Përpjekje për të blerë provimin e vjeshtës

Qeveria shqiptare po iu kundërvihet rekomandimeve të Bashkimit Evropian për mënyrën se si duhet të përshpejtojnë afrimin e shqiptarëve me Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian do të shtyjë shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për të pritur ndoshta raportin përfundimtar të zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, janë angazhuar në daljet e tyre publike për një fushatë lobuese për zhbllokimin e kësaj situate.

Për shumë shqiptarë që kanë interes madhor lëvizjen e lirë, në të vërtetë është krijuar një situatë e paqartë, nëse problemi i liberalizimit të vizave është politik apo teknik. Dhe çfarë është më e keqja, ky problem nuk ka shumë lidhje me procesin e aplikimit të Shqipërisë, i cili është konsideruar si akt elektoral dhe mund të duhen disa vite të vihen në lëvizje institucionet që duhet t’i japin përgjigje asaj kërkese.

Por në këtë histori që duket sa burokratike aq dhe politike, ka qartazi një linjë veprimi të Tiranës zyrtare kundër Bashkimit Evropian.

Në raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, një nga frazat goditëse për Shqipërinë ishte fakti që anëtarësimi nuk fitohet me lobim politik, por me reforma. Kjo vërejtje esenciale, ishte një shuplakë për mënyrën se si Tirana zyrtare po e trajton çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nga mënyra se si sillet Sali Berisha dhe Lulzim Basha, duket sikur Shqipëria është në rregull me të gjitha detyrat e saj dhe janë ca armiq aty në Bruksel që e pengojnë. Kështu ky arsyetim përdoret dhe për liberalizimin e vizave dhe për mungesën e përgjigjes për aplikimin, dhe ndoshta dhe për ri-aplikimin e nevojshëm në një kohë tjetër.

Në të vërtetë asnjë gogol antishqiptar nuk është strehuar në zyrat e BE në Bruksel. Problemi i tyre i vetëm është se janë nëpunës seriozë dhe kanë parë disa kuti bosh që qeveria shqiptare i ka lënë pa plotësuar dhe që duhet t’i plotësojë. Aty futen zgjedhjet e lira, situata politike, mungesa e lirisë ekonomike, mungesa e lirisë së medias, korrupsioni i zhvilluar, diktimi i zhvillimit ekonomik sipas vullnetit të familjes në pushtet, vonesa në regjistrin kombëtar të shtetasve, mungesa e pasaportave biometrike etj. Këto janë kushte politike dhe teknike që së bashku krijojnë imazhin e një vendi problematik. Ky imazh nuk rregullohet në Bruksel as me spotet e vëllezërve Frangaj, sado miliona t’i paguash ata, as me telefonat e Berishës me Fratinin, apo gënjeshtrat e Lulzim Bashës për lobim. Bashkimi Evropian është treguar i ndershëm duke na thënë mos loboni politikisht, por bëni përmirësime politike, duke na kujtuar se s’kemi nevojë për miq në Bruksel, por punë në Shqipëri.

Pikërisht të kundërtën e këtij rekomandimi të BE po bën përditë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Daljet e tyre publike flasin për telefonata, fakse, e-mail-e dhe deklarata shtypi të ndonjë miku të tyre politik apo financiar, që mund të na shpëtojë, të na kalojë në vjeshtë, meqë kemi mbetur në qershor. Në të vërtetë kjo gjë vetëm sa rrit nervozizmin në Bruksel dhe nuk na jep asnjë shans, të paktën të dukemi vend serioz që kupton detyrat e veta. Sali Berisha dhe Lulzim Basha e kanë më të thjeshtë të ulen të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të kalojnë provimin se sa të përpiqen ta kalojnë atë me mik apo me lekë. Kjo mënyrë të sjelluri e tyre është acaruese për Brukselin dhe gati e pakuptueshme për sistemin e tyre të të vepruarit. Këta po sillen me integrimin evropian si me ndonjë tender me prokurim të drejtpërdrejtë, ku, po të njohësh Berishën, e merr. Në Bruksel mund t’i njohësh të gjithë, të rrish përditë me ta dhe prapë mos ta marrësh dot provimin. Ai varet nga ajo çfarë bën në Shqipëri, dhe jo nga ato çfarë gënjen në telefona dhe ekrane televizive. Ajo çfarë Bashkimi Evropian i ka dhënë porosi të qartë qeverisë shqiptare është se nuk mund ta fitojë këtë provim me mik dhe duket se kjo është e vetmja këshillë që Berisha nuk dëshiron ta dëgjojë dhe po vazhdon betejën për të gjetur një mik të kalojë provimin e radhës, në të cilin ka mbetur, zgjedhjet e 28 qershorit.

