Për tim bir dhe studentët e Mjekësisë ditën e Diplomimit

Refleksion

I dashur Marsel, sot është ditë e rëndësishme në jetën tënde, po aq edhe për shokët e tu.

Pas gjashtë vjet studimesh, jo, hyre në një shkollë, kur ende e kishe numrin e këmbës 24 dhe po del nga Universiteti I Tiranës me numrin e këmbës 42 – ti Diplomohesh për mjekësi. Janë kthyer përmbys numrat, apo shenjë e një pjekurie të cilën e kemi dashur aq shumë të gjithë ne, prindërit e gjithë studentëve të Mjekësisë që Diplomohen sot.

Nuk fjeta dot, prisja që kjo ditë të ishte e rëndësishme edhe nga dukja, por ti mësove deri vonë, bëre si zakonisht një sherr të vogël me mua dhe më pas fole me shokët për ditën e sotme.

Komisioni, profesorë hijerëndë, 190 e  kusur tema, pastaj kostumi, darka… deri këtu të ndoqa si gjithë nënat, përgjuese të zonjat për fëmijët e tyre.

Më erdhi keq që nuk  do kem rastin të provoj edhe unë eksperiencat bashkëkohore të Diplomimit të bijve, me ceremoni festive dhe zyrtare që jepen në TV. Kur të pyeta, nuk fole. Mjaftoi një –Eh! Askujt nuk i ka shkuar mendja të pagëzojë Diplomën e vështirë të mjekut, dhe ku, në një vend si yni, ku mjekët i kemi dhe nuk i kemi, se ndonjëherë më ngjasojnë me tregtarët te Medreseja, apo butikët  e frikshëm të shtrenjtë në rrugën Myslym Shyri. Larg tyre, biri im! Beje për veten tënde, për ne, për vendin tënd, për fëmijët e tu, për të gjithë që nuk kanë mundësi të kenë një djalë mjek, por e duan një mjek ta kenë, ashtu si duam ne një elektricist, një taksist, apo një hidraulik.

Askush nuk qenka kujtuar për ju, studentët që duruat më gjatë në Universitetin e Tiranës, për ju, studentët e Mjekësisë që patët besimin, ndoshta të tepruar te shkolla e mirë shqiptare dhe tek ajo që është më e rëndësishme, se dita e sotme, dita e Diplomimit tënd dhe ajo e shokëve të, tu është dita e një rifillimi të vështirë, ndoshta nga më të vështirët në profesionet.

Sepse nëse duruat dhe u lodhët kaq gjatë, duke u gdhirë mbi libra pafund me dy byrekë deri pasdreke, e një abone autobusi për gjashtë vjet rresht, nga viti i parë tek i gjashti (Jo i fundit!)në fakultetin ku jo të gjitha gjërat shkonin vaj, ku bënit mësim edhe në këmbë hera herës; kur vuanit dhe bëje sherr me mua (gjithmonë me mua!) për një pedagog që donte ti blije librin pa të futeshe në provimin e tij, për një tjetër që si xhepist autobusi,  ju kërkonte të mblidhnit nga dhjetë mijë lekë (çfarë janë dhjetë mijë lekë?) për një provim (koti???)ku mësoje shumë dhe ndonjëherë të hanin hakën, - Besuat se do ishit ju, ti dhe shokët e shoqet e tua që, pas 25-30 vjetësh të shkruanit një letër më të butë dhe më entuziaste urimi për fëmijën e palindur ende, ku të kishit çfarë tu tregonit dhe të ishit krenar më shumë nga sa jam unë sot, më shumë nga sa janë prindërit e gjithë studentëve të Mjekësisë që, edhe pse nuk gëzojmë të vishemi bukur e të mallëngjehemi për Diplomimin e fëmijëve, e të bëjmë fotografi me uniformën pas betimit historik, kemi kohë dhe vend kur dhe ku të derdhim emocionet tona.

Kur të vijë miku i xhaxhait tonë nga fshati dhe ti të mos e shikosh nga veshja, kur të hyjë në derën e spitalit, por t’i japësh dorën dhe zemrën, pasi aty besova se të lindi pasioni i bukur për këtë profesion të vështirë – do drithërohem.

