Rama: Protesta kundër qeverisë jolegjitime

Rama: Protesta kundër qeverisë jolegjitime, Lakrori: Analizë e më pas ndryshime në kreun e PS

Kreu socialist në një bashkëbisedim me mediat një ditë pas mbledhjes së asamblesë, u shpreh se vazhdon të jetë kryetari me funksione të plota në PS dhe pas humbjes së zgjedhjeve, ndërsa do jetë kongresi ai që do t’i japë zgjidhje të ardhmes së tij në drejtimin e PS. Rama tha se do t’i drejtohet protestave popullore që bashkë me betejën parlamentare do çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Përse mbledhja e Asamblesë u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat?
Mbledhjet e Asamblesë Kombëtare bëhen me statut të mbyllura dhe ato hapen për median vetëm me vullnetin e Asamblesë Kombëtare. Dje nuk ishte as rasti dhe as vullneti për ta bërë një gjë të tillë.

Mendoni se këto debate mund të sjellin çarje në grupin parlamentar socialist?
Unë mendoj që Grupi Parlamentar i PS, do të jetë solid, i konsoliduar, i harmonizuar dhe i koordinuar në funksion të një vendimmarrje që do të jetë fryt i sintezës i të gjitha mendimeve dhe diskutimeve të brendshme, të secilit në lirinë dhe në të drejtën e tij për t’u shprehur, gjë që asnjëherë nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë në PS.

Në 2005 komisioni hetimor parlamentar, i ngritur nga socialistët, nuk dha asnjë rezultat, pse mendoni se do kemi rezultat nga hetimi parlamentar i tanishëm? Si do arrini zgjedhjet e parakohshme, kur për të rrëzuar kryeministrin ndryshimet kushtetuese e kanë vështirësuar këtë?
Së pari, komisioni hetimor parlamentar për transparencën e 28 qershorit, apo për të zbardhur atë që ne e quajmë vendosmërisht krimi elektoral i 28 qershorit, është një nga instrumentet dhe ne do ta vëmë atë menjëherë në lëvizje, duke bërë gjithë përpjekjen tonë që t’i shkojmë deri në fund procesit të hetimit parlamentar. Por nuk është i vetmi instrument. Lidhur me vlerën numerike të rezultatit, nga pikëpamja juridike nuk mund të diskutohet, por nga pikëpamja politike është tërësisht e kontestueshme dhe për këtë arsye ne do ta kontestojmë në vijimësi legjitimitetin e kësaj qeverie, do ta kontestomë në vijimësi sovranitetin e këtij parlamenti të ri. Ne do të shkojmë menjëherë, apo do të kthehemi menjëherë te shqiptarët e shqiptaret në të gjithë territorin dhe do të ndërtojmë një proces komunikimi intensiv, që do të përkthehet edhe në shfaqje demokratike të protestës për një rezultat të papranueshëm. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kokë ulur një parlament dhe një qeveri që nuk ka lindur nga shprehja e lirë dhe numërimi i ndershëm i vullnetit të tyre përmes votës. Sigurisht që kjo është një rrugë të cilën do ta përshkojmë me durim, por me një vendosmëri të palëkundur.

Ju flisni me ne në emër të Partisë Socialiste, ndërkohë që kongresi i jashtëzakonshëm do të zgjedhë kryetarin e ri të PS?
Unë sot po komentoj qëndrimin zyrtar të PS, i cili nuk lidhet me aspektin tjetër që do të zgjidhë Kongresi i Jashtëzakonshëm, që është lidershipi i PS. Por lidhet me atë që PS do të bëjë, pavarësisht nga rezultati i Kongresit të Jashtëzakonshëm për lidershipin e PS. Unë jam në legjitimitet të plotë për të thënë ne, sepse ky është një qëndrim dhe një vendim solemn i një institucioni të Partisë Socialiste, që ka të gjitha atributet për të vendosur një qëndrim politik dhe për t’ia kaluar këtë qëndrim politik për një ratifikim përfundimtar Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ku sigurisht do të diskutohet edhe pjesa e dytë e rendit të djeshëm të ditës të Asamblesë Kombëtare, që ka të bëjë me zbatimin e statusit të Partisë Socialiste, gjë që shqetësoi dhe krijoi shumë diskutime, të cilat pa asnjë dyshim kanë legjitimitetin e tyre përsa i përket komenteve dhe analizave. Por, është për të ardhur keq, që ndërkohë i tërë diskutimi u fokusua në këtë aspekt, që ka të bëjë me një vendimmarrje të Partisë Socialiste dhe nuk u fokusua në një aspekt tjetër. Zgjedhjet e 28 qershorit, nuk janë zgjedhjet që meritojnë shqiptaret dhe shqiptarët.

