Rama nuk është Obama

Rama nuk është Obama”, - kështu thuhej në një nga paragrafët e analizës së “The Economist”, kur në krahasimin që bënte rezultonte se të rinjtë shqiptarë në masë më të madhe kishin votuar PD-në, pavarësisht se Rama është 20 vjet më i ri në moshë se Berisha. Pavarësisht se u mundua të imitonte imazhin e tij duke na u shfaqur mëngëpërveshur (në këtë pikë s’mbeti prapa as Erion Velia), kreu i PS-së harroi se Obama ishte një gjetje politike e demokratëve në Amerikë dhe doli në krye të garës për president pasi mundi më së pari të gjithë rivalët e tij brenda partisë. Nga ana tjetër, sharmi i Obamës nuk përqendrohej vetëm tek imazhi, por tek mesazhi që ai përçoi në popull, gjë që bëri të dilnin në votime i madh e vogël, duke korrur një fitore historike. Në radhë të parë Obama kishte përkrahjen e rinisë, e cila është pjesa më vitale e çdo shoqërie.

Të krahasosh Obamën me Ramën, do të thotë të biesh në mediokritet, sepse janë dy anë të një medaljeje që s’mund të krahasohen kurrë. E gjithë kjo bëhet për faktin e thjeshtë se u tregua shumë zell nga ana e “politikës së re” për të imituar deri në zgrip figurën e Presidentit amerikan, i pari president me ngjyrë në historinë e Amerikës, i cili për atë çka arriti do të futet tashmë në historinë botërore. Por Obama ishte një kandidat potencial, një njeri që nuk i shmangej debatit, pasi e pa si mundësinë më të mirë për të përçuar mesazhin te populli amerikan. Në debatet me Hilari Klintonin dhe senatorin MeCain amerikanët, sidomos të rinjtë, panë shpresën dhe vizionin e tij për Amerikën, i cili ishte vërtet vizioni i një lideri. Në fund la mënjanë mëritë dhe pak para zgjedhjeve deklaroi se rivalja e tij kryesore në zgjedhjet brenda partisë, Hilari Klinton, do të ishte numri dy i presidencës amerikane. Ky, pra, ishte Barak Obama, djali i një emigranti nga Kenia, që çau në botën e vlerave demokratike dhe hapi rrugën e karrierës së tij në bazë të aftësive të veta dhe jo me makinacione politike.

Ndërsa Edi Rama pikësëpari i bëri bisht debatit. U mor me politika përjashtuese dhe sot në Parlamentin shqiptar nuk kemi një PS me vlera përfaqësuese, por kemi “Edin dhe shokët e tij të Bashkisë”. Ramën e pamë në publik vetëm me disa “grupe interesi” në një debat të manipuluar, ku bëheshin pyetje të tipit: “Ju, zoti Rama, keni bërë shumë për Tiranën, do të bëni po kaq dhe për Shqipërinë?” Na u shfaq si misionar, por se me çfarë misioni kishte ardhur nuk e tha kurrë. Përpara militantëve mbante ca fjalime lodhëse, të huazuara nga tekstet e viteve ’50-60, populiste, duke harruar se sot ecet në bazë të programeve. Erdhi në krye të PS-së me një karrierë politike që ia kishin servirur në tavë që nga koha kur Nano ua solli peshqesh socialistëve në Ministrinë e Kulturës. Meritat e qeverive socialiste për heqjen e kioskave i përdori për tri fushata rresht, duke korrur një fitore të pamerituar në Tiranë. Një njeri që në të vetmin debat politik të tij është përballur me Besnik Mustafain në vitin 2000 dhe që nga ajo kohë askush s’mban mend që ky njeri të ketë dalë në një përballje reale politike.

