Përpjekja e dështuar për të ndryshuar Ramën

Mbledhja e djeshme e Asamblesë së socialistëve tregoi dy gjëra: së pari se Edi Rama as që nuk e mendon të largohet nga kreu i Partisë Socialiste, edhe pasi ka humbur zgjedhjet, ashtu sikurse kishte premtuar para fillimit të fushatës elektorale.

Por ajo shoi gjithashtu edhe shpresat e të gjithë atyre të majtëve që pas humbjes shokuese të 28 qershorit në mënyrë naive kishin filluar të imagjinonin një PS sërish me në krye Ramën, por me një Ramë tashmë të burrëruar, të çliruar nga makthet, të zhveshur nga zemërdridhjet se mund t’i ndodhte më e keqja, pra humbja elektorale.

E gjithë kjo kategori të majtësh të mirë e të sinqertë, që prej më shumë se gjysmë shekulli janë të prirur t’ia falin udhëheqësit fajet, vetëm e vetëm që ai të vazhdojë të qëndrojë në krye, patën filluar ditët e fundit të vizatonin portretin e një kryeopozitari ndryshe.

Sipas tyre Rama mund të vazhdonte ta drejtonte PS, por ai duhet të ndryshonte. Duhej t’i hidhte pas shpinës tezat e përtej kampeve, politikën e re, mospërballjen me kundërshtarët etj. Ai, pra, po i njëjti njeri, mund të vazhdonte të kryente rolin e liderit të së majtës, por të bëhej më burrëror, më i fortë, të mos fliste si qytetar, por si politikan, si i tillë të ndeshej, të përballej, të pranonte përgjegjësi, e t’i jepte fund politikës së një lideri që hedh gurin e fsheh dorën.

Ndoshta në këtë dëshirë naive për ta parë njeriun e zemrës të ndryshuar nuk ka asgjë të keqe. Jo rrallë herë politika shqiptare, në mungesë liderësh të formuar e karizmatikë, ka besuar në transformimin e plotë të të njëjtëve persona. Dhe ndonëse ky eksperiment ka pak gjasë të dalë i suksesshëm, të vazhdosh të shpresosh, mbetet gjithsesi pozitive.

Por, në mbledhjen e djeshme, Edi Rama e shoi edhe këtë shpresë të porsalindur. Edhe dje ai u soll si po i njëjti humbës i para 28 qershorit. Me frikën për të folur. Me pavendosmërinë për t’u përballur. Me të njëjtën dëshirë për të mos qenë transparent. Me të njëjtin besim të verbër se suksesi arrihet përmes kulisave dhe jo përmes shkëmbimit të hapur të ideve.

Të gjithë ata që kanë shpresuar dje të dëgjojnë live se ç’mendon Partia Socialiste për humbjen e zgjedhjeve, kanë mbetur të zhgënjyer. Të gjithë ata që kanë pritur të dëgjojnë nga goja e Edi Ramës përse-të e dështimit, e kanë pasur të kotë.

Dje, ashtu si në 4 vite opozitë më Berishën, njerëzit janë munduar të kuptojnë se ç’mendon lideri i opozitës, përmes recitimit të papagajve të politikës së re. Edi Rama ka refuzuar në mënyrë absurde ftesën e kolegut të tij rival, Ben Blushi, për t’iu përgjigjur politikisht asaj që ka ndodhur. Ai edhe njëherë është fshehur pas procedurave partiake, pa guxuar të përballet me realitetin dhe të vërtetën.

Edhe njëherë, dje, Edi Rama, i ka zhgënjyer ata që kërkuan të besojnë tek ai, me shpresën për ta ruajtur, duke e ndryshuar. Edhe njëherë ai ka rihedhur mbi vete dyshimin se nuk është lideri që duhet për fronin hijerëndë të Partisë Socialiste, por njeriu që do vetëm të fshihet dhe të përfitojë prej saj.

Dhe në mënyrën e tij, Edi Rama edhe dje ka përfituar. Madje personalisht ka korrur një fitore. Ai i ka hapur rrugë një procedure, me sa më pak zhurmë, sa më pak debat, sa më pak reflektim, që do ta çojë atë drejt zaptimit të kreut të PS, duke u munduar të margjinalizojë të gjithë ata zëra që tashmë e kanë kuptuar se çdo fitore e Ramës rrezikon të jetë një humbje për të majtën.

5 Komente

Mosndryshimi i Rames, dhe institucione si asambleja e djeshme (e mbyllur) do e kthejne PS-ne ne parti 100% Berishiane (se 95% eshte prej kohesh, qe kur vendosi te mos kete as program as bosht po vetem interesa dite).

E rendesishme eshte te thuhet qe nuk behet fjale thjesht per ndryshim te nje njeriu me nje njeri (kjo s ka vlere fare). Duhet qe te ndryshoje filozofia politike e partise! perndryshe vk 

'Shqiptaret jane kokeshkemba!!' Nuk luajne kollaj nga istikami.