Do rikandidoni për kreun e PS?
Pyetja juaj e merr përgjigjen e duhur në ditën dhe në kohën e duhur, që është dita e Kongresit të jashtëzakonshëm.
Ka një kontradiktë mes mosnjohjes së zgjedhjeve dhe hyrjes suaj në Kuvendin e ri të grupit parlamentar socialist?
Nuk ka kontradiktë, sepse e thashë dhe po jua shpjegoj përsëri, vlera juridike e rezultatit nuk mund të diskutohet për shkak se ka një vijimësi institucionale, pavarësisht se institucionet që e kanë përcaktuar këtë rezultat, kanë vijuar deformimin e tij të ndodhur më 28 qershor. Por, vlera politike e produktit, për shkak të këtij deformimi dhe për shkak të një të vërtete, që është e vërteta e tërë ngjarjes, e bën Parlamentin me një sovranitet të kontestueshëm dhe qeverinë me një mandat politikisht jo legjitim. Sigurisht që ne do të kemi strategjinë tonë të re në raport me parlamentin dhe në parlament, por ne nuk e kemi thënë asnjëherë, nuk ka pasur më asnjë çast, madje edhe në një konferencë në ditët intensive të kontestimit, unë e kam sqaruar, një ide bojkotimi të parlamentit, për ta kthyer PS në një parti ekskluzivisht në rrugë. Kjo s’ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e ndonjë strategjie. Për këtë arsye e ritheksoj sot, që çdo insinuatë e tillë dhe çdo përpjekje për ta kthyer debatin si në një debat të hyjmë apo të mos hymë në parlament është thjesht dhe vetëm shprehje e pavërtetë e asaj, që ka ndodhur në proces në konceptimin e fizionomisë që do të ketë opozita me hapjen e sezonit të ri politik.

Cili është qëndrimi juaj për grupin e 38 anëtarëve të Asamblesë, që kërkuan nxjerrjen e shkaqeve pse nuk u fituan zgjedhjet? Apo i shikoni si shprehje të një lufte personale ndaj jush?
Në mënyrën më absolute unë i shikoj të gjitha përpjekjet, e të gjithë miqve bashkëpunëtorëve dhe kolegëve për të hapur një debat lidhur me një qëndrim që është shumë i rëndësishëm politik të PS në raport me një proces, më i rëndësishmi për një forcë politike, që është procesi zgjedhor, si shprehje të atij diversiteti dhe të asaj natyre që ka familja jonë politike, që padrejtësisht është parë dhe është komentuar herë pas here si një familje ku kjo gjë mungon. Kemi bërë një debat të gjatë dhe shumë të vlefshëm dhe kemi arritur rezultatin e duhur.
Këta që ju i konsideruat miq dhe kolegë mbajnë një qëndrim krejt ndryshe nga ju në lidhje me rezultatin, duke përcaktuar si arsye të tij mungesën e një programi, personalizimin e fushatës dhe mos përcjellja si duhet e alternativës socialiste në fushatë....
Sigurisht që ata mendojnë ndryshe, por kjo nuk do të thotë që nuk janë miqtë dhe kolegët e mi, kështu që edhe ju për këtë arsye po pyesni sepse ata mendojnë ndryshe. Unë mendoj ndryshe dhe asambleja vendosi.

Në zbatim të statutit të PS, kur PS ka humbur zgjedhjet dhe ju keni humbur mandatin, me ç’cilësi ju i drejtoheni shqiptarëve dhe socialistëve?
Në po atë cilësi që Kryeministri i drejtohet shqiptarëve, edhe pse teorikisht apo juridikisht mandati i tij sot është ndërprerë ose në rast se nuk do të rizgjidhej Kryeministër do të vazhdonte t’i drejtohej shqiptarëve, pavarësisht se mandati i tij është ndërprerë, sepse nuk ka vakuum.

