ODIHR: Sistemi i ri elektronik i numërimit nuk garantoi transparencë

Nëse deklarata paraprake e vëzhguesve ndërkombëtare për procesin zgjedhor vuri në dukje se procesi zgjedhor kishte plotësuar disa standarde, duke mos e klasifikuar atë sërish si plotësisht të ndershëm dhe të lirë, raporti i ndërmjetëm paszgjedhor është vula përfundimtare për një proces që nuk kalon klasën.

Në konferencën për shtyp një ditë pas zgjedhjeve, vëzhguesit e huaj thanë se pjesën e luanit në vlerësimin e tyre do ta kishte numërimi dhe nxjerrja e rezultateve. Në një të tretën e qendrave të numërimit, procesi ishte shumë i keq ose i keq, sipas vëzhguesve. Presioni politik ishte shumë i lartë, puna e KQZ ishte mjaft e dobët dhe gjykimet e saj kontradiktore, dhe ajo çka është më e rëndësishme, sistemi i ri elektronik i numërimit nuk ka garantuar transparencë.

Numërimi dhe nxjerrja e rezultatit janë vendimtare për vlerësimin e zgjedhjeve

Deklarata paraprake e MNVZ (Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve) doli në përfundimin se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri shënuan progres të dukshëm në lidhje me proceset e regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, që më parë ishin çështje problematike, si dhe me kuadrin ligjor, i miratuar me konsensusin e dy partive kryesore. Megjithatë, këto përmirësime u zbehën nga politizimi i anëve teknike të procesit nga partitë politike dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës zgjedhore, që e ulën besimin e publikut te procesi zgjedhor. MNVZ deklaroi se vlerësimi përfundimtar do të varej në një masë të madhe nga numërimi dhe nxjerrja e rezultateve, si dhe procesi i ankimimit, që janë elemente thelbësore të procesit zgjedhor”, - thuhet në raportin

Shpallja e fitores nga demokratët pa përfunduar numërimi, rriti tensionet

Pas votimeve më 28 qershor, procesi i numërimit të votave vazhdoi ngadalë dhe u vonua më tej si pasojë e mosmarrëveshjeve në disa qarqe. Procesi u bë më i ngadaltë nga nivelet e larta të mosbesimit mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Vonesat shkaktuan rritje të tensionit mes partive në ditët pas zgjedhjeve, sidomos për shkak të afërsisë në rezultate. Shpallja e fitores nga Partia Demokratike (PD) para përfundimit të numërimit të votave dhe festimet e mbështetësve të saj u kundërshtuan nga Partia Socialiste (PS). Tension pati sidomos në vendet ku numërimi u vonua më tepër, siç ishin qarqet e Fierit, Shkodrës dhe Tiranës. Më 4 korrik, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, reagoi pozitivisht ndaj një ftese të kryeministrit dhe kreut të PD, Sali Berisha, për t’iu bashkuar PD në qeverisje. Një Konventë e jashtëzakonshme kombëtare e LSI më 7 korrik e mbështeti vendimin e z. Meta.

Numërimi ishte problematik në një të tretën e qendrave të numërimit

Vëzhguesit e MNVZ ndoqën numërimin e votave në të 66 VNV-të (Vend Numërimit të Votave) duke filluar nga mbrëmja e 28 qershorit dhe në pothuajse të gjitha VNV-të deri në përfundimin e tij, duke raportuar konstatimet e tyre në intervale të rregullta. Vëzhguesit e MNVZ e vlerësuan negativisht numërimin e votave në 22 nga 66 VNV-të. Ata vunë re probleme procedurale, disa prej të cilave dukej se shkaktoheshin nga mungesa e udhëzimeve dhe trajnimit të nevojshëm. Sipas raporteve të tyre, respektimi i procedurave të numërimit ishte i dobët në nëntë VNV (14%). Anëtarët e GNV-ve (Grupet e Numërimit të Votave) e kuptonin mirë procesin në 54 VNV, (82%) por nuk vepruan mirë në 14 VNV (21%). Veprimtari e keqe ose shumë e keqe e KZAZ-ve u raportua nga 11 VNV (17%). Vëzhguesit e MNVZ raportuan se në 62 VNV (94%), një ose më shumë GNV patën vështirësi në plotësimin e tabelave të rezultateve të qendrës së votimit.

Partitë politike bënë presione mbi KZAZ-të dhe mbi grupet e numërimit

Megjithatë, në këtë pikë, kur rezultatet e pjesshme paraprake tregonin se diferencat ishin të vogla, partitë politike filluan të ndërhynin më shumë në procesin e numërimit. Vëzhguesit e MNVZ raportuan ndërhyrje në procesin zgjedhor në 28 VNV. Si rezultat, procesi u ngadalësua në disa VNV, sidomos në qarqet ku shpërndarja e mandateve ishte ose dukej si gati e barabartë. Në disa raste, KZAZ-të e patën të vështirë të kontrollonin procesin në VNV.