Zgjedhjet në parti i fitoi duke përdorur makinacione aspak të ndershme. Nuk u përball në një debat real as me ish-kryetarin Nano dhe as me kandidatë të tjerë. Fitoi PS-në ndaj Rexhep Mejdanit, një figurë historike e PS-së, por i vendosur në garë simbolikisht. Menjëherë pas marrjes së partisë hoqi dhe portierin apo banakierin e PS-së, me mendimin se ishin njerëz të Nanos. Zëvendësoi strukturat duke vendosur njerëzit e tij në krye të tyre. Për të dhënë një imazh modern të PS-së, pompoi në skenën politike të saj disa të rinj të akuzuar për moralin e tyre të dyshimte, që i kishte marrë nga “Mjaft”. Grupi i PS-së në vend që ta përdorte foltoren e Kuvendit për të shpallur alternativat e tij, u mor më së shumti me fryrjen e bilbilave dhe politikat bllokuese, duke dhënë imazhin e një opozite destruktive, synimi i vetëm i së cilës ishte ikja e Topallit, Kryetare e Kuvendit (!). Vetë Rama pas vitit 2007, kur siguroi mandatit e tretë të kryetarit të Bashkisë, ndërmori një sulm asgjësimi ndaj LSI-së, një forcë politike e dalë nga PS-ja, ndihma e së cilës rezultoi mjaft produktive në zgjedhjet lokale. Duke propozuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë, ai synoi asgjësimin politik të saj, duke shfaqur karakter të pabesë dhe cinik me aleatët. Në asnjë rast Rama nuk arriti të bashkonte opozitën, ashtu siç kishte premtuar, pasi plani i tij ishte të korrte një fitore të madhe dhe të mos ndante me askënd pushtetin. Para zgjedhjeve u dukën dhe kandidaturat e para, të cilat nuk ofronin asgjë. Imazhi i PS-së në më të shumtën e rasteve u bë Erion Braçe, një njeri aspak i besueshëm tek e majta, pa integritet politikani dhe që ka rendur pas çdo kryeministri apo kryetari të PS-së dhe kur ai është rrëzuar, i është kthyer kundër. Kjo ka bërë që integriteti i tij si politikan të mos merret seriozisht as nga vetë të majtët. Eduart Shalësi, që në daljet e tij e shfaqte deri në ekstrem dobësinë për kryetarin Bashkisë së Tiranës duke e imituar deri në detaj, gjë që të shkaktonte një lloj bezdie sa herë e shihje, pasi s’mund të kuptoje se ku mbaronte karakteri i adaptuar i Ramës dhe ku fillonte ai i Shalësit. Rudina Seseri, një figurë anonime dhe që sipas Ramës kishte mbaruar në “Oksford”, në daljen e parë publike shfaqi defiçencë të theksuar në njohjen e realitetit shqiptar, pasi argumentet e saj gjatë një debati televiziv nuk kishin as lartësinë e diskutimit të adoleshenteve që mbushin baret e bllokut. Dhe kështu më radhë me emra të tjerë, për të ardhur në kulmin e fushatës, kur Rama iu shmang listës së kandidatëve, nga frika e humbjes, apo se nuk donte të rriskonte. Në krye të listës së Tiranës, ku listën e djathtë e kryesonte vetë Berisha, ai vuri Vasilika Hysin, një njeri të huazuar nga shoqëria civile, po pa ndonjë kontribut real për të majtën.

Të gjitha këto u tentuan të shiten nga Rama, si politikë e re, por s’bënë gjë tjetër vetëm se thelluan hendekun mes votuesit të ri, sidomos tek ata që kanë një lloj niveli arsimor, që filluan të shohin dalëngadalë shenjat e një despoti te figura e tij. Rreth Ramës u bashkuan më së shumti nostalgjikët e kohës së vjetër dhe ata që kishin interesa të lidhura ngushtë me Ramën, jo si lideri i PS-së, por si kryetar i Bashkisë. Mohimi i të gjitha vlerave që e majta përfaqëson dhe është munduar t’i implementojë tek e ardhmja e këtij vendi, Rama i hodhi në kosh me një të rënë të lapsit, dhe kjo u vu re më së miri te festa e PS-së, ku Rama idenë e një partie të bashkuar kërkoi ta jepte me Hektorin, truprojën e Nanos, dhe me Dritën e dezhurnit të e PS-së, por harroi që në këtë festë t’i dërgonte një ftesë vetë Fatos Nanos. Akoma më keq kur si politikë të re na u servirën sërish Ruçi, Islami apo ndonjë tjetër, të cilët u morën nga Rama dhe u dërguan në sheshin “Demokracia” gjatë hapjes së fushatës. Kjo bëri që pjesa e shëndoshë e elektoratit ta abandonojë dhe t’i kthejë sytë nga alternativa të tjera. LSI-ja apo një parti e re, PSV-’91, që gjithsesi ishin vota që kundërshtonin fort vetë kreun e PS-së, por në asnjë rast PS-në si forcë politike.