Në 2005, kur Nano ndërpreu mandatin ia delegoi mandatin e tij numrit dy të PS, ju kujt ia keni deleguar këtë mandat si kryetar në detyrë, siç e pranuat dhe vetë?
Një kryetar në detyrë është një kryetar që bën detyrën dhe detyra që ka kryetari në detyrë është detyra e kryetarit.
 

Maqo Lakrori: Analizë e më pas zëvendësime me konkurrim në PS

Tashmë kemi rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, fituesi i zgjedhjeve përcaktohet nga numri i deputetëve dhe jo nga numri i votave të zgjedhësve. Rrjedhimisht, fituese rezulton Partia Demokratike, edhe si parti edhe si koalicion. Ky është rezultati zyrtar, dhe për qëndrimin ndaj tij ne duhet të konsiderojmë disa mundësi.
Mundësia e parë
Të mos e njohim rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por çfarë argumentesh dhe provash kemi? Cilat do të ishin disa nga pasojat e mosnjohjes?
Ky rezultat është i hidhur dhe zhgënjyes për elektoratin socialist, i cili i besoi premtimit për fitore të sigurt, që bënë drejtuesit kryesorë të PS. Por as hidhërimi e as zhgënjimi nuk përbëjnë arsye ligjore për të mos njohur rezultatin zyrtar. Ne mund të kemi dyshimin dhe bindjen se janë bërë manipulime gjatë gjithë procesit dhe është shtrembëruar vendimi i sovranit. Mirëpo as dyshimi dhe as bindja jonë nuk përbëjnë provë ligjore të pakundërshtueshme dhe të mjaftueshme, për të mos njohur rezultatin.
Zgjedhjet u zhvilluan me një sistem që u propozua nga vetë PS, me një kod zgjedhor që u hartua dhe miratua edhe nga PS, me një komision qendror zgjedhor dhe një kolegj zgjedhor, gjithashtu të miratuar edhe nga PS. Edhe ditën e 28 qershorit, procesi i votimit u përshëndet nga PS.  Prandaj, mosnjohja e rezultatit do ta vendoste PS, në sytë e opinionit vendas dhe të huaj në pozicionin e pamerituar të një force politike të paaftë, si bashkautorë e një sistemi, kodi, procedurash dhe institucionesh të pasigurta e të manipulueshme. Gjithashtu, PS do të shfaqej edhe si një forcë politike joserioze që nuk respekton as ligjin dhe institucionet shtetërore ku ajo vetë është bashkautore me vullnet të lirë.
Mosnjohja e rezultatit, parakupton mosnjohje të parlamentit, mosvajtje në të, e kështu më tej, gjithë hapat e tjerë të logjikës së bojkotit, që janë me pasoja negative në funksionimin e një shteti. Kjo anomali funksionale do të ishte me ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje, do të ngjallte mosbesim dhe frenim të investitorëve të huaj, që filloi të gjallërohet me hyrjen e vendit tonë në NATO, dhe pikërisht ngaqë mungojnë provat ligjore të pakundërshtueshme dhe të mjaftueshme do të dëmtonte ecurinë e kandidimit  të vendit tonë për në BE.
Ecja në rrugën e mosnjohjes së rezultatit të 28 qershorit, do të largonte vëmendjen e partisë nga analiza e shkaqeve të humbjes sonë dhe për pasojë do të vononte gjithë procesin e domosdoshëm të korrigjimit e të ringritjes së PS, madje do ta deformonte aq sa të vinte në pikëpyetje të ardhmen e saj. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj, nuk ka tagër që të vazhdojë të luajë si me pronën e vet personale me këtë pasuri njerëzore kombëtarë që është ngritur në vite nga dhjetëra mijë socialistë dhe nga qindramijë mbështetës të tyre. Kjo mosnjohje do të ishte një strategji abuzive me dëshpërimin e humbjes që kanë njerëzit e ndershëm dhe një veprim mashtrues ndaj anëtarëve të partisë dhe elektoratit socialist, me qëllim që analiza e pritshme të mbytet në vrullin e një qëndrese afatshkurtër dhe drejtuesit kryesorë të partisë t’u shmangen përgjegjësive që kanë në gjithë këtë proces dhe për këtë rezultat humbës të paralajmëruar.
Mundësia e dytë
Ta pranojmë rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë rast mund të paramendohet një proces që zhvillohet njëherësh në disa drejtime.
Të njohim Kuvendin e ri dhe grupi i deputetëve të PS të marrë pjesë në punimet e tij, duke filluar që ditën e parë detyrën e një opozite parlamentare cilësore, e cila për çdo kritikë ofron njëkohësisht  alternativën e një zgjidhjeje më të mirë. Ndërkaq, të deklarojmë rezervat tona për procesin e përfunduar zgjedhor dhe të përgatisim librin e bardhë të provave ligjore të të gjitha shkeljeve e manipulimeve në këto zgjedhje, duke vazhduar në rrugë institucionale betejën për të vërtetën që besojmë ne. Ditën që do të kemi prova të mjaftueshme ligjore, do  t’i kemi të hapura edhe të gjitha dyert e hapura për çdo veprim tjetër demokratik, duke përfshirë rinumërim dhe rivlerësim të të gjitha votave dhe, mbi atë bazë përsëritje të zgjedhjeve (pra zgjedhje të parakohshme) ose ndërrim të roleve maxhorancë-opozitë në parlament. Veçse kjo parakupton edhe ruajtjen e fletëvotimeve deri në zgjedhjet e ardhshme. Parakupton edhe anulimin e ndryshimeve kushtetuese të një viti më parë. Këto ndryshime, që u votuan njëzëri edhe nga përfaqësuesit e PS, tashmë kanë si pasojë bllokimin me Kushtetutë të çdo mundësie për zgjedhje të parakohshme. Minimalisht, duhet të kemi kurajon që të pranojmë publikisht nxitimin, pra edhe gabimin e përfaqësuesve tanë dhe të negociojmë korrigjimin e tyre brenda një afati të caktuar dhe të arsyeshëm, përtej të cilit të mund ta rishikojmë qëndrimin e përfaqësuesve tanë në Kuvend.