Vëzhguesit e MNVZ panë vëzhgues të partive që ushtronin presion mbi KZAZ-në dhe GNV-të dhe ndërhynin në proces. Ata gjithashtu vërejtën se prania e kandidatëve brenda VNV-ve shkaktonte shpërqendrim në proces. Në 33% të raporteve, vëzhguesit e MNVZ shënuan se persona të paautorizuar ishin të pranishëm brenda VNV. Në Krujë, (VNV 11), situata ishte e tensionuar dhe në një rast u desh të thërritej policia për të rivendosur rregullin. Vëzhguesit e MNVZ vunë re tension ose shqetësime në 45 VNV.

KQZ nuk ndërhyri për problemet që u shfaqën në qendrat e numërimit

Fatkeqësisht, kur u vërejtën apo u raportuan probleme në VNV, KQZ zgjodhi shpesh të mos ndërhynte, pavarësisht faktit se ndodhej në një pozitë të tillë ku mund të monitoronte atë që po ndodhte në VNV. Debatet në KQZ, që lindën si pasojë e udhëzimeve të pamjaftueshme për KZAZ-të dhe GNV-të, si edhe për pasojë të mosveprimit në ato vende ku pati probleme, kishin të bënin me kohën dhe mënyrën e duhur për të zgjidhur këto probleme, në veçanti në lidhje me kutitë e panumëruara të votimit.

Vendimet e KQZ për Fierin rritën tensionet

Mbledhjet e KQZ, gjatë të cilave u miratuan Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve, u karakterizuan nga mosbesimi, tensioni dhe fjalët e ashpra. Pas shumë diskutimesh, çdo tabelë miratohej me katër votat e anëtarëve të caktuar nga shumica parlamentare, ndërsa anëtarët e caktuar nga opozita votonin kundër. Debatet në lidhje me Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve për qarkun e Fierit ishin shumë të ashpra, për shkak të ndikimit të mundshëm të votave të panumëruara në ndarjen e mandateve të kësaj zone zgjedhore dhe kërcënimeve të PS se nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve nëse nuk do të numërohen dhe përfshihen në rezultat të gjitha kutitë e votimit të Fierit. Pas diskutimesh të tejzgjatura, gjatë të cilave anëtarët e KQZ të emëruar nga shumica dhe ata nga opozita akuzuan njëri-tjetrin se po përpiqeshin të dëmtonin procesin zgjedhor, nuk u arrit asnjë kompromis dhe tabelat e rezultateve u miratuan me katër vota pro.

Një kërkesë e bërë nga përfaqësuesi i PS që të përfshiheshin në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve dy qendrat e votimit të ZAZ 20, që ishin numëruar por nuk ishin përfshirë, u hodh poshtë nga shumica e KQZ. Kryetari i PS, Edi Rama, paralajmëroi se, në rast se procesi i numërimit në Fier nuk do të përfundonte në mënyrë të kënaqshme, atëherë PS do fillonte protestat në rrugë.

Deri tani KQZ i ka trajtuar kërkesat ankimore në mënyrë jo gjithmonë të njëllojtë.

Përmbledhje e raportit të ndërmjetëm paszgjedhor

- Në vijim të Deklaratës së Konstatimeve dhe Konkluzioneve Paraprake të 29 qershorit, Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MVZ) i OSBE/ODIHR ka vazhduar vëzhgimin e procesit zgjedhor, duke u përqendruar te numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve.

- Vëzhguesit ndërkombëtarë të MVZ ndoqën numërimin në të 66 Vendet e Numërimit të

Votave (VNV). Ata vlerësuan se numërimi u krye keq ose shumë keq në 22 VNV.

- Numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Vonesat në numërim provokuan tension mes partive, sidomos aty ku rezultatet ishin ose dukej sikur ishin të afërta. Në disa raste, numërimi i votave u bllokua përkohësisht. Ndërhyrjet e vëzhguesve të partive dhe kandidatëve në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqendrim nga procesi.

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zgjodhi shpesh të mos ndërhyjë në rastet kur në VNV kishte probleme.

- Njëri nga problemet kryesore që u vunë re gjatë numërimit ishin mosmarrëveshjet nëse

duheshin numëruar ose jo votat nga disa qendra votimi. Në disa VNV nuk u numëruan të

gjitha kutitë e votimit, duke mos u përfshirë në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve.

- Miratimi nga KQZ i Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për 12 zonat zgjedhore shkaktoi shumë debate, me mosmarrëveshje të përsëritura për faktin nëse në këtë fazë KQZ duhet të numëronte e të përfshinte në rezultat kutitë e votimit që nuk ishin përfshirë në tabela nga Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Anëtarët e KQZ të propozuar nga shumica parlamentare shkëmbyen akuza të ndërsjella me anëtarët e propozuar nga opozita. Gjatë periudhës së raportimit, tetë nga dymbëdhjetë Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve u miratuan me votat kundër të anëtarëve të propozuar nga opozita.

