Skenaret para LSI-së

LSI rezulton të jetë partia më e rëndësishme shqiptare sot. Me shumë gjasa, ajo ka në dorë të hapë dy skenare të rëndësishëm para vetes dhe vendit: ose të përfshihet në një skenar bashkëpunimi me PD-në, e kryesuar nga zoti Berisha, ose të mbesë brenda familjes së saj politike të majtë. Në të dy rastet, LSI mund të imponojë kushtet e veta. Por avantazhet dhe dizavantazhet për LSI dhe vendin nuk janë të njëjta në të dy rastet Le t’i marrim me radhë, por më parë të shpjegojmë se pse LSI është partia më e rëndësishme shqiptare sot.
LSI rezultoi të ishte një parti e përgatitur seriozisht në këto zgjedhje. Ajo paraqiti një program të respektueshëm, të detajuar, sa realist aq dhe ambicioz. Ajo arriti megjithë censurën, të afirmonte një grup figurash rreth kreut të saj Meta dhe të krijonte një frymë interesante mobilizuese për një numër të madh të rinjsh, siç u duk shpesh, jo thjesht në mbushjen e mitingjeve, por dhe në organizimin e tyre. Përgjithësisht qasja e saj gjatë gjithë fushatës ishte tipike e një partie kryesore të vendit dhe brenda familjes së partive të majta, megjithë luhatjet në pozicione në raste të caktuara. Ajo arriti nën drejtimin e Metës të forcohet në shumë drejtime, duke ruajtur dukshmërinë dhe forcën tërheqëse në elektorat, megjithë sabotimet dhe luftën e fortë veçanërisht nga Partia Socialiste. Meta nuk arriti të merrte më shumë deputetë, për shkak të këtij sistemi elektoral të dominuar nga dy partitë e mëdha, jo thjesht në administrimin e votimit, por dhe në numërimin e votave. Janë deri diku të besueshëm skenaret e vjedhjes së votave të LSI-së në zona të ndryshme nga Partia Socialiste, por ama me lejen e komisionerëve të Partisë Demokratike, që nga ana e vet duhet të kenë përvetësuar votat e partive të djathta. Në rastin më të mirë, dy partitë e mëdha, në zona të caktuara duhet të kenë ndarë, pjesërisht votat e emigrantëve në mënyrë proporcionale, dukuri që konfirmohet nga mbushja e procesverbaleve me të dhëna identiteti falso, apo të mbetura bosh në to. Një ndarje e tillë proporcionale e një pjese të emigrantëve (rritja artificiale e pjesëmarrjes në votime) ka vështirësuar në shumë raste arritjen e pragut prej LSI-së, duke i bllokuar asaj mandate të sigurt. Në zvogëlimin e rezultatit elektoral të LSI-së mund të kenë ndikuar dhe luhatjet e saj në qëndrime: në fillim radikal ndaj PD dhe PS-së;, afrim me PS-në, më vonë, radikal ndaj PS dhe PD-së, armëpushim me PS-në, por afrim me Nanon (në fund të fushatës), etj.
Por kjo është histori e kaluar tashmë dhe LSI ka në dorë sot të hapë një skenar të lavdishëm për të ardhmen e saj. Ndërsa rezultati në mandate mbetet 70 për koalicionin e djathtë, 66 për të majtin dhe 4 për LSI-në, 4 votat e saj duke ju bashkuar PD-së e ndihmojnë të krijojë qeverinë dhe të shmangë impasin. Të bashkuara me PS-në mënyrë monolite, bllokojnë krijimin e një qeverie. Por dilemat nuk janë kaq të thjeshta.
Skenari i afrimit me PD
LSI bashkohet me PD-në dhe e ndihmon atë të krijojë qeverinë. Një veprim i tillë do të stimulonte dhe lehtësonte skrupujt e individëve të tjerë të familjes së majtë që t’i afroheshin kësaj qeverie, me apo pa mandate. Berisha mund t’i jepte me shumë qejf Ilir Metës vendin e kryetarit të Parlamentit, disa poste ministrash për krerët e saj që kanë humbur vendin apo dhe për të tjerë, dhe pse jo dhe të plotësonte disa kushte të saj siç janë referendumi për kushtetutën, etj, etj. Në shumë kuptime, LSI është plotësisht e justifikuar ta bëjë këtë aleancë. Por a do t’i shërbente asaj më shumë apo Berishës?