Të fillojmë në të gjitha strukturat partiake analizën e arsyeve të humbjes dhe përcaktimin e korrigjimeve në koncepte, në veprime, në Statut dhe në Programin e Partisë.
Kjo analizë e orientuar për të gjetur arsyet e për të bërë korrigjimet do të sjellë edhe nevojën e ndryshimeve organizative, statutore dhe programore, e po ashtu edhe të drejtuesve atje ku është e domosdoshme. Nga ky proces, nëse e organizojmë mirë në parti dhe në opinionin publik do të përfitojmë drejtpërdrejt nga anëtarësia e partisë dhe nga shoqëria shqiptare edhe përgjigjet për thelbin e misionit historik dhe atë të funksionimit të partisë tonë, sot dhe në të ardhmen: e majtë demokratike apo as e majtë e as e djathtë, parti vetëm elektorale apo edhe funksionale, parti që lejon oponencë të brendshme kolektive apo parti monolite, parti me drejtim kolegjial apo personal, etj.
Unë besoj se veç të tjerash, kjo analizë do të shërbejë edhe që socialistët shqiptarë, duke nxjerrë mësim nga eksperiencat e hidhura, të heqin dorë përfundimisht nga kulti i individit në politikë, të paktën në partinë e tyre, dhe të shenjtërojnë e të zbatojnë parimet e drejtimit kolegjial, mbrojtjes së lirisë së mendimit dhe respektimit të mendimit ndryshe të çdo individi, edhe kur ai vjen nga një minorancë relative. Mjafton të kujtoj që shpërfillja megallomane e mendimit ndryshe, anashkaloi çdo paralajmërim të argumentuar për pasojat që do të sillte sistemi i ri zgjedhor, dhe  më keq akoma, shmangu përpjekjet institucionale për bashkimin e të gjithë socialistëve shqiptarë në PS, para fillimit zyrtar të fushatës elektorale parlamentare. Besoj se tashmë është e qartë për çdo skeptik të djeshëm, se një proces i tillë, i filluar që shtatë muaj më parë, do të kishte bërë që kjo asamble të mblidhej sot për qeverinë e re socialiste e jo për të zgjidhur dilemën “t’i njohim apo të mos i njohim këto zgjedhje”.
Gjithashtu unë besoj se kjo analizë do ta shpëtojë partinë tonë nga  fryma e ndarjes dhe përçarjes moshore, që është kundër natyrës së një partie socialiste, dhe nga fryma anarkiste e mohimit absurd dhe e përçmimit të çdo eksperience pozitive dhe vlerë të krijuar nga dhjetëra mijë njerëz në PS para 2005-ës.
Unë besoj se “Bashkimin për ndryshim” nuk e mundi nga jashtë “Aleanca e ndryshimit” por e mundi nga brenda aleanca ndërmjet egoizmit ekstrem, mediokritetit, servilizmit dhe pasurimit të paligjshëm. Që ta çlirojmë mendimin dhe veprimin tonë nga këta demonë ka nevojë fillimisht për analizë publike dhe në përfundim të saj edhe për zëvendësime të domosdoshme, përmes një procesi konkurrimi dhe votimi luajal në parti. Kjo radhë veprimi mund të mos jetë shumë interesante nga pikëpamja mediatike, mund të mos jetë e pëlqyeshme për emocionet e një pjesë nga ne, por, sipas mendimit tim, është e domosdoshme nga pikëpamja e interesave madhore të partisë sonë. Tani është koha për një katarsis të vërtetë, që stigmatizon të metat e gabimet tona, që ringjall solidaritetin e munguar, dhe nxjerr në krye vlerat njerëzore dhe ideore, të vjetra dhe të reja qofshin, duke shmangur antivlerat, të vjetra apo të reja qofshin.
Duke nxjerrë mësime nga ky rezultat humbës i paralajmëruar (humbës për ne socialistët, nga pikëpamja e ardhjes në pushtet, por humbës edhe për interesat e vendit, nga pikëpamja e imazhit dhe e një ekuilibri të paqëndrueshëm qeverisës), edhe pse me vonesë, ne duhet të rishikojmë qetësisht dhe përmes një procesi të hapur demokratik, vetë sistemin dhe Kodin Zgjedhor, me qëllim që të vijmë tek një sistem zgjedhor që i përshtatet më mirë kushteve të vendit tonë dhe që rrjedhimisht i shërben më mirë interesave të tij, që i jep Parlamentit fuqinë e plotë të përfaqësimit të vullnetit të popullit, që sjell qëndrueshmëri qeverisëse,  dhe që i pret rrugën manipulimeve dhe garanton njohje të shpejtë dhe pa dyshime të mbetura të vullnetit të sovranit.
Ndërkohë, jo vetëm të mos largojmë vëmendjen për asnjë çast, por përkundrazi të shtojmë kujdesin dhe angazhimin tonë në  pushtetin vendor, si atje ku jemi maxhorancë, ashtu edhe atje ku jemi në opozitë, sepse, së pari kemi detyrime ndaj votuesve dhe gjithë banorëve të bashkive e të komunave, dhe së dyti, sepse pas dy vjetësh, më 2011 do të kemi provën e zgjedhjeve vendore.
Unë besoj se rruga e pranimit të humbjes dhe e angazhimit të partisë për analizë, korrigjim dhe reformim real, është shumë më e vështirë se sa rruga e bojkotit. Megjithatë, sipas bindjes sime, kjo rrugë e vështirë është e vetmja që mund t’i nxjerrë fitues socialistët shqiptarë në zgjedhjet vendore 2011, dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të radhës apo të parakohshme qofshin.