Kur të vijë ai punëtori i aksidentuar të mos japësh konferencë shtypi për të treguar heroizmin tënd se si e shpëtove, por tregoi profesionin me duart dhe mendjen tënde kujtdo që do vijë dhe do kërkojë ndihmën tënde- unë do buzëqesh lehtë.

Kur të vijë ai ministri apo kushërira e tij, mos ndrysho sjellje, mos e zbut më shumë zërin nga niveli ku siguria dhe pjekuria jote e lejojnë, sepse stomaku i tyre, apo dhjami i kushërinjve të tyre nuk është më i vyer nga veshka e atij katundarit që i zuri gurë se nuk piu ujin e blerë, por uli kokën në burim, ashtu si ka bërë gjithë jetën, apo te pusi që e shpoi dhe gjeti burimin më të afërt- do hesht dhe do mësoj nga ty.

Për Diplomën  që sot ke në dorën tënde, ndoshta  e shikon  ende merakun, nëse ke dalë bukur si një djalë 24 vjeçar. Dhe harron se ajo Diplomë ka një tjetër lloj bukurie të cilën ti vet mos kërko ta dallosh dhe ta kuptosh pa ndjerë rrahjet e një pensionisti në stetoskopin kur ta vizitosh. Mos u rrek t’i gjesh sëmundjet. Ka shumë dhe bëj të pamundurën ta bindësh se është si djalë i ri. Hiqi atë që i shton rrahjet nga frika se do t’i kërkosh ryshfet, si ndodh rëndom, jepi ngrohtësi, jepi dashuri, shko dil te rruga, blija vet serumin dhe barnat, sepse kështu do mësoni të ngrini kokën edhe përpara burokratëve më të regjur dhe do ta shëroni edhe vet spitalin nga sindroma e frikës së vetvetes. Fali atë që zbuloi Hipokrati në kohën tij- misionin e profesionit.

Nëse do kërkosh xhepat, kurrë Diploma jote nuk do ketë shkëlqimin që aq i bukur të duket sot.

Nëse nuk do gjuash në rrugë urithësh, pas nja dhjetë vjetësh, ndoshta do besoj edhe unë se mund të lejoj ndonjë nga shokët e tu, apo shoqet e tua të shërojë migrenën time të vjetër.

Sepse tani më duhet ajo dhimbje koke. Vërtet filloi kur hyre në klasën e parë, por tani dua të shikoj si do ecësh, a do shkelësh ndokënd me këmbën tënde të madhe, apo do hapësh gjithë thesarin që zoti I fali njeriut dhe e bëri të dallojë nga kafsha, psikikën, ndërgjegjen dhe do dish të punosh. Po si do përgjojmë ne nënat për sa të mirë do jeni deri sa të kaloni moshën tonë, po nuk e patëm migrenën e merakut brenda vetes?

Ti nuk e di mire, por dua të them, jo për justifikim ndaj ndonjë sherri ku të drejtë ke patur ti, nuk është e lehtë të bësh prindin, sepse nuk ka shkollë të mirëfilltë që të më jepte mua Diplomën që të isha nënë e mirë para njëzetë e katër vitesh, në moshën e motrës tënde sot, dhe që të gjithë neve na duket si lodër. Po ajo eksperiencë prej 20 vjeçareje nuk më rrëzoi. Në çdo vështirësi ne, prindërit e tu zgjatën më parë dorën drejt teje, pastaj drejt njëri tjetrit. Dhe kjo është një Diplomë që ndoshta nuk ka as fotografi brenda kapakut, por ka një film të pashlyeshëm- kujtesën e familjes.

Nuk fjeta sot se kisha frikë mos shikoja ëndrra të bukura.

Se mos ëndërroja që në ceremoninë imagjinare të Diplomës, vet ministrja e Shëndetësisë t’ju jepte dorën e kurajës; vet dekani i Fakultetit të Mjekësisë të ngrinte ballin krenar dhe të pagëzonte udhën tuaj, më të vështirë, pasi nuk është se do kërkosh minerale në trupin e tjetrit, por do nxjerrësh xhevahiret nga mendja, dora dhe shpirti yt dhe do ndihmosh të tjerët, jo duke ua shitur, por duke ua falur.