 

Por si mund te pritet te ndryshoje dhe reflektoje nje njeri suksesi me i madh i te cilit ne jete ka qene dhe eshte zbukurimi i letrave te ambalazhit dhe lyerja me lajle lule e pallateve te Tiranes.

 

Reflektimi eshte veti e njerezve intelektuale dhe te mencur...

Sherri ne Asamblene e PS, zbardhen debatet e plota

Sherri për mediat
Ben Blushi: Të jenë mediat të pranishme gjatë diskutimeve në Asamble, pasi ky forum është parlamenti i partisë dhe ne nuk kemi pse të tregohemi jo transparent.
Gramoz Ruçi: Nuk besoj se qëllimi i kësaj kërkese është që të përsëritet KPD-ja e 2001.
Manjani: Nuk duhet të transmetohet direkt në media, sepse është mbledhje e turpit dhe e humbjes.
Rama lexon rezolutën
Ben Blushi: Ne dolëm në garë për të bërë kryeministër një njeri, dhe jo për të sjellë partinë në pushtet. Me këtë dua të them se gara u personalizua dhe kjo pati pasojat e veta.
Rama: Ju keni ngritur një lloj tymnaje sikur ne kemi deklaruar që do bojkotojmë Parlamentin. Nuk e kemi thënë një gjë të tillë ndonjëherë.
Blushi: E ka thënë Gramozi në mbledhje kryesie.
Ruçi: Nëse do të ngresh kauza politike me këto shtrembërime, kjo është puna jote. Të jetë për mua personalisht, unë nuk shkoj në asnjë mënyrë në Parlament. Këtë e kam thënë në një moment kur po na mohohej mandati i 9-të në Fier dhe ishte përgjegjësi e imja po të na e merrnin.
Ylli Manjani: Ne nuk fitojmë asgjë që do të shkojmë në Parlament. Ne kemi marrë 6 deputetë më pak, për shkak të sistemit të gabuar të Ramës. Ti zoti Rama besove te njerëzit e gabuar. Humbja ishte në tavolinë.
Servet Pëllumbi:
Nuk është koha për përçarje, por për të administruar siç duhet atë që kemi. Ne duhet të shkojmë në parlament për të bërë rolin që na takon dhe për të kërkuar hetimin parlamentar të votës së vjedhur. Ndërkohë, duhet të bëhet një analizë e thellë dhe të mos biem preh e provokimeve të Berishës. Të ngremë një grup pune për të përgatitur kongresin dhe zgjedhjet e ardhshme partiake. Të shihet mundësia që në statut të vendoset një pikë që për të gjithë deputetët që do të tentojnë të kalojnë në krahun tjetër apo të blihen, t’u bjerë mandati.
Rajmonda Stefa: Statuti i partisë parashikon ndërprerjen e mandatit në rast të humbjes në zgjedhjet parlamentare, ndaj duhet të respektosh këtë pikë të statutit dhe të largohesh nga drejtimi i partisë.
Edi Rama: Ju dashnorët e statutit e kuptoni atë, unë thashë edhe në rezolutën që prezantova. A dini të lexoni që unë thashë do të zbatoj statutin.

Sherri Lame –Balla
Artan Lame: Fituesi legjitim i këtyre zgjedhjeve është Sali Berisha. Të dorëhiqet kryesia, pasi edhe ajo ka përgjegjësinë e saj për rezultatin.
Taulant Balla: Si s’të vjen turp more që thua këtë. Si i ka fituar Sali Berisha zgjedhjet. Ke qenë edhe zv/ministër.
Lame: Nxirre përjashta këtë legen.
Gramoz Ruçi: Ulu Taulant.
Balla nxehet e niset të dalë jashtë duke e sharë Lamen, b..q

Islami ka debatuar nga vendi, ndërsa ishte duke folur Saimir Tahiri.
Ruçi: Pusho Kastriot. Nuk mund ta lësh zakonin që të flasësh sa herë që kryetarët nuk janë në sallë.

Sherri Blushi-Bime
Flamur Bime: Zoti Blushi, nuk të takon ty të flasësh kështu. Po na flet sikur këtu të kishte ardhur Aleksandër Frangaj apo Blend Fevziu. Ti shikohesh te pasqyra e Sali Berishës apo te pasqyra e PS-së...
Blushi: Do e kontrolloni këtë. Ky është legen. Ti mbaj përgjegjësi për ato çfarë ke bërë në Gjirokastër.

