Shkollat ndryshe, argëtim e mësim edhe në verë

Ky projekt social-arsimor, integrues për grupet e fëmijëve, të cilët shfaqin tendenca për braktisjen e shkollave, për t’u krijuar ambiente sa më miqësore, me qëllim integrimin dhe argëtimin e fëmijëve me problemeve social-ekonomike. Shkollat verore janë fokusuar kryesisht në periferi të vendit

Ndonëse verë dhe termometri shënon mbi 38 gradë, fëmijët e kryeqytetit nuk fshehin dëshirën t’iu rikthehen mësimeve. Por kësaj radhe me një formë krejt ndryshe, mësim përmes argëtimit. Rreth 30 ditë gjatë muajit korrik dhe gusht Bashkia e Tiranës organizon shkollat ndryshe. Edhe këtë vit projekti i shkollave verore organizohet për të 4 katërtin vit radhazi dhe në të përfshihen 10 shkolla publike të Tiranës, duke aktivizuar 2.100 fëmijë të kryeqytetit.

Aktivitetet

Aktivitetet e këtij projekti do të zhvillohen në një periudhë kohore prej 4 javësh mësimore gjatë muajit korrik dhe gusht 2009. Këto aktivitete realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së fëmijëve në grupe permanente me specifika të ndryshme, sipas talenteve apo aftësive që ata shfaqin. Çdo grup përbëhet nga 15-20 fëmijë të grupmoshave të ndryshme, për të cilët kujdeset një mësues. Kohëzgjatja e aktiviteteve është 4 javë me nga 4 orë në ditë nga ora 08:30-12:30, nga e hëna deri të premten. Fëmijët e secilës prej shkollave janë të organizuar në 7 grupe, letërsi, teatër, muzikë, kërcim, mozaik-pikturë, sport dhe ekologji. Specialistët e Drejtorisë së Përkujdesit Social në Bashkinë e Tiranës shprehen se “ky aktivitet u jep mundësinë fëmijëve për të zbuluar apo zhvilluar aftësitë e tyre në fusha të ndryshme. Mësuesit, të cilët drejtojnë këto grupe, do të angazhohen në zhvillimin e talenteve të fëmijëve sipas specifikës”.

Shkollat

Këtë vit projekti i shkollave verore 2009 do të sjellë shumë risi krahasuar me projektet e viteve të mëparshme, risi të cilat kanë të bëjnë më mënyrën e organizimit të aktiviteteve gjatë shkollave verore, trajnimin e stafit mësimor dhe mbështetës që do të përfshihen në këtë projekt, mënyrën e përzgjedhjes së shkollave dhe nxitjen e partneritetit shkollë-komunitet-familje. Projekti ka për qëllim ofrimin e një alternative edukative ndryshe ndaj ambienteve të pasigurta, si rruga, gjatë periudhës së verës, duke mundësuar integrimin edukativ e kulturor, zbavitjen, nxitjen e krijimtarisë së fëmijëve që vijnë nga familje me probleme social-ekonomike të qytetit të Tiranës, duke stimuluar bashkëpunim dhe ndërveprim, si dhe një proces të mësuari sa më pak të lodhshëm dhe më tepër tërheqës. Kjo do të realizohet në grupet e letërsisë, teatrit, muzikës, kërcimit, mozaikut, sportit, pikturës dhe ekologjisë. Projekti po realizohet në 10 shkolla publike të Tiranës si “Shyqyri Peza”, Hasan Vogli”, Gjon Buzuku”, “At Zef Pllumbi”, “Ibrahim Brahja”, “Qazim Turdiu”, “28 nëntori”, “Hasan Prishtina”, “Pal Ëngjëlli, të cilat ndodhen përkatësisht në njësitë bashkiake nr.2,3,4,5,6,9 dhe 11.

Përzgjedhja

Drejtoria e Përkujdesit Social në Bashkinë e Tiranës sqaron se përzgjedhja e shkollave është bërë në bazë të zonave të kryeqytetit ku problemet social-ekonomike janë më të theksuara. Zona si Lapraka, Selita, Kombinati, Alliasi, Kamza, Sauku, në të cilat shënohet edhe numri më i madh i braktisjeve të shkollave. Në të gjitha këto zona, familjet e fëmijëve kanë ardhur kryesisht nga rrethet dhe sidomos nga zonat e varfra të vendit, si dhe familje rome dhe egjiptiane dhe vetëm një pakicë janë autoktonë. Familjet e këtyre fëmijëve janë të zhytura në një varfëri të tejskajshme, duke i ekspozuar ndaj një sërë problemesh, si varfëria e thellë, kushte të vështira banimi e higjieno-sanitare, papunësi të theksuar, nivel i ulët i arsimit, si dhe nivel i ulët social dhe kulturor i familjeve. Kohëzgjatja e projektit do të shtrihet në muajin korrik dhe gusht 2009. Nga realizimi i këtij projekti pritet të përfitojnë 2.100 fëmijë, vajza dhe djem, nga mosha 7-14 vjeç, që janë përfshirë në shkollat e lartpërmendura. Projekti bazohet në një përqasje edukative, që vë në qendër fëmijën, duke kuptuar nevojat e tij dhe duke i dhënë vlerë dinjitetit të tij si individ, raport. Stafi edukativ-fëmijë është përfituesi i ndërhyrjes së realizuar, por dhe bashkudhëtar në procesin edukativ që në momentin e planifikimit të aktiviteteve dhe përgjatë shtrirjes së projektit. Specialistët e Drejtorisë së Kujdesit Social shprehen se “ndër synimet e këtij projekti është ofrimi i edukimit informal të 2.100 fëmijëve të shkollave periferike të Tiranës, nxitja e socializmit mes fëmijëve me prejardhje të ndryshme etnike dhe krahinore, si dhe të mbështesim aftësitë krijuese të fëmijëve target të projektit, si dhe të rrisin ndjeshmërinë e fëmijëve ndaj çështjeve sociale dhe të mjedisit”.