Berisha: “Asambleja e PS, si një gjyq sekret”

Ndonëse në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin, Kryeministri Berisha nuk ka shmangur dje ironinë ndaj mbledhjes të së martës së Asamblesë së PS-së. Kreu i qeverisë kritikoi moslejimin e mediave të filmonin mbledhjen e forumit të selisë rozë, duke e quajtur atë si një gjyq sekret. “Shpreh kënaqësinë që mediat janë sot të pranishme këtu, sepse kur pashë dje që rrinin në distancë me kamera të ngritura drejt ‘Xibrakut’, m’u duk sikur po zhvillohej një gjyq sekret. Ajo pamje ishte jashtëzakonisht e dhimbshme, ishte rasti i parë që hapësira informative ndrydhej dhe burgosej në atë mënyrë”, u shpreh Berisha. Duke iu referuar anëtarëve të Asamblesë, kreu i PD-së tha se, “ata janë politikanë dhe deputetë. Enveri i merrte në këtë mënyrë. Por, pikërisht se bën ato imitime, pësoi atë që pësoi. Dhe unë ju garantoj se do ta pësojë sa herë që do ta përvojë ta imitojë, sepse të organizosh pleniume të mbyllura është jashtë çdo lloj morali të një shoqërie të lirë. Kjo do të thotë të kesh frikë nga vetja jote, të jesh frikacak. Lëre që nxori edhe Don Gramozin, sikur nuk kishte tjetër. E vutë re, sikur dilte nga një shpellë dhe jo nga një sallë. I zhduku këto të tjerat”.

