Që të mos fshihemi pas gishtit

Një i varfër udhëton në një makinë luksi mund të gënjejë me imazhin e të pasurit por kurrsesi nuk është i tillë edhe sikur të harxhojë të gjitha ekstremet e mundësive të tij financiare. Kështu ndodh edhe me ekonominë shqiptare. Rritjes ekonomike 6 përqind (makina) që shpalli së fundmi INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2009, nuk do të thotë që me të njëjtin luks i përgjigjen gjithë aktorët e saj (drejtuesi i mjetit). Në shkrimin kryesor të këtij numri me titull “Çfarë “fshihet” pas rritjes”, revista Monitor ka analizuar ecurinë e të gjithë sektorëve të ekonomisë, tre mujorin e parë të vitit 2009, të cilët së bashku prodhuan një rezultat 6% rritje ekonomike. Ky rezultat mbetet i pakontenstuar për sa kohë nuk ka asnjë institucion tjetër zyrtar apo me reputacion të njohur të kundërshtojë atë, përpos edhe faktit që INSTAT mbetet institucioni mbi të cilin është bazuar projeksioni dhe rezulatet ekonomike të gjithë këtyre viteve, nga të gjitha qeveritë, që prej krijimit të tij. Por po kaq të pakontenstuara mbeten shifrat zyrtare si nga Ministria e Financave ashtu edhe nga INSTAT, se kriza ndërkombëtare infektoi ekonominë kombëtare duke prekur sektorët që kanë numrin më të madh të të punësuarve dhe duke prodhuar papunësi. E pakontenstueshme mbetet  edhe shifra që kriza ka shkaktuar rënie të konsumit duke u reflektuar edhe në rënien e mbledhjes së TVSH-së, apo se kanë rënë të ardhurat e familjeve të varfëra janë cënuar ndjeshëm nga kriza (lexo më hollësisht shkrimin). Të pakontestueshme dhe vërtetuar zyrtarisht janë edhe treguesit e uljes së kreditimit të ekonomisë duke filluar që nga tremujori i fundit i vitit 2008 duke vijuar më tej përgjatë gjithë gjysmës së parë të këtij viti.

Analiza e ecurisë së burimeve dhe faktorëve që çuan në rritjen ekonomike 6% na çon në dy konkluzione të rëndësishme: që orientimi i politikave buxhetore për rritjen e shpenzimeve për investime në kohë krize dha një rezultat të pëlqyeshëm me rritje ekonomike 6% sipas INSTAT, megjithëse edhe këtu ka kontestime pasi pjesa më e madhe  e tyre u përqëndruan në projekete të mëdha të cilat nuk rritën punësimin. (lexo shkrimin “Bechtel Enka, “rrëmben” tregun e ndërtimit). Megjithatë konkluzioni i dytë është se ky tregues, i vetëm, megjithëse i rëndësishëm nuk mund të tregojë plotësisht dhe qartazi se çfarë ndodh në ekonominë reale. Ai është një sinjal optimist dhe shpresëdhënës për biznesin dhe konsumatorin por “fsheh” si i varfëri hipur në një makinë luksi, tregues të tjerë që kanë të bëjnë me papunësinë, dhe mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave që vjen nga kjo rritje. Është e vërtetë që këto dy çështjet e fundit kanë qenë dhe mbeten shqetësime të ekonomisë shqiptare jo vetëm në kohë krize, por të fshihesh vetëm pas rritjes ekonomike është si të fshihesh pas gishtit.

1 Komente

Ka kohe per grumbullimin e pasurise, ka kohe per rishpendarjen e pasurise. E dyta nuk ka ardhur akoma.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).