Grupet

Në grupin e letërsisë fëmijët zhvillojnë talentet e tyre në recitimin e poezive apo edhe monologëve nga vepra të njohura të autorëve shqiptarë dhe të huaj dhe takime me autorë dhe shkrimtarë. Në këtë grup do të angazhohen edhe fëmijët që shfaqin aftësi krijuese letrare, si në zhanrin e poezisë, po ashtu edhe në atë të prozës. Brenda grupit zhvillohet një konkurs për të zgjedhur recituesin më të mirë, i cili përfaqëson këtë grup në ceremoninë finale. Gjithashtu, edhe në grupin e teatrit, fëmijët e talentuar punojnë me mësuesit, të cilët zgjedhin më pas pamjen me të cilën do të bëhet mozaiku. Ai ndërtohet me mjete rrethanore. Sipas mësuesve të këtij grupi, qëllimi i kësaj teknike është që fëmijët të arrijnë të kuptojnë rëndësinë e materialeve të thjeshta. Mozaiku i përgatitur nga grupi do të prezantohet në sallën në të cilën do të zhvillohet ceremonia finale. Ndërsa grupi i mozaikut dhe i pikturës, me lehtësimin e mësuesit, fëmijët zgjedhin pamjen mbi të cilën do të bazohet mozaiku. Për sa i përket grupit të muzikës, angazhimi i këtij grupi do të jetë në krijimin e një kori të drejtuar nga mësuesi përgjegjës për grupin. Në këtë grup tentohet të zbulohen dhe zhvillohen talentet individuale të fëmijëve në këngë. Gjatë gjithë periudhës së shkollës verore, fëmijët, pjesëtarët e grupit të kërcimit ritmik do të jenë të angazhuar në mësimin e një koreografie të zgjedhur nga mësuesi përgjegjës. Po ashtu, fëmijët kanë mundësinë për të dhënë idetë e tyre në përmirësimin e koreografisë. Ndërsa grupi i sportit do të funksionojë si një skuadër futbolli, e cila do të stërvitet gjatë 4 ditëve të javës dhe në ditën e pestë do të ndeshet me skuadrën e një shkolle tjetër. Të gjitha shkollat do të kenë skuadrën e tyre dhe do të jenë të angazhuara në një minikampionat futbolli. Ndër grupet më të veçanta është grupi i ekologjisë, ku si qëllim kryesor për krijimin e këtij grupi është që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e mjedisit, ku ata jetojnë dhe të jenë edhe ata aktorë në mirëmbajtjen e tij. Gjatë gjithë kohës fëmijët-anëtarë të këtij grupit do të jenë të angazhuar në pastrimin, gjelbërimin, si dhe në zbukurimin e oborrit të shkollës së tyre.

Nisma

Projekti i shkollave verore për herë të parë u zbatua gjatë vitit 2005 në tre shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri”, “Gjon Buzuku”, “Hasan Prishtina”, në vitin 2006 në 5 shkolla 9-vjeçare, në vitin 2007 në 8 shkolla 9-vjeçare periferike dhe në vitin 2008 në 10 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Tiranës (Bajram Curri, Kolë Jakova, Kushtrimi i Lirisë, Shyqyri Peza, Hasan Vogli, Gjon Buzuku, Isa Boletini, Ibrahim Brahja, Qazim Turdiu dhe 28 Nëntori). Në zbatim i këtij projekti gjatë viti 2008 përfituan mbi 1.600 fëmijë të moshës 10-14 vjeç të zonave më të varfra të njësive bashkiake nr1,2,4,6,9,11 të qytetit të Tiranës, nga të cilët 282 fëmijë në nevojë, rreth 300 të ardhur nga migrimi, 180 fëmijë romë dhe egjiptianë, që kanë tendencë për të braktisur shkollën dhe si rrjedhojë janë më të prirur ndaj rrezikut të veseve të tilla, si prija e duhanit dhe drogës. Nga ky projekt përfituan jo vetëm familjet e fëmijëve në nevojë, por edhe stafi prej 100 mësuesish.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).