Rriten përsëri taksat doganore

Dyfishohen taksat doganore për importet nga jashtë BE-së. Fullani: Ka rritje të kostos së financimit të deficitit buxhetor dhe të ngarkesës fiskale. - Nevoja për parà duket se po e detyron qeverinë t’i rrisë sërish disa taksa për biznesin.

 

Pas vendimit për rritjen e akcizave për mallrat e forta, kryesisht duhanin dhe pijet alkoolike, që në disa raste shkonte deri në 40 për qind, Ministria e Financave ka marrë një tjetër vendim të papritur, i cili i rrit më shumë se dyfish taksat doganore, për mallrat e importit që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian. Vendimi i marrë, pa njoftuar më parë bizneset, ka mbërritur në Drejtorinë e Doganave dhe vetëm 4 ditë më parë është shndërruar në urdhër nga drejtori i përgjithshëm i saj. Më të prekurit nga ky vendim janë kryesisht tregtarët që importojnë nga Kina.

 Sipas urdhrit, taksat për mallrat e importuara nga jashtë BE-së tashmë do të paguhen në bazë të peshës së mallrave që, sipas tregtarëve, rrit detyrimet doganore që ata duhet t’i paguajnë shtetit. Sipas tyre, për një kontenier vlera e zhdoganimit nga 2 milionë lekë, që ishte përafërsisht, tashmë shkon në rreth 5 milionë lekë. Kjo ka bërë që shumë tregtarë, prej tri ditësh t’i lënë kontenierët të pa zhdoganuar në Drejtoritë e Doganave, me shpresën për një vendim të ri nga Ministria e Financave. Të dhënat zyrtare tregojnë se qeveria është në nevojë për parà, si pasojë e uljes së të ardhurave në buxhet, por edhe shpenzimeve të larta që ajo bëri në fillim të vitit, deri në prag të zgjedhjeve elektorale. Në 5-mujorin e parë të vitit qeveria mblodhi 8 miliardë lekë më pak nga sa kishte parashikuar nga taksat.

Por, nga ana tjetër, shpenzimet për investime ishin 4,1 miliardë lekë më shumë se programi, ndaj, për pasojë, deficiti buxhetor ishte 31 për qind më shumë nga sa ishte parashikuar. Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje se rritja e deficitit buxhetor në vitin 2008, në krahasim me një vit më parë, u realizua në kushtet e një situate më të favorshme të financimit të deficitit, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre, sipas planit të buxhetit për vitin 2009.

Nga ana tjetër, situata më e vështirë e likuiditetit në tregun e brendshëm financiar, si dhe në tregun e huaj, po shoqërohet me rritjen e kostos së financimit të deficitit buxhetor, duke sjellë rritjen e ngarkesës fiskale në një periudhë afatmesme. Nga ana tjetër, realizimi i shpenzimeve publike duhet të përshtatet me nivelin e realizimit faktik të të ardhurave. Banka e Shqipërisë vlerëson se  ruajtja e objektivit të përcaktuar në fillim të vitit për deficitin buxhetor do t’i shërbente më mirë realizimit të financimit të tij me një kosto më të ulët dhe çlirimit të fondeve për përdorim në tregun e brendshëm dhe për sektorin privat. Për nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korente të bilancit të pagesave.

Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar. Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme në strukturën e flukseve të valutës në tregun e brendshëm, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë, si dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare. Lëvizja e lirë e kursit të këmbimit ofron një instrument automatik të korrigjimit të këtyre disekuilibrave, në kërkesën dhe ofertën për valutë në tregun e brendshëm. Në këtë kuadër, gjithë agjentët ekonomikë, publikë dhe privatë duhet të vlerësojnë ndjeshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj lëvizjeve të mundshme të pafavorshme të kursit të këmbimit e të ndërmarrin veprimet mbrojtëse të nevojshme.

5 Komente

Po me gjithe ate fushate qe beri PD-ja, normal qe eshte zbrazur arka e shtetit dhe ku do t'i gjejme parate? hajt te rritim taksat... Por, mbase nje gje pozitive do ta kete kjo, do na dhembe xhepi ca me shume e kushedi, me ate rast, leme dhe cigaren. Ate qe s'e ben dot vullneti, e ben qeveria me masa shtrenguese. smiley

Shume mire qe rrisin taksat e mallrave kineze. Nuk ka biznes vendor qe mund te konkuroje me cmimet dhe fluksin e mallrave nga Kina.
 

Në 5-mujorin e parë të vitit qeveria mblodhi 8 miliardë lekë më pak nga sa kishte parashikuar nga taksat. 

Sic duket kjo hollesi i shpeton gjithmone INSTAT kur jep lajme per rritje te ekonomise me x%

ja sa te filloje te korr lek qeveria nga rruga per ne kukes haha

 "....Të dhënat zyrtare tregojnë se qeveria është në nevojë për parà, si pasojë e uljes së të ardhurave në buxhet, por edhe shpenzimeve të larta që ajo bëri në fillim të vitit, deri në prag të zgjedhjeve elektorale...." 

 

Qeveria vertet ka nevoje per para, por nuk eshte ky shkaku. Shkaku eshte tek marrveshjet me EU, dhe Shqiperia si pjese qe po i afrohet asaj (edhe nepermjet nenshkrimeve) eshte e detyruar te veproje si vet EU. EU, i ka lene disa produkte te vendeve te ndryshme (jo antare) pa taksa, e disa me taksa te ulura, dhe jane keto klauzola qe tregtaret shqiptare duhet ti njohin.  Eshte e vertete se shum vende kane bashkpunime dy palshe, ku favorizojne prodhimet e njera-tjetres , mirpo kjo praktike merr fund (ligjerisht, jo faktikisht) kur keto vende behen antare me te drejta te plota ne nje organizem. Them; jo faktikisht, sepse kjo praktike vazhdon derisa ndonje vend (antar) ankohet per kete praktike, qe i demton interesat e saja.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).