mundshme për ribërjen e tyre me standarde europiane.

Kutitë që nuk u hapën për disa zona të vendit, më shumë se luftë politike për një mandat, ngjajnë si kutia e Pandorës. Frika për problematikën që do të rezultonte nga hapja e tyre është një argument shtesë për cenimin rëndë të zgjedhjeve nga kjo mazhorancë. Hapja e kutive mund të mos rishpërndante ndonjë mandat deputeti në favor të opozitës, ndërsa moshapja e tyre cenon rëndë kredibilitetin e gjithë mazhorancës.

Hapja e kutive të Beratit, Shkodrës dhe Tiranës, nëse i shtonte koalicionit të majtë edhe një deputet, i hiqte Lëvizjes Socialiste për Integrim çdo alibi për pamundësinë që, së bashku me Partinë Socialiste dhe aleatët e saj, të arrinte një mazhorancë qeverisëse.

Në këtë rast, numri 67 i koalicionit të majtë dhe 4 deputetët e LSI-së arrinin 71, që përfaqëson jo thjesht një mazhorancë numerike elektorale. Kjo mazhorancë do të krijonte një mundësi reale, plotësisht të argumentuar të aleancës post-zgjedhore, midis dy partive të të njëjtit spektër dhe me të njëjtin objektiv strategjik elektoral: largimin e qeverisë "Berisha".

Kutitë e pahapura, sidomos pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, mbajnë mbi vete pesha të rënda, që e bënë hapjen e tyre shumë të vështirë, deri në pamundësi. Fuqia politike për t‘i hapur kutitë e mbyllura, qoftë edhe nëpërmjet hetimit parlamentar, duhet të jetë më e madhe se çdo forcë regresive që i mbylli ato.

Transparenca mbetet aleati më i mirë i demokracisë. Hapja e kutive të mbyllura duhet të jetë mbyllja e rasteve të abuzimit me zgjedhjet, duke qenë njëkohësisht rihapja e plotë e perspektivës tonë europiane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).