Qeveria po kthehet me këmbë në tokë

Qeveria aktuale dhe ajo e vazhdimësisë që pritet të krijohet në shtator, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, do të ketë një detyrë të vështirë përpara. Ajo duhet të përballet - dhe siç duket tashmë është e vetëdijshme për këtë - me dy probleme kryesore emergjente: gjendjen e rënduar të financave të shtetit dhe pasojat e krizës globale.

Situata paraqitet veçanërisht delikate me financat e buxhetit, që në fund të muajit maj kishin 7.5 miliard lekë më pak se plani në të hyrat buxhetore, kur nga ana tjetër ritmika e shpenzimeve buxhetore ka qenë mjaft e lartë, duke çuar në thellimin e ndjeshëm të deficitit buxhetor, që ishte 30% më i lartë se plani për pesëmujorin dhe katër herë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë (vetëm për rrugën Durrës-Kukës janë shpenzuar mesatarisht nga 4 miliard lekë në muaj përgjatë 5 muajve të parë, ose pothuajse gjysma e shpenzimeve kapitale).

Ndaj, admimistrimi i buxhetit mbetet sfida më emergjente e qeverisë së re, në një kohë që rritja minimale e të ardhurave nga TVSH tregon se biznesi po përballet me një ngadalësim të qarkullimit të aktivitetit ekonomik dhe situata nuk pritet të ketë një përmirësim të shpejtë, të paktën në afatin e shkurtër, duke nënkuptuar që ritmi i mbledhjes së të ardhurave mund të vazhdojë të jetë i ulët. Dhe të dhënat paraprake për muajin qershor flasim se realizimi i planeve të tatimeve ka qenë mjaft i ulët, vetëm 93%, kur në 5 muajt e parë të vitit ai kishte qenë në nivele të kënaqshme.

Në fakt, që në mbledhjen e saj të parë, qeveria duket se po reagon, me kërkesën e kryeministrit për një shkurtim të shpenzimeve administrative dhe vendimit të shpejtë për rritjen e akcizave për disa mallra, që në fakt do të transmetohet direkt mbi çmimet e konsumit. Akciza do të jetë e vetmja taksë që mund të pësojë rritje, ndërsa për tatimin mbi të ardhurat, tatim fitimin dhe TVSH-në është bërë e qartë se nuk do të ketë ndryshime.
Në këtë situatë është normale dhe që ritmika e kryerjes së shpenzimeve buxhetore nuk do të jetë aq e lartë sa në 6 muajt e parë të vitit, zhvillim ky, që nga njëra anë do të ndikojë pozitivisht në drejtim të tkurrjes së deficitit buxhetor dhe nga ana tjetër do të reduktojë efektin pozitiv që kishte hedhja e këtyre parave në ekonomi, së bashku me shpenzimet e shumta elektorale të kryera deri tani.          

Kriza mbetet problemi tjetër emergjent, që qeveria tani nuk e kishte marrë seriozisht. Deklarimet e fundit të Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë se rritja ekonomike e vendit për këtë vit do të jetë mjaft e ulët. Këto deklarime mbështeten nga ecuria e treguesve kryesorë ekonomikë përgjatë muajve të parë të vitit si ngadalësimi i kredisë në banka; problemet që po has biznesi me likuiditetet dhe rënien e kërkesës, tkurrja e ndjeshme e eksporteve, tendencat zhvlerësuese të lekut në 5 muajt e parë të vitit, ngadalësimi i prurjeve të emigratëve dhe nje stepje shpesh dhe psikologjike e konsumatorëve për të bërë shpenzime të mëdha, sidomos në blerje apartamentesh.

Nuk është bërë ende e qartë, nëse kriza ka prekur fundin e saj në vendin tonë siç shpresohet se po ndodh në botë, por për fatin tonë të mirë ekonomia globale pritet të rimëkëmbet (zhvillim që do të ndikojë pozitivisht mbi eksportet), leku po bëhet më i fortë, ardhjet e turistëve dhe emigrantëve pritet të ndikojnë pozitivisht mbi konsumin, depozitat kanë rifilluar rritjen dhe pritshmëritë e biznesve janë më optimiste (shiko shkrimin në faqet e brendshme). Por më shumë sesa reagimi i masave anti-krizë të marra nga qeveria, ky përmirësim lidhet kryesisht me aftësitë vetë-rigjeneruese të ekonomisë vendase.

Gjithsesi, më e rëndësishme është, që me mbarimin e procesit zgjedhor qeveria, e çliruar nga tensioni i deritanishëm elektoral (që në një farë mënyre e “detyronte” t’i mbante pasojat e krizës të pashfaqura), duhet se do të jetë më direkte në pranimin e efekteve të krizës dhe përgatiten e një plani masash për t’u përballur me të. Do të jenë këto dy çështje (administrimi i buxhetit dhe menaxhimi i efeteve të krizës) që do të konsumojnë energjitë e qeverisë së re të paktën deri në fund të këtij viti.

2 Komente

Qeveria mund te jete pak me vonese ne kete drejtim, shiko psh kursin e kembimit i cili s'po ulet qe s'ulet. Po fillojne te qarkullojne thashetheme per Euro me vlere 150 lek nga fundi i vitit dhe kjo s'ka per te ndikuar per mire ne koston e jeteses se popullsise.

 S'paska gjo ne vije, neqoftese u rreshqet nga duart situata financiare e sidomos kursi i kembimit. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).