Plazhi i Gjeneralit, mrekullia e panjohur e Adriatikut

Plazhi ndodhet midis dy kepave shkëmbore në Rivierën e kodrave të Kryevidhit të Kavajës

Plazhi i Gjeneralit pak vite më parë ishte gati-gati një gojëdhënë e treguar prej atyre pak njerëzve të pasionuar, të cilin kishin patur fatin ta shihnin dhe të provonin ujërat e pastërta të Adriatikut, duke eksploruar kodrat në perëndim të Kavajës. Vetëm 20 km larg qytetit, plazhi me gjatësi 400 metra dhe gjërësi 50 metra, ishte pagëzuar me gradën e një gjenerali italian, i cili para Luftës së Dytë Botërore mbërrinte për pushime familjarisht këtu me një jaht personal. Plazhi që ndodhet midis dy kepave shkëmbore dhe është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit është me siguri më i bukuri dhe më i pastërti në gjithë Rivierën e kodrave të Kryevidhit të rrethit të Kavajës. Komuna e Synejit, në të cilën përfshihet ky plazh, vitet e fundit ia ka dalë që të bëjë një punë të madhe dhe marketing të admirueshëm për të afruar pushues nga Kavaja, Durrësi dhe Tirana.

Idetë e reja dhe puna efikase duken sapo mbërrin në këtë plazh, ku në një cep të rrugës është vendosur adresa elektronike e websit-it të komunës. "Jo se është ndonjë gjë e madhe hapja e një websit-it, por ka bashki që nuk e kanë ende një faqe të tillë", thotë kryetari i Komunës Synej, Përparim Çaça, i cili duket se vlerësohet nga të gjithë për punën e tij dhe të administratës që drejton. "Plazhi i Gjeneralit është një vend mjaft i bukur, i veçantë, ashtu siç e ka krijuar natyra dhe ne jemi të vendosur ta ruajmë natyrshmërinë e tij", thotë Përparimi. Komuna e Synejit ka arritur të riparojë dhe asfaltojë rrugën prej 8 km që vjen deri në këtë plazh, sikurse është bërë i mundur pastrimi i gjithë plazhit dhe ambienteve përreth për të ruajtur kështu peizazhin e mrekullueshëm. Në komunë po punohet që përmes një zyre informacioni dhe faqes elektronike të jepet sa më shumë informacion për këtë plazh të panjohur deri para pak vitesh.

Pamja flet vetë

Plazhi përbëhet nga rërë e imët kurative, me ngjyrë të verdhë në të hirët dhe ka formën e patkoit, që rrethohet nga shpate të buta kodrash me lartësi rreth 100 m, të veshura me shkurre mesdhetare, gjithmonë të blerta: dafinë, shqopë, mare, etj. Kepat shkëmbore në veri dhe në jug të plazhit me blloqe shkëmbore konglomeratike, me zaje me gjithfarë ngjyrash, përbëjnë një mozaik të mahnitshëm që harmonizohet me koloritin e pyjeve fantastikë nënujore të leshterikëve të detit. Pasuria e çmuar e këtij plazhi janë breshkat e ujit. Një nga shkencëtarët e pasionuar të kësaj pjese të bregdetit, Prof. Perikli Qiriazi, thotë se, "në ujërat e detit gjenden peshq të llojeve të ndryshëm, por ajo që e bën të veçantë këtë plazh me rërë të pastër dhe qetësi absolute është breshka e detit (Caretta caretta), e cila, në kohën e shumëzimit, del e lëshon vezët në rërën e tij, kur vezët çelin, të vegjlit lënë rërën dhe i drejtohen me shpejtësi detit".

Sipas Prof. Qiriazit, kjo specie tepër e rrallë, prej kohësh është futur në librin e kuq, duke u cilësuar si "e rrezikuar në shkallë mesdhetare", ndaj plazhet ku ajo lëshon vezët janë shpallur me kohë objekte të mbrojtjes së veçantë dhe në to nuk lejohet të afrohet askush. "Në të njëjtën kohë ato tërheqin shumë turistë, të cilët i vrojtojnë breshkat dhe të vegjëlit e tyre nga larg, me dylbi. Është një pamje e mrekullueshme dhe bota tashmë njeh turizmin "biologjik", pasi mjaft njerëz të pasionuar duan t'i ndjekin nga afër këto fenomene", shton Prof. Qiriazi. Sipas tij, është rasti që edhe ne, mbi bazën e përvojës së vendeve mesdhetare, duhet të përcaktojmë një strategji dhe plan të studiuar për mbrojtjen e kësaj perle të natyrës sonë dhe për shfrytëzimin me shumë kujdes të vlerave të saj turistike.