Ky skenar do t’i jepte Lëvizjes Socialiste për Integrim një hapësirë komode 4-vjeçare për frymëmarrje, për t’u organizuar, pas 6 vjetësh opozitë. Por LSI vështirë se do të bëhej realisht ndonjë parti e madhe. Humbja e identitetit ideologjik, humbja e kartës morale do të shërbenin si pragje të pakapërcyeshëm për rritjen e saj elektorale, e cila nuk mund të vijë kurrë prej votave shtesë nga populli i majtë. PSD ka pasur postin e kreut të Parlamentit, por kurrë nuk u bë parti e madhe. Dobësimi i pozitës morale të LSI-së, do ta bënte jo tërheqëse dhe për elektoratin e pavendosur, atë gri, që arsyeton më shumë se të tjerët dhe ku karta morale është element i fortë për ta joshur atë. LSI nuk do bashkohej me një PD çfarëdo, pra një parti të qendrës së djathtë, por me një parti të drejtuar nga Berisha. S’do të kishte shumë hapësirë për protagonizmin e Metës, megjithëse ai është një takticien i shkëlqyer; të gjithë hapësirën do ta mbushë Berisha, i cili do t’i fitojë vazhdimisht terren atij. Berisha do të mbretëronte në pushtet dhe për 4 vjet të tjera, duke thyer shumë rekorde jetëgjatësie politike, etj, etj. Meta nga ana e vet nuk do të arrinte kurrë të realizonte ambicien normale të dikujt që ka qenë Kryeministër: të bëhet dhe njëherë tjetër Kryeministër, për të “nusëruar prapë”, më mirë se më parë.
Një LSI që hyn në koalicion me PD-në do të ishte një hipotezë plotësisht normale, nëse ajo do të arrinte të impononte largimin e Berishës nga posti i Kryeministrit: një arritje e tillë do ta lartësonte atë dhe para popullit të majtë, por dhe para elektoratit gri, apo të abstenuesve. Por kjo hipotezë duket shumë e vështirë për t’u realizuar.
Skenari i dytë. Bashkimi me PS
Dhe ky duket një skenar i vështirë, por LSI do të mbetej brenda familjes. Ajo do të rikthehej brenda saj jo si një bijë plangprishëse, por si viktima që koha i dha të drejtë dhe që do të impononte kushtet që donte. Meta mund të vendoste kushte për një bashkim të ri të së majtës, që do t’i impononte nga ana e vet Kod Zgjedhor të ri dhe zgjedhje të reja Berishës, në të cilat me shumë siguri PD dhe Berisha do të humbnin. Pra Meta dhe vetëm Meta do të dilte para syve të popullit të majtë si njeriu që largoi Berishën me metoda demokratike. Ai do të kishte të drejtë të kërkonte çfarë të donte, qoftë dhe një bashkim me PS-në dhe rihapjen e konkurrimit brenda PS për kreun e saj, apo kreun e një federate të majtë me rotacion. Duke vepruar kështu, ai do të ishte padroni real i së majtës, duke bllokuar edhe rikthimin e Nanos, pra do të merrte në supe dhe një meritë tjetër historike. Meta do të ishte kështu koherent me shumë zgjidhje që ka bërë në jetën e vet politike dhe me mbështetësit e tij të shumtë.
Se çfarë kushtesh do të vendoste Meta në krahun e majtë, duket e tepërt t’ia sugjerosh një lojtari politik si ai, që ka mësuar të luajë në nivele të larta që në moshën 23-vjeçare. Por të orientohet midis PD-së dhe PS-së, sot janë vendimtare për vendin dhe i ngjajnë lëvizjes midis Shilës dhe Karibdës.

4 Komente

- Ku e ke shpin n'tiron ti?

- Te Ali Demi.

- E ku ven'''' alidemi?

(Dialog i vertete me nje refugjat ne gjermani, qe s'di pse m'u kujtu.)

Skenari eshte i qarte

VIDH SA TE MUNDIM SE NA ERDHI DITA .

SALA NUK KA C'NA BEN.  PO TENTOI TE NA HEQE BIE QEVERIU...

Cja fut kot ky menti

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).