Shqiptar në Gjermani

Ndërsa regjisori gjerman Jonnaes Naber ndodhet në Tropojë, në vendet e xhirimit, Ani Spahivogli tregon për filmin e ardhshëm, "Shqiptari". Një i ri në Gjermani: është askush, është një njeri pa identitet

"Shqiptari" është projekti filmik shqiptaro-gjerman, që prej një muaji është miratuar me vendim të Këshillit të Projekteve në Qendrën Kombëtare Kinematografike. Është tema e shqiptarit emigrant në Gjermani, trajtuar sipas dy autorëve Ani Spahivoglit dhe Johannes Naber, regjisori gjerman, njëherazi bashkëskenarist.

E ndërsa Naber-i vazhdon kërkimin e vendeve të xhirimit në veri në vendit, konkretisht në Tropojë, Ani sqaroi për "Shekulli"-n se ç'është ky projekt dhe se si ajo, bija e vetme e regjisorit dhe aktorit të ndjerë të skenës, Kujtim Spahivogli, u gjend në këtë histori.

Ajo thotë se bëhet fjalë për një film artistik me metrazh të gjatë, në qendër të të cilit është historia e një djali të ri shqiptar, që shkon në Gjermani për të siguruar një shumë të caktuar të ardhurash.

Arben quhet i riu, sapo është kthyer nga Greqia dhe dëgjon se në Gjermani është e lehtë të gjesh një mundësi punësimi, ku fitimi është shumë më i mirë së në vendet të tjera. "Kjo është pikërisht ajo që Arbenit i duhet për momentin.

Në vendlindjen e tij, në veri të Shqipërisë, diku afër Bajram Currit, ai gjendet papritur në një situatë që nuk i lejon shumë alternativa, mundësia e vetme për të është të sigurojë paratë, gjë kjo që i jep zgjidhje problemit në të cilin është futur."

Autorja e skenarit sqaron se Gjermania imagjinare e emigrantit shqiptar nuk përkon aspak me atë që ai gjen pasi ka mbërritur në vend. "Është një tjetër realitet, i ashpër, i mbyllur, një përpjekje e vazhdueshme për të mbijetuar", - thotë Ani.

Ky i ri në Gjermani është askushi, është një njeri pa identitet. Ka hyrë ilegalisht dhe i tillë mbetet deri në fund. Nga ana tjetër, ai vjen me barrën e një identiteti, me shenjat e një tradite tjetër, i rritur sipas zakoneve të vendit. Protagonisti është dhe nuk është në Gjermani.

Shpirtërisht ai është i lidhur me vendin e tij, me historinë e tij në veri të Shqipërisë, me familjen e tij dhe kryesisht me të dashurën e tij, Etlevën. "Rrjedha e ngjarjeve e merr me vete dhe ai bëhet pjesë e një realiteti tjetër në vendin e huaj ku ka shkuar. Një realitet i pamëshirshëm dhe i egër, ai i transportit të emigrantëve ilegalë.

Dikur ai merr rrugën e kthimit për në Shqipëri, është i rraskapitur, ka parë e përjetuar shumë gjëra që më mirë do të donte t'i harronte, dhe e hapur mbetet pyetja: Çfarë fitoi ai në fund të kësaj aventure dhe çfarë humbi?" Këtu Ani e lë hapur historinë e personazhit, histori e cila shumë shpejt, pas kësaj faze përgatitore, do të kalojë në sheshin e xhirimit në veri të vendit.

Ajo pohon se idenë për këtë "shqiptar" e ka hedhur pikërisht Johannes Naber-i. Bashkëpunimi mes tyre filloi prej vitit 2008. Fillimisht Ani do të merrej me shqipërimin, por më pas u vendos që të dy të jenë bashkautorë të skenarit të filmit.

Kishte kohë që ajo vetë mendonte të hidhte në letër një skenar filmi me metrazh të shkurtër, prandaj kur pati rastin të përfshihet në një projekt të tillë si "Shqiptari", e pa si një eksperiencë me vlerë.

"Duke pasur në qendër të filmit një shqiptar, shikuesi e sheh historinë nga këndvështrimi i shqiptarit, jeton me problemet e tij dhe bëhet pjesë e një realiteti ku një pjesë e madhe e shoqërisë gjermane nuk ka akses, ose më mirë ka informacion nga mediat dhe shtypi i përditshëm, informacion ky që mbetet i sipërfaqshëm dhe i thatë.

Mendoj se për regjisorin e rëndësishme është të tregojë një histori që nuk i drejtohet vetëm një publiku, ai kërkon të tregojë një histori që prek publikun gjerman, atë shqiptar e me gjerë, publikun e shumë vendeve të tjera, më të cilët ne ndajmë një fenomen të përbashkët, atë të emigracionit."

Ky është me fjalë të tjera qëllimi i përbashkët i autorëve, të rrokin me dy anët e historisë së njeriut, dy audienca që përfaqësojnë kulturën që ai la pas dhe atë që gjeti në emigrim. Ani, e cila prej më shumë se një dekadë jeton dhe punon në Gjermani, shpreson që me një vepër të tillë do të ketë pak më tepër ndjeshmëri ndaj të huajve, sidomos atyre ilegalë, "një gjerman e sheh Shqipërinë me një tjetër sy.

Por edhe për një shqiptar, pamja e treguar e Gjermanisë shfaqet nga një tjetër perspektivë."
Qëllim mbetet hapja e një dialogu mes dy vendeve, një dialog njerëzor që lë mbrapa vetes paragjykimet, qofshin këto pozitive apo negative.

"Shqiptari" është paraqitur në Qendrën Kombëtare si projekt i shtëpisë kinematografike "On Film Production" sh.p.k. dhe financohet nga kjo qendër në masën 35.950.000 lekë. Pala shqiptare përfaqësohet nga kooproducenti Dritan Huqi, dhe një autor tjetër i veprës. Sipas ligjit, duhet që në një bashkëprodhim me të huajt, të ketë shqiptarë së paku dy, nga tre autorët e veprës, dhe ky do të jetë kompozitori. Për trupën e aktorëve akoma nuk ka ndonjë të re.

Ky film shënon rastin e dytë të modelit të një filmi shqiptar në bashkëprodhim me të huaj dhe me një regjisor të huaj. Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka mbështetur pothuajse në këto vlera financiare bashkëprodhimin e parë shqiptaro-serb "Muaj mjalti", i regjisorit serb Goran Paskaljeviç, film që pritet të shfaqet premierë së paku në vjeshtë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).