Ndërtimet e reja, vetëm prej druri

Aktualisht komuna ka dhënë me përdorim tokën, në të cilin është ndërtuar kompleksi turistik "Plazhi i Gjeneralit". Në këtë kompleks janë ndërtuar restorante, bare dhe dhoma për pushuesit, por që të gjitha janë ndërtime prej druri. Ky është një kusht i vënë nga komuna për biznesin e vetëm që gjendet këtu për momentin. Kreu i Komunës, Përparim Çaça, shprehet se këtu nuk lejohen ndërtime prej guri dhe betoni dhe aktualisht po bëhet studimi urbanistik për zonën bregdetare prej 4.5 km. "Më pas, në bazë të kriterit urbanistik, do të shihet edhe lloji i ndërtimeve", nënvizon ai, duke shtuar se "në këtë zonë ka tre apo katër plazhe të virgjëra, për të cilat po punojmë që të mos dëmtohen". Ai tregon për plazhin e Kalasë pak më tutje, i cili frekuentohet nga njerëz dhe pushues që duan të jenë larg syve të njerëzve, larg kuriozitetit. Sipas Çaçës, e gjithë kjo zonë është në prag të disa investimeve shumë të fuqishme, si mbjellja e ullinjve në një sipërfaqe prej 470 hektarë dhe vendosja e paneleve për prodhimin e energjisë elektrike me anë të erës në një kurorë prej 2 km nga këtu.
 

8 Komente

Plazhi ndodhet midis dy kepave shkëmbore në Rivierën e kodrave të Kryevidhit të Kavajës

prit kur tja ndrroje emrin Sala ktyne kodrave smiley

Qyshkur qenka i panjohur plazhi i gjeneralit kshu ?  Une kam 3 vjet qe e njof, dhe para 3 vjetesh kabinat e drunit ishin ndertu dhe restoranti gatunte me nam mmmm smiley

Qyshkur qenka i panjohur plazhi i gjeneralit kshu ?  Une kam 3 vjet qe e njof,

Se ka per ty Mone, e ka per turistat gjermon qe lexojn RD-ne smiley

Ore mos ishte ky Plazhi qe Sala akuzonte  disa biznesmen qe kishin falsifikuar dokumentat e pronave?

ehe, e ma men qe e hengri tekun Tunxhi i AKKP  smiley

Ky Plazhi shpetoi kot!

Per pak e perpiu Alban Xhillari, ai biznesmeni "i famshem" qe perpin tokat gjithandej, por e kapen me presh ne duar shyqyr! Ky dhe njerezit e ketij kishin fallsifikuar dokumentat e nje familjeje te nderuar pronaresh te vjeter me mbiemrin Shijaku duke ja spostuar dokumentat nga pylli tek rera, dmth ja zhvendosen ne det tokat qe pasi t'i kthenin me Komisionin e Kthimit te Pronave toka te kishte vlere 10 fish me te madhe! Kjo familja e nderuar prej vitesh nuk i kthen dot tokat ne Komision, i ka vetem te njohura, dhe ky i famshmi Xhillari qe u be rezil edhe ne media e ne shtyp, ishte si me thene garanti qe Komisioni do i'a kthente familjes ate siperfaqe, per kete ky e blente batjava nga pronaret, paguante bakshish te mire Komisionit e ne 1 nate ky gdhihej pronar i plazhit nr 1 te mbetur ne Adriatik! Kete skeme e ka bere edhe ne Synej te Kavajes e ne Vlore. Kesaj i thone t'i marresh tjetrit me dhune dokumentat e prones se tij qindravjeçare sepse pronari i shkrete s'ka akses ne Komisionin e Kthimit, ose s'ka parane e duhur per te paguar atje nen dore, para qe cash e kane vetem tipa si ky matrapazi Xhillari, por qe flitet se ne mes ka qene garant edhe nje banke e njohur shqiptare me te cilen ky matrapazi siguronte cash ose garanci me te cilen hutonte pronaret!

Do zoti e kapen ne kohe e u shkoi dem skema e Plazhit te Gjeneralit, qe pas kesaj duhet ne fakt te quhet Plazhi i Alban Xhillarit! Keshtu eshte kur s'ka shtet e nuk i degjeneron keto figura mashtruese qe flejne pabuksa e gdhijne milionera ne 1 nate! Republike babanesh!

 Me sa kam degjuar, edhe ketij plazhi i ka dale pronari... andej lart nga qeverrria...

Po ca lesh mrekullie mer amon. Po kshu ka qene gjithe bregdeti i adriatikut deri sa filloi kanibalizimi nga 95a. Shpejt do e gjeje belane edhe gjenerali. Do e hapi nej rruge argita sic a hapi ke gjiri i lalzit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).