Të gjitha këto treguan se Rama e ktheu luftën për pushtet në një luftë për jetë a vdekje, duke sjellë një precedent të rrezikshëm. Fakti që të rinjtë, të cilët janë më të prirur të votojnë ndryshimet, e braktisën dhe në një masë të madhe iu bashkuan PD-së dhe LSI-së, ka kuptimin e saj. E para, ata nuk deshën që Rama të vinte në pushtet duke shfaqur si imazh të rinisë shqiptare klonët e tij; dhe e dyta, këtë spastrim që u krye në PS e panë si një rrezik eventual. Mbas zgjedhjeve Rama tregoi se s’ka asgjë të përbashkët me të renë apo me frymën që ajo servir, në një kohë kur ka organizuar të gjithë makinacionin e propagandës së PS-së për të kontestuar zgjedhjet, të cilat janë jetike për vendin. Po kërkon që koston e humbjes t’ia faturojë një partie tjetër, të cilën kërkoi ta asgjësonte dhe që për shkak të Ramës s’ka asnjë lidhje më me PS-në. Marrëzia e socialistëve kaloi deri aty sa Ruçi, një politikan dhe ministër i kohës së diktaturës, pararojë e trazirave të vitit 1997, paralajmëroi sërish trazira civile. Doli dhe Namik Dokle, edhe ky një politikan i hershëm, që filloi të fliste dokrra në emër të Ramës, në një kohë kur deri disa ditë përpara zgjedhjeve nuk kishte të sigurt as kandidimin. Në vend që të kërkojë përgjegjësin e humbjes, pra vetë kryetarin e saj, PS-ja nuk po na shfaqet më si një parti që ndjek lojën politike, ku ai që fiton krijon qeverinë, ndërsa ai që humbet përgatitet për opozitë, por si një kupolë apo parti paramilitare, që një Zot e di pse e dëshiron kaq shumë pushtetin.

Pra, “The Economist” ka të drejtë. Rama nuk është Obama, madje është shumë larg vlerave që ai shfaqi gjatë fushatës amerikane. Ramës ndoshta do t’i shkonte më shumë për shtat thirrja e Martin Luterkingut: “I have a dream” (“Unë kam një ëndërr&rdquosmiley, por jo si ëndrra e Luterkingut, që ishte fisnike dhe synonte të vendoste barazi mes njerëzve dhe racave. Edi Rama duket se ka një ëndërr të ethshme për pushtet, nuk ka një program, nuk e di se çfarë do të bëjë me këtë vend, thjesht e do këtë pushtet, mundësisht sa më të pakufishëm, megjithëse jetojmë në një demokraci. Vota e 28 qershorit e risolli me këmbë në tokë dhe i tregoi se ata që votojnë janë më inteligjentë se ata që kërkojnë t’i manipulojnë me fjalë të mëdha dhe ide që s’dihet se ku do të çojnë. Vota e 28 qershorit e la Edi Ramën në opozitë, duke i treguar se në këtë sistem kemi nevojë për politikanë dhe liderë dhe jo për misionarë fals, që e kanë bazuar pushtetin në trafiqe votash dhe në parazitizëm. Më 28 qershor fitoi logjika përkundër një marrëzie që synonte të kthehej kolektive, marrëzi e cila sot kërkon të cenojë standardet dhe pengojë integrimin në BE. Pra, për të gjitha këto analiza e asaj medieje prestigjioze ka të drejtë: Rama nuk ka asgjë të përbashkët me Presidentin Obama

18 Komente

 edi rama si obama? cile mendje perverse e ka mendur qofte dhe nje here?

obama ishte i pari president i zi ne amerike, kuse ky donte te behej i pari psikopat kryeminister !

Sado i cmendur te duket krahasimi, Rama dhe Veliaj kishin nje gare te brendshme se kush i ngjan me shume Obames, sigurisht jo ne permbajtje te programit, te mesazhit apo vizionit, por ne disa cingla-mingla look-u si perveshja e mengeve apo gjoja imitimi ne te folur gjate fjalimeve.

Bravo Mandi, analize shume e mire qe jep nje pamje te qarte te shkaqeve te deshtimit elektoral te Rames.

