Pritet rritje e çmimit të duhanit dhe pijeve alkoolike

Gazeta Agon

Qeveria rrit barrën fiskale për mallrat e luksit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është vendosur që të rritet akciza për pijet alkoolike, kafen dhe duhanin. Vendimi synon përafrimin e nivelit të akcizës, për këtë kategori mallrash, me nivelet e rajonit, si dhe me nivelet e Bashkimit Europian. Rritja e akcizës për këto mallra pritet që të shoqërohet me rritjen e çmimit të tyre në treg.

Gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria vendosi edhe rritjen e taksës së tabelave të reklamave, në qytetet dhe rrugët e vendit. Kryeministri u shpreh se kjo masë ndërmerret për t'u ardhur në ndihmë autoriteteve vendore dhe për të kufizuar në një shkallë ndotjen vizive që transmetojnë reklamat, në rrugët dhe qytetet e vendit. "Do të rritet në mënyrë të ndjeshme taksa e tabelave të reklamave, në qytetet dhe rrugët e Shqipërisë. Deri më sot, kjo taksë ka qenë shumë e ulët, ka qenë qesharake, ndërsa tani merr një vlerë të re, të rëndësishme. Kjo masë ndërmerret për të ndihmuar autoritetet vendore, por edhe për ta kufizuar në një shkallë ndotjen vizive që japin reklamat për të cilat sot ka tendencë botërore drejt kufizimit të tyre”,- ka deklaruar Berisha. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ”Për lojërat e fatit”, i cili ka si qëllim rishikimin e niveleve të tarifave fikse për kazinotë, duke rritur nivelin e tyre, në krahasim me nivelet që aplikohen aktualisht.

 

Miratohet skema e re për rimbursimin e TVSH-së

Qeveria ka miratuar skemën e re të rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, të premtuar gjatë fushatës elektorale. Skema parashikon që rimbursimi i TVSH-së për bizneset të bëhet brenda 30 ditësh. Në të kundërt, kompanitë do të ndërpresin pagimin e taksave dhe tatimeve. "Autoriteti tatimor është i detyruar të rimbursojë TVSH-në për sipërmarrësit brenda një muaji, ose në të kundërt do të zbatohet parimi ‘heshtja është miratim'. Ky vendim merret në vijim të mbajtjes së premtimeve elektorale",- ka deklaruar kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Kreu i qeverisë ka shpjeguar se sipërmarrësit do të plotësojnë formularin dhe do ta nisin atë, por nuk do të derdhin gjë derisa të arrihet shuma e TVSH-së. "Ky ka qenë një premtim shumë i goditur dhe kjo i jep fund njëherë e mirë arbitraritetit të shtetit, i cili nuk ka qenë i ekzagjeruar, por ka ekzistuar dhe kjo nuk duhet të ndodhë", - ka vijuar kryeministri Berisha. Sipas tij, me këtë standard të ri, Shqipëria vendos një parim shumë të ndershëm dhe lehtësues për biznesin.

Mosrimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ka qenë një ndër ankesat kryesore të sipërmarrjes private, vendase dhe të huaja për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ligji në fuqi parashikon që administrata ta rimbursojë biznesin brenda një muaji, por ky afat nuk zbatohet kurrë. Madje, rimbursimi i TVSH-së ka raste që zgjat edhe me vite. Moslikuidimi i biznesit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar u krijon probleme financiare subjekteve private. Pasi bëhet fjalë për shuma që llogariten në miliona lekë dhe që për sipërmarrjen do të thotë likuiditet për të paguar punonjësit, rritur nivelin e prodhimit dhe për të respektuar kontratat me partnerët e huaj. Rimbursimi në kohë i TVSH-së ishte edhe një ndër rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë periudhë të krizës globale, në mënyrë që biznesi t’i përballonte me lehtësi efektet e saj. Duke zbatuar këtë sugjerim, qeveria urdhëroi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e saj në rrethe që të kryenin procesin e rimbursimit të TVSH-së për bizneset brenda afateve ligjorë. Por edhe pse ky proces është përshpejtuar, veçanërisht për sa u përket fasonistëve, si subjektet më të prekur nga kriza, përsëri ka probleme. Sipas ekspertëve të fushës, një ndër faktorët kryesorë që pengon administratën tatimore të realizojë rimbursimin, sipas ligjit, është realizimi i planit.

Pune me tre turne për ndërtuesit e veprave publike

Firmat e ndërtimit , të angazhuara në vepra publike do të punojnë me tre turne.

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministri I Punëve Publike ngritjen e një Task- Force, për ndjekjen dhe zbatimin me përpikëri të këtij vendimi. Duke vlerësuar shumë të rëndësishëm faktorin kohë, kreu i qeverisë paralajmëroi masa ligjore për ata që nuk e zbatojnë këtë vendim. “Zoti ministër i Punëve Publike, konstatohet se një seri firmash nuk punojnë turni i tretë. Kërkoj ngritjen e një Task- Force nën drejtimin tuaj personal dhe zbatimin me rigorozitetin më të madh të ligjit. Koha është më e çmuara për ne. Këta zotërinj kur fitojnë tenderët, e pranojnë vendimin e qeverisë për punën me tre turne. Natyrisht ky vendim nuk mund të zbatohet në çdo kohë klimaterike, por tani e deri në tetor, ai që nuk e zbaton këtë vendim, duhet të ndëshkohet në përputhje me ligjin. Ndëshkimet janë të mjaftueshme, por po të jetë e nevojshme, do t’i shtojmë. Çdo kompani duhet ta ketë të qartë se për ne koha ka çmimin më të lartë”,- ka deklaruar Berisha. Në këtë mënyrë, qeveria synon që të realizojë investimet publike brenda afateve të parashikuara në kontratë.

2 Komente

 Ku do te shkojne taksat ekstra? Do te isha dakort nese taksa ekstra do ti shkonte 100% shendetit publik. 

 "....por tani e deri në tetor, ai që nuk e zbaton këtë vendim, duhet të ndëshkohet në përputhje me ligjin. Ndëshkimet janë të mjaftueshme, por po të jetë e nevojshme, do t’i shtojmë. Çdo kompani duhet ta ketë të qartë se për ne koha ka çmimin më të lartë”,- ka deklaruar Berisha..." 

 

Gjer dje, Buall Mavria, nuk ishte dhe kaq i zgjuar. Si duket, keshillimi me ekspertet e fushave te ndryshme e ka ndryshuar disi. Tani e kuptoj une pse Mavria ka deshire te rrije vazhdimisht ne pushtet. Imagjinoni nje hajvan, qe i vijne lloj-lloj ekspertesh, qe ne forme lutjesh i sugjerojne gjerat me te mira, me shkencore, se si do te ndihej ky i paafte. Do te fryhej si gjel, do te paraqitej mese i kenaqur, dhe do te fliste pikerisht ato qe i kane paraqitur ekspertet/keshilltaret. Ndryshimi do te ishte se keshilltaret/ekspertet, i paraqisin punimet, projektet, me ze normal, me pak emocione, ndersa Buall Mavria i paraqet me patos, plot emocion , gati-gati si te tijat.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).