- Sistemi i ri elektronik i monitorimit, sipas të cilit secila votë duhet të vendosej para videokamerës që vëzhguesit të shihnin se për cilën parti ishte vendosur shenja, duket se nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit. Në mënyrë të veçantë, nuk ishte gjithmonë e mundur të shikohej se për cilin subjekt ishte votuar apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur.

- Deri tani, në KQZ janë bërë 16 ankimime kundër Tabelave Përmbledhëse të Rezultateve nga Zonat e Administrimit Zgjedhor (ZAZ) në qarkun e Tiranës dhe Durrësit. Ankimimet u pezulluan, për t’u ribërë dhe për t’u shqyrtuar pas miratimit të Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zonën zgjedhore përkatëse nga KQZ.

Disa nga përfundimet e konkluzioneve paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë

29 qershor

- Anëtarët e KQZ mbajtën qëndrime të ndryshme për shumicën e çështjeve të kontestueshme. Në të shpesh u votua në bazë të përkatësisë partiake. Përfaqësuesit e dy partive kryesore në KQZ bënë shpesh deklarata politike që e rritën tensionin.

- Mosdorëzimi i informacionit të duhur për përgatitjen logjistike, si edhe moscaktimi i anëtarëve të komisioneve të nivelit më të ulët brenda afateve ligjore ndikuan në mënyrë negative në punën e KQZ. Kjo gjë çoi, jo vetëm në ngritjen me vonesë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe të Komisioneve të Qendrave të Votimit, por edhe në probleme për t’i trajnuar të gjithë anëtarët e komisioneve.

- Pati polemika, pasi shumë njësi të qeverisjes vendore, ose nuk caktuan hapësira publike për afishimin e posterave të fushatës, ose nuk i informuan partitë se ku gjendeshin ato.

- Ministria e Brendshme shpesh nxori shifra në dukje kontradiktore për ecurinë e procesit të aplikimit për kartat e identitetit, gjë e cila e uli besimin e publikut në saktësinë e informacionit të dhënë nga qeveria duke nxitur aludimet.

- Transmetuesit që u monitoruan ishin të njëanshëm në pasqyrimin e partive kryesore dhe dhanë një pasqyrim të kufizuar të konkurrentëve të tjerë. Shumicës së organeve të medias, në mënyrë të veçantë transmetuesve televizivë, u mungoi pavarësia editoriale, si edhe transparenca në lidhje me pronësinë e tyre.

- Disa herë Bordi Monitorues i Medias (BMM) dha vlerësime që treguan mungesën e pavarësisë dhe përdori një metodologji të pamjaftueshme për të kryer detyrat e saj, ashtu siç parashikohen në Kodin Zgjedhor. Në përgjithësi, BMM nuk propozoi masa kompensuese, të cilat do t’u jepnin partive “më të vogla” atë kohë transmetimi që u përket sipas Kodit Zgjedhor.

- Boshllëqe në dispozitat ligjore për të siguruar përfaqësimin e grave si kandidate krijuan mundësi për ta anashkaluar qëllimin, duke e ulur ndikimin e dispozitave.

- Shqetësim serioz ishte mungesa e transparencës për financimin e fushatës zgjedhore.

Rastet e presioneve të qeverisë mbi administratën

- Punonjësve të Bashkisë së Peqinit (qarku i Elbasanit) u është kërkuar nga drejtuesit e tyre të marrin pjesë në një miting të PD më 9 qershor.

- Në një shkollë në qarkun e Tiranës, drejtori i shkollës ka kërcënuar se mësuesit do të hiqeshin nga puna, nëse nuk votonin për PD. Ai u kërkoi mësuesve të fotografonin fletët e tyre të votimit.

- Në qarkun e Fierit, një punonjës i sektorit publik që mori pjesë në një aktivitet me një zyrtar të lartë të PS u kërcënua se do hiqej nga puna.

- Një punonjës i sektorit publik në Kavajë (qarku i Tiranës) u paralajmërua së vendi i tij i punës do rrezikohej, nëse ai do të përfshihej shumë hapur me Partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut.

- Studentëve të universitetit u është bërë presion se do ngelnin në provime, nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD.

2 Komente

Njëri nga problemet kryesore që u vunë re gjatë numërimit ishin mosmarrëveshjet nëse duheshin numëruar ose jo votat nga disa qendra votimi.

Nëse ka mosmarrveshje dhe në këtë pikë, atëhere përse u bënë votimet?
Nëse egzistonte opcioni i mosnumrimit, atëhere të shtihej tek a çift dhe e zgjidhnin problemin për 30''

Sidoqofte perparimi ishte i ndjeshem, ishte e para here qe pas komandantit qe nuk u vra asnje komisioner. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).