Pse yje mik, te eshte permiresuar dora mjaft, jo se nuk e ke pasur me pare, por e kishe te kufizuar mundesine per ta shprehur.

Kur çdokush mundohet te imitoje dike tjeter ne gjithçka ,ky çdokush eshte pa personalitet e individualitet...Fare ..e keshtu kerkon te marre karakteristikat e dikujt tjeter...Eshte shume e mjere dhe asnjehere e sukseshme e aq me pak per nje politikan

"Barak Obama, djali i një emigranti nga Kenia, që çau në botën e vlerave demokratike dhe hapi rrugën e karrierës së tij në bazë të aftësive të veta dhe jo me makinacione politike." cliché klasike dhe gjysem e vertete. 

Ne pergjithsi imitimi i te tjereve eshte mungese personaliteti ashtu sic permendet edhe me lart. Kshu ndodhi edhe me kto dy politikanet e vegjel shqiptare. Vertet u munduan te tregonin se i ngjajne figurave si Obama etj, por ama e moren ate qe meritonin. Elektorati ne ditet e sotme te pyt "si je" (dhe jo "si ke qene&quotsmiley, po ashtu te drejton pytjen tjeter " cke bere" dhe jo "cdo te besh".

Tani kjo qe thote ky tipi esht ndonje zbulim,apo cfare? .smiley  Apo eshte vaksin kolektive avnanoshkaktuese qe u behet trubluve,per tu ndier "superior" per fitoren histo(e)rike qe moren.smiley

Shyqyr Armando, që na qartësove me shkrimin tënd, aspak mediokër, që Rama nuk na qenka Obama  - se përpak e ngatërruam ne, mediokrët...

(Armandoja, aspak mediokër, e paska pasur shumë merak, mos ndokush i zinte vendin Obamës. Prandaj dhe Armandoja, aspak mediokër, na e analizoi dhe një herë analizën e 'The Economist'-it. Madje na e serviri analizën bashkë me nje garniturë ekstra mllefi dhe pështyme, në shkrimin e tij, aspak mediokër. Bravo, Armando! Dhe mos e ki hiç merak, mediokër nuk je aspak!)

kam shume nevoje qe dikush te me shpjegoje me ndonje argument mundesisht shkencor smiley se si ka mundesi qe tani, me shume se kurdohere tjeter ka nje eksitim te jashtezakonshem te disa njerez per te shkrojtur gjithe te zezat per Ramen. Ne ka nje gje per te cilen une nuk e kam mbeshtetur Ramen ka qene pikerisht kjo: qe ndryshe nga Berisha, ai eshte aq i afte te terheqe pas vetes jo vetem ata qe e duan, por sidomos ata qe e urrejne. Cte ben te urresh me kaq devotshmeri nje njeri?

 

 

klajdi, zor se mund të gjesh ndonjë argument për këtë, e aq më pak shkencor. Eksitimi i këtij lloji, me jargë që u kullojnë nga gojët, duhet të burojë nga skuta të errëta të karakterit njerëzor, të njerëzve të vegjël të tipit Armando, ose të fosileve alla Fevziu, që kanë 18 vjet që bëjnë-në-vend-numëro, dhe e nxjerrin mllefin për vogëlsine dhe impotencën e tyre, tek çdokush që u vë pasqyrën përpara, ku ata shohin meskinitetin e tyre.

po pra, kete hipoteze mendoj dhe une. Tani me duhen argumenta mundesisht nga shkencat sociale qe te me bejne te bindem ose te dyshoj me shume smiley Sepse pa patur keto, cdo debat me rob qe kane kete sindrome, do te ishte jashtezakonisht e pavlere, sinqerisht. Sepse, i bie qe argumentat e kujtdo qe ka keto sindroma, te jene biologjikisht te motivuara, gje qe e ben te pavlere debatin. E tmerrshme, te kem arritur deri ketu sa te trembem e te besoj te dyshimet smiley(((( po sinqerisht keto sindromat nuk jane kaq lehtesisht te shpjegueshme me militantizmin, duhet te jene shume me lokale, shume me te specifikuara e shume me ekskluzivisht te lidhura me Shqiperine....