Agim Leka: Gjatë fushatës kam qenë sekretar rajonal dhe sot po e marr vesh që kemi pasur sekretar për çështjet zgjedhore Kastriot.
Fatmir Xhafaj: Ky proces është i kontestueshëm, për rrjedhojë dhe rezultati i dalë prej tij është i kontestueshëm. Edhe në raportin e ndërmjetëm të OSBE-ODIHR-it u konstatuan parregullsi të mëdha. Edhe nga burime tona bëhet e ditur se edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it do të jetë po aq i ashpër sa edhe i pari. Prandaj, nuk ka asnjë kuptim që ne të pranojmë një rezultat të deformuar.
Blushi: Unë e votoj rezolutën e Ramës nëse hiqet kjo e papranueshme (për rezultatin e zgjedhjeve).
Balla: Besoj se ti zoti Blushi nuk e harron faktin që Fatos Nano kur dha dorëheqjen në 2005, tha se zgjedhjet janë të papranueshme dhe me legjitimitet të cunguar, por prapë vajtëm në Parlament. Ne sot nuk i pranojmë politikisht zgjedhjet, por juridikisht i njohim institucionet.
Namik Dokle: Unë dua të pyes sot ata që deklarojnë se duhet të pranojmë humbjen dhe se filozofia Rama dështoi, nëse mendojnë se rezultati është real apo jo, a ka pasur presione për punonjësit e administratës, vjedhje votash etj? Unë për vete them se po, ndaj s’mund ta pranojmë një rezultat të tillë. Megjithatë, ne pranojmë të hyjmë në parlament për të hetuar këtë vjedhje dhe për të hapur kutitë e votimit aty, për të parë të vërtetën dhe në varësi të këtij hetimi, të kërkojmë zgjedhjet e parakohshme.
Ben Blushi: Unë e di, ju doni të mbroni Edi Ramën. Nëse doni ta mbroni, ka mënyra të tjera. Nuk ka pse nxirrni PS-në nga parlamenti për karrigen e kryeministrit. Jam gati të ndryshoj qëndrimin tim publik, në rast se më jepni një provë se fitorja e PS-së është vjedhur, nuk kam arsye ta besoj këtë.
Musa Ulqini: Ne i kemi humbur zgjedhjet për shkak të personalizimit të fushatës dhe të këngës së Edi Ramës.
Braçe: Nuk mund të jetë provë një këngë, ta them edhe ty Marko, që unë dhe socialistët e Beratit jemi fitues dhe ti dhe Blushi doni të na bëni humbës.
Ju nuk keni asnjë provë që të na provoni se zgjedhjet ishin zgjedhje të ndershme dhe të pranuara nga vëzhguesit. Ka ndodhur e kundërta që, ne kemi prova që zgjedhjet kanë qenë në kundërshtim me ligjin, në shkatërrim të plotë të standardeve.
Kështu që provat ekzistojnë për të mos njohur zgjedhjet. Unë po ju them që nuk e njoh rezultatin.
Dua t’ju them që e drejta për të njohur rezultatin e zgjedhjeve nuk penalizon Edi Ramën, por favorizon Sali Berishën dhe më ngjan me një viagër që vrau një plak 63-vjeçar në motel. Unë besoj se Sali Berisha ka po këtë moshë.
Rama në fund të mbledhjes:
Unë po flas me zemër dhe dua që të falenderoj tre njerëz që kanë kontribuar maksimalisht, edhe pse nuk kanë qenë në listat fituese: Ndriçim Hysa, Musa Ulqini e Stefan Çipa. Problemi është që ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për masakrën elektorale, duke filluar që nga listat e zgjedhësve, që nga lirimi i njerëzve me precedentë penalë. Kjo maskaradë duhet zbardhur, sepse asnjëherë s’ka për të pasur zgjedhje me standarde në Shqipëri. Unë do t’i bëja thirrje gjithsecilit, pavarësisht nga bindja, që pa u zbardhur kjo maskaradë nuk mund të ketë zgjedhje të lira.
Blushi: Unë do të kërkoja që Kongresi të shtyhej për në fund të gushtit, që të na lihet kohë edhe ne të reflektojmë për të shmangur emocionet.
Kastriot Islami: Përgjegjësia bie edhe mbi grupet e patronazhit. Të deleguarit kryesorë të PS-së kanë firmosur për ekipin që kishin dhe nuk kanë dalë fitues.

Balkanweb

PS eshte kthyer ne rumpalle hesapi ,tani atje jane shume kokra aguridhe dhe fjalamane ,atje nuk paskan respekt per njeri tjetrin ,flasin jo sikur te jene ne nje mbledhje serioze ,por sikur jane ne zbor !

As e kuptojne njeri tjetrin as e degjojne njeri tjetrin shkurt hesapi ,ne krize !Uroj qe te dalin mire me nje konkluzion te perbashket dhe te mos kene gervere me njeri tjetrin si kalamojt e lagjes se brakes !

Kjo puna e politikes dhe partive ne shqiperi eshte bere si puna e atij shkopi qe ka ra ne hale dhe nuk di se ne cfare krahu ta kapesh per se mbari !!

 

sa te sjellshem. kryetari "dashnoret e statutit", balla shan nga shpia, ndersa sharja me cool e politikes se re esht "legen"

 

gallat vallai

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).