“Pas zgjedhjeve, Edi Rama i dëshpëruar dhe pa forcë”

Anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani, shprehet se ndjen zhgënjim ndaj Edi Ramës duke e bërë përgjegjës për listën e deputetëve, ndërsa pas humbjes, sipas tij Rama është shfaqur si njeri i dëshpëruar dhe pa vizion për të ardhmen. Zoti Manjani, ju çelët serinë e diskutimeve të gjata në mbledhjen e Asamblesë, ku thatë se “jeni i zhgënjyer me kryetarin Rama”. Përse ky zhgënjim?
Po është e vërtetë se jam shprehur ashtu për disa arsye; Jam i zhgënjyer nga Edi Rama sepse në vetëm pak minuta hodhi në plehra kontributin tim katërvjeçar në Partinë Socialiste, kur më degdisi të tretin në listën e një qarku shumë të vështirë për ne. Janë të paktën 25 deputetë të zgjedhur sot nga listat e Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë pasur kontribut më të madh sesa unë për atë parti. Dhe kjo sigurisht që ma shton zhgënjimin personal me Edi Ramën. Unë jam i zhgënjyer me Edi Ramën për faktin se ai asnjëherë nuk arriti të zgjedhë njerëzit e duhur për punët e duhura. Fakti që në mbledhjen e fundit të Asamblesë, kryesia që ai vetë e zgjodhi dhe deputetët që vetë zgjodhi, ishin kundër tij, ma përforcon këtë bindje. Unë jam i zhgënjyer me Edi Ramën sepse veçanërisht pas zgjedhjeve nuk arriti të shfaqet si lider në veprim politik, por thjesht si një i dëshpëruar pa forcë dhe pa vështrim nga e ardhmja. Këto janë pak a shumë arsyet e zhgënjimit tim me Edi Ramën, arsye të cilat i shpalosa në Mbledhjen e Asamblesë.
Tashmë dihet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, ku PS ka humbur bashkë me aleatët e saj. A është përgjegjës zoti Rama për humbjen e zgjedhjeve?
Këtë gjë nuk e mohon as Edi Rama. Në mbledhjen e  Asamblesë ai praktikisht konfirmoi, ndonëse jo qartë, se është përgjegjësi kryesor për humbjen e zgjedhjeve. Ndërkohë që zgjedhjet sipas meje janë humbur për dy arsye; së pari, për faktin se ne kemi pranuar të hyjmë në zgjedhje me ndarjen e kuotave të deputetëve nëpër qarqet që bëri Saliu për interes të vet. Pra kemi hyrë në zgjedhje me të paktën minus 4 mandate, të marra në tavolinë nga Berisha. Dhe së dyti, për shkak të faktit se ne nuk arritëm të organizoheshim ashtu siç duhet. Nuk jam dakord me konstatimet e tjera të tipit që s’kishte program apo s’ishin listat e mira etj. etj., si këto. Nuk jam dakord sepse në këto zgjedhje u votua Edi Rama përballë Sali Berishës. Dhe ndonëse me pak vota, Edi Rama është fituesi i kësaj gare. Fitore kjo që nuk mjafton gjithsesi për të qeverisur, sepse Saliu luajti më mirë taktikisht dhe përdori plotësisht dhunën shtetërore dhe marrëveshjet e fshehta për të mbajtur qeverinë. Sidoqoftë ne do t’i analizojmë të gjitha shkaqet e humbjes një e nga një.
Ju u pozicionuat kundër të dyja projekt rezolutave. Përse?
Unë mendoj se Partia Socialiste sot, për fat të keq, është thuajse krejt jashtë realitetit shqiptar. Realiteti sot na tregon se vullneti i zgjedhësve për të mos lejuar Berishën të qeverisë u shkel hapur. Sot Berisha ka filluar reprezaljet ndaj të gjithë atyre njerëzve që u pozicionuan në krah të Partisë Socialiste në fushatën zgjedhore. Vetëm brenda dy javëve, u bënë dy mbledhje KRRTRSH-je ku janë marrë vendime katastrofike jo për ekonominë, as për lirinë e demokracinë, po për mjedisin ku jetojmë. Është vendosur që në këtë vend përfundimisht të prishet cilësia e ajrit që do thithim dhe e natyrës ku do jetojmë. Do ndërtohet një TEC më qymyr (i vetmi që ndërtohet sot në territorin e Evropës), i cili do të ndotë jo thjesht Durrësin e ndotur tashmë, por edhe Tiranën dhe qytetet e tjera. Është marrë vendim që bregdeti shqiptar të ndëshkohet përfundimisht nga