Opozitari qëndrestar dhe qeveria e paragjykuar

Ka diçka që nuk shkon në rendin e më të rëndësishmeve të ditës, në këtë politikë të vendit. Mediat dhe politika sherrnojnë për dorëheqjen e paralajmëruar të kryetarit socialist, Edi Rama, për shkak të mos-sjelljes së socialistëve në pushtet. Këtë tollovi po e bëjnë gjithë kundërshtarët e Edi Ramës jashtë PS-së, sikundër me maturim kandidatësh po e kërkojnë edhe më i potencuari Ben Blushi edhe Arben Malaj. Ndërsa lista e dorëheqje-kërkuesve do të shtohet edhe më, duke pritur pashmangshmërisht përfshirjen në këtë kërkesë edhe të paraardhësit të Ramës, zotit Fatos Nano.

Kjo vendosje dhe këmbëngulje kundërshtarësh për largimin e Ramës të lë shijen e një interesi të koordinuar politik mes disa protagonistësh të kësaj skene, sikundër të jep mundësinë të njohësh se si po ia del kjo skotë udhëheqësish të vetëkoordinohet në qëllimet e veta politikë-mbajtëse.

Reagimet dhe kërkesat për respektim statutor në Partinë Socialiste edhe kësaj here ka gjasa të shndërrohen në arenë duelesh dhe sherresh socialiste, apo qoftë edhe në seri të reja të telenovelës së pambarimtë. Ky "hall" socialistësh dhe interesimi i shoqërisë, mesa duket do të mbajnë edhe për disa kohë ndezur mediumet tona me çështjen e kryesocialistit që është, apo atij që do të vijë. Dhe që, një shoqëri shpenzon kaq interesim dhe debat për një kandidat qeverisës, kjo është më se normale, por që një shoqëri bie pre e servirjes dhe imponimit të çështjeve sipas rendit që i intereson një grupi politikanësh, kjo është vërtet një marrëzi dhe sjellje e denjë për shoqëri me sindromë.

Në rend të ditës, sot, në Shqipëri, është kriza ekonomike. Një krizë që rrezikon të shembë realisht shumë investime dhe arritje të këtij katërvjeçari e që kërcënon imediatisht strukturat e ekonomisë kombëtare dhe asaj të tregut, që kemi investuar në harkun e epokës së tranzicionit. Në kontekst të kësaj krize po shfaqet edhe kriza e konsensusit qeverisës. Vështirësitë e bashkëjetesës Berisha-Meta, në kabinetin qeverisës që presim të dekretohet në shtator, po shfaqen si një hamendësim në rritje. Mirëpo, në ditët e fund-shtatorit ato do të ngrihen në formën e një realiteti intensiv, për shkak të nevojës për qeverisje dhe për arsye të fillimit të jetës së Parlamentit të ri të vendit. Natyrisht gjithçka varet edhe nga mënyra se si do të ndërtohet memorandumi apo kontrata bashkëqeverisëse mes këtij koalicioni, me aftësi pragmatistësh dhe me talent papërkatësie. Kureshtja se si do të jetë kjo qeveri, po bashkëshoqërohet edhe me një tendencë të hapur paragjykuese. Opozita e ka cilësuar, pa filluar ende, si qeveri grabitqare. Këtë mision akuzues opozita vijuese e ka nisur herët. Një gjë e tillë vështirë se ndodh me një qeveri të re në një vend tjetër.

Sjellja bipolare në skenën politike të vendit, për shkak të këtij konfigurimi, ka për të qenë shumë herë më e theksuar se në periudha të tjera të tranzicionit të këtyre 19 viteve. Madje, ky konfigurim rrezikon të rikthejë në muajt e ardhshëm të politikës momente të konfliktualitetit të egër. Premisat e kësaj mundësie tashmë janë bërë të njohura. Edi Rama me të vetët, nga njëra anë, dhe Berisha-Meta dhe disa të tjerë nga ana tjetër, po e mbajnë politikën në terrenin e një ballafaqimi jo serioz dhe principial. Protagonizmi i tyre dhe karriera janë bërë dhe po mbesin qëllim politikë-bërës në kurriz të qeverisjes dhe sfidave, me të cilat përballet vendi. Nuk ka naiv në këtë vend që të besojë se mes tyre ka vetëm ndeshje, për shkak të principeve dhe parimeve demokratike apo për shkak të vizioneve ndarëse që kanë dhe mbartin për demokracinë institucionale.

Vendi po futet në një kohë të re qeverisjeje, e cila së pari duhet ta nisë prej buxheteve dhe prej ekonomisë. Sistemi është kapur keq prej peshës së rëndë që po i vërvit kriza globale. Në vend po mbërrin e plotë ajo që guvernatori i Bankës Kombëtare me të drejtë e ka quajtur "thatësirë e monedhës". Qeveria vijuese në mbledhjet e njëpasnjëshme jep alarm për shkurtim shpenzimesh dhe për ndërprerje të investimeve, që me aq bujë e zhurmë u trumbetuan gjatë fushatës. Llogaria post-fushatë nuk nis prej asnjërës palë. Ndërsa rrotacioni udhëheqës brenda opozitës kërkohet nga shumë, madje më me ngut prej atyre që janë jashtë partisë kryesore të opozitës, ose që i nxori prej partisë së tyre udhëheqësi i deritanishëm.