Se mos dikush që nuk ka frikë nga sëmundjet, ndonjë shef pavioni, do vijë dhe do t’ju orientojë se si të shpërndaheni tani më pas. Jo. Nuk ndodh. Nga t’ia filloni? Ku do niseni? Kur do hidhni hapin e parë të atij numri të madh 42, që mua, nënës tënde më duket ende 24. (por ky është një shkak për sherret tona të domosdoshme!) megjithatë, kam besim se do mbani njëri – tjetrin, shokë e kolegë të ardhshëm.

Të uroj të bëhesh njeri i mirë. Mos u çudit. E di që do më thuash- ti nuk merr vesh! Është mosha juaj që gjykon kështu! Është ajo stima, egoja e njeriut që kërkon të kapë majën. E njeriut që do të kalojë më shumë se prindi.  Është burrëria që ecën përpara dhe ju ndjell, ju josh. Kuptoni, jo të gjitha ndjelljet ju bëjnë burra! Asnjë gur, apo guralec mos e lini t’ju zërë rrugën, nëse pas gjithë këtyre këshillave më ke dhënë të drejtë.

Sepse këto guralecë, nesër bëhen shkëmbinj dhe ju zënë pamjen. Ju bëjnë dritëshkurtër, të vegjël dhe burracakë.

Besoni te vetja juaj, sepse kështu do besoni edhe te vendi juaj. Besoni te ndershmëria juaj, sepse kështu do bëni të tjerët t'ju besojnë.

Besoni te e ardhmja juaj, sepse kështu do kuptoni një ditë se Diploma juaj nuk do jetë vetëm Diplomë e studentit të Mjekësisë, por Diplomë e shkencëtarëve të ardhshëm.

Ku do jeni pas një viti? Nisuni një herë, jo rrugicave, por drejt, edhe në një rrugë fshati, edhe atje ku doktori është si perëndia, edhe në një minierë, edhe në qytetin ku rrojnë gjyshërit e tu, edhe atje ku kanë mbetur ca kushërinj të largët që do bëhen të dytë me ty, sapo të të njohin. Dhe mos harro kurrë: njerëzit dinë të njohin, sidomos mjekun e mirë!

E gëzofshi Diplomën e mjekut të gjithë ju, shokët dhe shoqet e tim biri. Nuk ua di të gjithëve emrat, por po guxoj t’ju quaj: mjekë!

8 Komente

deja vu  e 8 viteve me pare, por ajo qe me cudit me teper eshte qe asnje gje nuk ka ndryshuar ne ate fakultet te mykur prej nepotizmit dhe egove te semura, pasi e shfrytezuan ate fakultet per  nevojat e tyre meskine, per doktoratura falas per ta dhe femijet e tyre, per karriera tullumbacesh qe vetem shqiptaret ngazellehen kur i shohin, tani jane si gjela bisht perpjete neper fakultetet private dhe nuk lene me llum dhe balte pa hedhur per ate gjiriz nga dolen.

per marselin dhe shoket e tij, vleren  e asaj diplome e keni ju, me kapele apo pa kapele, me fije te arta apo me fije kashte , vetem ju duhet te dini ti jepni vlere vetes, mos prisni prej askujt.

Bukur..! Nje nene e tille meriton nje djale te sukseshem ne jete dhe profesion.

Dhe mos harro kurrë: njerëzit dinë të njohin, sidomos mjekun e mirë! - kshille intiligjente.

 

Shume bukur, vertet. Ky do te ishte nje fjalim i denje per cdo universitet me rastin e diplomimit te studentave - shume keq qe nuk ishte i tille per ndonje universitet aty ne Shqiperi.

Kishte aty brenda disa "gure te cmuar" dhe uroj qe Marseli dhe gjithe "marselet" e tjere t' i kene pare ato "gure".

 

Shume e bukur!

Aty ketu gjejme neper media edhe persiatje autentike si kjo, me brendi.