Basha: Kam bërë disa telefonata të rëndësishme për të nxitur integrimin në BE

Ndoshta për Ballkanin BE nuk do të kishte folur për një kohë të gjatë. Zyrtarët e Brukselit thonë se këto vende janë shumë mbrapa me ritmin e reformave, por çështja e Islandës ka rihapur sërish temën e zgjerimit me vende problematike.

Brukseli ka bërë të qartë se do të pranojë Islandën si një vend me demokraci shumë të zhvilluar e me një mirëqenie shumë të lartë, ndoshta më të lartë se çdo vend i BE.

Por për vende si Shqipëria, dyert janë të mbyllura. Në ditët kur kjo gjë thuhet shumë qartë, e kur zyrtarë të lartë të BE flasin qartësisht për zgjedhje problematike e për reforma të mangëta në fushën e zbatimit të ligjit, ministri ynë i Jashtëm bëri të ditur se ka bërë disa telefonata që do na zgjidhin hallet e do na hapin rrugët e integrimit.

Kryediplomati i BE, Havier Solana dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, e shmangën Tiranën nga turet e tyre ballkanike dhe asnjëri prej tyre nuk ka folur për procesin zgjedhor, por kjo nuk e ka ndaluar ministrin e Jashtëm të thotë që zgjedhjet janë vlerësuar nga shumë personalitete.

Basha tha se ka telefonuar Carl Bild, ministrin e Jashtëm të Suedisë, vendin që mban presidencën e radhës së BE, madje shtoi se Bild e ka bërë publike telefonatën me Bashën.

“Në përfundim të procesit zgjedhor, tejet i rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, dhe që u vlerësua nga personalitet më të larta evropiane dhe amerikane në deklarata publike si më i miri i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, është intensifikuar dinamika diplomatike në lidhje me integrimin evropian të vendit. Përshpejtimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë kryesojnë axhendën e diplomacisë shqiptare. Pikërisht për këto dy çështje prioritare, ditët e fundit, ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, ka pasur një sërë bisedash telefonike me homologë të tij. Biseda telefonike mes ministrit Basha dhe ministrit të Jashtëm të Suedisë z. Carl Bild, vend i cili ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, u bë publike nga shefi i diplomacisë suedeze në konferencën për shtyp me ministrin e Jashtëm të Islandës në Stokholm. Carl Bildt, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit dhe mbështetës i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka siguruar se presidenca suedeze mbështet shqyrtimin pa vonesa të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit, si dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë”, - thuhet në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

Sikur të mos mjaftonte kjo telefonatë shumë e rëndësishme, Basha ka thënë se ai ka bërë dhe një tjetër telefonatë me peshë. Basha ka folur me ministrin e Jashtëm italian dhe për më tepër i ka thënë atij se zgjedhjet ishin shumë të mira.

“Shqyrtimi i shpejtë i kërkesës së Shqipërisë është kërkuar publikisht edhe nga ministri i Jashtëm i Italisë dhe ish zv/President i Komisionit Evropian, Franco Frattini, në një deklaratë publike, bërë në Trieste. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë bën të ditur se ministri Basha ka zhvilluar paraditen e djeshme një bisedë telefonike edhe me z. Frattini. Duke e falënderuar ministrin Frattini për mbështetjen e fortë që Italia i jep integrimit evropian të Shqipërisë, ministri Basha e ka njohur homologun Frattini me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar me vendosmëri në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm italian rikonfirmoi vullnetin dhe angazhimin e palëkundur të Italisë për përmbushjen, në kohë të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe të shqyrtimit të kërkesës, siç e vlerësoi ai, tashmë të avancuar të Shqipërisë për kandidim në Bashkimin Evropian. Frattini ka vlerësuar progresin e madh të bërë nga Shqipëria dhe ka theksuar se Italia do të vazhdojë të jetë avokate e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa ka shprehur edhe përgëzimet për kryeministrin Berisha për fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit”, - thuhet në njoftimin e MPJ.

Reagimi qesharak i Bashës vjen, pasi Brukseli dha sinjale shumë të forta se nuk do e marrë tani në shqyrtim aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Mundet që më vonë ministrat e Jashtëm të kërkojnë një vlerësim nga Komisioni Evropian, por burime diplomatike thonë se sërish gjasat janë që të mos ketë një vlerësim të shpejtë e për më tepër do kërkohet një riaplikim nga Shqipëria.

Kryeministri, Sali Berisha, e përdori qartësisht për qëllime elektorale aplikimin për anëtarësim në BE.

Reuters raportoi së fundmi se Gjermania është e vendosur që mos fusë në tryezën e diskutimeve aplikimin e Shqipërisë.

Brukseli e ka bërë të qartë disa herë se nuk pret lobime politike nga Shqipëria, por kërkon reforma të thella.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).