Për ata socialistë që i janë drejtuar “facebook”-ut

Ditët e fundit, të gjithë frekuentuesve të forumeve sociale si “facebook” e ndonjë tjetër, u ka rënë në sy një ndryshim. Shtimi i pranisë së zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në debatet që zhvillohen atje. Ndër ta shënohen kryesisht kundërshtarët apo zërat ndryshe nga artikulimi zyrtar brenda kësaj partie, të cilët nuk është se kanë qenë kaq dendur pranë debateve publike që bëhen në internet. Përkundrazi, në botën virtuale të komunikimit edhe politik, jemi mësuar të shohim më dendur disa personazhe krejt të tjerë si Edi Ramën, Erion Velinë, Erisa Xhixhon, Ditmir Bushatin e djem e vajza të tjerë të partisë rozë. Më pak kemi parë Arben Malajn, Andis Harasanin e ndonjë tjetër që kohët e fundit janë bërë të përditshëm. Duket se që të dy dhe të tjerë si këta e kanë të pamundur të thonë ndonjë fjalë kundër Ramës në korridoret e PS-së, në forumet e saj, në tavolinat e klubeve rreth selisë, ose më qartë, gjithandej nga shtrihet “irani” i kryetarit të Partisë Socialiste. Ky i fundit ka qenë njohur si censor i mediave, por jo aq shumë si censor brenda forumeve të partisë që drejton. Por kjo vetëm për pak kohë. Në Tiranë dhe në rrethet e interesuara për zhvillimet në PS-së janë shtuar gjithnjë e më shumë batutat për sjelljen e rëndë të Edi Ramës me kolegët. Gjithkush i njeh tani “bëmat e celularit” të tij, që i janë shtypur qoshet prej goditjeve herë mbi njërin e herë mbi tjetrin zyrtar. Zëniet e shpeshta të kryetarit me drejtues të tjerë të PS-së e bashkëpunëtorë të tij, edhe kur nuk ndodhin, simulohen për të përshkruar më mirë vesin që ka kapluar Ramën; çfarë nuk është pro tij, nuk duhet thënë apo bërë. Arben Malaj, një ndër zërat ndryshe nga Edi Rama, komunikon me shtypin nëpërmjet një zyre personale shtypi “arbenmalajnews”, kjo për shkak se deklarata e tij as nuk thuhen nga zyra e shtypit e PS-së, as nuk botohet te gazeta zyrtare e PS-së, dhe as nuk mund të botohet apo publikohet në ato media ku ka ndikim apo pushtet Rama. Ndërkaq Ben Blushi detyrohet të zgjedhë televizione në distancë me Ramën dhe me politika editoriale, shumë larg qëndrimeve zyrtare të PS-së, për të shprehur idetë dhe qëndrimet e veta. Për të ende shoferit nuk mund t’i flasësh kur je në autobus, prandaj duhet pritur stacioni për të gjetur një vend pa shofer, pra duhet të zbresësh diku. Ndërkaq Andis Harasani po për të njëjtat arsye komunikon me dhjetëra e dhjetëra praktikues të “facebook” në ditë, për të shpjeguar qëndrimin e tij ndaj zhvillimeve në PS-së pas zgjedhjeve. Diçka që pak a shumë e pati bërë Petro Koçi në ditët e tij të fundit brenda PS-së, jo shumë muaj më parë. Ikja nga selia rozë për tek bota e lirisë virtuale, në fakt më shumë se ikje për ta, është izolim për Edi Ramën, i cili prej ditës së votimeve e deri më sot nuk ka gjetur ende një moment ku t’i thërrasë qetësisë e mendjes së çlodhur, për të kuptuar realitetin. Ka një rendje për t’u ndarë nga të pavërtetat që dalin prej selisë së PS-së dhe shëndetit të rënduar që reflektohet prej asaj selie sa herë u duhet të thonë ndonjë fjalë për rezultatin e votimeve të 28 qershorit. Për shumëkënd që nuk ka pas ditur apo nuk ka pas besuar se Edi Rama nuk qarkullon në botën liberale të politikës, siç edhe ndërtoi imazhin për veten në njëmbëdhjetë vjet në pushtet, tashmë mund të shohin me sytë e tyre se si po shembet te këmbët e secilit ky imazh, dhe po shembet në provën e parë të forcës, atë të pranimit të humbjes. Tani të gjithë kanë mundësi edhe më shumë për të kuptuar edhe më thellë deri te subkoshienca e Ramës, se pse ai vizatoi katrorë pafund me vija kufizuese të gjitha fasadat e kryeqytetit të Shqipërisë.

1 Komente

si esht kjo puna e celularit? kush e ka shpikur? apo esht e vertet?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).