zhvillimi i turizmit sepse qeveria ka miratuar 6 parqe industriale. Ndërkohë që po ndërtohen rrugë të kushtueshme, të cilat duhet të nxisnin zhvillimin e zonave të tjera dhe jo dëmtimin e bregut me parqe industriale. Eshtë vendosur që të ndërtohen edhe tre fabrika çimentoje, që do të gërryejnë malet e Fushë-Krujës, Laçit dhe të Lezhës. Është vendosur që t’i hapet rruga bizneseve serbe, ndërkohë që ato shqiptare ndëshkohen përditë me policë e task forca, përveç krizës ekonomike që është ulur këmbëkryq. Nuk po flas për shkatërrimin e institucioneve të shtetit e veçanërisht të gjykatave, sepse këto tashmë janë përfundimisht në dorë të Kryeministrit. Me pak fjalë kemi të bëjmë më një barbari politike që shtyp pa asnjë hezitim qytetarinë e këtij vendi. E në këtë realitet të hidhur, partia ime ka kohë dhe forca të merret me punët e saj të brendshme, duke harxhuar kohë me rezoluta dhe me analiza. Vijmë te projekt rezolutat. Unë i kundërshtova të dyja, sepse asnjëra nuk reflektonte asnjë fjalë mbi këtë realitet që po përjetojnë shqiptarët. Sot shqiptarët kanë nevojë për drejtim dhe veprim politik dhe jo për rezoluta se çdo të bëjmë të hyjmë në parlament apo jo? Rezolutat kanë fjalë të bukura por pak ose aspak propozime për veprim politik. Në asnjërën rezolutë, unë nuk lexova dot një strategji apo një plan veprimi se si do të ndalim këtë barbari dhe se si do të vihemi në krye të lëvizjeve qytetare për të marrë në dorë fatet e vendit.
Rezoluta e miratuar nuk e përjashton Partinë Socialiste nga Parlamenti dhe beteja e saj opozitare në sallën e tij. E konsideroni këtë një aksion politik?
Hyrja apo mos hyrja në Parlament, pavarësisht se u munduan drejtuesit e mbledhjes ta fshijnë nga axhenda e diskutantëve, për turpin tonë, ishte hija e thuajse çdo diskutimi. Fakti që një grup prej nesh kishin arritur në një rezolutë që e artikulonin qartë këtë gjë, është dëshmi e gjallë se kjo është një sfidë më vete. Më lejo të përsëris atë që thashë në Asamble, se kjo çështje nuk është shqetësimi ynë, por i Berishës. Berisha ka vetëm një merak për të zgjidhur tani, mbas shkatërrimit të zgjedhjeve dhe zbardhjes së pisllëqeve me Ilir Metën, faktin që të fusë në Kuvend Partinë Socialiste. Më këtë veprim, ai u mbyll gojën edhe atyre ndërkombëtarëve që sot në shumicë mendojë se këto zgjedhje ishin vërtetë të mbrapshta. Ju thashë kolegëve të mi në Asamble se: “Sot Saliu kërkon nga ne vetëm një nder, që të hyjmë në parlament. Të tjerat i zgjidh vetë ai”. Të dyja rezolutat në fund, pavarësisht diferencave në qëndrim e formulime në fund të fundit, ia plotësojnë këtë nder Berishës. Më e keqja është se ky nder i plotësohet pa asnjë kusht qoftë dhe formal. Të paktën të viheshin disa kushte që të ndalohej disi barbaria që thashë më parë dhe pastaj le të hyjnë edhe në parlament e të kënaqen me Saliun. Kështu që nuk e di a quhet apo jo aksion politik kjo gjë, kur nuk është në funksion të një strategjie që të ndalojë këtë barbari.
Ju vetë si e shihni të ardhmen tuaj në Partinë Socialiste?
Me ndihmën e Edi Ramës, sapo kam mbyllur pa sukses një projekt katër vjeçar në politikë. Deri në fund të vitit të ardhshëm jam i mandatuar si anëtar i Asamblesë Socialiste, e cila më ka zgjedhur si kryetar të komisionit të ligjeve të saj. Ndërkohë unë nuk jetoj me këtë punë, sepse kjo është punë vullnetare, por e ushtroj rregullisht profesionin e avokatit, profesion të cilin nuk e kam lënë për asnjë çast në katër vitet e fundit. Nuk kam ndërmend të largohem nga jeta publike, ku me pëlqen të kontribuoj më shumë si profesionist sesa si politikan, edhe pse deri më sot nuk i kam ndarë në asnjë shfaqje publike timen të derisotme.