Në këtë lëmsh të qëllimshëm, projektet politike të mbajtura në këmbë për fushatë dhe gjer në mbërritje të fushatës së 28 qershorit, ose kanë dështuar, ose janë shembur, ose nuk vlejnë më.

Po cilat janë projektet e reja dhe cili projekt do të ngrihet më i fuqishëm në kushtet e një formule të re qeverisëse? Sa e rrezikuar është në jetëgjatësinë e vet qeveria Berisha-Meta dhe cilët janë ata faktorë rrezikues? A kërcënohet ajo prej shumë faktorësh, prej shumë rrethanash, prej shumë interesash dhe para së gjithash prej këtyre protagonistëve me interesa të ngjashme e të kundërta?

Qeveria Berisha-Meta, por në veçanti këta dy politikanë të pajtuar në një aktmarrëveshje të re, natyrisht që kanë interes më shumë të kenë përballë një opozitar tjetër, të ndryshëm nga Rama. Qëllimi nuk lidhet thjesht me individin, por me resurset që ai ka grumbulluar dhe me punën që ka bërë për realizimin e projektit për kontroll autoritar të partisë së tij. Koha deri në zgjedhjet e 28 qershorit, për ta finalizuar këtë projekt, mesa duket nuk paska mjaftuar. Rama i zuri forumet dhe e vendosi kontrollin mbi partinë, por misionin zhbërës të përkatësisë dhe të dominencës së frymës së trashëguar brenda saj nuk e arriti. Kështu si rrodhën gjërat, atij i duhet të ndeshet me sfidën e mbylljes së procesit të parë dhe fitimin e sfidës së re të të mbeturit në krye të PS-së. Sulmet mbi të do të jenë edhe më intensive, e pse jo edhe më agresive. Gjeografia politike e kundërshtarëve të tij në këtë betejë është më e gjerë nga sa mund të mendohet. Sikundër edhe koordinimi për këtë qëllim, mes aktorëve të njohur e të fuqishëm të politikë-bërjes shqiptare, është më i ekspozuar se kurrë ndonjëherë më parë.

Të gjithë po pozicionohen kundër tij dhe, ai mesa duket, falë edhe misionit natyral të krye-opozitarit, po përdor qetësinë për t‘iu kundërvënë kundër Berisha-Metës. Kundërshtarët nuk duan ta lënë që ai të nisë punën në këtë funksion, por përshpejtojnë përpjekjet dhe ndërhyrjet për ta quajtur të përfunduar misionin e tij. Llogaria për këtë ndarje duket se është bërë pa hanxhinë. Socialistët e lanë pushtetin në vitin 2005 dhe vijojnë ta lënë atë vetëm për një shkak: për arsyen e ndarjes dhe sherreve mes udhëheqësve të së majtës. Të gjitha gjasat janë që kësaj udhëheqjeje të përçarë nuk do t‘i lihet më komoditeti për të kryer histori të reja telenovelash në kurriz të besimtarëve dhe mbështetësve partiakë e politikë të së majtës. Kostoja e ndryshimit në strukturat e larta të krye-opozitarëve të rinj, nuk do të jetë më kosto për gjithë majtistët. Shenjat për këtë janë dhënë. Të majtët kësaj here mund t‘i besojnë Uitman-it në vargun e tij: "Bashkimin që përbëjnë kundërshtorët".

2 Komente

Ka diçka që nuk shkon në rendin e më të rëndësishmeve të ditës, në këtë politikë të vendit. Mediat dhe politika sherrnojnë për dorëheqjen e paralajmëruar të kryetarit socialist, Edi Rama, për shkak të mos-sjelljes së socialistëve në pushtet.

Ka dicka qe nuk shkon me ty! Mosnjohja e zgjedhjeve dhe bojkoti i parlamentit prej ketij te çmendurit nuk ka si mos te jete teme kryesore.

Eh te shkretit gazetare te SHQIP. Doli ketu ne shesh fare haptas se populli nuk ju beson aq shume genjeshtrave dhe propagandes ekstreme te mediave qe e perkrahnin Edvin Ramen.  Ishin renditur: Top-ch,vizionplus, news24, pastaj sa e sa gazeta tjera si shekulli, gazetatema, e shume e shume mediume tjera te renditura kunder Dr. Sali Berishes, por i mundi te gjitha. Fitoi tvklan i vetem.

 Tani jane bere varr te gjithe gazetaret qe e mbronin symbyllur Edvin Ramen.

 E kuptoj qe ndoshta moderatori i peshkutpauje do te ma largoje kete shkrim, por me duhet ta them se edhe peshkupauje ishte renditur symbyllur ne krah te Edvin Rames, por humben te tere.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).