Politika rigoroze apo dalje e butë nga kriza?

Në pamje të parë duket si një pyetje teorike që kërkon edhe një përgjigje po kaq teorike. Pra, një çështje e akademikëve që ia kanë ngenë në këtë kohë të komplikuar post-zgjedhore, krize e dilemash për qeverisjen e ardhshme të merren me grindjet e tyre klasike. Apo më shumë se kaq, si një dilemë apo debat i tejkaluar nga koha që i përket më shumë sirtarëve të historisë se sa realitetit të sotëm. Bile dhe personalitete nga më të lartat politike të vendit, kur u pyetën gjatë gjithë fushatës elektorale për qëndrimet e tyre ndaj një dileme të tillë, u përgjigjën me buzëqeshje se i njohin të dy qëndrimet, se kjo është një pyetje interesante, por që është më mirë të diskutohet në auditor apo në kohë më të qeta se sa një fushatë zgjedhore.  Ndoshta është dhe kështu, por qeverisja e katër viteve në vazhdim duhet ta përballojë me një përgjigje direkte këtë pyetje, si në nivel afatshkurtër ashtu dhe në atë afatmesëm.
Treguesit ekonomiko-financiarë dhe ata të papunësisë në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, me gjithë disa shenja zbutjeje, vazhdojnë të evidentojnë prezencën e krizës dhe shtrirjen e saj, të paktën edhe për 6-12 muajt e ardhshëm. Konjuktura ekonomiko-financiare shqiptare do vazhdojë të jetë e kërcënuar prej saj, pa harruar t’i shtojmë asaj problemet dhe defektet e brendshme strukturore që kjo krizë na i zbuloi si dhe situatën “pas-zgjedhore” që kur është fjala për realizimin e buxhetit, investimet publike, të ardhurat, deficitin tregtar e atë të bilancit të pagesave, borxhin e brendshëm e të jashtëm etj., ka rezultuar e vështirë për gjithë qeveritë shqiptare të periudhës së tranzicionit.
Në fushatat e programet elektorale dhe më pas në ato qeverisëse duhet menduar më shumë për problemet thelbësore të rritjes ekonomike e të zhvillimit… për sistemin e taksave dhe investimet publike… për ngarkesën fiskale dhe shërbimet publike…për modelin e rritjes dhe shpërndarjen e efekteve saj etj. Pikërisht këtu mendoj se qëndron dhe problemi i vërtetë. Të jesh liberal, pra të preferosh më shumë Hayek-un apo Fridmanin, apo të jesh intervencionist e keynesianist, pra të preferosh Keynesin, Modilianin, Samuelsonin etj., nuk do të thotë të jesh “tifoz” me njërin prej tyre, se thjesht e preferon apo nuk e pranon “të majtën e të djathtën”, apo të tregosh se ke kulturën e nevojshme ekonomike në këtë fushë. Thelbi i çështjes është më shumë se kaq, sidomos në sferën politike, analizat mediatike apo vendimmarrje administrative. Ajo që na mungon më shumë në këtë këndvështrim është koherenca, apo akoma më keq se kaq, tendenca për të krijuar amalgame me elemente të veçanta të secilës prej tyre.
Përgjigja dhe reagimet politike e institucionale ndaj një pyetjeje të tillë duhen parë të lidhura ngushtë me disa çështje themelore. Më e rëndësishmja për momentin duket se ka të bëjë me thelbin e politikave afatshkurtra me një shtrirje kohore 12-18 muaj në kuadrin e një “qëndrimi” të përbashkët ndaj evolucionit dhe trajektores së mundshme të zhvillimit të krizës. Uniformiteti i deritashëm i vlerësimeve pesimiste mbi ekonominë botërore në recesion dhe efektet e rënda të krizës financiare duket se po fillojnë të ndryshojnë. OECD, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim që grupon 32 vendet më të zhvilluara të planetit, bën publik një konkluzion shpresëdhënës: momenti më i vështirë dhe më problematik i krizës duket se është kaluar. Ndryshe nga pesimizmi i vazhdueshëm Bankës Botërore, prudencës së FMN-së dhe optimizmit të moderuar