Reagimet

Armela Imeraj
Sali Berisha, njeriu që grabiti zgjedhjet dhe mbylli në terr votat e shqiptarëve duke penguar në shkelje të ligjit transparencën e procesit zgjedhor; Kryetari i një partie që s’ka bërë kurrë zgjedhje e s’ka pasur kurrë debat të brendshëm; Sekretari i Enver Hoxhës që ka mbledhur organizatën bazë për të persekutuar madje dhe internuar njerëz, me pafytyrësinë e atij që pikërisht se i ka bërë të gjitha këto e shumë të tjera, s’mund të ketë më asnjë fije turpi, ai u mor sot e do vazhdojë të merret me Partinë Socialiste sepse kjo është mundësia e fundit që i ka mbetur për të larguar vëmendjen nga kriza e përgjithshme ku ka futur Shqipërinë e shqiptarët. S’ka faj!

Erla Mëhilli
PD-ja ka reaguar dje pas konferencës për shtyp të kreut të PS-së, Edi Rama. “Edi Rama, në apologjinë e humbjes sërish akuzoi procesin zgjedhor, mohoi duke trilluar e mashtruar për të vërtetat mbi këtë proces, më i miri në historinë e vendit. Për sa i përket largimit dhe moslargimit të tij nga kreu i PS-së, këto nuk janë problemet e Partisë Demokratike, por theksojmë se krahasimi i pozitës së tij me atë të Kryeministrit fitimtar është shumë i pafat. Kërcënimet e tij janë aq të padenja, sa ç’janë edhe përpjekjet e tij si humbës për të damkosur zgjedhjet vetëm e vetëm për të maskuar
disfatën e tij”, tha zëdhënësja Mëhilli.

5 Komente

"..Një kryetar në detyrë është një kryetar që bën detyrën dhe detyra që ka kryetari në detyrë është detyra e kryetarit."
 

a e thoni dot tre herë shpejt kët fjalinë më lart ? smiley 

Kjo eshte politika e re?Se po te jete kjo nuk ndryshon fare me te vjetren

 

Ky Rama eshte ftof ne mythe.

Qenka rende puna fare - si do beje protesta PS-ja kur treçereku i udheheqjes se PS para e pas zgjedhjeve, sidomos, ka denuar Ramen dhe ka deklaruar se humbja i faturohet filozofise dhe projektit te Rames? Si mund te ngrihen njerezit ne protesta per mosnjohjen e humbjes kur humbjen e njohin publikisht tere drejtuesit a ish-drejtuesit e PS? Jane ne vete keta? Apo le ta mbajme zvarre vendin deri sa te harrohet humbja e te kalojne 4 vjet kesisoj? Vertet mjerim i madh idesh e mungese totale vizioni..........

PD ne pushtet deri ne 2013, merr edhe zgjedhjet lokale rehat fare ne 2011 e pastaj nese Sala iken, pushtetin e marrin te djathtet e rinj me nje kryetar te ri, sepse keta me siguri do jene shume me atraktive sesa PS-ja e sotme dhe e neserme, me sa duket!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).