Armand shkrim shume objektiv por nuk ja vlen te merresh me me Ramen sepse sistemi e coi atje ku e meritonte (tek pjata makaronave). Edi do ngelet gjithmone ne zemrat e socialisteve te peshkut te cilet kane filluar vrullshem luften per keto 4 vite te tjera te gjata ne opozite. smiley

Hej macosx, kush të ka eksituar kaq shumë, Rama, Berisha apo Armandoja? Apo kështu je gjithmonë ti? Dhe mos u gëzo shumë per keto 4 vjet - nxirrni tutje 14 muaj një herë, pastaj flasim prapë (para 14 ditësh sokëllinit rrugëve të Tiranës për 14% diferencë, kurse tani ju ranë veshët e shkoni ne shtrat me Metën per 4 vota)

Gjilpera rilexoje veten tende dhe do vesh re nje eksitim te fuqishem te fshehur keq brenda fjaleve te tua. Kur permendet Rama ju reagoni sikur ju kap te pika G o Gjilpereeee. Ju humbet o Gjilpere futi vetes nje Gjilpere qe te zgjohesh nga endrra dhe leri perrallat. Ne sigurisht qe do bashkepunonim me Meten sepse duam pushtetin njesoj sic e do kryetari jot Rama qe ka filluar te injektoje Demerol per te heq dhimbjet e humbjes o Gjilpereee.

Je ti që kërceve përpjetë nga një e shpuar gjilpëre, më duket... Eksitimi i natës së 28 Qershorit po ju del shumë ngadalë, sic duket, dhe tani keni filluar t'i ngreni hymne Berishës së vogël. Cudi, fituesit tingëllojnë ndryshe...

Ore ta perseris prape po deshe. Rrofte Meta. smiley

Macocx je shume i madh fundin e Rames do e pesoje Ruci e gjinushi menoj dhe ato do ngelen ne zemrat e tyre...

Po si te behej Rama si Obama ?? Mos jane valle gje shqipot si amerikanët ??

pfffff... bejini ndonje statuje Berishes, qe ta terheqim si qen rrugeve te Tiranes, siç terhoqem Enver Hoxhen smiley

Faleminderit nje here per te gjithe ata qe kane marre mundimin te hedhin nje koment per shkrimin tim.  Qofte dhe ata qe se kane pelqyer. Tek e fundit ne rast se nuk rrihen mendimet ska debat. Por sa per sqarim, po lexoja dhe nje editorial te kolegut tim Andi Bushati, te cilin e vleresoj per pavaresine e mendimit qe ka. Dhe ai pak a shume ishte ne nje mendje me mua se Edi Rama duhet te largohet, sepse ne jemi ithtare te nje opozite te forte. Rama ne krye te PS-se eshte figura me e konsumuar per vete faktin se ka 12 vjet ne pushtet dhe eshte perfshire ne jo pak afera. Tashmke e ka katandisur opoziten, ne nje opozite klienteliste,  ku per parime eshte gjeja e fundit qe flitet. "Dhe për hir të kësaj të vërtete, duhet thënë se kjo përpjekje u nis nga Edi Rama dhe ithtarët e vjetër të politikës së re, vetëm pasi ata panë se humbja e tyre ishte e pashmangshme. Vetëm pas kësaj filloi nxjerrja e turmave në rrugë. Vetëm pas kësaj u artikuluan kërcënimet për protesta nga një Parti Socialiste që del në rrugë, sa herë ka hall kryetari i saj (që ka bërtitur më fort për shembjen e “Zogut të Zi”, sesa për krimin e Gërdecit)" thote Bushati. Pra te dashur miq. E kam thene dhe me pare qe nderrimi i pushteteve nuk eshte gje tjeter vetem se shendoshje e demokracise, por marrja e pushtetit nga nje parti okulte sicc eshte shnderruar PS, eshte rrezik per kete vend. Nje njeri qe me kodin qe harto, zbatoi dhe monitoroi vete ankohet tani per vjedhje votash, sepse kerkon te cenoje jo vetem nje standard te vendosur ne PS, qe duhet te jete shembull per te gjithe, por edhe nje interes madhor sic eshte integrimi i vendit, atehere ajo mertion te qendroje ne opozite. Dhe ne rast se ne kater vjet serish socialistet nuk do arrijne te rinovonohen, atehere meritojne te qendrojne ne opozite dhe nje kater vjeccar tjeter, dhe nje tjeter e keshtu me radhe. Shqiperia ska kohe dhe as kellqe per eksperimente te rrezikshme. Mbetshi me shendet

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).