evropian, OECD vlerëson se ekonomitë e vendeve të zhvilluara si SHBA, Gjermania, Franca, Japonia, Italia etj., ato të “ekonomive emergjente” si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut dhe Meksika apo dhe disa vendeve në zhvillim, po fillojnë të japin sinjale pozitive. Edhe J.C.Trichet, Presidenti i Bankës Qendrore Europiane nënvizon se “ritmet rënëse të ekonomisë evropiane do të jenë më të vogla në 6-mujorin e dytë të 2009, mundet të shkojnë drejt stabilizimit në fillim të 2010 për të arritur në një dalje nga kjo situatë e krizës në fund të 2010. Kjo tendencë me siguri që do të reflektohet edhe në ekonominë shqiptare. Prandaj, përtej vlerësimeve politike se “në Shqipëri nuk ka krizë... ne nuk jemi prekur dhe nuk do prekemi nga kriza” dhe atyre të tipit “vendi po kalon një krizë të rëndë dhe ne kemi një plan imediat për ta nxjerrë nga kriza”, vlerësime që me sa duket do jenë dy zëra të ndryshëm në të njëjtën qeveri, duhet t’i përgjigjemi me disa politika apo masa ekonomike specifike.
Çështja më e rëndësishme qëndron në pikëpyetjen: do ndërhyjmë rigorozisht dhe shpejt për të ndrequr e ekuilibruar çdo “diz-ekuilibër makroekonomik” apo duhet ta shtrijmë pak në kohë këtë politikë? Duhet t’i rikthehemi dhe t’i qëndrojmë fort pozicionit të rigorozitetit buxhetor apo të vazhdojmë me “lëshime të vogla” kur është fjala për deficitin buxhetor, borxhin e brendshëm e të jashtëm, investimet publike, inflacionin etj.? Çështja bëhet imediate po të kemi parasysh faktin se 31 gushti është data e fundit e dorëzimit të propozimeve nga ministritë e ndryshme në Ministrinë e Financave. Disa nga “rekomandimet” dhe “sugjerimet” e institucioneve ndërkombëtare në këtë drejtim, përfshirë këtu dhe grupin e vendeve në zhvillim, ku bën pjesë dhe Shqipëria, kërkojnë “më pak ortodoksi” në politikat afatshkurtra ekonomike e financiare. Me fjalë të tjera, sipas sekretarit të përgjithshëm të OECD, Angel Gurria, kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme 6-12 mujore “nuk duhen marrë masa të menjëhershme e drastike të rigorozitetit buxhetor e monetar”, sepse një “privilegjim i menjëhershëm i tyre mund të kufizonte mundësitë e ekonomive të mjaft vendeve për të dalë normalisht dhe relativisht butë nga kriza”. Duket se me këtë “qëndrim” po bie dakord edhe FMN-ja.
Më shumë keynesianiste se asnjëherë, OECD-ja bën vazhdimisht thirrje për “konsolidimin e financave publike”, por “pak më vonë” se periudha e muajve në vazhdim. Pra, duket se “rigoroziteti total” pritet të rithirret në skenë në 6-mujorin e dytë të 2010. Vazhdimi i shpenzimeve publike, sidomos në ata sektorë e rajone ku impakti pozitiv në rritjen e punësimit dhe mbështetjen e prodhimit vendas është më i lartë, lehtësimi maksimal i “ngarkesës fiskale” dhe ndërhyrjeve të natyrës “rregulluese” të bizneseve përfshirë këtu edhe çështjen e gjykatës administrative dhe rimbursimit të TVSH si dhe nxitja e mbështetja e konsumit të brendshëm si konsum prodhues final apo thjesht familjar, harmonizimi sa më i mirë i politikave fiskale me ato monetare duhet të jenë orientimet prioritare në këtë periudhë delikate të “fillimit të daljes nga kriza”, ose siç shprehen disa ekonomistë “të kalimit të së keqes më të madhe”. Sistemet bankare të shumicës së vendeve të botës, përfshirë këtu dhe Shqipërinë i rezistuan mirë krizës financiare dhe në momentin e tanishëm janë një garanci më shumë se mund të menaxhojnë si situatat deflacioniste aktuale, ashtu dhe kërcënimet e mundshme inflacioniste të ardhshme. Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm dhe një “mandat” më evident ndërkombëtar duket se ka marrë FMN-ja. Në Shqipëri, debati mbi FMN-në duket i mbyllur ose më së pakti i ngrirë. Duhet apo nuk duhet “ta rikthejmë”, qoftë edhe me një status apo rol të ri, jo aq imponues dhe rigoroz sa ai i tre marrëveshjeve të mëparshme? Pa dashur të fiksoj thjesht një pozicion pragmatik, mendoj se prezenca dhe roli i FMN-së në Shqipëri duhet rivlerësuar me prudencë. Së fundmi, inicimi nga ana e FMN-së e një linje të re e mjaft të konsiderueshme kreditimi, të cilësuar si të “modifikueshme” e pa kushtëzime paraprake të destinuar për vendet në vështirësi financiare si dhe ato që kanë nevoja të domosdoshme për të mbështetur zhvillimin ekonomiko-social të tyre në vitet në vazhdim, është ndoshta një thirrje “për reflektim” dhe moderim të pozicionit tonë. Disa vende të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore e Lindore janë duke përfituar jo pak nga këto lloj kredish të reja të FMN-së, të cilat natyrisht kanë dhe “detyrimet” e tyre që lidhen me një disiplinën e domosdoshme financiare, por që në këtë rast kanë mjaft më pak “imponime” në krahasim me më parë. Për më tepër që FMN-ja po merr dhe një mandat të qartë ndërkombëtar si një nga menaxhueset dhe certifikueset e mjaft politikave financiare e ekonomike në këtë periudhë të komplikuar “krize”, “të fillimit të daljes nga kriza” apo pak më vonë në një periudhë “post-krizë”. Ndërkohë që e “humbëm trenin” e bërjes së një strategjie anti-krizë duke mos pasur gjithashtu dhe një “inventar” të saktë e realist se sa jemi e ku jemi prekur prej saj, të paktën të ndjekim trendin e shumë vendeve të botës që po kalojnë në hartimin e strategjive dhe masave specifike “të skenarëve të daljes nga kriza” dhe “rifillimit të rritjes ekonomike me trendet normale shumëvjeçare”. Besoj, se më shumë se gjithçka edhe ne na duhet një strategji e qartë dhe sa më konsensuale zhvillimi ekonomiko-social perspektiv. Koalicionet politike dhe qeverisëse mund të jenë të çuditshme, pragmatike, të qëndrueshme apo fluide, por strategjia e zhvillimit ekonomik dhe politikat konkrete të zbatimit të saj duhet të jenë veçse “të qëndrueshme” duke reflektuar maksimumin e mundshëm të konsensusit kombëtar. Përvoja e fushatës së fundit elektorale ku më pak se çdo gjë u fol dhe u debatua për “Strategjinë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit” që është, ose duhet të jetë, dokumenti themelor orientues dhe përcaktues i zhvillimit, është indikatori më evident, ndonëse negativ, për subjektivizmin që vazhdon të na karakterizojë kur është fjala për stabilitetin dhe ecurinë e rritjes ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm perspektiv të vendit. Buxheti i vitit 2010 duhet të rezultojë një provë e qartë e kësaj logjike.

2 Komente

nese shpenzimet parazgjedhore kane bere te njejten gje qe do te benin paketat antikrize, perse duhet te shqetesohemi. A ka ndonje llaf apo studim nga economistet ne Tirane per efektet e rritjes se shpenzimeve publike ne 1) rritjen ekonomike dhe 2) qendrueshmerine makroekonomike.

Ne pergjithesi artikull i mire nese harron qe eshte shkruar nga nje ekonomist.

Shqetesimi i ngritur ketu eshte qe pjesa me e madhe e shpenzimeve parazgjedhore (Durres-Kukes) ka dale jashte vendit, duke mos arritur keshtu qe te nxisi konsumin/prodhimin.

Per me keq akoma, parate jane hedhur vetem ne infrastrukture, dhe pavarsisht gjithe te mirave te kesaj taktike, nje pjese e tyre duhet te ishin hedhur ne zhvillim/rritje aftesish te prodhimit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).