Pergezime autores dhe mjekut!

veshtire do e kete Marseli juaj zonje pasi neper klinika do gjeje ate me llogjiken e xhepistit me shoket e tij qe kane instaluar tashme moralin e zhvatjes e qe s'pranojne njerez "te pamoraleshem"sic ju e doni Marselin tuaj.E kam hequr mbikurriz me nenen time qe zoti e denoi menje semundje te pasherusheme e ato dite jete qe bani mas dignozes i bleva me gjithe ca kisha aq sa ajo iku e piklluar duke me kerkuar ndjese se me kishte hargjuar.U mundova ta qetsoj duke i thene se sikur ato leke te kene sherbyer per te te shtuar vetem nje dite jete, jane shpenzuar ne menyren me te mire te mundshme.

Ne nje emision n'tv mbi ligjin mbi denimin me vdekje shume veta ishin pro per vrasesit recidive ndersa une jam pro ktij ligji per mjeket qe te fusin ne salle per te zhvatur leke,per gjykates qe bejne pakte me kriminelet,per adiministratoret qe zhvasin mallin e gjene e ktij populli e kte te fundit pastaj e shohin me perbuzje. Krimi me kollare gjeneron te gjitha llojet e krimeve

zoteri i nderuar, me tronditet me rrefimin per nenen tuaj.

Gjithashtu ato qe ju tregoni ne arsyetimin tuaj shume te thjeshte, jane ndoshta e thena e munguar e asaj qe une shkrova per tim bir dhe shoket e tij.

megjithate, shpresa eshte me e forte edhe se vet vdekja. Kete here do mendojme se vdekja ka nderruar sjellje. Eshte futur nder te gjallet.Ndaj duhet shpresuar edhe me shume, ndryshe, do vije nje dite qe nuk do kete as edhe nje njeri te vetem qe t'i shpetoje lakut te saj (asaj me kollare!)

ju falenderoj shume. do me mbeten ne kujtese keto fjale qe ju thate. Shpirti iu prehte ne pase nenes suaj.

Faleminderit zonje, faleminderit per fjalet dhe uraten per nenen time

Mendoj se djali juaj me shoke te edukuar nga prinder si ju jane nje rreze shprese per te permbysur gjith kete situate. Arsyja e pesimizmit tim eshte se ne gjith kte histori fatkeqe t'imen,une nuk u perballa me nje "dru te shtrember qe prishte gjith barren",por me nje mendesi te tane.Duke shpresuar qe spo e teproj me lejoni t'iu tregoj nje detaj. Ne ditet e mija ne koridoret e spitaleve nje mjek me kishte lene pershtypje shume te mire.nder te tjera me kishte thene se mjeksia ne radhe te pare duhet te jete humanitare. Pas nje operacioni nga i cili morem lajmin e tmerrshem per ne per natyren e semundjes, isha i derrmuar,i shkatrruar nga dhimbja,e gjithe bota me dukej nje budallallek ,nje idjotesi e madhe,ky mjeku me mer n'telefon e me ankohet qe s'e kishte marre pjesen e vet(behej fjale per nje pacient qe semundja tashme e kishte denuar me vdekje dhe ai me profesionin e tij nuk mund ti vinte ne ndihme,e prap kerkonin leke)Ne ate gjendje mu desh te mblidhja te gjitha forcat per te "qetsuar' mjekun qe me mendjen time e kisha klasifikuar si "burre i mire".

Ne zgjedhjet e 2001 me ka lene mbresa akti i ne njeriu qe u la ne harrese e nuk upermend nga askush. Nje deputet, Ismail lleshi quhej refuzoi mandatin e deputetit pasi e gjykoi te fituar mepa te drejte.Ky akt shume sinjfikativ per mua te pkten nuk pati kurrfare jehone. Kjo  do te thote shume. Te jesh i ndershem sot eshte sikur te jesh melebroze,qe te jeshe shoqerisht i pranushem duhet te zhgryhesh ne llucen e maskarallekut

zonje e nderuar,

Duke lexuar komentin e dhimbshem me siper eshte shume e qarte detyra e veshtire qe ka marre Marseli juaj mbi supe se bashku me shoket e tij. Jam shume i sigurte qe cdo anetar i peshkut ka histori te tilla.

Mirebesimi midis mjekeve dhe pacentit ne shqiperi nuk ekziston ose eshte fare minimal. Ne Britani Spitalet vleresohen jo vetem nga aftesia e mjekeve dhe personelit qe punon aty, por mbi te gjitha kryesore eshte "relationship" (marredhenia) midis mjekeve dhe pacienteve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).